04 09 2022

Fjala e kryeministrit Kurti në konferencën për media për Pakon për Përballje me Inflacion

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Të nderuar gazetarë,

Si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit e në vazhdimësi, kemi mbështetur qytetarët përmes masave të ndryshme të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Vitin 2021 e mbyllëm me shpërndarjen e mbi 300 milionë eurove, kurse vitin 2022 e filluam me një sërë masash mbështetëse në vlerë prej 200 milionë euro. Të gjitha këto për të mbështetur familjet më në nevojë, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët, bizneset e amvisëritë.

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë ndamë 40 milionë euro, nga 100 milionë të zotuara, për të subvencionuar faturat e energjisë elektrike për qytetarët, ashtu që çmimi i energjisë elektrike për ta të jetë i përballueshëm.

Punësimin e përkrahëm vazhdimisht e pa dallim. Filluam zbatimin e skemës “Qeveria për Familjet”, për punësimin e atyre që nuk kanë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Po ashtu nisëm masën për nxënie të shkathtësive dhe punësim të qëndrueshëm të personave me aftësi të kufizuara.

Rreth 250 mijë punëtorë të sektorit privat i mbështetëm me shtesën prej 100 euro, e për 100 mijë prej tyre dorëzuam në Kuvendin e Republikës projektligjin që mundëson rritjen e pagës minimale, për mbi 50%, përkatësisht për mbi 100% për ata të moshës nën 35 vjeç. Shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin prill e ndamë edhe për 75 mijë zyrtarët e sektorit publik.

Bizneset i përkrahëm jo vetëm përmes fuqisë punëtore, por edhe përmes subvencionimit të kredive për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese e përpunuese të tyre, ku përmes Masës 2.1, mundësuam investime në vlerë prej 100 milionë euro.

Në linjë me programin tonë qeveritar, shpërndarjen e shtesave për lehona dhe shtesave për fëmijë po e realizojmë për çdo muaj, për rreth 20 mijë lehona e për reth 170 mijë fëmijë.

Asistencën sociale e rritëm për 30% dhe e dyfishuam atë për 3 muaj, për nëntor, dhjetor dhe për prill. Mundësuam edhe shpërndarjen e rreth 40 mijë pakove ushqimore për familjet më në nevojë.

Rritjen e pensionit për 11% për disa kategori, e për 33% për disa skema të tjera, e bëmë të përhershme, dhe përkrahjen e përforcuam me nga 100 euro shtesë në muajt nëntor dhe prill.

Si Qeveri mbetemi të përkushtuar për t’ju dalë në krah qytetarëve, sa herë që kjo është e nevojshme, si dhe për të marrë veprime shtesë për rritjen e mirëqenies së tyre. Andaj në linjë me këtë synim tonin, sot po prezantojmë një Pako të re, që ka për qëllim mbështetjen e qytetarëve për t’u përballur me krizën inflacionare.

Nisur nga gjendja e rënduar me energjinë, sot më shumë se kurrë, është e domosdoshme të kursejmë. Andaj do të subvencionojmë të gjithë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak, ne do të subvencionojmë dyfish faturën.

Do të procedojmë në Qeveri, e pastaj në Kuvendin e Republikës për miratim, Projektligjin për Punë Publike, i cili parasheh kompensimin për inflacion për materialet ndërtimore dhe punët përcjellëse për kontratat ekzistuese të punës. Kjo me qëllim të përshpejtimit të dinamikës së implementimit të projekteve kapitale.

Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, kurse familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj.

Punësimin e punëtorët i kemi prioritet, i kemi përkrahur e do të vazhdojmë kësisoj. Për zyrtarët publikë do të ndajmë shtesën prej 50 euro duke filluar nga muaji shtator, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro.

Jemi të vetëdijshëm që inflacioni ka ndikuar që jeta të vështirësohet për të gjithë, pa dallim, mirëpo kjo gjendje është edhe më e rënduar në sektorin privat. Të gjithë e dini shumë mirë, se nga të gjithë të punësuarit në Kosovë, 80% janë të punësuar në sektorin privat, ndërkaq 1/5 janë të punësuar përafërsisht në sektorin publik. Prandaj do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtor, maksimumi 100 euro, për 3 muajt e parë.

E përkrahjen tonë do ta zgjerojmë edhe për studentët e Republikës, për të cilët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro në muajin nëntor, kur viti i ri akademik është duke u zhvilluar.

Pra, të dashur qytetarë, të nderuar gazetarë, në muajt në vijim do të ndajmë rreth 150 milionë euro për Pakon për Përballjen me Inflacion, ku përmes masës për subvencionimin e atyre që kursejnë energjinë do të përfitojnë të gjitha familjet, rreth 300 mijë sosh, kurse nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.

