Dekonstruktime

  • Njerëzit Albinin më shumë e duan si ndërgjegje kombëtare, por jo për ta votuar…

    • Çka supozon kjo pyetje – që vota nuk duhet të jetë e ndërgjegjshme, apo që ndërgjegja nuk duhet të futet në institucione? Të dyja janë mendim i gabuar.

  • Si të sigurohemi se nuk do të bëheni si të tjerët sa i përket pushtetit politik dhe parave?

    • Koncepti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nënkupton forcimin e shtetit, e jo të krerëve partiakë që gjenden në krye të institucioneve të shtetit. Forcimi i shtetit nënkupton dobësimin e krimit, meqenëse krimi i organizuar është organizim kundër shtetit. Ne kërkojmë Polici të Kosovës me kompetenca të plota, gjyqësi të pavarur të Kosovës, Doganë që shtrihet në tërë territorin e Kosovës, Ushtri të Kosovës e cila është institucion mbrojtës. Të gjitha këto janë institucione të cilat do ta luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar në mbrojtje të popullit dhe të së mirës publike. Mirëpo në qendër të tërë kësaj duhet të jetë qytetaria aktive e Kosovës, që jejmi duke e synuar tash e sa kohë, e cila duhet ta luftojë padrejtësinë nga çdokush dhe në çdo kohë. Secili udhëheqës i institucioneve duhet t’i frikësohen popullit. Vetëm kështu i shërbejnë atij.

  • A i keni lënë anash aksionet dhe demonstratat?

    • Natyrisht se jo. Protestat, aksionet dhe demonstratat do të jenë përherë pjesë e Lëvizjes, sepse pa reagim qytetar, organizim popullor dhe gatishmëri për aksion, konsiderojmë se ndryshimet substanciale shoqërore janë të pamundshme. Mendojmë se ndryshimet vijnë pikërisht nga reagimi popullor si faktor themelor, ndërkohë që veprimet institucionale janë vetëm faktor dytësor që vihen në funksion të faktorit themelor. Faktori dytësor kurrë nuk është qëllim në vetvete.

  • Ju po hyni në zgjedhje. Kjo do të thotë që jeni bërë parti politike…

    • Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbetet lëvizje gjithëpopullore, e cila tash ia ka shtuar metodave të deritashme edhe një metodë tjetër – atë të pjesëmarrjes në zgjedhje. Çka nënkupton kjo? Lëvizja i sheh problemet në Kosovë si rrjedhojë të mungesës së sovranitetit e cila është kodifikuar me dokumentet politiko-juridike. Zgjidhja e këtyre nuk është çështje e menaxhimit më të mirë, por e ndryshimeve rrënjësore në përmbajtje. Pavarësia e shpallur formale, meqenëse është e mangët në sovranitet, duhet të mbushet me përmbajtje, gjë që do t’ia ndryshonte asaj edhe formën. Kjo nënkupton që Lëvizja po synon t’i shndërrojë institucionet nga statusi që ato kanë si mjete për pasurim personal, në mekanizëm për ndryshimin e gjendje ekzistuese. Lëvizja është e domosdoshme kur mungon demokracia, për shkak se është organizimi i vetëm për faktorizim të popullit në politikë. Për më tepër lëvizja është lidhja e vetme e popullit me institucionet në këto kushte të mungesës së demokracisë, si dhe e siguron marrjen e këtyre institucioneve nga vullneti i popullit, i cili përmes lëvizjes mbetet i pareduktueshëm në këto institucione. Koncepti ynë për demokracinë dallon nga partitë edhe në një dimension tjetër. Ne mendojmë se demokracia nuk duhet reduktuar në demokracinë përfaqësuese. Qytetari duhet të thotë fjalën e tij sa herë janë në pyetje interesat e tij, ai nuk mund të pres edhe katër vite që të shprehet për një problem që ndodh sot. Për këtë arsye ne mendojmë se demokracisë përfaqësuese duhet shtuar edhe demokracinë pjesëmarrëse dhe demokracinë e drejtpërdrejt. Përmes demokracisë pjesëmarrëse bëhet e mundshme që grupet e ndryshme të interesit dhe shtresat e ndryshme sociale të marrin pjesë në vendime që prekin interesin e tyre. Këto janë ta zëmë komunitetiti i prodhuesve vendorë, sindikatat, grupet rinore etj. Gjithashtu është e nevojshme edhe demokracia e drejtpërdrejt. Kjo nënkupton mbajtjen e referendumeve për çështjet e rëndësisë jetike, qoftë në nivelin nacional, qoftë në atë lokal.

  • Keni kundërshtuar zgjedhjet e vitit 2007 dhe ato të vitit 2009. Pse tash e keni ndryshuar konceptin tuaj?

    • Nuk ka ndryshuar koncepti, por është plotësuar strategjia, karshi rrethanave të reja. Thirrja për bojkot të zgjedhjeve në të kaluarën nuk ka qenë thirrje për bojkot të zgjedhjeve si të tilla, por ka qenë thirrje për bojkot të atyre zgjedhjeve në atë kohë. Zgjedhjet në të kaluarën kishin për qëllim legjitmimin e proceseve që ishin në kundërshtim me aspiratat dhe pritjet e popullit të Kosovës. Sot këto procese i kanë uzurpuar institucionet. Përderisa më parë synonim që t’i ndalnim ato, sot duhet t’i nxjerrim këto procese jashtë institucioneve. Këto janë rrethanat e ndryshuara për të cilat flasim, që na e kanë ndikuar vendimin për të marrë pjesë në zgjedhje. Kur ne thirrnim bojkot të zgjedhjeve, pjesëmarrja në to ka rënë deri në 37%, duke i bërë institucionet jolegjitime. Mirëpo përkundër kësaj, meqenëse në Kosovë nuk ka demokraci, krerët politikë vazhduan me zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Ngadalësimi nuk e ndali Planin e Ahtisaarit nga hyrja në institucione. Prandaj duhet nxjerrur atë Plan jashtë institucioneve.

  • Çka do të bëni nëse ua vjedhin votat?

    • Ata votat i kanë vjedhur edhe në të kaluarën dhe do t’i vjedhin edhe në të ardhmen. Vetëm një gatishmëri e popullit për ta mbrojtur votën do t’i zbraps ata që mos t’i vjedhin votat. Ne do t’i përdorim të gjitha mundësitë tona për t’i mbrojtur votat e qytetarëve, por nesë do të ketë vjedhje ne do t’i ftojmë qytetarët që ta mbrojmë vullnetin së bashku deri në fitoren e përbashkët.

