Deklarimi për gazetarët, i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti pas nënshkrimit të marrëveshjes
Pas takimit me kryetarët dhe përfaqësuesit e LDK, AAK dhe NISMA, në përgjigjet për pyetjet e gazetarëve Kryetari Kurti tha:
“Ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! kur të vijë puna tek formimi i Qeverisë së re e cila do ta ndryshojë Kosovën si në aspektin politik ashtu edhe në atë socio-ekonomik, do ta mbajmë referendumin brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Ajo që kemi bërë sot, me rastin e tremujorit të fillimit të bisedimeve tona, është që Lëvizja VETËVENDOSJE! bashkë me koalicionin LAN jemi marrë vesh që Kosovën ta hedhim në binaret e drejtësisë, zhvillimit, barazisë, të luftimit të krimit dhe korrupsionit, ndërkaq formimi i Qeverisë dhe pjesëmarrja në qeveri do të jetë një marrëveshje e ardhshme.
Theksi i kësaj marrëveshjes është zhvillimi ekonomik, qeverisja parimore, reformat institucionale, mirëqenia sociale, dhe natyrisht që në këtë marrëveshje ne kemi përfshirë edhe çështjet e dialogut ku ne së pari e kemi përmendur dialogun me Bashkimin Evropian, me Komisionin Evropian, për anëtarësimin e Kosovës në BE, me institucionet e BE-së, pastaj e kemi gjithsesi dialogun me serbët e Kosovës për integrimin e tyre në shoqëri dhe gjithashtu kemi edhe dialogun në përgjithësi i cili gjithsesi do të jetë parimor sikurse qeverisja e ardhshme.
Me sot po fillon një ndryshim i madh në Kosovë. Pas pamundësimit të ripërtëritjes së regjimit të vjetër me një qeveri të re, tash ne po e mundësojmë një qeveri të re pa regjim, ku qytetari i Republikës do të jetë në qendër të vëmendjes. Në tekstin e marrëveshjes të cilin do t’ua shpërndajmë në formën e nënshkruar dhe aty do të keni tërësisht të qartë se për çfarë jemi marrë vesh. E në fakt, nuk është se ju nuk e dini.
Pra, teksti i marrëveshjes është i qartë dhe nuk ka nevojë për komente shtesë. Funksionimi i institucioneve, shtetndërtimi demokratik në Kosovë, nuk do të vazhdojë gjurmëve të qeverive të mëparshme. Ky është një zhvillim i ri për të mirën e Kosovës. Ky zhvillim nënkupton se ne po vendosim Kosovën dhe qytetarët në binarët e progresit, drejtësisë, të parimeve, gjë që nuk ka qenë rasti deri tash.
Andaj, jam optimist se ashtu siç e kemi arritur këtë marrëveshje, do ta kemi në të ardhmen edhe marrëveshjen tjetër për programin qeverisës dhe për çështjet e përgjegjësive në ekzekutiv. Asisoj, Kosova në këtë shteg të ri të shtetit republikan, të zhvillimit ekonomik, të mirëqenies sociale, reduktimit të krimit dhe korrupsionit, do të ec drejt dhe sigurt, e për këtë është garanci bashkëpunimi ynë i vazhdueshëm.
Duhet t’i përmbaheni tekstit të marrëveshjes që vazhdimisht vë në spikamë zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës dhe mirëqenien sociale. Kosova ka nevojë për një agjendë të re në mënyrë që të ndryshojë për të mirë.”
Prishtinë, 10 shtator 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!