Besianë: Më të mirët e Llapit për më të Mirën e Kosovës, Qeverinë
Llapi do ta votojë numrin 126. Në Besianë nga sheshi ‘Ali Ajeti’, mbushur përplot me qytetarë, mbajtëm tubimin madhështor të radhës për ardhjen e qeverisë Kurti. Burrat e gratë më të mirë të zonës së Llapit i janë bashkuar Lëvizjes për qeverisjen më të mirë që do të ketë parë ndonjëherë Kosova.
Kandidati jonë nga Llapi, Ajet Potera, u bëri thirrje të pranishmëve që të mos e humbin shansin e artë e historik të 6 tetorit që ta ndalim qeverisjen e mbrapshtë e ta kthejmë qytetarin në qeverisje. “Asnjë integrim nuk është i mundur në një shtet të kapur. Mirëpo, erdhi dita që Kosova të jetë shtet i integruar në vete më së pari, pra si shtet me integritet”, thirri ish-ushtari i UÇK-së, Potera.
Sipas kandidatit tjetër llapjan, Sabri Kiçmari, Lëvizja është e njëjta përpjekje si përpjekjet e tij me shokë në vitin ’89 për Kosovën Republikë, për liri, barazi, demokraci e VETËVENDOSJE!. Veprimtari i kahmotshëm i çeshtjes kombëtare, Kiçmari vendosi theksin se: “jemi mbledhur për të dhënë një fjalë e për të vendosur një besë, se do të votojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin si Kryeministër, sepse në këtë mënyrë do të ndërtojmë të kaluarën dhe do të ndërtojmë të ardhmen”.
Kandidatja Saranda Bogujevci rreshtoi masat e Lëvizjes për të mbështetur investimet e komunave në ujë të pijshëm, arsim, mjedis, kulturë e infrastrukturë. Përmes grantit të katërt për komuna, Lëvizja do të shpërndajë 600 milionë euro për 4 vite, ku komunat do të vendosin për shpenzimet sipas nevojave. Pas 4 viteve, komunat e Kosovës do të sigurojnë çdo shërbim të nevojshëm për qytetarët.
Ndërsa për kandidatin tjetër, profesorin universitar, Shpejtim Bulliqin, Kosova me qeverisjen Kurti do të jetë një shtet i kompletuar, dinjitoz dhe i cili do të angazhojë të gjitha zanatet, profesionet e talentet e qytetarëve tanë.
Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, në fjalën e tij shpjegoi se dija, puna, toka, kultura dhe sporti nuk do të kenë asnjë mbështetje mangut nga qeveria e drejtuar prej tij. Për rivalët politik, i pari i qeverisë së Lëvizjes tha se, “sot kemi për rivalë kundërshtarë të frikësuar e të tjerë që frikësojnë, dhe kur frikësohesh përfundon tek ata që ua ke frikën”, për të shtuar më tutje se, “ata që e kanë trurin asfalt natyrisht që mund të na sjellin asfalt, por pa tru”. Ndërkohë, në Kosovën me 18% të popullsisë në varfëri ekstreme Kryeministri Kurti u zotua se motoja jonë është, “asnjë familje pa kulm mbi kokë dhe asnjë shtëpi pa dikë të punësuar”.
Me këtë vizion e guxim, me këto qëllime e me këtë dashuri të madhe për shqiptarët qeveria Kurti do ta transformojë Kosovën e do ta emancipojë mbarë shoqërinë.