  • Projekti juaj duket i pazbatueshëm. Të gjithë botën do ta keni kundër…

    • Ta shpjegojmë njëherë çka është projekti ynë. Ne kërkojmë që Kosova të jetë shtet sovran, i cili rregullohet nga një kushtetutë sovrane (që sanksionon të drejtat tona kolektive e jo kufizimet të vendosura nga të tjerët për ne), dhe që synon zhvillimin dhe barazinë politike, civile e shoqërore. Këto janë pikërisht synime që do ta shndërronin Kosovën në një vend normal, një vend i cili udhëhiqet nga parimet universale të zbatuara nëpër secilin vend demokratik. Asgjë në këtë nuk është në kundërshtim me të tjerët. Ne nuk synojmë ta pushtojmë a eksploatojmë asnjë vend a popull tjetër, por jemi kategorikisht kundër të qenit të pushtuar a eksploatuar nga të tjerët. Krejt çka kërkojmë ne është që qytetarët e Kosovës të ndjehen të lirë dhe të barabartë nëpër tërë territorin e Kosovës, ta kenë lirinë politike për të vendosur për të tashmen dhe të ardhmen e këtij territori, si dhe t’i vënë pasuritë nëntokësore dhe kapacitetet zhvillimore të këtij vendi në funksion të zhvillimit dhe ngritjes së mirëqenies dhe përmirësimit të jetë së qytetarit. Kjo është demokracia dhe bota demokratike.

  • Çka do të bëni nëse bashkësia ndërkombëtare e kundërshton shfuqizimin e Planit të Ahtisaarit?

    • Duhet të kemi kujdes me atë se çka quajmë ‘bashkësi ndërkombëtare’. Shtetet nuk njihen nga ‘bashkësia ndërkombëtare’, por individualisht nga secili shtet. Asnjë prej teksteve njohëse nuk bazohet në Planin e Ahtisaarit, por në deklarimin e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran nga institucionet e vendit. Përmes njohjes na njihet e drejta për ta qeverisur Kosovën. Njohjet nga disa shtete e përmendin zotimin e institucioneve të Kosovës për t’i respektuar të drejtat e pakicave, dhe kjo është krejtësisht në rregull, për shkak se të gjithë jemi për respektimin e të drejtave të të gjithëve. Kosova sovrane dhe e integruar është edhe në interes të të gjithëve.

  • Ju jeni zotuar se do ta ndërroni Kushtetutën. Po si mund të ndërrohet ajo kur për këtë gjë nevojitet zbatimi i rregullës së shumica së dyfishtë, e kjo nënkupton edhe përfaqësuesit

    • Ne nisemi nga parimi se secili popull duhet ta ketë të drejtën e ndryshimit të kushtetutës dhe akteve tjera juridike të vendit varësisht evoluimit të nevojave dhe interesave të veta. Dhe nëse Kosova dëhiron të bëhet shtet këtë e bën pikërisht përmes së drejtës për t’i ndryshuar këto dokumente. Një entitet ku populli nuk ka të drejtë t’ia caktojë konturat politiko-juridike nuk ka kurrfarë kuptimi. Kosova e pavarur do të duhej ta çlironte popullin e jo ta vazhdonte robërinë. Vullneti i popullit është më i madh sesa një procedurë parlamentare e caktuar arbitrarisht.

  • Si do të dukej flamuri sipas jush?

    • Ndryshimi i simboleve shtetërore duhet të bëhet përmes referendumit, dhe për flamurin e ardhshëm të Kosovës do të vendos populli. Në ndërkohë do ta përdorim flamurin kombëtar. Është populli i shtetit ai që i bën simbolet e jo simbolet ato që e bëjnë shtetin.

  • A do të pranoni t’i betoheni flamurit të shtetit të Kosovës dhe himnit të saj?

    • Betimi i deputetit është betim para popullit të cilin e përfaqëson. Është gabim që të shikohen gjërat në këtë ngurtësi të cilën e supozon pyetja. Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër simboleve shtetërore të cilat i janë imponuar popullit të Kosovës vetëm e vetëm për të mos e lënë atë t’i përdor simbolet kombëtare. Ne mendojmë që simbolet aktuale shtetërore duhen ndryshuar, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka synim ndryshimin e tyre. Kjo është pikërisht e kundërta e pranimit të tyre.

  • Nëse hyni në Kuvend do ta pranoni Planin e Ahtisaarit? A nuk do të thotë kjo se po i theni parimet tuaja themelore?

    • Një mendim i tillë parasupozon pandryshueshmërinë absolute të dokumenteve, përderisa koncepti ynë politik e konsideron të pandryshueshëm parimin popullor për liri dhe vetëvendosje. Çdo gjë tjetër është e ndryshueshme. Institucionet politike duhet ta përfaqësojnë vullnetin politik të popullit, dhe dokumentet juridike dhe politike të secilit vend projektohen në bazë të këtij vullneti. Çfarëdo mendimi i kundërt me këtë nënkupton se populli duhet të përshtatet për ta zënë atë në kuadër të projektit politik, ndërkohë që projekti politik duhet t’i përshtatet popullit. Hyrja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvend nënkupton hyrjen e këtij mendimi dhe këtij vullneti politik në Kuvend, e jo hyrjen e mendësisë aktuale politike në Lëvizje. Ne i synojmë institucionet për t’i ndryshuar ato dhe bazën e tyre juridike, e jo për ta ndryshuar veten dhe konceptin tonë politik. Kundërshtimi dhe luftimi i Planit të Ahtisaarit gjithmonë do të jetë objektiv yni. Kosova nuk do të bëhet sovrane dhe as me integritet territorial nëse politikisht dhe juridikisht mbetet e kufizuar sipas Planit të Ahtisaarit.

