25 05 2018

Deklaratë nga tryeza e subjekteve politike, 25 maj 2018

Ne, subjektet politike të Republikës së Kosovës pajtohemi që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa.

Kryeministri nuk mund të vijojë qeverisjen dhe marrjen e vendimeve më tej, pa provuar në Kuvend shumicën. Andaj e ftojmë Kryeministrin dhe Qeverinë të votëbesohet dhe ta dëshmojë në Kuvend që mund të qeverisë.

Po ashtu, së bashku me subjektet politike në Kuvend do ta ndërrmarrim nismën për të shqyrtuar në debat vendimet, një pjesë shumë problematike, të marra në mungesë të shumicës qeverisëse dhe duke anashkaluar Kuvendin e Republikës.

Diskutimi i temave jetike për vendin dhe vendimet strategjike duhet të diskutohen dhe merren në Kuvend. Aty jemi të mandatuar nga populli i Kosovës për ta kryer këtë detyrë.

Tryezat e diskutimet duhet të na shërbëjnë për të konkretizuar organizimin e zgjedhjeve të reja nga të cilat duhet të burojë një shumicë qeverisëse e qartë, demokratike dhe e pavarur nga aktorë të tjerë, mospranues të Republikës.

* * *

Ky tekst i mësipërm, pa ndryshime, përpos Lëvizjes VETËVENDOSJE!, u nënshkrua edhe nga tri subjekte politike pjesëmarrëse, kurse në ditët në vijim presim vërejtjet dhe sugjerimet nga subjektet e tjera pjesëmarrëse në tryezë.

Kontribo