23 11 2020

Fillon fushata zgjedhore në komunën e Besianës – Ndryshimi dhe fitorja drejt ndryshimit e ka numrin 12

Në hapje të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Besianës, Lëvizja VETËVENDOSJE! sot mbajti një konferencë për medie më kryetarin e saj, Albin Kurti dhe kandidatin e saj për kryetar në këtë komunë, profesorin dhe deputetin Shpejtim Bulliqi.

Llapi gjithmonë ka qenë në ballë të qëndresës e të çlirimit, kurse tani e tutje është koha që të jetë edhe në ballë të zhvillimit. Fitorja e jonë dhe juaja përmes Lëvizjes VETËVENDSOSJE! do të jetë pikërisht hapi i parë në atë drejtim, tha profesori Bulliqi. Ai foli për nevojat e komunës së Besianës dhe qytetarëve të saj. Për projektet infrastrukturore të cilat asnjëherë nuk u realizuan sado që shpesh herë janë premtuar nga qeverisja keqe e deritanishme. Për bibliotekën e qytetit, për hapësira kulturore, sportive e rekreative për të rinj, për mungesën e një spitali të qytetit, për gjendjen e dobët në shkolla, për rrugët e punuara keq dhe pa trotuar për shkak të cilave aksidentet rrugore janë të shpeshta e madje edhe tragjike. Me qeverisjes e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Besianë dhe me kryetar profesorin Shpejtim Bulliqi punësimet do të bëhen në baza profesionale, e jo në baza partiake e familjare siç janë bërë deri sot. Për këtë, profesori Bulliqi tha se do të kujdeset që procesi i aplikimit e konkurrimit të jetë sa më transparent, duke i publikuar konkurset për punësime në komunë edhe në faqën e tij. Si kryetari i ardhshëm i komunës së Besianës, profesori Bulliqi do të jetë kryetar i të gjithëve, i hapur e i qasshëm për të gjithë qytetarët e komunës dhe më bashkëpunuesi nga të gjithë kryetarët që ka pasur ndonjëherë Podujeva. “Unë e di se partitë e vjetra bëhen shpejtë bashkë e janë bërë bashkë”, tha profesori Bulliqi, “por ata janë më pak se sa qytetarët që e duan ndryshimin”. E ndryshimi dhe fitorja drejt ndryshimit e ka numrin 12, përfundoi profesori Bulliqi.

“Këto zgjedhje të jashtëzakonshme, kërkojnë një subjekt të jashtëzakonshëm si Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe një kandidat të jashtëzakonshëm si profesori Shpejtim Bulliqi”, nënvizoi kryetari i Lëvizjes Albin Kurti. Ai tregoi se më profesorin Bulliqi është lidhur shumë gjatë kohës së kundërshtimit të përbashkët të marrëveshjes për kufirin ndërshtetëror më Malin e Zi. Gjatë asaj kohe, profesori Bulliqi me integritetin e tij personal e profesional nuk ka lejuar që as ofertat e mira e trusnitë e këqija ta lëkundin atë nga pozicioni i tij, duke i qëndruar besnik interesit shtetëror dhe të vërtetës shkencore. “Ky vyrtyt e kjo qëndresë e profesorit Bulliqi, më bën të jem ballëhapur ndaj çdokujt që e takoj këtu në Llap”, tha kryetari Kurti. Qeverisja e Lëvizjes VETËVENDSOSJE! në Podujevë dhe kryetari i ardhshëm Bulliqi do të përkushtohen për një administratë publike profesionale, të paanshme e të përgjegjshme, për arsim cilësor sepse në shërbim të zhvillimit, rekrutim të personelit civil mbi baza profesionale, për zhvillim bujqësor përmes mbështetjes së fermerëve, për planifikim urban, për politika ambientale dhe zgjerim të hapësirave të gjelbra, dhe për infrastrukturë të domosdoshme. Këto zgjedhje të parakohshme janë shancë për ndryshime edhe në Llap me qëllim që të arrijmë të dalim nga kriza e shumëfisht, jo vetëm shëndetësore por edhe socio-ekonomike, tha në fund kryetari Kurti.

Kontribo