  • Ju mund të jeni njerëz të mirë por nuk keni kapacitet për ta qeverisur Kosovën…

    • Në Lëvizjen VETËVENDOSJE! po aderojnë çdo ditë kuadro e ekspertë të fushave të ndryshme. Ata po ndihmojnë me dijen dhe njohuritë e tyre në përgaditjen e programeve qeverisëse për fushat e caktuara të jetës. Kosova nuk vuan nga mungesa e ekspertëve, por nga uzurpimi i hapësirës politike nga njerëz pa vullnet politik për ta zhvilluar vendin. Situata e rëndë në rrafshin politik dhe atë socio-ekonomik është pasojë e këtyre politikanëve që nuk kanë vullnet dhe as angazhim për zhvillim të shtetit. Përkundrazi kanë vullnet dhe angazhim të madh për ta përvetësuar paranë dhe pasurinë publike të Kosovës, dhe për të bërë koncesione në dëm të shtetit vetëm e vetëm që ta marrin dhe ruajnë pushtetin. Pra, për të pasur një qeverisje në shërbim të qyetetarëve shumë më shumë është e nevojshme që njerëzit që udhëheqin të jenë me kapacitete politike dhe me vullnet politik të cilat do t’i vendosnin në të mirë të vendit dhe në shërbim të qytetarit. Kosova ka mjaft ekspertë por ata nuk janë lejuar të angazhohen, dhe janë mbajtur larg vendimmarrjes pikërisht për shkak të ekspertizës së tyre politikisht jokorrekte dhe sinqeritetit intelektual. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e gatshme të bashkëpunojë me njerëz të tillë me të cilët do të gjejë përputhshmëri parimore dhe programatike.

  • Çka ju dallon juve nga partitë tjera në fushën sociale dhe ekonomike?

    • Koncepti politik i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është thelbësisht i ndryshëm me atë të pjesës më të madhe të spektrit aktual politik. Përderisa partitë aktuale politike garojnë me njëra-tjetrën se cila do të jetë më efektive në zbatimin e projektit të huaj për Kosovën, projekte këto që bazohen për interesa të pjesshme, ne angazhohemi dhe ngulmojmë në zbatimin e një projekti vendës, të bazuar në vullnetin dhe interesat e popullit të Kosovës, të shprehura lirshëm publikisht. Kjo nënkupton që në njërën anë populli do të faktorizohet politikisht, ndërsa në anën tjetër, e që ndërlidhet me këtë, nënkupton që institucionet politike do të vihen në shërbim të qytetarëve. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për zhvillim politik, ekonomik e shoqëror, si dhe për drejtësi e barazi. Forcat aktuale politike angazhohen saktësisht për të kundërtën e kësaj: këto janë shëmbëlltyrë e stagnimit sikur në funksion ashtu edhe në qëllim; janë kundër drejtësisë për shkak se padrejtësia është e tyre dhe kundër tjerëve; janë kundër barazisë sepse tashmë janë pasuruar dhe barazia do të nënkuptonte që pasuria e tyre do të duhet të zvogëlohej.

  • Çka do të keni si qëllim nëse hyni në Kuvend?

    • Vendimi për pjesëmarrjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhje vjen si rrjedhojë e një debati të gjatë. Për pesë muaj i kemi shoshitur hollësisht të gjitha përparësitë dhe mangësitë, dëmet dhe dobitë për pjesëmarrjen, përkatësisht mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Një ndër arsyet kryesore që ka qenë vendimtare që ne të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme është fakti se shpallja e pavarësisë së Kosovës, meqë nuk u parapri nga e drejta e vetëvendosjes, nuk u pasua nga sovraniteti, dhe nëse do të vazhdohet me këtë pavarësi formale pa sovranitet, atëherë ne jemi shumë të brengosur që asaj do t’i rrjedh edhe formaliteti. Pra, ne vendosëm që të marrim pjesë në zgjedhje, meqenëse është e ngutshme që gjatë këtyre një apo dy viteve më së shumti, pavarësisë t’ia shtojmë sovranitetin. Në të kundërtën, do të ndodhemi në ndonjë situatë që mund të jetë edhe më e keqe sesa në Bosnje. Lëvizja e ka në qendër sovranitetin i cili besojmë se është parakusht për dy gjëra thelbësore: demokracinë në njërën anë, dhe zhvillimin ekonomik në anën tjetër.

  • A keni ju një udhëheqës?

    • Procesi i ristrukturimit ka sjellur edhe ndryshimet në dokumentet e brendshme të punës së Lëvizjes, si dhe përpilimin dhe shqyrtimin e Statutit të Lëvizjes. Ky Statut është ende në shqyrtim kështu që nuk është i plotfuqishëm. Njëkohësisht Lëvizja është duke u përgatitur për organizimin e zgjedhjeve të brendshme, të cilat do t’i krijojnë strukturat udhëheqëse në tërë shtrirjen horizontale dhe vertikale të Lëvizjes. Deri në këto zgjedhje Lëvizja do të vazhdojë me strukturat e tashme udhëheqëse të cilat bazohen në delegim sipas detyrës.

  • Pse po e ristrukturoni Lëvizjen dhe si po ndryshon ajo?

    • Është e natyrshme që lëvizjet apo organizimet politike të evoluojnë përkrah ndryshimit të rrethanave në të cilat ato veprojnë. Lëvizjes VETËVENDOSJE! me kalimin e kohës i është pasuruar dhe zgjeruar përpjekja, për shkak se vëllimi i projekteve të dëmshme për Kosovën ka filluar të shtohet dhe përndahet. Ky është njëri prej faktorëve që e ka shtyrë Lëvizjen drejt ristrukturimit. Faktor tjetër, jo më pak i rëndësishëm, është edhe shtimi i numrit të aktivistëve dhe përkrahjes gjë që e ka kushtëzuar dhe ndihmuar njëkohësisht profilizimin e aktivistëve nëpër detyra të veçanta përbrenda Lëvizjes. Pas ristrukturimit Lëvizja është e organizuar në dy shtylla kryesore: në organizatë, ku bëjnë pjesë sekretariatet, dhe politika ku bëjnë pjesë komitetet. Kjo, përveç që e ka rritur frytshmërinë e aktivistëve, duke e ngritur mundësinë e zbatimit të aftësive të veçanta për secilin, e ka ngritur edhe demokracinë e brendshme të Lëvizjes, meqenëse i ka shtuar kanalet e diskutimit dhe pjesëmarrjes individuale në vendimmarje.

  • Pse mendoni që ju e përfaqësoni popullin?

    • Ne kurrë nuk e kemi thënë se e përfaqësojmë popullin. Ne jemi angazhuar që t’u tregojmë qytetarëve se as politikanët e as institucionet e Kosovës nuk i përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e popullit. Për më tepër, ne e kemi dëshmuar se projektet politike që zbatohen në Kosovë, sikur Plani i Ahtisaarit, privatizimi i çdo gjëje shoqërore e publike, shkombëtarizimi i shqiptarëve përmes projektit të sajimit të ‘kombit kosovar’ – janë që të gjitha në kundërshtim të plotë me vullnetin politik të popullit si dhe të dëmshme për interesat e tij. Populli përfaqësohet përmes referendumit. Ky mekanizëm demokratik ka qenë në qendër të këresave tona.

