ARRESTOHET AKTIVISTI ARBËR ZAIMI, SHTETAS I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Policia e Kosovës, sapo arrestoi aktivistin e VETËVENDOSJE!-s, Arbër Zaimi, vetëm për shkak sa ka shtetësi të Republikës së Shqipërisë.
Siç po duket, Qeveria e Kosovës është e vendosur që të largojë nga Kosova secilin qytetar të Republikës së Shqipërisë, dhe po aq e vendosur që të lehtësojë intervenimet e ndryshme, legale dhe ilegale të Serbisë. Isa Mustafa në njërën anë e ka hapur Kosovën ekonomikisht dhe politikisht ndaj armikut tonë shekullor, Serbisë, kurse në anën tjetër përherë e më shumë po shfaqë tendenca armiqësore ndaj Republikës së Shqipërisë.
Kjo përshtatet plotësisht me politikat e Kryeministrit për të kthyer ndikimin e Serbisë brenda Kosovës.
Kjo qeveri që arreston opozitën, kërcënon gazetarët, deporton nga Kosova qytetarët e Republikës së Shqipërisë, është e papranueshme për qytetarët e Republikës sonë. Më 26 mars, masivisht do të dëshmojmë vullnetin tonë për ndërrimin e këtyre politikave që po e shkatërrojnë lirinë dhe demokracinë në Kosovë.
Ne i bëjmë thirrje shtetit shqiptar që të përfshihet në këto skandale dhe të ndikojë që Qeveria e Kosovës të mos ndërmarrë veprime të tilla jodemokratike dhe absurde.