Afera ContourGlobal, 8 arsyet pse ky projekt duhet të ndalet
Qeveria e Kosovës, Kryeministri Haradinaj e privoi publikun në Kosovë nga të dhënat për një çështje themelore siç është ajo e ndërtimit të Termocentralit të ri.
Ky projekt nuk kalon. Qeveria bën mirë të tërhiqet para se të jetë vonë dhe të gjenden në procese gjyqësore secili përgjegjës. Aktualisht Ministria e Ambientit veçse është paditur mbi dhënien me shkelje të pëlqimit mjedisor.
*****
1. 1.3 MILIARDË PËR 500MW [KOSOVA E RE] KRAHASUAR PËR SHEMBULL ME 210 MILIONË PËR 600 MW, [RINDËRTIMI I TRE BLLOQEVE TË TC KOSOVËS A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.
2. 80€-96/MW ÇMIMI I GARANTUAR I BLERJES NGA CONTOUR GLOBAL, KRAHASUAR ME 30€/MW NGA KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.
3. NORMA E KTHIMIT PREJ 18.5% DHE GARANTIMI I KREDIVE NGA QEVERIA E KOSOVËS – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po qe se ai dështon ta paguaj kredinë.
4. RRITJA E TARIFAVE TË ENERGJISË ELEKTRIKE PËR KONSUMATORË DERI NË 80%– Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do t’ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.
5. 5-7 MILIARDË € – KOSTOJA TOTALE ENERGJISË ELEKTRIKE NGA TC KOSOVA E RE PËR PERIUDHËN PREJ 20 VJETËSH, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.
6. KRIJIMI I NDËRMARRJES FANTOME NKEC – QEVERIA KA THEMELUAR NDËRMARRJEN E RE KOSOVARE TË ENERGJISË “NEW KOSOVO ENERGY COMPANY [NKEC]” E CILA DO TË BLEJË ENERGJINË ELEKTRIKE NGA CONTOURGLOBAL ME ÇMIM PREJ 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ia shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.
7. ÇRREGULLIMI I TREGUT TË ENERGJISË ELEKTRIKE NË VEND – Në kundërshtim me të gjitha praktikat evropiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.
8. ASNJË BLLOK I NGJASHËM (SI KOSOVA A) NË RAJON E MË GJERË NUK ËSHTË DEKOMISIONUAR POR JANË RINDËRTUAR APO RIPARUAR – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.