Në pranverë e kishim Pakon e Ringjalljes ekonomike, tash në vjeshtë e kemi Pakon për Përballjen me Inflacion

Tani në lidhje me kriteret e këtyre masave dhe mënyrën e përfitimit prej tyre ia kaloj fjalën Ministrit tonë të Financave, Punës dhe Transfereve, z.Hekuran Muratit.

 

Pyetjet dhe përgjigjet:

Pyetja I: Kryeministër, me 5 shtator MPJ i ka dhënë  leje kryeministres së Serbisë Ana Brnabiq, me ardh në Kosovë. Para 1 shtatorit vetë Brnabiq ka deklaruar që ka me pas tension në veri të vendit për shkak të targave. Qysh e shihni vizitën e saj me 5 shtator kur e kemi pa që në të kalumën MPJ e ka anuluar kërkesat për vizitë në Kosovë, pikërisht për shkak të nxitjeve të ndryshme të tensionit. Edhe sa i përket targave, ku jemi me marrëveshjen meqë me 1 tetor kalon edhe afati për letrat ngjitëse. Tjetra është  pas kërkesës së kryeministres Brnabiq për të ardh në Kosovës, krerët e luginës ju kanë kërkuar juve dhe si kryeministër me shku atje.  A keni me shku në Preshevë?

Kryeministri: së pari, jemi pas 1 shtatorit dhe është parë se gjithçka po shkon sic kemi thënë ne më herët. Ose do të ketë dokumente hyrëse dalëse edhe në anën e kufirit të Kosovës  dhe atë të Serbisë ose në asnjërën prej tyre. Doli asnjërën prej këtyre.  Reciprociteti në vend për neve është në rregull dhe edhe Brnabiq le të hyjë në Kosovë me letërnjoftimin e autoriteteve të lëshuara në Beograd dhe le ta shohin se  gjithçka po funksionon si në një shtet demokratik i cili është edhe më demokratik se Serbia  gjithsesi e madje edhe më i pavarur se Serbia. Sa i përket targave ne do të bëjmë më të mirën e mundshme sa i përket aspektit  diplomatik e politik mirëpo unë edhe njëherë i ftoj të gjithë qytetarët e komunitetit  serb në Kosovë që kanë aso targash km, pr  e të tjera që t’i konvertojnë sa më parë sepse i kanë këto dy muaj për t’i përfituar deri në 5 mijë euro duke mos paguar tvsh akcizë dhe takse doganore. Afati është 31  tetori siç e kemi deklaruar tashmë dhe besoj që sa më parë që e bëjnë këtë, aq më mirë është jo vetëm për shtetin tonë dhe ligjshmërinë, por edhe ata vetë. Pra ata përfitojnë me këtë, nuk humbin,  dhe le të mos harrojmë që bëhet fjalë për disa mijëra vetura sepse një pjesë e madhe e serbve të Kosovës tashmë i kanë targat RKS,  ashtu siç i kanë edhe letërnjoftimet e Kosovës. Pra janë diku mbi 135 mijë letërnjoftime të Republikës së Kosovës që i kanë qytetarët e nacionalitetit serbë. Vetëm disa mijëra nuk kanë letërnjoftim dhe disa mijëra vetura nuk i kanë targat RKS, pra po flasim për një pakicë e cila nuk ka pse mban peng të tjerët. Ndërkaq agjenda jonë qeveritare qysh më herët e ka paraparë një vizitë në Luginë të Preshevës në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe zyrtarët e qeverisë do të shkojnë të hënën. Përshtypja ime është që kur e kanë kuptuar që do të shkojnë ministra të qeverisë sime në  Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, kanë kërkuar edhe ata që të vijnë vet. Pra ne bëjmë planin tonë, agjendën tonë qeveritare. Unë do të shkoj një ditë por  nuk është  shkuara jonë të hënën reagim përkundrazi kur ata e kanë kuptuar që ne do të shkojmë Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e kanë bërë kërkesën që edhe Bërnabiq të vijë ne veri të Mitrovicës  në Zvecan e Leposaviq.

Pyetja II: kryeministër kur do të uleni në dialog me sindikatat për kapërcimin e situatës së krijuar si shkak i grevës?