  • Duket sikur ju jeni elitarë dhe larg popullit…

    • Gjatë pesë viteve të aktivitetit tonë, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur me qindra tubime e takime me qytetarë të Kosovës. Në këto kemi diskutuar konceptin tonë politik, projektet të cilat i janë imponuar Kosovës dhe rreziqet që na kanosen nga ato, si dhe domosdonë e organizimit qytetar e popullor kundër padrejtësive, dhe për realizimin e vullnetit dhe të drejtave kombëtare e qytetare. Ndërkohë që demonstratat, protestat, si dhe aktivitetet tona kanë qenë përherë aktivitete kolektive, ku aktivistët dhe qytetarët bashkërisht janë organizuar në kundërshtim. Këto nuk janë aktivitete elitare, por burimore, ku Lëvizja VETËVENDOSJE!, krahas të qenit organizatore, është edhe në shërbim të organizimit të kundërshtimit. E kundërshtimi i këtyre proceseve dhe përpjekja e vazhdueshme për krijimin e hapësirës politike për qytetarët, është në interes të qytetarit dhe për të.

  • Në Lëvizjen tuaj nuk ka femra. Pse?

    • Nuk është se nuk ka vajza në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por që numri i tyre nuk është në nivelin në të cilin ne do të kishim dashur. Vlen të përmendet se nga nga më shumë se njëmijë e dyqind pesrona të anëtarësuar javëve të fundit në Qenderën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në UP, 60% prej tyre janë femra. Gjatë viteve të organizimit të aktiviteteve të Lëvizjes, nuk ka asnjë aktivitet të vetëm ku nuk ka pasur edhe vajza, pavarësisht natyrës së aktivitetit. Dhe në çdo arrestim të aktivistëve të Lëvizjes ka pasur edhe vajza të arrestuara, të cilat edhe kanë kaluar kohë në burg për shkak të angazhimit të tyre në Lëvizje. Lëvizja VETËVENDOSJE! në fazën e ristrukturimit të saj është duke kontaktuar me shumë njerëz nga jashtë të cilët kanë shprehur interesimin që të bëhen pjesë e Lëvizjes apo që kanë pasur simpati më herët për Lëvizjen. Në mesin e këtyre njerëzve ka edhe gra nga sektorë të ndryshëm të jetës shoqërore e politike të Kosovës. Por nuk duhet të harrojmë që në Lëvizjen VETËVENDOSJE! aktivistët maten sipas angazhimit dhe punës, aftësive e kontributit që sjellin në të, e jo në bazë të përkatësisë gjinore. E punën në Lëvizje nuk e bëjnë vetëm meshkujt, por edhe femrat. Është tjetër gjë që në publik nganjëherë fitohet përshtypja se në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk ka femra, për shkak se ato nuk janë paraqitur edhe aq në media. Mirëpo kjo është edhe përgjegjësi e mediave. Gjykuar nga ky pozicion, pra i paraqitjes në media, Lëvizja VETËVENDOSJE! del të ketë vetëm pak persona, kur në realitet është një grup i madh njerëzish që e përbëjnë atë.

  • Lëvizja juaj ka etiketime si “e majtë”, “revolucionare” apo edhe “anarkiste”. Sa janë të sakta këto cilësime?

    • Lëvizjes VETËVENDOSJE! i janë mveshur një numër i madh etiketash, të cilat përfshijnë tërë rrezen e gjerë të etiketave ideologjike, apo thënë më mirë, tërë tregun e tyre. Ne jemi Lëvizje gjithëpopullore e cila synon një Kosovë që ngrit kapacitetet dhe aftësitë për ta realizuar vullnetin politik dhe për të përmbushur të drejtat dhe interesat e qytetarëve të vet. Natyrisht që modeli që duhet ndjekur për ta realizuar këtë duhet të ndërtohet në bazë të rrethanave dhe mundësive ekzistuese. Këto synime dhe rrethana janë në qendër të ligjërimit dhe angazhimit politik të Lëvizjes. Kjo është përmbajtja e cila merr emër në fund. Pse nguteni me emrin, ndërkohë që nuk interesoheni për përmbajtjen?

  • Si mund të vetëquheni lëvizje paqësore kur keni hedh shishe në ndërtesat qeveritare duke shkaktuar mijëra euro dëme? Vitin e kaluar madje i keni thyer e rrokullisur edhe xhipat e EULEX-it.

    • Lëvizjen tonë që në fillim e kanë karakterizuar protestat, aksionet e drejtpërdrejta, dhe tubimet publike. Ne konsiderojmë se varësisht situatës por edhe seriozitetit të procesit a vendimit politik ndaj të cilit protestojmë, janë të nevojshme mënyra të ndryshme të ndërhyrjes. P.sh. kur EULEX-i nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim ndërpolicor me Serbinë, shtet ky dhe polici kjo e cila vazhdimisht merret me përndjekjen e shqiptarëve; Serbia qartazi ndërhyn përbrenda territorit të Kosovës duke vrarë dhe terrorizuar shqiptarët (në veri të vendit); dhe kur këtë e bën në heshtje prapa dyerve që të mos merret vesh se çka po nënshkruajnë, rrotullimi i veturave është gjëja më e vogël që është dashur të bëhet. Në asnjë aksion a demonstratë tonën kurrë nuk është lënduar njeri. Në të kundërtën – është pushteti ai që na ka vrarë, rrahur, keqtrajtuar e burgosur. Dëmtimi i pronës së pushtetit, kur ky pushtet është i padrejtë dhe shtypës, është plotësisht legjitim, dhe dëmtimi i pronës është përbrenda suazave të aksionit të drejtpërdrejtë e të padhunshëm.

  • Si mund të ketë kuptim që ende jeni për vetëvendosje edhe pas shpalljes së pavarësisë?

    • Sepse jemi për një pavarësi politike të popullit, e jo pavarësi të politikanëve prej ligjit. Jemi për institucione politike sovrane, jo për agjenci të misioneve të huaja qeverisëse. Jemi për pavarësi ekonomike vendëse, jo për lëmoshë ndërkombëtare.

  • Si mund të ketë kuptim që ende jeni për vetëvendosje edhe pas shpalljes së pavarësisë?

