11 12 2015

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot kanë goditur me ngjyrë makinën e zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashit.

Ky ministër para disa ditësh e ka krahasuar forcën më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës me terroristët e ISIS.

Abrashi është një abuzues dhe ofendues, i cili ka etiketuar rëndë opozitën e vendit të tij, duke përdorur fjalë të njëjta me Serbinë. Sipas Abrashit, aktivistët që përdorin ngjyrë e vezë për të protestuar janë terroristë. Ndërkohë kolegët qeveritarë e partiakë të Abrashit mbajnë nëpër shtëpi e nëpër makinat e tyre arsenale armësh pa leje, dhe i përdorin këto armë për të shantazhuar qytetarët e policët, dhe për të mbrojtur aferat e tyre korruptive, për të cilat as nuk mundohen që t’i fshehin.

Përveç kësaj, Abrashi është një prej mbrojtësve më të zellshëm të “Zajednicës” dhe të marrëveshjeve qeveritare me Beogradin, të cilat po ndajnë e po dëmtojnë rëndë Kosovën.

Qeveria e Kosovës dhe zyrtarët e saj nuk do të mund të kenë rehati pa u tërhequr marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit të arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë realizimit të këtij aktiviteti.

Aktivistët nuk do të ndalen, Zajednica nuk do të kalojë!

Kontribo