E ardhmja e arsimit parauniversitar – mësimdhënia, tekstet, mjetet dhe infrastruktura shkollore
Cikël diskutimesh profesionale mbi 10 vitet e decentralizimit në arsimin parauniversitar
Vazhdon angazhimi për trajtimin sistematik të problemeve të arsimit parauniversitar.
Lëvizja VETËVENDOSJE! organizoi tryezën e katërt për arsimin parauniversitar me fokus mësimdhënien, tekstet, mjetet dhe infrastrukturën shkollore. Parashtrimin kryesor të çështjeve të kësaj tryeze e bëri Osman Buleshkaj.
Mësimdhënia në shkollat tona po zhvillohet më shumë spontanisht sesa me strategji dhe synime të qarta. Shumë struktura brenda shkollës si pedagogët dhe psikologët janë lënë në hije dhe struktura të tjera si koordinatorët e ndryshëm duken të jenë të tepërta. Drejtimi i shkollave ka mbetur më së shumti në vullnetin e drejtorëve, mbështetja e të cilëve për mësimdhënësit lë për të dëshiruar. Përgatitja dhe zhvillimi i mësimdhënësve do të duhej të ishin ngushtësisht të lidhur me vlerësimin e mësimdhënies dhe jo të mësimdhënësve. Mirëpo, inspektimi dhe vlerësimi i mësimdhënies është tepër i dobët dhe i paorganizuar mirë.
Sa i përket teksteve, edhe pse kemi një kurrikulë të re për mësim të integruar, ajo nuk është e përcjellur me tekste të reja drejtpërsëdrejti të lidhura me zbatimin e saj. Tekstet aktuale janë përgatitur në bazë të ligjit të vjetër për tekstet, i cili e pengon përgatitjen e teksteve të reja në disa aspekte, por edhe hapësirat e tij ligjore kanë mbetur të pashfrytëzuara. Ndërsa materialeve mësimore nuk trajtohen me të njëjtën procedurë si tekstet, nuk kontrollohen nga MASHT-i dhe Inspektoriati, nuk trajtohen si ndërlidhura me tekstet dhe zëri i mësimdhënësve nuk dëgjohet në përzgjedhjen e tyre. Po ashtu, nuk kemi platforma digjitale dhe tekste të digjitalizuara për shkollat tona.
Infrastruktura shkollore është një tjetër problematikë, e lidhur edhe me lëvizjet e brendshme të popullsisë, të cilat duhen patur parasysh për ndërtimin e objekteve të reja ose për riorganizimin e hapësirave ekzistuese.
Në përfundim të tryezës u nxorrën edhe rekomandimet e mëposhtme:
· Nevojitet një qasje sistemore në trajtimin e problematikave;
· Ligji i ri duhet të saktësojë procedurën e saktë të përgatitjes së një teksti shkollor, të parashohë pilotimin e tekstit dhe përfshirjen e atyre që e përdorin në përzgjedhjen e tij;
· Duhet monitoruar procesi i reformave në zbatim;
· Duhen standardet shtetërore për arsimin;
· Fakulteti i edukimit duhet të jetë i lidhur integralisht me arsimin parauniversitar;
· Ka nevojë të integrohet përmbajtje e kurrikulës së re në përgatitjen e mësuesve;
· Nevojitet monitorim, vlerësim dhe mbështetje shtetërore e procesit arsimor në të gjitha nivelet.
Në përfundim të këtij cikli që pati qëllimin e shqyrtimit profesional të gjendjes një dekadë pas decentralizimit të kompentencave në arsimin parauniversitar dolën një seri konkluzionesh të cilat janë të adresuara apo të anashkaluara nga niveli i lartë institucional.
Angazhimi vijon në seancën plenare ku do të mbahet Debati për Arsimin parauniversitar. Deputetët e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! po përgatisin për secilën nga temat e trajtuara qëndrimet për këtë seancë.