    • Sepse jemi për një pavarësi politike të popullit, e jo pavarësi të politikanëve prej ligjit. Jemi për institucione politike sovrane, jo për agjenci të misioneve të huaja qeverisëse. Jemi për pavarësi ekonomike vendëse, jo për lëmoshë ndërkombëtare.

  • Pse mendoni se Rezoluta 1244 është ende e rëndësishme kur dihet se pavarësia tashmë është njohur nga shumë shtete të botës?

    • Sepse pavarësia e shpallur sipas Planit të Ahtisaarit është shpallur në kuadër të R1244. Vetë Deklarata e Pavarësisë i referohet tri herë kësaj Rezolute. Kjo Rezolutë është në fuqi, kurse ajo e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë. NATO-ja është në Kosovë në marrëveshje me Jugosllavinë, jo me Kosovën (Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës). Në kohën kur pritej se do të vinte pavarësia e vërtetë si kapërcim i R1244, dhe EULEX-i si kapërcim i UNMIK-ut, ndodhi saktësisht e kundërta: futja e pavarësisë nën R1244, dhe hyrja e EULEX-it nën UNMIK.

  • Po pse nuk i njihni institucionet pas shpalljes së pavarësisë? A mos do të thotë kjo se nuk e njihni pavarësinë?

    • Ne e kundërshtojmë politikën e institucioneve politike, sepse ato nuk janë institucione të pavarësisë. Pavarësia e tyre është pavarësi prej letre, e cila u shpall nga një qeveri pa dhëmbë. Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 është shpallje e Planit të Ahtisaarit. Ne duam që pavarësinë ta bëjmë me sovranitet dhe integritet territorial. Kjo e nënkupton vetëvendosjen në kushtet e sotme politike.

  • Si mund të mos i njihni institucionet e Planit të Ahtisaarit kur ndonjë pjesëtar i familjeve tuaja punon në këto institucione?

    • Ne nuk i ndajmë njerëzit në individë të këqinj institucionalë dhe qytetarë të mirë joinstitucionalë. Por besojmë në punën e gjithsecilit nëpër vendet e tyre të punës dhe sipas mundësive. Punëtor i shtetit është pastruesi, rojtari, shërbyesi civil, punëtori i administratës, mësuesi, arsimtari, profesori, mjeku, punëtori i KEK-ut, i PTK-së etj, etj. Problemi i Kosovës nuk janë këto shtresa, por udhëheqësia politike e cila ia jep drejtimin shtetit dhe shoqërisë.

  • Pse jeni kundër Kushtetutës së Kosovës?

    • Sepse nuk është e Kosovës. Kushtetuta aktuale është për Kosovën, por jo e Kosovës. Realisht, ajo është e OKB – së. Mbi 90% e përmbajtjes së saj është e derivuar nga Plani i Ahtisaarit. Kushtetuta aktuale është urdhër administrativ i këtij Plani. Nëse ky Plan është vetë ligji, gjithsesi kjo Kushtetutë është akt nënligjor. Neni 143 i Kushtetutës thotë se mbi të është Plani i Ahtisaarit. Pra Kushtetuta nuk është akti më i lartë juridik i vendit. Realitetin e krahason me këtë Kushtetutë Gjykata Kushtetuese, kurse këtë Kushtetutë e krahason me Planin e Ahtisaarit Zyra Civile Ndërkombëtare (Pieter Feithi). Kosova duhet të ketë kushtetutë sovrane, historike, kombëtare, qytetare dhe demokratike. Kushtetuta aktuale nuk është asnjëra prej këtyre.

  • Qeveria e Kosovës ka pasur kompetenca në disa fusha, por gjendja aty është mjaft e rëndë. A nuk tregon kjo se ne ende nuk jemi të gatshëm të qeverisim dhe na duhet ndihma e faktorit ndërkombëtar?

    • Zakonisht si sektorë për të cilët institucionet vendëse kanë pasur kompetenca të plota, konsiderohet të kenë qenë arsimi dhe shëndetësia. Le ta marrim fillimisht arsimin publik. Çështja e rregullimit institucional të arsimit publik në Kosovë i përket Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo ministri do të duhej të ishte institucion shtetëror, por, në fakt, është kthyer në institucion partiak, ashtu sikurse shumë të tjera. Meqë qëllimi i pushtetit vendës nuk është ngritja cilësore e arsimit në Kosovë, por prodhimi i kuadrove partiake për zgjatjen e jetës së pushtetit që kanë, universiteti publik është shndërruar në instrument të legjitimimit të pushtetit politik. Universiteti i Prishtinës është fabrika më e madhe e politikanëve partiakë. Universiteti prodhon politikanë, kurse pushteti prodhon profesorë. Në anën tjetër si mësuesit, po ashtu edhe mjekët, kanë të ardhura të mjerueshme. Politika adekuate e arsimit publik duhet patjetër të mbështetet mga motivimi më i lartë material. Por, kjo varet nga politika shtetërore e zhvillimit ekonomik. Me këta politikanë që duan ta shesin çdo pasuri të Kosovës, do të kemi vetëm politikanë të pasur, por mësues e mjekë të varfër.

  • Pse nuk po e kritikoni qeverisjen vendëse por vetëm praninë ndërkombëtare?

    • Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdimisht e kritikon qeverinë vendëse. Institucionet e krijuara sipas Rezolutës 1244 dikur dhe sipas Planit të Ahtisaarit sot, i trajtojmë si pjesë e pandashme e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Ato janë zgjatim i këtyre misioneve të huaja. Misioneve të huaja u duhen politikanët tanë për zbatimin e planeve të veta, kurse politikanëve u duhen këto misione për t’u mbrojtur nga populli.

  • A jeni kundër kthimit të serbëve në Kosovë?

    • Ne nuk jemi kundër kthimit të serbëve në Kosovë, por kërkojmë sqarimin e tri gjërave për kthimin e tyre: a) numrin e tyre, të cilin Beogradi e falsifikon dhe fryen; b) që serbët të kthehen në vendet ku kanë jetuar, e jo aty ku vendos Beogradi me synime politike e strategjike; dhe c) duhet të shikohen rastet e kolonizimit të Kosovës mes dy luftërave botërore si dhe gjatë kohës së Milosheviqit.

  • Pse e akuzoni UNMIK- un për etnifikim të problemit të Kosovës kur njëkohësisht deklaroheni për identitetin shqiptar të Kosovës?