Kryeministri: ne jemi me mësimdhënësit por mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Nuk bën të ndahen mësimdhënësit nga nxënësit. Shkolla është shteti. Ta bojkotosh shkollën do të thotë ta bojkotosh shtetin.  Ne kemi bërë shumë luftë e përpjekje për shkollë që tash ta bojkotojmë atë më greva ekstremiste. Andaj unë besoj që duhet të fillojë një orë më parë mësimi nëpër shkolla dhe ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve që të hënën të jenë në shkollë dhe aty t’u japin mësim të vegjëlve tanë. Pra jemi për mësimdhënësit, por jemi për nxënësit.  E mësimdhënësi është për nxënësit. Edhe shteti edhe arsimtari duhet të jenë në funksion të fëmijëve. Unë kam takuar disa herë kryetarin e  Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës z Atdhe Hykollin me bashkëpunëtorë ndërkaq ministrat e mi kanë takuar degët sindikale  të BSPK-së, nëse duam shtet, duhet të ketë rregullsi dhe  rregulli e thotë këtë gjë, kur nuk dua ta kapërcej kryetarin e BSPK-së e të takoj sindikalistë të veçantë të degëve sepse ashtu nuk ka rregullsi, ashtu ka ndodhur në të kaluarën kur liderët e degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me ministra, politikanë, me kryeministra, me presidentë dhe në këtë mënyrë e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social demokrat, unë jam për sindikata, unë jam për sindikata  të fuqishme edhe në sektorin privat jo vetëm publik sepse sindikatat i mbrojnë punëtorët  kolektivisht, shtesë edhe prej ligjit që përgjithësisht të mbrohen individualisht, organizimi sindikal është tejet i rëndësishëm për  të drejtat e punëtorëve  mirëpo kërkesat absurde, irracionale që në fakt më shumë janë dëshira arbitrare se sa mundësi reale, nuk  mund të ecim përpara.

Në përputhje me buxhetin e shtetit, me strukturën ekonomike, me krizën nëpër të cilën ne kalojmë ne do t’i marrim masat tona. Dhe tash ju e patë që pakos së ringjalljes ekonomike që i afrohet 600 milionë euro në vitin e kaluar dhe në këtë vit ne po ia shtojmë edhe 150 milionë euro në këtë vjeshtë. Pakoja e ringjalljes e pranverës po pasohet me pakon e përballjes me inflacionin në këtë vjeshtë. Ne duhet t’i ndihmojmë secilit qytetar, nuk mund t’i ndihmojmë vetëm një grupi prandaj edhe takimet që i zhvillojmë i zhvillojmë  qysh i kanë njerëzit funksionet edhe pozitat  e tyre. Kjo është arsyeja pse unë edhe pardje e kam takuar kryetarin e BSPK-së Atdhe Hykollin sepse ai është kryetari e unë jam kryeministri. Kështu e do edhe rendi edhe logjika. Andaj unë do të vazhdoj komunikimin me BSPK-në. Nuk mungon komunikimi, nuk mungon dialogu social, mungon racionalieti i kërkesave dhe unë kam hall për këto kërkesa që bëhen në mënyrë delirante sepse këto e zhvlerësojnë vetë sindikatën e unë nuk besoj që mund të kemi shtet demokratik pa sindikata të fuqishme por imazhi i sindikatave, fuqia e tyre negociatore, serioziteti i tyre, të gjitha këto bijnë nëpërmjet dëshirave delirante në vend se të kërkesave racionale.

Pyetja III: Më herët folët për vizitën e Ana Brnabic në Kosovë. Më thoni sa i përket kësaj marrëveshjeje verbale të 1 shtatorit sepse ka shumē paqartësi, kjo sa i përket vlefshmërisë së letërnjoftimeve të lëshuara për shembull nga departamenti policor të  Mitrovicës, Prishtinës, me siguri keni përcjellur edhe rrjetet sociale, por edhe mediat. A është një letërnjoftim i lëshuar nga Departamenti policor i Mitrovicës valid, pra a mund të hynë në Kosovë  qytetarët nëpër të gjitha kalimet kufitare me letërnjoftim të lëshuar nga Mitrovica, Ferizaj, Prishtina etj. 

Kryeministri: Republika e Kosovës nuk e njeh Serbinë dhe shumë vendime që i merr Serbia janë kryekëput ilegale për neve. Vendimet, dokumentet që  i lëshon Serbia ne e dimë që janë në bazë të një kushtetute e cila është agresive ndaj Kosovës.  Për ne, për hir të Lëvizjes së lirë e duke zbatuar reciprocitetin, mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia i përgjigjemi me mosnjohje të Serbisë nga ana e Republikës së Kosovës dhe përderisa kalojnë dokumentet tona të identifikimit në anën tjetër të kufinit kemi lejuar edhe ato dokumente  të vijnë në anën tjetër pra në territorin e Republikës së  Kosovës. Ne po vendosim reciprocitet për hir të qytetarëve po për neve Serbia nuk është shtet që njihet dhe në përgjithësi ne kemi problem me vendimet e atij shteti.  Veçse kemi vendosur reciprocitetin dhe do të vazhdojmë me reciprocitet të mëtutjeshëm, gradual drejt reciprocitetit të plotë që është edhe fryma e dialogut në Bruksel por edhe është karakter i marrëveshjes që duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

Pyetja IV: A do t’iu vlejnë letërnjoftimet të gjithë qytetarëve që duan të hyjnë Kosovë?

