Ne synojmë që mbështesim në çdo hap rritjen e mesatares përmes një procesi të drejtë dhe rigoroz pranimi të mësimdhënësve të rinj, dhe do të realizojmë një vlerësim të drejtë për mësimdhënësit aktual, do të rishikojmë tekstet shkollore dhe ribotojmë ato, do të mbështesim me buxhet pajisjen e shkollave me laboratorë mësimor dhe biblioteka. Si dhe brenda 48 muajve do të pajisim me inventar të ri shkollat e mesme dhe ato nëntëvjeçare në bashkëpunim edhe me prodhuesit vendor.
Prioritet do të kenë ato komuna dhe lokalitete ku nuk ka ende çerdhe publike, dhe më pas aty ku ka vetëm një. Me planin tonë, pas këtij hapi, vijohet me plotësimin e të gjitha nevojave për çerdhe në të gjithë Republikën. Plani ynë ka për qëllim edukimin e fëmijëve, e veçanërisht mbështetjen e grave në rritjen e tyre. Një prioritet të veçantë në këtë program do të kenë fëmijët e nënave vetushqyese.
Shkeljet në vendin e punës deri në rrezikimin e jetës kërkojnë masa urgjente dhe të plota. Puna mbi pesë ditë në javë, e papaguar, pa kontrata, ose me kontrata të përkohshme, po rëndon shumë gratë e vajzat dhe çdo punëtor. Deri në fuqizimin e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla sipas planit tonë zhvillimor, dhe forcimit të kontrollit për korporatat, nuk do të lejojmë në asnjë formë punën mbi 5 ditë në javë për punëtorët në pozita jomenaxheriale.
Është detyra jonë si qeverisje që të mbulojmë sigurimin e jetës së punëtorëve në shërbim të republikës, të cilët për shkak të detyrës u rrezikohet jeta dhe u vihet në vështirësi të madhe familja.
Ne do t’u planifikojmë fëmijëve nën moshën 15 vjeçare shtesa në shumën 10 euro në muaj. Këto shtesa do të paguhen në emër të nënës.
Ndryshimi dhe më pas zbatimi pa vonesë i ligjit të Sigurimeve Shëndetësore, duke themeluar Sistemin informativ Shëndetësor, duke licencuar profesionistët mjekësorë, duke themeluar fondin e sigurimeve shëndetësore publike dhe duke njoftuar në kohë qytetarët dhe sipërmarrësit për paketat dhe çmimet e shërbimeve.
Deri në fund të mandatit të parë pensioni bazik do të arrijë shumën prej 150 euro, derisa ai kontributdhënës, 280 euro.
Ndërtimi i Komisioneve të Përbashkëta qeveritare dhe parlamentare me Republikën e Shqipërisë për siguri kombëtare, politikë të jashtme dhe burimet e përbashkëta natyrore
Këtë plan do ta nisim nga harmonizimi i Sistemit Doganor me Republikën e Shqipërisë, dhe do të vijojmë me regjistrin e përbashkët civil dhe të bizneseve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Këto masa rezultatin e parë do ta kenë qarkullimin dhe bashkëpunimin pa pengesa të qytetarëve, profesionistëve dhe prodhimeve.
Ligj i ri për Administratën publike dhe ulja e numrit të ministrive deri në dymbëdhjetë të tilla.Bashkimi i Ministrisë së Tregëtisë dhe Industrisë me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik; bashkimi i Ministrisë së Shëndetësisë me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale; bashkimi i Ministrisë së Diasporës me Ministrinë e Punëve të Jashtme; bashkimi i Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal me Ministrinë e Administratës Publike.
Qeverisja jonë do të orientojë politikat fiskale drejt mbështetjes së degëve ekonomike që identifikohen si bartëse të zhvillimit ekonomik, rritjes së prodhimit industrial, rritjes së punësimit, dhe përgjithësisht rritjes së mirëqenies. Për të balancuar barrën buxhetore në mes të klasave më të varfra dhe atyre që kanë më shumë mundësi, ne do ta vendosim progresivitetin në tatimin në të hyra.
Çështja e ujit të pijshëm dhe e trajtimit të ujërave të zeza është për qytetarët me prioritet të lartë, ndaj dhe qeverisja jonë do të dinamizojë adresimin e plotë të saj duke e transformuar rrënjësisht qeverisjen e këtij sektori dhe financimin e tij.
