18 06 2019

Delegacioni nga LVV takohet me Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe me drejtuesit e TIKA-s

Delegacioni i Lëvizjes VETËVENDOSJE! i kryesuar nga kryetari Albin Kurti, deputetet Albulena Haxhiu dhe Fitore Pacolli, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, kryetari i Qendrës së Prishtinës, Arben Vitia dhe asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Arbër Vokrri po qëndrojnë në një vizitë katër ditore në Turqi.

Sot në mëngjes vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Ankara ku takuan Ambasadorin, Avni Spahiu dhe Atasheun Ushtarak, Bekim Osmani të cilët njoftuan delegacionin për aktivitetet e Ambasadës.

Më pastaj u takuan me Drejtorin e TIKA-s për Evropën Lindore dhe Ballkanin Perëndimor, Mahmut Zütüh Çevik. Drejtori Çevik i informoi rreth aktiviteteve dhe projekteve që ka realizuar TIKA në Kosovë. Ai theksoi se janë rreth 600 projekte me vlerë rreth 35-40 milionë euro prej të cilave 260 projekte sociale ku hyjnë 150 projekte në fushën e edukimit dhe 60 projekte në shëndetësi.

Kryetari Kurti e falenderoi z. Çevik për mikpritjen dhe për projektet që ka realizuar TIKA në Kosovë. Kurti e njoftoj z. Çevik se këtë vit Kosova shënoi 20 vjetorin e çlirimit nga Serbia dhe shtoi se Kosova është vend i varfër edhe për shkak se okupatori serb ka kryer shumë vrasje e masakra, dhe ka shkaktuar shumë vuajtje e dëme. Papunësia është shumë e lartë dhe na mungojnë investimet ekonomike, sidomos ato të cilat rrisin prodhimtarinë në Kosovë. Aty ku neve mund të na ndihmojë Turqia dhe TIKA në veçanti është lidhja e arsimit profesional me ekonominë prodhuese.

Në anën tjetër, kryetari i Prizrenit Haskuka e falenderoj për ndërtimin e çerdhes ne Komunën e Prizrenit, projektin për biblotekën, restaurimet e monumenteve si dhe trajnimin profesional të shumë të rinjëve nga Prizreni.

Arben Vitia, foli në veçanti për projektet e TIKA-s në shëndetësi, arsim dhe sidomos për Qendrën për Autizmin dhe Sindromën DOWN. Ai falenderoj TIKA-n për këtë projekt të rëndësishëm, ku përveç investimeve materiale pritet të ofrohet edhe ndihmë profesionale për këtë qendër.

Kontribo