SHTETI ZHVILLIMOR

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që modeli ekonomik në Kosovë, përbrenda atij të ekonomisë të tregut, të jetë ai i një shteti zhvillimor. Shteti zhvillimor përpiqet që të balancoj rritjen ekonomike me zhvillimin social dhe mirëqenien e përgjithshme.

Shteti zhvillimor luan një rol aktiv në drejtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe përdorimin e burimeve të vendit për të përmbushur nevojat e qytetarëve të tij. Ky model ekonomik vë në përdorim politikat shtetërore, burimet natyrore dhe ndikimin e shtetit për të luftuar varfërinë, zvogëluar papunësinë dhe pabarazinë, ndërton një klasë të mesme të fortë dhe zgjeron mundësitë ekonomike të Kosovës.

Në gjitha vendet shteti luan një rol kyç në formësimin e strukturës dhe rendimentit ekonomik. Për këtë qëllim përdor një shumëllojshmëri të instrumenteve dhe politikave. Këto politika fillojnë nga rregullimi i industrisë dhe tregtisë, rishpërndarja e të ardhurave dhe pasurive, përdorimi i politikave fiskale dhe monetare e deri tek pronësia e drejtpërdrejtë e shtetit në industri kyçe. Me modelin zhvillimor, shteti nuk është më spektator por bëhet aktor dhe faktor. Ai nuk e kontrollon zhvillimin por merr pjesë në të, nxit orientime të caktuara që dihet se janë të leverdishme, koordinon e mbështet iniciativa të ndryshme, promovon eksportin dhe nxit zëvendësimin e importeve.

Shkarko të plotë Alternativën për Shtetin Zhvillimor

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndërtimin e një shteti zhvillimor që në mënyrë efikase udhëzon zhvillimin ekonomik kombëtar duke mobilizuar burimet e shoqërisë dhe drejtimin e tyre drejt realizimit të qëllimeve të përbashkëta. VETËVENDOSJE! i vendos nevojat e të varfërve dhe çështjet sociale të tilla si kujdesi shëndetësor, strehimi, arsimi dhe rrjeti i sigurisë sociale në krye të axhendës zhvillimore. Prioritete këto pa të cilat zhvillimi ekonomik nuk ka kuptim. Me shtetin zhvillimor tregu është në funksion të ekonomisë dhe ekonomia në funksion mirëqenies së gjithëmbarshme të shoqërisë.

Kosova si shtet zhvillimor do të jetë në gjendje të drejtojë dhe të mbështesë zhvillimin ekonomik. Kjo bëhet me ndërtimin e një shërbimi të fortë publik, krijimin e një mjedisi miqësor për investitorët, mbështetjen e zhvillimit dhe rritjen e biznesit të vogël, si dhe duke përdorur ndërmarrjet publike në mënyrë efektive dhe duke kanalizuar iniciativat strategjike investive, iniciativa këto që do ndërtonin industri. Kjo industri sjell zhvillimin, modernizimin dhe punësimin për kundër ekonomisë që bazohet vetëm në shërbime e financa e cila nuk mund të jetë e suksesshme.

Shteti zhvillimor është në gjendje të kontrollojë burimet dhe resurset e mëdha që ka dhe t’i vendos ato përkrah detyrave strategjike zhvillimore të vendit që do të mundësojnë përmbushjen e qëllimeve për një shtet të zhvilluar, të drejtë e social.

Një model i tillë shteti ka nevojë për vullnet dhe guxim politik në mënyrë që të mobilizoj kapacitete strategjike, organizative dhe teknike për të realizuar rolin e tij zhvillimor. Shteti zhvillimor është në gjendje të bashkojë sektorin publik, fuqinë punëtore, universitetin, bizneset dhe shoqërinë civile në ndërveprim deri në mbërritjen e mirëqenies së përgjithshme.

Duke qenë se mbërritja e shtetit zhvillimor thërret kapacitete organizative për të siguruar realizimin e qëllimit, kjo paraqet po kështu dhe gatishmërinë për reforma të domosdoshme që sigurojnë efektivitetin qeverisës. Rrjedhimisht, shteti zhvillimor mbërrin deri tek përmirësimi i sistemit dhe strukturave brenda secilës sferë qeverisëse.

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për një shtet zhvillimor që është edhe shtet social, shtet universal dhe shtet solidar. Universal sepse të gjithë paguajnë për të mirën e përgjithshme, dhe solidar sepse ata që kanë të ardhura më të larta paguajnë më shumë për të mirën e përgjithshme.

Shkarko Alternativën e plotë qeverisëse

Kontribo