Problemet me dokumentacionin dhe me vërtetimin e pronësisë i kanë marrë qytetarëve shumë kohë e para. Po ashtu, ata kanë qenë subjekt i padrejtësive të mëdha. Ndaj është e urgjencë e prioritet që të fillojë zgjidhja e këtij problemi në rrënjën e tij, pra nga sistemi kadastral. Këtë proces do ta realizojmë përveç të tjerash me vëmendje të veçantë në regjistrimin me korrektësi të pronës së përbashkët midis bashkëshortëve, pra dhe gruas.
Me këtë ligj parashikohen përparësitë në prokurim publik për prodhuesit vendor.
Për çdo vit investimet në bujqësi do të ndahen në 65% subvencione dhe 35% në grante në mënyrë të drejtë e të studiuar, mbështetur nga Federata Sindikale e Bujqve. Kjo do të paraprihet nga rritja e buxhetit për të. Ne do t’i japim përparësi të veçantë mbështetjes së grave fermere, duke e sanksionuar përparësinë e tyre për përfitimin e kësaj mbështetje. Ne synojmë që ta rrisim deri në 240 milionë euro mbështetjen buxhetore për bujqësinë dhe zhvillimin e prodhimit vendor brenda mandatit të ardhshëm.
Ne do ta mbështesin bujqësinë dhe e kemi një plan të detajuar për këtë. Por pa dërguar ujin në tokat e fermerëve tanë ky plan nuk do të përmbushej. Ndaj, një nga prioritetet bazë të qeverisjes tonë është investimi në sistemin e ujitjes.
Rindërtimi i TEC-it Kosova A, dhe ndërtimi i kapaciteteve të reja për B3 dhe B4.Funksionalizim pa vonëse i linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri dhe përpilimi i bilancit të përbashkët energjetik, dhënies së licencave reciproke në Kosovë dhe Shqipëri për operatorët/furnizuesit publik të të dyja vendeve drejt unifikimit të plotë të sistemeve energjetike të të dyja vendeve.Qeverisja jonë do të kërkojë me vendosmëri sipas ligjeve në fuqi rikthimin e tarifave para rritjes arbitrare dhe joligjore të viteve 2014-2015, si dhe do të shpallë të paligjshëm ngarkesën në faturat e qytetarëve të humbjeve komerciale (energjia që vidhet dhe energjia që nuk paguhet nga komunat në veri të vendit).Po ashtu do të rishikojmë edhe sistemin tarifor aktual me qëllim përshtatjen me interesin publik dhe të sipërmarrjes prodhuese.
Dërgimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias për vlerësimin e ligjshmërisë dhe përputhjes së saj me standardet ndërkombëtare, dhe anulimi i Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për krijimin e “Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”
Hetim Parlamentar për Privatizimin e KEDS-it, për kontratat e ndërtimit të autostradave “Vërmicë-Prishtinë-Merdarë” e “Prishtinë-Shkup”, si dhe për procesin privatizues të PTK-së
Pajisja me dokumente të posaçme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës që banojnë e punojnë në Kosovë. Dhe lehtësimi për fitimin e shtetësisë për ata që aplikojnë. Ne synojmë që të krijojmë fondin e përbashkët zhvillimor së bashku me qeverinë e Republikës së Shqipërisë mbështetur nga një zyrë e përbashkët koordinuese për problemet e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Synimi ynë parësor në këtë çështje është integrimin i qytetarëve të pakicës serbe përmes zhvillimit ekonomik e shoqëror
Krijimi i Njësisë së posaçme Anti-Mafia në Prokurori që i raporton drejtpërdrejtë Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe Krijimi i Dhomës së Veçantë Anti-Mafia në Gjykatat e Republikës së Kosovës. Garantimi i Mbrojtjes së afërt për zyrtarët e këtyre njësive.
Ne besojmë se ka ardhur momenti të shqyrtojmë hollësisht nëpërmjet procesit të vetingut të rregulluar me ligj të posaçëm profilin dhe integritetin e çdo gjyqtari dhe prokurori në Republikën e Kosovës.
Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit në burgun e Prizrenit - Krijimi i Njësisë së veçantë të hetimit dhe zbardhjes së të gjitha vrasjeve të pazbuluara Mbështetja për hetimin ndërkombëtar mbi rastin Dehari, dhe mbështetja për zbardhjen e plotë të rrethanva të pasqaruara të vdekjes në paraburgim të Naser Makollit, dëshmitarit kryesor të këtij rasti.Mbështetje e plotë për zbardhjen e rasteve të policit Enver Zymberi, dhe të Dafina Zhubit, Ermal Kamberajt dhe Elvis Pistës përmes organeve shtetërore dhe ndihmës ndërkombëtare, aty ku do jetë e nevojshme.Si dhe mbështetje e plotë institucionale për zbardhjen dhe trajtimin e të gjitha rasteve të vrasjeve të aktivistëve politikë pas luftës.
