23 09 2019

Akrashticë, Vushtrri: me ngazëllim për qeverinë Kurti

Akrashtica e Vushtrrisë nuk kishte sallë apo shkollë të madhe mjaftueshëm për të akomoduar numrin e madh të banorëve që kishin ardhur në tubim. Akrashtica gjithnjë e ka mbështetur Lëvizjen masivisht në tubime e protesta, por kurrë si dje, plot ngazëllim. Dukej sikur i gjithë fshati ishte para shkollës, nipa e mbesa me prindër e gjyshër, për të dëgjuar si do të duket Kosova pas 6 tetorit.

Gjithnjë, pahezitim dhe e pakursyer përballë forcave serbe e regjimeve të pasluftës, Akrashtica tashmë është gati edhe për ndryshimet e mëdha me qeverinë Kurti. Në sytë e banorëve nuk sheh urrejtje, por zemërim të madhe për mungesën e drejtësisë, nuk sheh dëshpërim, por dëshirë të madhe për një kthesë të madhe.

Kandidatët nga Vushtrria, Sulejman Meholli, Besim Muzaqi, Fjolla Ukjani e Gazmed Gjyshinca, përforcuan mbështetjen e madhe ku edhe sipas sondazheve të fundit lokale Lëvizja del e para bindshëm në këtë zonë. Aq më tepër në Akrashticë, e cila është angazhuar gjithmonë masivisht në aktivitetet tona.

Kosova nuk e ka luksin që të rinjtë t’i lërë të paarsimuar mirë dhe të papunë edhe kur janë të mirëarsimuar. Ndërsa, ata që i hapën rrugën papunësisë, arsimit të dobët e rrugët e kufijve për migrimin masiv, ne do të hapim derën e burgut për ta.

Me fjalët e tij, kandidati jonë për kryeministër, Albin Kurti, tregoi sesi qytetarët po e duan Lëvizjen dhe sesi po i japin zemër që përmes saj pa u dridhur të funksionojë shteti i Kosovës. Pritjes së madhe të banorëve iu përgjigj duke u thënë se, “e di që ju keni vuajtur shumë e keni pritur gjatë, me qeverisjen e VETËVENDOSJE! edhe Vushtrria edhe Akrashtica do ta kenë vemendjen e duhur sepse njerëzit patriotë e punëtorë duhet ta kenë pranë shtetin për ta përparuar shoqërinë”.

“Më së pari qytetarët do ta shohin ndryshimin e qeverisjes pas 6 tetorit me reformimin e administratës publike ku përulja ndaj qytetarëve dhe mbikqyrja e mirëmbajtja e pasurisë së përbashkët do të jenë praktikë e përditshme shtetit të Kosovës”, vazhdoi Kurti. Duke përmendur numrin e vogël të inspektorëve të punës dhe mbipunësimin në sektorë të tjerë administratës, i pari i listës tonë fituese shpjegoi se ka njerëz me vende pune e pa punë dhe ka njerëz që duan punë e nuk kanë vend pune. “Në administratën publike ne nuk do t’i hedhim njerëzit nga puna, por do t’u japim atyre punë. Aty ku ka dypunësim do t’i punësojmë në inspektoriatin e punës”, potencoi ai.

Besimi në Lëvizjen e prioritetet e qeverisë Kurti dhe dashuria për Kosovën do ta kthejnë 6 tetorin në një dasëm të madhe për një republikë të re për zhvillim për vendin tonë, ku qytetarët do të bashkohen në prodhim dhe do të jenë të barbartë përballë një shteti të drejtë.

Kontribo