    • Ne nuk jemi për shkapërderdhjen e Kosovës në një mori grupesh etnike, por për konceptimin e popullit si kategori unike politike. Populli është ai që bëhet subjekt politik duke e zbatuar dhe ushtruar vullnetin e vet për vetëvendosje. Natyrisht, ky popull ka përmbajtje etnike. Shumica e popullit të Kosovës janë shqiptarë. Pakicat janë pjesë e pandashme e popullit politik, nëpërmjet vullnetit të tyre për ta konsideruar Kosovën shtet të vetin. UNMIK-u dhe EULEX-i nuk e njohin Kosovën si subjekt politik të vullnetit të popullit, por si grumbull “bashkësish nacionale” armiqësore. UNMIK-u dhe EULEX-i e luajnë sovranin që arbitron mes këtyre bashkësive. Kjo do të thotë që ata mendojnë se Kosova është e të gjithëve, në kuptimin që nuk është e askujt tjetër por e tyrja.

  • Pse jeni kundër flamurit të ri të shtetit të Kosovës?

    • Simboli përfaqësues i një shteti është sublimimi i historisë së përpjekjes për krijimin e tij. Ai është identiteti i kombit, historia e popullit, vazhdimësia e përpjekjes, gjakimi i çlirimit, betimi i ushtarit, rënia e dëshmorit dhe kurorëzimi i lirisë. Ai është flamur i Pirros, Skënderbeut, Hasan Prishtinës, Adem Demaçit dhe Adem Jasharit. Një simbol i tillë nuk mund të jetë rezultat i një konkursi burokratik. Domethënia e tij nuk mund të krijohet me Corel Draw. Flamuri nuk është çështje e shijes dhe imagjinatës personale të dizajnerit. Çmimi i flamurit tonë është sakrifica, vuajtja dhe përpjekja. Kurse çmimi i flamurit të konkursit janë 3,000 euro që i mori dizajneri fitues.

  • Nëse jeni për bashkim kombëtar, atëherë si do t’i siguronit pakicat për siguri?

    • Bashkimi i dy Gjermanive nuk i rrezikoi turqit atje. As Turqia nuk ishte kundër. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është realizimi i plotë i të drejtës për vetëvendosje, e cila nuk realizohet në dëm të askujt, por në të mirën tonë. Shqipëria gjithnjë ka qenë një prej vendeve më të dalluara në Evropën Juglindore për respektimin e të drejtave të pakicave. Greqia, e cila është në BE, as që mund të matet për respektimin e të drejtave të pakicave me Kosovën e Shqipërinë. Rreziku pakicave nuk u vjen nga raporti i tyre numerik me popullatën shumicë, por nga cilësia e demokracisë së brendshme të shtetit. Shqiptarët në Maqedoni janë afër 30% e popullatës, por të drejtat e tyre janë shumë të të cunguara se, ta zëmë, të pakicës turke në Kosovë

  • Nëse jeni kundër Planit të Ahtisaarit, atëherë si do të duhej të ishin të drejtat e pakicave sipas jush?

    • Kur republikat e dala pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë aplikuan për njohje nga bashkësia e atëhershme evropiane, atyre iu kërkua pranimi i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare. Ato e pranuan këtë dokument dhe u zotuan për zbatimin e tij. BE-ja krijoi misione vëzhguese dhe monitoruese për vlerësimin e nivelit të zbatimit të këtyre konventave. Në këto konventa garantohen liritë e veçanta kombëtare, kulturore dhe gjuhësore të pakicave, përbrenda një kuadri të unifikuar kushtetues. Por parakusht i të drejtave të pakicave, ashtu sikurse i të gjitha të drejtave të njeriut, është lojaliteti qytetar ndaj integritetit territorial, sovranitetit, demokracisë dhe rendit kushtetues shtetëror.

  • Pse jeni kundër krijimit të një Kosove shumetnike?

    • Sepse Kosova duhet të jetë shtet i popullit shumicë shqiptar dhe i të gjitha pakicave tjera. Nëse Kermabonit i pëlqen aq shumë kjo gjë, pse nuk e bën Francën e tij multietnike? Nëse multietniciteti qenka shumë modern, kurse shteti-komb shumë primitiv, pse atëherë kjo qenka e tillë vetëm për ne dhe jo për të gjithë. Multietniciteti si dukuri nuk është një kredo e synuar, por realitet faktik. Kosova është shumë homogjene nga ana kombëtare. Sistemi politik dhe juridik duhet ta reflektojë vullnetin e popullit dhe interesat e qytetarëve. I takon këtij shteti që t’i garantojë të gjitha të drejtat evropiane të pakicave kombëtare.

  • Si mund të ballafaqoheni me Serbinë pa praninë e KFOR-it?

    • KFOR-i është në Kosovë pikërisht pse nuk po na e lejojnë ushtrinë tonë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet. KFOR-i nuk është këtu për t’u ballafaquar me Serbinë, sepse po të ishte, atëherë nuk do ta lejonte djegien e kufijve të Kosovës më 19 shkurt 2008. Ushtria e Kosovës kurrsesi nuk do ta lejonte një agresion të tillë kundër integritetit territorial të vendit tonë. Politikanët e Kosovës mashtrojnë kur thonë se Kosova ka partneritet me NATO-n. Pa ushtri Kosova nuk mund të ketë partneritet ne NATO-n. Sepse nuk mund të ketë partneritet të NATO-s me vetveten! FSK-ja nuk është ushtri. Ajo është agjenci humanitare e KFOR-it. Kurse partneriteti kërkon dy palë ushtarake.

  • Por si mund ta luftojë shteti dhe populli i Kosovës korrupsionin pa EULEX-in kur po thoni se krejt politikanët janë përfshirë në të?

    • Hajnat me pushtet nuk e arrestojnë njëri-tjetrin. Dhe hajnat janë në pushtet, sepse EULEX-it kjo gjë nuk i prish punë dhe nuk i pengon. EULEX-i nuk e çan kokën për korrupsion, sepse nuk janë paratë e as buxheti i EULEX-it që po vidhet, por paratë e popullit ato që po zhvaten. EULEX-i do të merakosej pse po e vjedhin popullin, por të ishte këtu për popullin. Por ai ka ardhur në Kosovë për Planin e Ahtisaarit dhe 6-Pikëshin e Ban Ki-moon-it, jo për qytetarët. Prandaj, EULEX-i dhe hajnat janë të pandashëm. Dhe nuk jetojnë dot pa njëri-tjetrin. Po ia hoqe hajnat tanë EULEX-it, shkon edhe ky i fundit. Dhe anasjelltas.