Shumica parlamentare e drejtuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në legjislaturën e ardhshme do ta zhvillojë dhe përmbyllë hetimin e plotë parlamentar mbi burimin e financimit të organizatës ilegale “SHIK”, dosjet e prodhuara prej saj dhe përfshirjes së personave dhe roleve të tyre në të.Të gjitha gjetjet do t’i dorëzohen sipas ligjeve në fuqi Prokurorisë së Republikës së Kosovës.
Vendi ynë ka një popullatë në moshë të re e cila është e domosdoshme të shprehet dhe angazhohet publikisht. Forma e parë dhe e drejtpërdrejtë e zgjerimit të të drejtave të rinisë është e drejta e tyre për të votuar.
Një mori çështjesh jetike për vendin dhe për qytetarët në të kaluarën janë trajtuar pa votën e vullnetin e qytetarëve tanë. Ndërsa pasojat e atyre vendimeve kanë rënë mbi ta. Kjo nuk duhet të ndodhë më, dhe në respekt të të drejtave politike e civile çdo qytetar i Kosovës duhet të gëzojë të drejtën për të kërkuar dhe realizuar referendum për çështje madhore dhe lokale.
Një nga mbrojtjet thelbësore të të drejtave të punës bëhet nëpërmjet sistemit gjyqësor. Është e domosdoshme që punëtorët tanë të kenë hapësirë dhe mundësi për t’i realizuar pa vonesa dhe me dinjitet kontestet e tyre me punëdhënësit.
Ndryshimi i Ligjit të padrejtë për veteranët e luftës çlirimtare dhe rivlerësimi i punës së komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ne besojmë se zyrtarët e lartë publik nuk duhet ta kenë pagën më të lartë se sa trefishin e pagës mesatare në sektorin publik.
Në bashkëpunim me Komunat e Kosovës dhe prodhuesit vendor qeveria jonë do të planifikojë dhe zbatojë shërbimin e ushqimit (një shujtë) për nxënësit tanë.
Vlerësojmë se klubet tona janë në situatë emergjente dhe presin mbështetje serioze nga qeverisja jonë. Ndërtimi i stadiumit do të marrë udhë pa vonesa. Ne kemi planifikuar ndërhyrje të gjithëmbarshme për rimëkëmbjen e sporteve individuale dhe kolektive në alternativën tonë qeverisëse. Ne vlerësojmë se këtë rimëkëmbje, përveç buxhetit të shtuar e të ndarë drejtë, e sjell dhe unifikimi i ligave dhe kampionateve me Republikën e Shqipërisë.
Artistët e të gjithë brezave jo vetëm meritojnë por e kanë domosdoshmëri për veprimtarinë dhe krijimtarinë e tyre këtë hapësirë. Artistët dhe publiku, sidomos të rinjtë e të rejat, nuk mund të ecin përpara pa skenën dhe artin në të. Ndaj ndërtimi i Teatrit të Operas do t’i japë Republikës së Kosovës dhe kombit në tërësi një shtysë përpara. Investimi i vazhdueshëm për kinematë është një interes shoqëror që lidhet me mirëqenien e shoqërisë dhe mbështetjen e krijuesve të kësaj fushe.
Ne synojmë që të forcojmë Universitetin e Prishtinës dhe t’i transformojmë universitetet publike në qytetet e tjera duke i specializuar ato. Që kjo të realizohet me sukses përpos masave për staf akademik cilësor e me integritet, si dhe buxhet të shtuar për arsimin e lartë, është me rëndësi që familjet e Kosovës të kenë mundësi t’ia mbështesin banimin dhe shkollimin fëmijëve të tyre në Universitet pa hyrë në borxhe, ndaj do të heqim çdo taksë semestrale.
Qeverisja jonë do të nisë pa hezitim negociatat me Qeverinë e Malit të Zi me synim arritjen e një marrëveshje të re për përcaktimin e vijës kufitare.
Ne do të vijojmë me avancimin e kompetencave të Forcave të Sigurisë së Kosovës, dhe parashikimin e buxhetit për këtë avancim. Ne do të nisim pa vonesë bisedimet me të gjithë faktorët politikë për themelimin e Forcave të Armatosura dhe për anëtarësimin në NATO.
