E TASHMJA
Të dashur qytetarë të Republikës,
Jam edhe i gëzuar, përveçse i nderuar, që po ju drejtohem Juve, në fillim të kësaj fushate për zgjedhjet e reja e të parakohshme. Krejt bashkë ecim drejt 14 shkurtit që e duam si datë të referendumit gjithëpopullor. Sfida është e madhe, por vullneti ynë edhe më i madh. Ta bëjmë shumicën e tanishme popullore në shumicë të ardhshme parlamentare në legjislaturën e tetë. Sepse, ta nxjerrim Kosovën nga kriza e shumëfishtë e ta vendosim në binarët e progresit.
E tashmja jonë prej që u shfaq rasti i parë me COVID–19 te ne është ajo e një situate të jashtëzakonshme. Jemi 324 ditë prej momentit të parë. Dimë më shumë dhe padyshim mundemi më shumë. Por mbi të gjitha dimë se çka është gabim e që nuk duhet ndjekur. Shërimi e kurimi i sëmundjeve që i patëm në mbrojtje të jetës e shëndetit nuk kanë alternativë. Andaj duhen krijuar kushtet ku shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve do të jenë bazë për çdo vendim që merret nga institucionet. Pa vonesë do të vemë në zbatim planin aksional të detajuar, i mbështetur financiarisht e i bazuar në situatën në terren.
Masat e veprimet e menjëhershme do të jenë:
– Vaksinimi i së paku 60% të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnim i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarët.
– Trajnimi dhe rritja e kapaciteteve në kujdesin parësor shëndetësor me qëllim edukimin, mesazhet, triazhimin dhe përcjelljen e vazhdueshme të rasteve pa komplikime shëndetësore.
– Do të fillojnë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19.
Dhe, pa dyshim, do të përgatitemi dhe aplikojmë për anëtarësim në Organizatën Botërore të shëndetësisë.
Të nderuar qytetarë të Kosovës, një manifestim i fuqishëm i kostos së pandemisë natyrisht se është ndjerë në aktivitetin ekonomik. Ka rënie të ndjeshme të prodhimit, probleme te zinxhirët e prodhimit, vende të humbura të punës dhe rritje të numrit të familjeve që përballen me varfërinë.
Për qeverinë tonë, kthimi i jetës ekonomike në normalitet, është natyrshëm kryeprioriteti i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes. Jo vetëm kthim në normalitet, por edhe përgatitje të të gjithë neve për një mënyrë të re të të bërit biznes. Dhe, për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal.
Synojmë një ekonomi e cila del nga pandemia, e shëruar edhe nga shumë sëmundje të tjera që e kanë përcjellë deri më tani. Një ekonomi ku ka më shumë nevojë e hapësirë edhe për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë e shtetit. Një ekonomi ku ka më shumë prodhim e më shumë eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës, e më shumë respektim të të drejtave të punëtorit. Një ekonomi, nga progresi i së cilës përfitojnë shumë më shumë nga ne, një ekonomi pa monopole, e me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm. Një ekonomi ku edhe komuna fuqizohet dhe vendosë vet për prioritetet e saj.
Ndërmarrësve tanë i ofrojmë qasje shumë të volitshme në financa aq të nevojshme për të përballuar rritjen e prodhimit. Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm mes pesë shtyllave që së bashku e garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm: ndërmarrjet – shteti – sistemi bankar – Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive – dhe komuniteti i donatorëve e i kredidhënësve ndërkombëtarë.
Mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregje të reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës; për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo, çka është në qendër të angazhimit tonë si qeveri, arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.
Ruajtja dhe rritja e numrit të punëmarrësve, sidomos të grave, të rinjve, anëtarëve të komuniteteve joshumicë dhe familjeve në ndihmë sociale, bashkë me rritjen e formalizimit të punësimit dhe respektimit të të drejtave të punëtorëve, janë prioritete tona jo vetëm në fazën e këndelljes nga pandemia, por edhe përgjatë gjithë periudhës së qeverisjes sonë.
Mbështetje shtesë do ketë për bizneset në sektorë ekonomik që promovojnë efiçiencën e energjisë dhe ruajnë ambientin, ndërmarrësit që mundësojnë përpunimin e mëtejmë të ushqimit, drurit, apo promovojnë turizmin e vendit.
Sektorë si hoteleria, restorantet dhe ofruesit e shërbimeve që janë goditur shumë më shumë nga pandemia do të mbështeten veçmas dhe në varësi të potencialit të tyre për ruajtje dhe rritje të punësimit.
