Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! thërrasin në raportim Avdullah Hotin për paralajmërimet e tij për zbatimin e marrëveshjes kundër kushtetuese për themelimin e “Zajednicës”
Sot, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, anëtarë të Komisionit për Legjislacion kanë dorëzuar kërkesën për të ftuar në raportim para komisionit Avdullah Hotin lidhur me deklarimet e tij se do të zbatohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkundër se Gjykata Kushtetuese kishte gjetur dhe konstatuar se kjo marrëveshje bie në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës në 23 nene.
Avdullah Hoti, gjatë vizitës në Bruksel, dje, ka deklaruar ndër të tjera se “Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë Asociacion dhe ne do ta respektojmë plotësisht atë…”. Ky qëndrim i Avdullah Hotit duke shpërfillur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është tendencë për ta vënë marrëveshjen për “Zajdenicën” mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Politikisht kjo marrëveshje bosnjëzon Kosovën dhe vendosë konditat për ndarje dhe defunksionalizim të shtetit të Kosovës, kurse në kuptimin kushtetues rrënon rendin kushtetues.
Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë. Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional.
Siç dihet, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në Aktgjykimin KO130/15, të datës 23 dhjetor 2015, ka konstatuar se Parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk janë në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës dhe barazinë para ligjit. Kësisoj kjo marrëveshje nuk mund të rivihet në vëmendje sado përkushtimit të Hotit për të përmbushur kërkesat e Serbisë.