21 08 2014

E shkreta kredi… të shkretat këste

Hua për bukën e përditshme, borxh te shitorja e mëhallës dhe kredi për të larë kredinë. Derisa e dyta është për të larë të parën, e para është marrë për t’i gjetur një strehë kokës, për të paguar studimet e fëmijëve, kredi për t’u martuar, kredi për t’u shëruar, kredi për t’i rregulluar dhëmbët, kredi për rroba pune, për libra, për syze me dioptri, pa dioptri, për pushime, për smartphone natyrisht, kredi për të blerë një lopë, kredi për farë, për ta mbjellë arën, për ta lëvruar (kreditë rurale kanë normë të interesit më të lartë sesa ato urbane), kredi konsumi, konsumi… Kredi kudo që je dhe për çfarëdo halli që nuk po të ndahet. Dhe dimë se kreditë e këqija janë të ulta vetëm në Kosovë, derisa rajoni lulëzon prej tyre.

Ndoshta e keqja e vërtetë duhet parë nga këndvështrimi i huamarrësit dhe atëherë konkluzioni do të jetë tjetër. Por, terminologjia është vendosur nga zoti i pareve, bankës.

Ka kohë që fitimi i bankave në një vend me varfëri të madhe duket absurd. Por, pikërisht kjo e bën të vërtetë gjithë historinë e fitimit.

Nuk ka hapësirë për çudi që në vendet e pazhvilluara bankat fitojnë më shumë sesa në vendet e zhvilluara, ama kjo nuk duhet marrë si e mirëqenë e pakritikueshme. Secila bankë në Kosovë është më fitimprurësja në grupin e saj ku bëjnë pjesë banka të vendeve shumë më të zhvilluara.

Ndërkohë bankat tona (territorialisht tonat) mbesin të pashqetësuara, të paktën nga justifikimi i detajuar, derisa jeta e shifrave të bankierëve mbetet mister i pazbërthyeshëm prej popullit që duke zgjatur duart shumanshëm, arriti të marrë mallin më të kërkuar në Kosovë, kredinë.

Sipas një llogaritjeje të bërë për një hulumtim të botuar vitin e kaluar, pasi ProCredit kishte larguar nga puna me forma të sofistikuara me dhjetëra punëtorë (disa raportuan mbi 100 punëtorë) del se ProCredit në Kosovë, megjithëse ka banka në vende shumë të zhvilluara, në vendin e pazhvilluar Kosovë, operon me një fitim shumë të lartë.

Në bilancin e gjendjes, të publikuar në faqen zyrtare te PCB-së në Kosovë, kjo bankë në fund të vitit 2012 ka pasur një fitim të përgjithshëm shumën prej 15 milionë eurosh, saktësisht 15,101,00.00 euro. Kurse, në raportin e publikuar në faqen e ProCredit Group (pasqyrat e konsoliduara financiare) për periudhën janar – shtator 2012, fitimi total i grupit është 36 milionë euro.

Duhet pasur parasysh që ProCredit Group përbëhet nga 21 banka në vende të ndryshme të botës (operon në tri kontinente), që do të thotë se, nëse PCB në Kosove ka pasur 27% të fitimit të përgjithshëm, mesatarja e fitimit për të gjitha bankat e mbetura është 3.6%.

Pothuaj secila bankë në Kosovë, është më fitimprurësja në grupin e saj të bankave të tjera. E, si do të ishte ndryshe me kamatat deri në 14 përqind dhe brengën e madhe të bankierëve për të mos rrezikuar asgjë në Kosovë? Apo bankierët tonë kanë mjaftueshëm kredi, por nuk kanë besim (lat. credo, prej nga vjen ‘credit’) Pra, këto janë bankat, me përfitime 700 mijë euro përfitime në ditë (Zëri, 18 gusht 2014) që mbahen në kurriz të njerëzve që miellin e marrin hua, e paguajnë lartë për qira.

Ndërkohë, raporti kredi-depozita është 72 përqind. Norma mesatare e interesit në depozita në tremujorin e parë, 2014 u zvogëlua në 2.13 përqind, nga 3.61 përqind sa ishte në periudhën e njëjtë, 2013. Po kjo si justifikohet? Ndoshta me diplomaci strucësh mund edhe të justifikohet, por me çfarë të paguhet kësti?

Ndoshta kur shtrëngimet e sofrës nuk mjaftojnë dikush mund të shesë gjak për të shuar etjen e bankierëve që mbajnë mesataren e normës së interesit në kredi 13.2 përqind. Sigurisht se prej bankave që lëshojnë kredi e që bëjnë kërdinë, nuk pritet të sillen sipas politikave për barazi shoqërore.

Ata vështirë se mund ta kuptojnë Ajtene Krasniqin e cila zbuloi ilaçin që shëron bakterin e ushqimit escherichia coli dhe refuzoi që patenta për këtë të jipet në Gjermani ku i ishin ofruar asaj miliona euro për këtë gjetje. Zonja Krasniqi, sipas funksionit të intelektualit, nuk mund ta shohë zbulimin e saj jashtë përdorimit të popullit. Ajo po vazhdon ta prodhojë këtë ilaç te shtëpia e saj në Prizren dhe ta shesë me çmime lehtësisht të përballueshme.

Sikur ajo të kishte pranuar që t’ia jepte licencën shtetit gjerman për këtë, të prekurve nga ky bakter do t’u mbetej të mburreshin me vlerat simbolike të tipit “një shqiptare e ka zbuluar ilaçin”. Kurse në atmosferën e saj të përditshme sigurisht që përballet edhe me mirënjohjen për ilaçin që ua mundëson të shërohen brenda Kosovës dhe krenarinë që po shërohen nga zbulimi shqiptar (tog fjalësh i rrallë).

E meqë te bankat nuk presim në vullnetin e mirë e mohimin financiar imediat si të zonjës Ajtene, duhen zgjidhur ato dreq lëndësh në gjykata, qofshin të sistemit financiar, apo të çfarëdo natyre. U duhet hequr ky argument bankave që i bëjnë ato t’i mbajnë kreditë kaq të larta. Duhet hapur edhe një bankë publike. Duhet ndërhyrë aq sa është e mundshme që t’i hiqet laku nga fyti qytetarëve.

Po nuk deshëm që të kemi kthim ironik të gjërave duhet të mos e injorojmë si problem. Është plaçkitje dhe si e tillë duhet demaskuar. Bankat duke qenë përcaktuese si problemi dhe zgjidhja e shumë çështjeve nuk duhen injoruar.

Nëse nuk duam t’i trembin bankierët që e meritojnë, duke iu cituar Brehtin kur thotë se çka është plaçkitja e një banke në krahasim me themelimin e saj, atëherë bile ta kemi parasysh Nonda Bulkën kur përshkruan bankat: “Financa qeveris, financa udhëheq, financa firmon paqe, shpall luftëra, përpilon ligje, ngre dhe shtie qeveri, emëron ministra dhe financa vepron nën dhe. Asnjeri s’e merr vesh. Asnjëri s’e provon dot. Megjithatë, ashtu është”.

PS. Nuk duhesh me qenë “e fushës” për ta parë vështirësinë e papërballueshme për ta larë kredinë dhe domosdonë për të.

Prishtinë, 21 gusht 2014

Kontribo