16 09 2015

Deklaratë

Duke e pasur parasysh rrënimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës, si territor, ekonomi e shoqëri, rrënim ky i udhëhequr me vetëdije të plotë nga Qeveria aktuale e Kosovës,

Duke i konsideruar negociatat pa parime me Serbinë në Bruksel si të padrejta dhe marrëveshjet e arritura atje (posaçërisht atë për themelimin e “Zajednicës”) si hapa të mëdhenj drejt bosnjëzimit të Kosovës, dhe rrjedhimisht, falimentimin politik e ekonomik të shtetit të Kosovës,

Duke e konsideruar marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi si heqje dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës,

Të shqetësuar me procesin aktual politik i cili po e dërgon Kosovën pashmangshëm drejt thellimit të ndarjes së brendshme territoriale e etnike dhe konsolidimit të Serbisë brenda Kosovës, e në anën tjetër të marrëdhënies speciale e vasale të Kosovës me Serbinë,

Të brengosur me padrejtësitë e shumta që vijnë nga mungesa e sistemit të drejtësisë, si dhe nga drejtësia selektive e dirigjuar prej pushtetit, dhe me mos gatishmërnë e të fundit për t’i luftuar dukuritë negative dhe korrupsionin që po e rrënon perspektivën e qytetarëve tanë,

Të indinjuar me varfërimin, rritjen e papunësisë dhe gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të shkaktuara nga politikat qeveritare, qofshin ato fiskale, tregtare, por edhe ato të sundimit të ligjit,

Të bindur se politikat qeveritare po e zhdukin potencialin për zhvillim ekonomik, industrial e rritje të punësimit, duke shkuar kështu ndesh me të drejtën e qytetarëve për mirëqenie e dinjitet,

Të vendosur që këtë rrënim dhe falimentim të shtetit si dhe këto marrëveshje të mos i pranojmë e as t’i lejojmë së zbatuari,

DEKLAROJMË

Që Lëvizja VETËVENDOSJE!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe NISMA për Kosovën,

DAKORDOHEN se

Do të veprojmë si OPOZITË E BASHKUAR në qëndrime dhe veprime si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit dhe në këtë ftojmë të bashkohemi të gjithë zërat opozitarë, për t’i ndalur të gjitha dëmet që i vijnë Kosovës nga ky koalicion qeverisës, qofshin ato politike apo ekonomike.

Do t’i rrisim dhe intensifikojmë aktivitetet opozitare për shpëtimin e Republikës.

Opozita e bashkuar është jashtëzakonisht e interesuar t’i filloj bisedimet me akterë të tjerë të shoqërisë ku si qëllim do të kishte krijimin e frontit të përbashkët politik.

Kontribo