Ankesat e Aktivistëve
Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish-sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes.
Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.
Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot.
Ismajl Kurteshi
Sekretar Organizativ i Lëvizjes VETËVENDOSJE!