Qeveria jonë do të përkrahë pa kursyer gratë, qoftë përmes rritjes së pjesëmarrjes së tyre në fuqinë punëtore, ashtu edhe përmes mbështetjes aktive të saj në ndërmarrësi. Rritja e numrit të bizneseve në pronësi të grave është parakusht për fuqizimin edhe të ekonomisë. Përmes mbështetjes intensive të rritjes së numrit të fëmijëve në çerdhe do të krijojmë më shumë hapësirë për gratë që të kyçen në tregun e punës, kurse përmes subvencionimit të çerdheve dhe lirimit të tyre nga obligimi për pagesën e tatimit në vlerën e shtuar do të ndihmojmë drejtpërdrejt në rritjen e punësimit të grave.
Rinia është resursi më i çmueshëm dhe njëkohësisht më i nëpërkëmbur i vendit tonë. Kjo do të ndryshojë përfundimisht me qeverinë tonë. Qeveria jonë ka përgatitur një pako intervenimesh që synojnë adresimin e problemit të shkallës së ultë të angazhimit të të rinjve në jetën ekonomike. Kjo pako fillon nga rritja e bursave për studentë që vendosin të orientohen drejt fushave studimore që kërkohen nga tregu i punës; fuqizimi i angazhimit të të rinjve në praktika profesionale, të paguara dhe subvencionuara nga shteti; mbështetja e sistemit arsimor për të ulur hendekun e shkathtësive në tregun e punës, e deri të programet e mëdha dhe atraktive që do mbështesin mijëra iniciativa inovative të të rinjve tanë.
Qeveria jonë nuk mund ta nënvizojë fuqishëm interesimin dhe gatishmërinë e saj për fuqizimin e rolit që duhet të ketë mërgata në ekonominë tonë. Përtej pjesëmarrjes së saj në anën e kërkesës agregate që kujdeset për mirëmbajtjen e sektorit të ndërtimtarisë në vend dhe atë të shërbimeve në muajt e verës, mërgata ka potencial shumëfish më të madh. Nuk do ketë më karton të gjelbërt për mërgatën. Ne do kujdesemi që mërgata të avancohet në mbështetës të fuqishëm të përpjekjeve tona për zhvillim ekonomik e shoqëror si përmes iniciativave private biznesore ashtu edhe përmes kthimit të kapitalit human që do vihej në shërbim të dizenjimit dhe zbatimit të politikave tona ekonomike apo kthimit të efiçiencës te ndërmarrjet tona publike.
Qeveria jonë do të kujdeset që bujku e fshati të mos shfrytëzohet më vetëm në fazë të zgjedhjeve duke alokuar grante e subvencione me linja të mbështetjes partiake. Bujku e fshati do të mbështeten shumë më shumë se me grante e subvencione. Do të fillojmë me futjen e çmimeve referente për një sërë produktesh bazike bujqësore, midis tyre edhe për grurin dhe qumështin, duke garantuar kështu stabilitet në treg. Do të mbështesim financimin e bujqësisë me kredi që kanë brenda një periudhë pushimi më të gjatë, do të lehtësojmë promovimin e turizmit rural, dhe në afat të mesëm do të kujdesemi që komunat përmes grantit të katërt të kenë më shumë autonomi në promovimin e investimeve në fshat.
Në qeverinë tonë nuk do të ketë vend për asnjë diskriminim në punësim, arsim apo mbështetje për ndërmarrësit, për komunitetet joshumicë. Kemi obligim dhe vullnet që komuniteteve joshumicë t’u hapim të gjitha rrugët dhe mundësitë që të ndihen dhe të jenë jo vetëm të barabartë me secilin qytetar tjetër por edhe bashkëpronar të progresit tonë në ekonomi dhe shoqëri.
Qeveria jonë do të kujdeset që menjëherë të vazhdojmë me procesin e departizimit dhe normalizimit të punës në ndërmarrjet publike aq të goditura si nga pandemia ashtu edhe nga keqmenaxhimi, partizimi e zhvatja e dy dekadave të fundit. Këto ndërmarrje duhet të kalojnë nga pengues në mbështetës të rritjes së ekonomisë së vendit; nga absorbues të buxhetit publik në kontribues të rritjes së tij.