  • Keni thënë se qeveria është e korruptuar dhe shantazhuar. A nuk është kjo një arsye më shumë për të pasur prani ndërkombëtare në Kosovë dhe për mbikqyrjen e tyre?

    • Një popull që nuk i zgjidh vetë problemet e tij themelore, nuk mund t’ia zgjidh ato dikush tjetër. Në Kosovë nuk është e korruptuar vetëm qeveria aktuale, por të gjitha që kanë qeverisur deri sot. Qeveritë kanë qenë të korruptuara pikërisht ngase nuk kanë qenë të popullit, por të pranisë ndërkombëtare. Sikur në Kosovë të kishte pasur gjyqësi të pavarur dhe drejtësi të vërtetë, nuk do të kishim politikanë të korruptuar. Sepse të korruptuarit do të ndiqeshin nga drejtësia, kurse të tjerët do të merrnin mësim. Por drejtësia dhe policia mbi të cilën ishte UNMIK-u dikur dhe EULEX-i sot, nuk i heton as i ndjek politikanët e korruptuar. Ata i duhen për zbatimin e Planit të Ahtisaarit. Politikanëve EULEX-i korrupsionin ua shfrytëzon si shantazh. Kurse politikanët ia kthejnë këtë falje me servilitet dhe dëgjueshmëri. Dhe në këtë marrëdhënie ka vetëm një të dëmtuar: populli i Kosovës.

  • A nuk mendoni se pas luftës Kosova ka pasur nevojë për UNMIK-un?

    • Kosova nuk ka pasur asnjëherë nevojë për UNMIK-un si mision ekzekutiv. Kosova ka pasur nevojë eventualisht për ndihmën e agjencive të caktuara të OKB-së, siç është, ta zëmë, UNHCR për kthimin e refugjatëve nëpër shtëpitë e tyre, apo organizata të ndryshme humanitare të cilat kanë ndihmuar në rindërtimin e Kosovës. Por jo për UNMIK-un, i cili ishte mbi drejtësinë e policinë (shtylla I), mbi demokracinë dhe zgjedhjet (shtylla II), mbi administratën dhe shërbimet civile (shtylla III), si dhe mbi ekonominë tonë (shtylla IV). Gjithsesi ne nuk jemi për humanitarizmin e depolitizuar siç ndodhi në vendin tonë. UNHCR-ja, p.sh., meqë e trajton Kosovën si pjesë të Serbisë, ata që e kanë lëshuar Kosovën nuk i definon dhe konsideron si refugjatë, por si të zhvendosur.

  • Pse jeni kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë?

    • Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është kundër pranisë ndërkombëtare, por kundër statusit të saj në Kosovë. Satusi i pranisë ndërkombëtare në vendin tonë ka karakter qeverisës. Ne mendojmë që kjo prani duhet të ketë rol asistues dhe mbështetës sidomos në rrafshin social dhe atë ekonomik. Prania ndërkombëtare sot në Kosovë është vetë sovrani. Kurse sovran duhet të jetë populli i Kosovës dhe institucionet që ngrihen mbi vullnetin e tij.

  • Kemi dëgjuar se ju financon edhe Florin Krasniqi. A mos do të thotë kjo se po bëheni vegël e ShBA-ve?

    • Florin Krasniqi është një shqiptar që punon e vepron në ShBA. Ndihma e tij financiare për Lëvizjen nuk mund të ndikojë në politikat e Lëvizjes. Ai na ndihmon sepse beson se koncepti ynë politik është i drejtë. Ne nuk pranojmë ndihmë nga askush i cili mundohet të ndikojë në vendimet tona politike.

  • Si do t’i financoni projektet tuaja ambicioze? Ku do t’i merrni, ta zëmë, 200-300 milionë për krijimin dhe mirëmbajtjen e ushtrisë?

    • E rëndësishme është që ne ta kemi të drejtën për ushtri të cilën momentalisht me këtë Kushtetutë nuk e kemi. Nëse do ta kishim të drejtën për formimin e ushtrisë, atëherë këtë do të mund ta bënim shumë lehtë përmes bashkëpunimit me Shqipërinë dhe në bashkëpunimin me shtetet e veçanta të NATO-s, të cilat na kanë njohur. Nuk është shumë e vështirë siç po mundohen ta paraqesin, por këtë po e bëjnë pikërisht sepse nuk po duan të na e lejojnë formimin e ushtrisë. Nëse Mali i Zi mund ta mbajë ushtrinë e vet, pse nuk mundkemi ne ta bëjmë një gjë të tillë? Kosova i ka mundësitë edhe për krijimin e ushtrisë, por edhe për zhvillim ekonomik, i cili do të ua garantojë mirëqenien qytetarëve të saj. Vetëm duhet që të na lejohet që ta bëjmë këtë.

  • Na tregoni se prej nga financoheni? Po shohim se po bëni postera dhe këto gjëra kushtojnë. Transparenca fillon nga vetvetja, apo jo?

    • Lëvizja VETËVENDOSJE! kryesisht vetëfinancohet. Të gjithë aktivistët paguajnë anëtarësi mujore. Aktivistët në Kosovë paguajnë 1, 2, 5 ose 10 euro në muaj, varësisht nga kushtet ekonomike që i kanë. Ata që punojnë paguajnë nga 20, 50 e më shumë euro në muaj. Anëtarësi paguajnë edhe aktivistët që veprojnë jashtë vendit. Herë pas here Lëvizjen e ndihmojnë financiarisht edhe përkrahës të cilët kanë mundësi financiare. Shumë shërbime kompani të ndryshme i bëjnë për ne pa para ose me çmime shumë të lira. Këto shërbime janë furnizimi me letër, me karburant, shtypja e gazetës sonë, fotokopjime të ndryshme, shtypje të poster-ëve e flyer-ave etj.

  • Pse jeni kundër krijimit të një komune të re të veriut të Mitrovicës?

