Çka ka mbetur pa i dhënë Kishës Ortodokse Serbe?
Sot, Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për media, ku deputeti Hajrulla Çeku foli për zotimet e delegacionit të z. Hoti në Uashington në lidhje me kishat ortodokse në Kosovë.
Deputeti Harjulla Çeku theksoi faktin se garancitë për mbrojtjen e kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë janë të përfshira në të paktën gjashtë ligje përbrenda kushtetutës së Kosovës, dhe se hapja e kësaj teme nga delegacioni ynë në Uashington është pranim që ekzistojnë probleme që ende duhet zgjidhur në këtë aspekt duke nxitur nevojën që Kosova duhet të jap edhe më shumë në këtë drejtim.
“Një nga detajet e dëmshme të zotimeve për këtë çështje në Uashington është zotimi i Hotit për zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe kushtetuese, pasi që Kosova e ka të sanksionuar qartë se si i zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ne mendojmë që nuk ka pasur asnjë nevojë që për çështje të natyrës kushtetuese të trajtuara nga Gjykata Kushtetuese të ketë diskutime ndërkombëtare politike, e aq më pak përballë Serbisë. Kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë të drejta të avancuara mbi territorin e pronës së tyre, të cilat janë të kodifikuara në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Kjo e bën Kosovën një nga vendet me sistemin më të avancuar për garantimin e këtyre të drejtave”.
Çeku tha se nuk guxojmë t’i harrojmë krimet e Serbisë, por as rolin e Kishës Ortodokse Serbe në luftën e Kosovës.
Kisha ishte e përfshirë drejtpërdrejtë, madje klerikët e saj i kanë bekuar ushtarët e paramilitarët serbë që janë nisur për të kryer masakra në Kosovë. Nuk guxojmë të harrojmë as shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, kryesisht asaj islame, gjatë luftës së Kosovës. Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për këto krime kundër njerëzimit, e as që bëhet fjalë per dëmshpërblim. Kisha Ortodokse Serbe nuk është distancuar asnjëherë nga këto veprime, as nuk ka kërkuar falje, e për fat të keq, jo rrallë vazhdon me retorikë raciste ndaj shqiptarëve.”
Ai përmendi faktin që Kisha Ortodokse i gëzon të gjitha të drejtat dhe kërkon respektim të Kushtetutës ndërkohë që nuk e njeh atë e as shtetin e Kosovës. Foli për pengesat e vazhdueshme që i shtron Kisha Ortodokse Serbe për autoritetet tona të trashëgimisë kulturore.
“Kisha pengon edhe qasjen e qytetarëve, pengon edhe projektet për të mirën e komunitetit. Kisha Ortodokse Serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës, edhe pse të gjitha garancitë kushtetuese, ligjore dhe institucionale që i gëzon sot burojnë nga Plani i Ahtisaarit. Pra të drejta që do të duhej t’i gëzonin duke e pranuar shtetin e Kosovës. Për fat të keq, sot Kisha Ortodokse Serbe kërkon zbatim të njëanshëm të Kushtetutës, d.m.th. këtë e pret vetëm nga institucionet e Kosovës, ndërsa ajo vet nuk e njeh as Kushtetutën as shtetin. Prandaj, edhe në rrafshin negociator, pyetja që shtrojmë ne është pse duhet të rëndohet edhe më tej kjo çështje. Çka ka mbetur pa i dhënë Kishës Ortodokse Serbe, dhe pse duhet të ngritet kjo çështje sërish në nivele kaq të larta diplomatike ndërkombëtare. A është ky paralajmërim se po hapet Plani i Ahtisaarit dhe se do të hapet çështja e eksterritorialitetit sërish me kërkesa edhe me të avancuara nga ana e Serbisë”, tha Çeku.
Z. Hoti nuk po na tregon se cila ka qenë përgjigja që e kanë dhënë në takime dhe cilat do të jetë përgjigjet në takimet e radhës, sepse qartësisht kjo temë do të jetë aty, tashmë në negociatat në Bruksel. Duke pranuar tema të këtilla, madje duke i përfshirë ato në dokumente e zotime, delegacioni ynë ka pranuar që paska probleme që duhet të zgjidhen lidhur me pronën dhe garancitë për kishat dhe manastiret ortodokse.”
Në fund të fjalës së tij, deputeti Çeku foli për angazhimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës sa i përket kësaj teme.
“Në negociata me Serbinë ne duhet të kërkojmë që artefaktet e koleksionit të grabitur arkeologjik dhe etnologjik, pjesë e fondit publik muzeor të Kosovës, të kthehen në Kosovë. Konventat ndërkombëtare janë shumë të qarta dhe rigoroze, prandaj pasuria kulturore duhet t’i kthehet vendit të origjinës. Gjithashtu, në vend se të pranojmë kërkesa të pakuptimta në raport me kishat ortodokse, ne duhet të angazhohemi për anëtarësim në UNESCO dhe organizatat e tjera të specializuara të trashëgimisë kulturore. Në dimensionin e brendshëm, ne duhet të angazhohemi për fuqizimin e dialogut të brendshëm me klerin ortodoks në Kosovë për mbrojtjen dhe menaxhimin efektiv të kishave ortodokse, që gëzojnë statusin e asetit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. E gjithë kjo duhet të funksionojë brenda sistemit kushtetues dhe institucional të Kosovës”, tha Çeku për fund.