26 11 2015

Alternativa nuk ka dialog

Në janarin e këtij viti, anembanë qyteteve e qytezave të Kosovës u patën mbajtur rreth 15 protesta kundër ish ministrit të qeverisë së Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq. Me vendosmëri po kërkohej shkarkimi i Jabllanoviqit pasi që ai i kishte quajtur egërsira nënat e të pagjeturve nga Gjakova dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Qeveria po e mbronte Jabllanoviqin herë duke thënë që ai është keqkuptuar e herë duke i keqinterpretuar motivet e protestuesve.

Të shumtë ishin qytetarët e Kosovës të cilët asokohe na thoshin se nuk hiqet dot Jabllanoviqi si ministër qeverie meqenëse ai është kreu i Listës serbe. Dhe, vazhdonin ata, po u shkarkua Jabllanoviqi, atëherë tërhiqet Lista serbe nga koalicioni me PDK e LDK dhe asisoj bie qeveria! Na e thoshin këtë edhe pas dy protestave masive e të fuqishme më 24 dhe 27 janar në Prishtinë. Na e thoshin këtë madje edhe në ditën e 3 shkurtit, në mbrëmjen e së cilës më në fund u shkarkua Jabllanoviqi (një ditë para protestës së radhës të paralajmëruar për 4 shkurt).

Mirëpo, të gjithë këta qytetarë një gjë nuk po e kuptonin: Vuçiqi e Daçiqi më të rëndësishëm i kanë Mustafën e Thaçin të cilët u nevojiten atyre për ‘Zajednicën’ sesa Jabllanoviqin të cilin kollaj mund ta zëvendësojnë me një tjetër siç edhe bënë. Pra, Serbia i ka aset shumë të vlefshëm krerët e qeverisë së Kosovës sepse këta janë tejet dorëshlirë për Kosovën duke ia përmbushur rregullisht apetitet Serbisë.

Në këtë kuptim, Mustafa e Thaçi nuk janë më as tradhtarë të Republikës së Kosovës e të kombit shqiptar. Ata tashmë janë bashkëpunëtorë të Serbisë. Mund të tradhtosh një herë, nuk mund të tradhtosh disa herë e aq më pak të tradhtosh vazhdimisht. Mustafa e Thaçi moti e kanë kryer tradhtinë. Sot ata janë shndërruar në bashkëpunëtorë të Serbisë, në shërbëtorë të devotshëm të Serbisë hegjemoniste dhe ekspanzioniste, në vegla të nacional-socializmit serb të udhëhequr nga Vuçiqi e Daçiqi. Mustafa e Thaçi janë më keq se tradhtarë të Kosovës – ata janë bashkëpunëtorë të Serbisë.

Këta dy jo vetëm që aspak s’po e ndihmojnë Kosovën, por edhe po e ndihmojnë shumë Serbinë. Trajtimi special që po ia bën qeveria e Kosovës Serbisë përmes dialogut pa kushte me të, po e forcon Serbinë në fushatën e saj kundër Kosovës. Qeveria e Kosovës po jep kontribut të çmuar në fuqizimin e Serbisë brenda Kosovës e rreth Kosovës, gjithnjë kundër Kosovës. Prandaj, opozita e bashkuar nuk mund t’i lëshojë pe Mustafës e Thaçit sepse ashtu do t’i binte që i lëshuam pe Serbisë!

Thaçi e Mustafa pasi që e kanë bërë Kosovën të negociueshme me Serbinë, tash marrëveshjet me Serbinë po i paraqesin si të panegociueshme (sic.). Thonë se e kanë të pamundur të tërhiqen nga marrëveshjet e këqija si këto për ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe Demarkacionin me Malin e Zi. Po të ishin Mustafa e Thaçi njëmend qeveritarë të Kosovës e jo shërbëtorë të Serbisë, jo tërheqja nga këto marrëveshje, por pikërisht nënshkrimi i tyre do të ishte i pamundur e i paimagjinueshëm.

Kuvendi i Kosovës është i shkelur me ‘Zajednicën’ e Serbisë. Bllokimi në Kuvend e mbron Republikën pa të cilën nuk ka çka të duhet Kuvendi. Fundja, Kuvendi mund të jetë edhe i autonomisë, edhe i kantonit, edhe i njësisë federative, s’është e thënë të jetë vetëm i republikës, apo jo? Kthimi në Kuvend i opozitës nuk mund të jetë kthim në hapsirë pa qenë kthim në kohë: duhet të kthehemi në situatën para 25 gushtit të këtij viti. Sepse debati duhet t’i paraprijë marrëveshjeve e jo anasjelltas.

Me kohë dhe në vazhdimësi ne i kemi kundërshtuar decentralizimin etnik dhe eksterritorialitetin fetar, UNMIK-un dhe EULEX-in, shitjen e KEDS-it dhe vjedhjen e Bechtelit, mallrat e Serbisë dhe Jabllanoviqin. Për të gjitha këto ka dalur se kemi pasur të drejtë. S’do mend se edhe ata që sot kanë dilema shpejt do ta kuptojnë se kemi pasur të drejtë edhe në kundërshtimin e ‘Zajednicës’ së Serbisë e të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E gjithë çështja është se çfarë çmimi duhet të paguajmë deri sa të tërhiqen Mustafa e Thaçi nga pazaret e tyre me Serbinë dhe Malin e Zi.

Ka mundësi që ata do të tërhiqen vetëm pasi ta kenë vrarë dikë prej nesh apo disa prej nesh. Nuk kam dyshim në gatishmërinë e tyre për të na vrarë. Mirëpo, kjo gatishmëri e tyre do ta ketë përballë një gatishmëri tonën edhe më të madhe edhe më të lartë: gatishmërinë jo vetëm që të burgosemi por edhe të vdesim vetëm e vetëm që Serbia të mos e fitojë ‘Zajednicën’ në Kosovë kurse Mali i Zi të mos i marrë 9.000 hektarë tokë të Kosovës. Ne nuk i frikësohemi as burgjeve e as plumbave të regjimit Mustafa-Thaçi. Ne i frikësohemi vetëm bosnjëzimit të Kosovës.

Nuk mund të dialogosh me këtë qeveri e të merresh vesh me të. Jo vetëm për shkak se ajo tanimë ka dialoguar e është marrur vesh me Serbinë dhe Malin e Zi. Dialogun në institucione e kemi parë te ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë Gjykatës Speciale. Fol e debato sa të duash në foltoren e Kuvendit, në fund, votimi i deputetëve të koalicionit PDK-LDK-Srpska i përngjan futjes së rruazave në pe. E, nëse rastësisht s’ka mjaftueshëm rruaza, atëherë thirret seanca tjetër ku gjithçka përsëritet deri te rezultati i duhur. Demokraci se jo mahi!

Alternativa e kësaj është insistimi përmes protestave të vazhdueshme sikurse në rastin e shkarkimit të Jabllanoviqit. Në atë rast u arrit qëllimi e u realizua kërkesa jonë pa kurrfarë dialogu e pa asnjë takim me Mustafën e Thaçin. Nuk pati as tryezë dialogu e as platformë bisedimesh, por Jabllanoviqi u detyrua të ikë. Dialogu me regjimin Mustafa-Thaçi nuk është alternativë. Fundja, në shtetin e të kapur, natyrisht që ka më shumë më tepër demokraci në demonstrata qytetare sesa në institucione zyrtare.

 

26 nëntor 2015

Albin Kurti      

 

 

 

 

Kontribo