    • Sepse krijimi i kësaj komune bëhet për interesa të Serbisë. Pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës tashmë ka mbetur me pak shqiptarë si rezultat i spastrimit etnik që Serbia e ka bërë në vitin 2000 përmes strukturave paralele që veprojnë atje. Kjo është bërë para syve të KFOR-it francez. Lumi Ibër tashmë është kufi me Serbinë dhe ne nuk mund ta pranojmë ndarjen e qytetit në dy komuna vetëm pse kjo i konvenon Serbisë. Nëse do të duhej të krijoheshin komuna të reja në Kosovë, atëherë kjo do të duhej të fillohej nga Prishtina, pra nga nevojat qytetare. Kryeqyteti ka nevojë për t’u decentralizuar, e mandej të vazhdohet me komuna tjera në Kosovë, por mos u nisur asnjëherë nga premisat e ndarjes etnike.

  • A mos po kërkoni të njëjtën gjë edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës?

    • Shqiptarët në Luginën e Preshevës po i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm nga pushteti i Beogradit, ndërkohë që serbëve në Kosovë iu garantohen të drejta që nuk i ka asnjë pakicë kombëtare në botë. Kjo është e padrejtë dhe institucionet e Kosovës do të duhej të angazhoheshin për reciprocitet të të drejtave të pakicave në rajon. Serbët në Kosovë do të duhej të kishin të drejta po aq sa shqiptarët në Luginën e Preshevës.

  • Çka do të kishit bërë në vend të këtij decentralizimi që vjen nga Plani i Ahtisaarit?

    • Së pari pavarësisë duhet t’i shtohet sovraniteti dhe kufijtë tonë duhet të kontrollohen e mbrohen nga ushtria jonë. Pas kësaj do të mund të bisedohej për formën e reformimit të pushtetit lokal. Vetëm atëherë kur nuk do të kemi misione me fuqi ekzekutive mbi ne dhe kur ne ta kemi pushtetin qëndror si shtet që mund të merr vendime sovrane, do të mund të mendojmë për decentralizimin e pushtetit mbi baza qytetare.

  • Gjithmonë keni thënë: “Decentralizimi=>Ndarje=>Ndarja Luftë”. Por lufta nuk ndodhi. Në vend të saj erdhi pavarësia. Ju nuk ia keni qëlluar por veç sa i keni frikësuar njerëzit.

    • Pavarësia e shpallur nuk e ka përmirësuar gjendjen në veriun e Kosovës. Përkundrazi – atje Serbia është edhe më e pranishme sesa para shpalljes. Institucionet e Kosovës e pranuan Planin e Ahtisaarit dhe, në këtë mënyrë, i shtuan apetitet e Serbisë mbi Kosovën. Realizimi dhe zbatimi i decentralizimit shkakton ndarjen në baza etnike në Kosovë, prandaj kjo do të jetë gjithmonë rrezik për konflikte ndëretnike në të ardhmen. Të gjitha ato që ne i kemi thënë janë vërtetuar si të sakta, dhe tani të gjithë në Kosovë e dinë se decentralizimi është projekt i dëmshëm për Kosovën. Populli i Kosovës e ka kundërshtuar decentralizimin etnik përmes demonstratave e protestave, përmes nënshkrimit të peticioneve kundër tij, përmes tryezave e konferencave dhe në shumë forma tjera. Institucionet morën vendime pa e marrë parasysh vullnetin e qytetarëve. Po të ishte për të mirën e Kosovës dhe po të ishin të sigurt se qytetarët do e përkrahnin këtë decentralizim atëherë do të organizonin referendum për të.

  • Serbët kanë votuar në zgjedhjete fundit për komunën e re të Graçanicës. A nuk është kjo shenjë se ata po integrohen nëpërmjet Planit të Ahtisaarit?

    • Fatkeqësisht Serbia ka plan për Kosovën për dallim prej institucioneve të Kosovës që nuk kanë as plan dhe as nuk veprojnë konkretisht për shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës. Serbia nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të Kosovës në veri sepse atje funksionojnë të gjitha strukturat shtetërore të saj. Në pjesët tjera të Kosovës ajo dëshiron që të konsolidohet përmes komunave të reja që ua mundëson Pakoja e Ahtisaarit. Qëllimi i Serbisë është që veriun ta zgjerojë në veripërendim ndërsa Anamoravën ta bëj si veriu.

  • A nuk është decentralizimi projekt që u sjell më shumë mbrojtje serbëve të Kosovës, gjë që do të çonte në integrimin e tyre?

    • Decentralizimi në Kosovë nuk bëhet as për të mirën e serbëve që jetojnë këtu, por bëhet për realizimin e planeve ekspansioniste të Serbisë. Integrimi i komuniteteve pakicë nuk bëhet duke i ndarë ata nga shumica. Integrimi nuk mund të bëhet duke krijuar komuna me shumicë serbe, por duke i trajtuar të barabartë si të gjithë qytetarët tjerë. Integrimi i tyre bëhet duke i integruar në jetën politike e shoqërore të Kosovës. Por kjo nuk mund të bëhet derisa nuk ndërpritet ndikimi dhe ndërhyrja e drejtëpërdrejtë e Serbisë në Kosovë. Zhvillimi ekonomik, pra hapja e fabrikave ku do të punonin qytetarët e të gjitha nacionaliteteve, hapja e një universiteti si ai i Evropës Juglindore në Maqedoni, dhe shumë hapa të tjerë të tillë, do të ndikonin në integrimin e të gjithë qytetarëve, por kurrsesi ndarja në baza etnike.

  • Pse jeni kundër decentralizimit?

    • Ne jemi kundër këtij projekti të ashtuquajtur decentralizim sepse kjo që po ndodh në Kosovë nuk ka lidhje me decentralizimin e mirëfilltë qytetar. Decentralizimi në një vend normal bëhet për hir të qytetarëve, që jeta e tyre të bëhet më e lehtë. Pra kjo ndodh që shërbimet t’i afrohen më afër qytetarëve. Në Kosovë decentralizimi është etnik dhe është projekt i cili bëhet për interesa të Serbisë. Në shumë komuna të reja shërbimet i largohen qytetarëve. Banorët e fshatrave Stanishor, Kufcë, Koretishtë etj., duhet që tash shërbimet e tyre t’i kryejnë në komunën e re të Artanës duke udhëtuar mbi 30 km, në vend që shërbimet e tyre t’i kryejn në komunën e deritashme të Gjilanit që e kanë larg vetëm 2 km. Banorët e fshatit Skifteraj të Vitisë duhet që për të shkuar në komunën e tyre të kalojnë nëpër komunën e re të Kllokotit sepse kjo komunë e re e ndan përgjysmë komunën e Vitisë. Këta dhe shumë shembuj tjerë tregojnë që decentralizimi në Kosovë më së paku bëhet për interes të qytetarëve.