Njëkohësisht do të kujdesemi që sektori publik përmes keqqeverisjes të mos dëmtojë konkurrencën e lirë në ekonomi. Shumë shpejt do të trajtojmë në mënyrë meritore eliminimin e monopoleve në ekonomi dhe do të kujdesemi që fuqia politike të mos mund të keqpërdoret për ridrejtimin e përfitimeve shoqërore drejt një grupi të vogël të përfituesve të padrejtë. Terminalet doganore do i kthejmë aty ku e kanë vendin.
Komunat e Kosovës janë goditur jashtëzakonisht shumë nga periudha e pandemisë dhe do kenë nevojë për mbështetje shtesë. Qeveria jonë do i rri afër komunave si në fazën e rimëkëmbjes ashtu edhe më tej duke fuqizuar atë si bartës të orientimit, implementimit dhe monitorimit të investimeve në nivel komunal.
Qeveria jonë do të kujdeset që asnjëherë më krizat eventuale të mos na gjejnë me rezerva shtetërore të zbrazëta apo plaçkitura. Do të ndajmë mjetet e nevojshme buxhetore për mbushjen e rezervave shtetërore, duke u kujdesur që kryesisht të përdoret ekonomia vendore për furnizimin e tyre.
Për qeverinë tonë një gjë është me shumë rëndësi, kthimi i ekonomisë në normalitet, dhe, mbështetja e rritjes ekonomike ka kuptim vetëm nëse kujdesemi njëkohësisht që asnjë kategori e shoqërisë nuk mbetet jashtë dhe e pambrojtur. Duhet të sigurohemi që rritja e ekonomisë të jetë e qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse. Prezenca e mëtejme shqetësuese e varfërisë edhe atë në nivele të larta, mbetet vula më e pështirë e dy dekadave të fundit të qeverisjes. Si në të tashmen ashtu edhe në të ardhmen e angazhimit të qeverisë sonë, adresimi i problemit të varfërisë dhe ulja e saj mbetet kriter shumë i rëndësishëm me të cilin do të vlerësohemi. Qeveria jonë nuk do të lejojë që 100.000 bashkëqytetarë tanë të jetojnë me më pak se 1 euro në ditë. Si përmes politikave të punësimit sezonal, fondeve të ndara për gjetjen dhe mbështetjen e mundësive për punë sporadike dhe nga shtëpia të këtyre familjeve, masave të edukimit, apo rishikimit komplet të skemave të mbështetjes sociale, do të kujdesemi që të jemi pranë atyre që më së shumti kanë nevojë për dorën e publikes. Njëherazi do të mundësojmë shpërndarjen e kuponëve monetarë, që do të mund të shfrytëzohen nga ana e përfituesve të ndihmave sociale, ekskluzivisht për blerjen e produkteve ushqimore esenciale të prodhuara në Kosovë.
Qeveria jonë ju siguron që do angazhohemi për kthimin e shpejtë të ekonomisë në normalitet dhe vendosjen e saj në trajektore të qëndrueshme të një zhvillimi dhe rritjeje afatgjatë por pa e rrezikuar qëndrueshmërinë fiskale të vendit. Borxhi publik i vendit do të menaxhohet me nikoqirllëk në mënyrë që barra e bartur te gjeneratat e ardhshme të mbetet sa më e ulët.
Të nderuar qytetarë të Republikës,
Krejt këto masa e angazhime besoj fuqishëm që do e ndihmojnë ekonominë e vendit dhe secilin prej nesh brenda saj. Por, natyrisht, se për përmirësim të vazhdueshëm të mirëqenies sonë do kemi nevojë për shumë më shumë ndërhyrje, shumë më shumë mbështetje. Do na duhen ndryshime domethënëse si në rëndësinë që ia atribuojmë buxhetit të shtetit, në mënyrën si i shohim politikat tona industriale e tregtare, politikat tona aktive e pasive në tregun e punës, mbështetjen e prodhimit vendor, tërheqjen e investimeve të huaja, politikat në arsim e shëndetësi, bujqësi e prokurim publik. Andaj krahas shqetësimit me të tashmen, qeveria jonë e ka njësoj të qartë edhe vizionin për të ardhmen. Në 50 ditët e qeverisjes sonë të mirë, ne kemi filluar të adresojmë një sërë masash, veprimesh e iniciativash ligjore që e mundësojnë ndryshimin rrënjësor aq të nevojshëm. Tani do ta kemi shumë më të lehtë të vazhdojmë me secilën prej tyre dhe të shtojmë vendime tjera, ashtu që lista e zotimeve tona të përmbushet në plotni.
ALBIN KURTI
Kandidat për Kryeministër