30 07 2022

Bashkë me Mërgatën!

Në një atmosferë miqësore, me entuziazëm të shprehur për rrugëtimin e përbashkët, për përpjekjet drejt progresit, bashkë me aktiviste e aktivistë, deputetë, ministra dhe me pjesëmarrjen e kryeministrit, Albin Kurti, u mbajt pritja e mirëseardhjes e organizuar për mërgatën, në parkun e qytetit, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Teksa shumë aktivistë e profesionistë nga shumë shtete, në raste edhe kontinente u takuan mes vete e biseduan. Takime këto të çmuara për organizatën tonë por veçanërisht për vendin tonë.

Për të pranishmit mbajtën një fjalë rasti Kryeministri Kurti, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Koordinatori i Qendrës Prishtinë Arben Vitia dhe koordinatorja e sekretariateve Albana Gashi.

“Mërgata është pjesë integrale e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm të Republikës së Kosovës, dhe synimi i qeverisjes tonë është përfshirja e mërgatës në sukseset e përbashkëta”, tha kryeministri, Albin Kurti, i cili numëroi disa prej iniciativave të ndërmarra nga qeveria që ai drejton.

· Për herë të parë, në integrimin e mirëfilltë të institucioneve të të dy shteteve Kosovë dhe Shqipëri;

· Në punën e pandalshme për daljen nga izolimi i shtetit tonë, shkaku i korrupsionit të pafund në vend dhe politikanëve të cilët qenë në gjendje ta shesin Kosovën;

· Në betejat tona të vazhdueshme kundër bllokimeve për të shtyrë përpara mundësinë për votimin e bashkatdhetarëve përmes ambasadave e konsulatave;

· Në çkapjen e shtetit duke shtyrë përpara Vetingun dhe Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme;

· Në sigurimin e të drejtave të punëtorëve përmes Ligjit për Pagat Minimale dhe përpilimin e Ligjit të ri të Punës;

· Në mbështetjen e nënave lehonë duke i mbështetur ato financiarisht gjashtë muajt e parë të lehonisë, dhe fëmijët e tyre nga lindja e deri në moshën 16 vjeç;

· Në skemën tonë sociale për punësimin e së paku një familjari të një familje që nuk kanë asnjë në punë, e të tjera, e të tjera.

Përveç ndihmës së jashtëzakonshme për vendin e mirëqenien e secilës familje në Kosovë, Kryeministri Kurti theksoi edhe rolin e mërgatës dhe qendrave tona atje që ishin kyçe në fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Kosovë.

Po ashtu dhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu theksoi se programi dhe përpjekjet tona kanë pasur padyshim në vëmendje porositë, vëmendjen dhe kontributin shumë planesh të bashkatdhetarëve tanë, grave dhe burrave që kanë kontribuuar kaq shumë. Ndaj përpjekjet së brendshmi për shtet të së drejtës nuk do të ndalen deri të përmbushet aspirata e të gjithëve.

Ndërsa Arben Vitia, koordinatori i Qendrës Prishtinë, solli në vëmendje se bashkëbisedimi dhe bashkimi ynë është moral dhe politik. Dhe nuk ka moral më të lartë se drejtësia e dashurisë. Ndershmëria juaj dhe dhurimi juaj i shërben shoqërisë tonë për me i kthjellë sytë.

Prandaj mërgata ka qenë dhe është mbështetja më e mirë në shoqërinë tonë. Prandaj ajo ka mbështetur fuqimisht Lëvizjen.

Mërgata është pararoja morale e politikës. Ajo duhet të jetë progresivisht pararoja ekonomike dhe profesionale gjithashtu.

Sakrifica, kontributi dhe mundi i bashkatdhetarëve tanë për t’u qëndruar përherë pranë familjarëve në Kosovë është për t’u admiruar nga të gjithë ne.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i falënderon shumë për gjithë kontributin e tyre në të kaluarën dhe në të tashmen dhe i gëzohet shumë bashkëpunimit të ngushtë në të ardhmen.

Kontribo