02 10 2019

Fitorja fillon në Shtime, vazhdon në Prishtinë e kurorzohet gjithandej me datë 6 tetor

Në Shtimen e Reçakut të lavdishëm, të dëshmorëve dhe martirëve që sollën lirinë. Në Shtimen e Ahmet Shtimës, Imer Devetakut dhe të Qorr Ilazit, të rinjtë vullnetar e aktivistë bënë vend për qindra qytetarët që kishin ardhur për të dëgjuar deputetët dhe qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Doktor Qemail Aliu që kandidon nga kjo komunë, tha se Shtimes dhe Kosovës po i kthehet dinjiteti me datë 6 tetor. Padrejtësia dhe kriminaliteti që po lulëzon, korrupsioni që ka metastazuar dhe ngecja ekonomike që po na asfikson, ka bërë që shumë të rinj dhe profesionistë ta lëshojnë vendin për një punë dhe jetë më të dinjitetshme. Me datë 6 tetor Shtimja dhe e gjithë Kosova do votojë për të ardhmen me drejtësi e zhvillim, për Lëvizjen e Albin Kurtin Kryeministër.

Kandidati Fatmir Rushiti kujtoi se qeverisjes së krimit e korrupsionit, nepotizmit e klientelizmit, harraqit e fajdeve, nëpërkëmbjes së vlerave të këtij vendi po i vje fundi. Me qeverinë që parasheh investime në infrastrukturën e komunave do të përfundojnë nevojat bazike të kësaj komune. Me investimet në industri dhe përkujdesjen ndaj prodhimit vendor do të shtohet zhvillimi e punësimi në vend. Me datë 6 tetor do të fitojmë bindshëm dhe qeverisja do ta bëjë këtë vend të jetueshëm.

Kandidatja Saranda Bogujevci tha se lirinë e paguam shumë shtrenjtë e tash 20 vite pas po ballafaqohemi me problemet e njëjta. Ende pa ujë të pijshëm, ende pamundësi të shkollimit të fëmijëve tanë, pa institucione të mirëfillta të shëndetësisë dhe me ikjen e rinisë jashtë vendit. Kjo do të ndryshoj me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe programin e saj, me njerëzit që kanë përvojën e duhur e me Albin Kurtin në krye të qeverisë. Numri 126 është numri më i rëndësishëm i kësaj kohe, porositi ajo.

Kandidati Glauk Konjufca theksoi se ata që kanë qeverisur deri më tani kanë dështuar dhe është radha e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për t’i bërë ndryshimet që secili qytetar i dëshiron.Secilit po i thotë zemra boll më me padrejtësi, papunësi e varfëri. Lëvizja do sjell drejtësi, zhvillim e të drejta për punëtorët. Ne do t’i mbështesim bizneset tona dhe do ta mbrojmë punëtorin.

Në Kosovë ata që punojnë në sektorin privat e dinë se sa të pafat janë. Paga është edhe njëherë më e vogël se në sektorin publik dhe nganjëherë nuk merret fare. Kontratat janë të shkurtra dhe të pasigurta. Vetëm vitin e kaluar 22 persona kanë humbur jetën në ndërtimtari. Nuk do të guxohet të shkelet punëtori, Lëvizja do e themeloj gjykatën e punës që do të jetë përherë në anën e punëtorit dhe ta mbroj atë.

Erdhi dita e fitores që fillon në Shtime e vazhdon me datë 4 tetor në Prishtinë, për t’u kurorëzuar masivisht nëpër gjithë Kosovën me datë 6 tetor ku Lëvizja del e para e Albin Kurti bëhet kryeministër i vendit.

Kontribo