Është e padrejtë të barazohen të pagjeturit dhe të zhvendosurit
Në konferencën e sotme për media, ish-ministrja e drejtësisë, Ablulena Haxhiu dhe deputetja Saranda Bogujevci folën për pikën 12 të zotimeve të Hotit në Uashington, ku tekstualisht barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit. Për Haxhiun dhe Bogujevcin në vend se të bëhen zotime që nuk përkojnë me realitetin e asaj që ka ngjarë këtu, qeveria e Kosovës duhet t’i bëjë kërkesa specifike Serbisë që lidhen me të pagjeturit.
Albulena Haxhiu tha se kërkesat për të pagjeturit janë kërkesa që duhet të plotësohen pa kushte, para çfarëdo teme tjetër. “Serbia e ka obligim ndaj Kosovës. Serbia e ka obligim ndërkombëtar që të jep informacione për personat e zhdukur, që i ka marrë me dhunë. Serbia duhet t’i kthejë ata, pa asnjë kusht, pas asnjë barazim.”
Për Haxhiun përveç se është e padrejtë të barazohen të pagjeturit me të zhvendosurit, Kosova asnjëherë nuk ka injoruar ose refuzuar kthimin e qytetarëve që kanë jetuar në Kosovë për shkak të etnisë. “Gjithë këto vite s’ka pasur asnjë rast që është rrezikuar ose nuk është lejuar të jetojë në Kosovë. Po të kishim bërë diçka të tillë, kjo do të evidentohej në raporte të shumta ndërkombëtare që bëhen për Kosovën, por jo për këtë s’ka pasur kritika asnjëherë për Kosovën”, tha ajo.
Deputetja Saranda Bogujevci ritheksoi se çështja e të pagjeturve nuk është një çështje që mund të negociohet me Serbinë, por çështje për të cilën shteti i Kosovës duhet të ketë kërkesa specifike për shtetin e Serbisë.
Bogujevci përmendi të drejtën për të ditur, që nënkupton dije për atë se çfarë ka ndodhur me personin e zhdukur dhe kush e ka kryer krimin. “Kjo nuk përmendet fare, as atëherë kur flitet për të pagjeturit. Kemi rastin e Ukshin Hotit për të cilin nuk dimë asgjë, rastin e civilëve të vrarë dhe të zhdukur, të zonjës Ferdonije, dhe rastet tjera si ai i Fehmi Aganit, Bajram Kelmendit e shumë të tjerëve.”
Ajo foli edhe për nevojën e dokumentimit dhe digjitalizimit të të dhënave. Për rëndësinë e aplikimit të testimit ADN në identifikimin e kufomave, dhe për ngritjen e stafit në komisionit qeveritarë për të pagjeturit, në mënyrë që të shtohet e lehtësohet puna e tyre.
Bogujevci kujtoi rezolutën e kaluar në Kuvendin e Kosovës ku njëra pikë ka të bëjë me shkëmbimin e të dhënave. Ajo tha se duhet t’i bëhet presion ndërkombëtarë Serbisë që ta nënshkruaj një marrëveshje të tillë edhe me ne.
Në fund të fjalës së saj, ajo ndau shqetësimin me përgjigjen e zv. kryeministrit Selmanaj ndaj kërkesës që deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga komisioni për të drejta të njeriut, ku ai refuzoi të raportojë duke thënë se tema e të pagjeturve është konsumuar dhe ezauruar.
“Një përgjigje e tillë, një refuzim duke u shërbyer me fjalë si e konsumuar dhe ezauruar, tregon se sa të rëndësishme e kanë këta çështjen e të pagjeturve”, tha ajo