Fondi Sovran do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës. Fondi do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së Trepçës, KEK-ut, Korporatës së Thëngjillit, PTK-së. Brenda Fondit do të themelohet komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike, Fondi i privatizimit dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e zbusin bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve. Fondi do t’i vë në dispozicion 200 milionë euro për investime në ndërmarrje të reja në sektorë të caktuar të industrisë. Plani zhvillimor do të bashkërendohet nga Agjencia Zhvillimore e Kosovës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet. Ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran. Privatizimet e deritashme do të hetohen dhe do të vlerësohen në mënyrë transparente për t’i ndjekur rastet e transaksioneve të korruptuara dhe për të rregulluar të gjitha dëmet ekonomike e shkeljet e të drejtave të njeriut eventuale që janë bërë gjatë privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.
PRIORITETET
- 1
Rimëkëmbja e shkollave të Republikës së Kosovës
- 2
Hapja e 160 çerdheve të reja në bashkëpunim me komunat e Republikës së Kosovës
- 3
Trefishimi i numrit të inspektorëve të punës dhe ndalimi i punës mbi pesë ditë në javë për vendet e punës jomenaxheriale
- 4
Sigurimi i jetës së të gjithë anëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Zjarrfikësve
- 5
Shtesa 10 euro në muaj për secilin fëmijë nën moshën 15 vjeçare
- 6
Sigurime Shëndetësore për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës
- 7
Rritja e pensioneve për pensionet bazë dhe kontributdhënës
- 8
Komisione të Përbashkëta qeveritare Kosovë – Shqipëri
- 9
Tregu i përbashkët Kosovë – Shqipëri
- 10
Zvogëlimi i numrit të Ministrive dhe reformimi i Administratës
- 11
Reformimi progresiv i tatimit në të hyra si dhe reformimi i tatimit për Korporatat
- 12
Plani për furnizimin me ujë të pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza
- 13
Rindërtimi i plotë i Kadastrit dhe zgjidhja e çështjeve pronësore me prioritet
- 14
Hartimi dhe zbatimi i planit për banimin e përballueshëm dhe banimin social
- 15
Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Prodhimeve vendore
- 16
Rritja e subvencioneve e granteve në bujqësi dhe sigurimi i plotë i prodhimit bujqësor
- 17
Ujitje për tokat bujqësore
- 18
Kapacitete të reja energjetike
- 19
Dërgimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Komisionin e Venecias
- 20
Krijimi i komisionit parlamentar për vlerësimin e Dialogut të deritanishëm me Serbinë gjatë viteve 2011 – 2017
- 21
Hetim Parlamentar për privatizimin dhe projektet rrugore
- 22
Mbështetja institucionale për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit
- 23
Fillimi zyrtar i Dialogut të hapur me qytetarët e pakicës serbe të Kosovës
- 24
Nisja e Zbatimit të planit 13 pikësh për bashkimin e Mitrovicës
- 25
Miratimi dhe zbatimi i Ligjit Anti-Mafia
- 26
Veting (vlerësim i hollësishëm) për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët në sistemin e drejtësisë së Republikës së Kosovës nëpërmjet një ligji të posaçëm
- 27
Zbardhja e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit
- 28
Hetimi parlamentar i organizatës ilegale “SHIK” mbi financimin e saj, dosjet dhe strukturën/rrjetin e veprimit
- 29
Të rinjve dhe të rejave nga mosha 16 vjeçare do t’u jepet e drejta e votimit
- 30
Hartimi dhe miratimi i Ligjit për referendum në Republikën e Kosovës
- 31
Krijimi i Dhomës së Veçantë të Punës në Gjykatat e Republikës së Kosovës që do të merret me shkeljet e të drejtave të punëtorëve
- 32
Trajtim i dinjitetshëm i veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
- 33
Ndalja e rritjes së mëtejshme të pagave të deputetëve, presidentit, kryeministrit dhe pozitave të tjera të zgjedhura
- 34
Ushqim falas për fëmijët e klasave fillore nga 1 deri në 5 në të gjitha shkollat publike të Republikës së Kosovës
- 35
Rritja direkte e subvencionimit të klubeve sportive me rezultate të larta si dhe ndërtimi i Stadiumit të futbollit me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s
- 36
Ndërtimi i Teatrit të Operas dhe investime në kinematë publike
- 37
Arsim i lartë publik pa pagesë
- 38
Rishikimi shkencor, administrativ dhe parlamentar i marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi
- 39
Themelimi Forcave të Armatosura të Kosovës
- 40
Fondi Sovran i Republikës së Kosovës