Kryeministri: unë jam përgjigjur. Ata kanë hyrë më herët. Ata po hyjnë edhe tash. Autoriteti i cili i lëshon ato dokumente është Serbia.  Ne Serbinë nuk e pranojmë si shtet të pavarur  e si Republikë qysh nuk na pranojnë as ata neve. Pra aktualisht kemi mosnjohje reciproke. Me duam njohje reciproke.

Pyetja V: z. Kryeministër ju thatë që nuk do ta kapërceni BSPK-në, dhe të takoheni me kryetarin e SBASHK-ut. Me gjithë këtë qëndrim a keni ndonjë zgjidhje tjetër për të ofruar në mënyrë që të ndalet greva e mësimdhënësve dhe të fillojë mësimi edhe a konsideroni që ndarja e shtesave prej 50 eurosh në muaj mundet me ndal grevën aktualisht. Edhe më falni nëse nuk e kam dëgjuar por, sa do të zgjasë kjo masa për shtesat prej 50 eurosh për zyrtarët publikë? Faleminderit.

Kryeministri: Nëse kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli thotë unë nuk jam më kryetar, po është kryetar dikush tjetër unë e takoj kryetarin, po si kryeministër i vendit unë takoj kryetarin e BSPK-së, kjo është e para. Ai është zgjedhur në një kongres të BSPK-së në të cilin më patën ftuar në fillim edhe mua bashkë me shumë krerë sindikal nga Evropa e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, unë e kam për detyrë dhe bindje që ta takoj kryetarin e BSPK-së. Sa i përket grevës, greva është instrument legjitim sindikal por në të njëjtën kohë është hapi i fundit, jo i parë. Kanë ndërmarrë në fillim një akt ekstrem nga pikëpamja sindikale. Dhe 50 euro të cilët ne do t’i japim si shtesë të gjithë të punëtorëve në sektorin publik, duke filluar nga muaji shtator do të vlejnë për muajt në vijim të këtij viti fiskal. Pastaj, viti 2023 është vit tjetër fiskal. Por, kjo nuk ka të bëjë me ligjin mbi pagat, projektligjin të cilin do ta sjellim edhe në Kuvend, pasi që diskutimeve paraprake, do t’i kemi edhe konsultimet publike dhe më pastaj në Qeveri e në Kuvend të Republikës. Por, kjo është për t’u përballur me inflacionin, nuk ka të bëjë me ligjin e pagave. Pra, ne 50 euro nuk i japim derisa të vjen ligji i pagave, s’ka të bëjë kjo me ligjin e pagave, po për t’u përballur me inflacionin. Sepse kërkesa absurde për 100 euro, e që praktikisht është 20 % rritje e pagave në mënyrë të tërthortë në arsim, kërkesa 100 euro është rritje 20 %, deri tek projektligji mbi pagat në fakt është bërë që të krijohet përshtypja se kur të vjen projektligji do të kemi edhe më shumë se kaq. Mirëpo në një Kosovë në të cilën testet e PISA-s po na i nxjerrin ¾ e fëmijëve si analfabetë funksionalë ta shantazhosh qeverinë, ta kërcënosh qeverinë me rrënim të shtetit, se shkolla është shteti, është papërgjegjësi absolute. Është papërgjegjësi absolute. Pra, ne nuk shantazhohemi. Por ka disa muaj që Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, është duke studiuar e analizuar deri te kjo që e prezantuam sot, Pakoja për Përballjen e Inflacionit si vazhdimësi e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, e cila vazhdon sepse edhe lehonat edhe fëmijët vazhdojnë t’i marrin shtesat, e të tjera, e të tjera.

Pra, ne po përballemi me inflacionin me këto masat e kësaj pakos së re. Dhe, ky është qëllimi ynë i drejtë përkundrejt një greve nga e cila s’fiton askush, aty janë të gjithë humbës. Pra, të krijosh ditë pa punë për mësimdhënësit, dhe ditë pa mësim për fëmijët, është përgjegjësi tejet e madhe. Nuk është vetëm përgjegjësi politike e shoqërore është historike, sepse pikërisht duke nxjerrë analfabet funksional, e duke menduar veç për paga, po na përfundojnë njerëzit veç për asistencë sociale, kjo reflektohet automatikisht në zhvillim ekonomik mandej.

Kur ti nuk nxjerr kuadro të mira arsimore atëherë prodhon ose njerëz për asistencë sociale ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor. Po ju po e shihni se çka po ndodhë, veç kërkesë për pare, për ta bankrotu shtetin, për ta shkatërru shtetin. Është papërgjegjësi totale. Prandaj, unë i thërrasë racionalitetit të njerëzve, të jenë të përgjegjshëm për fëmijët dhe t’japin mësim dhe gjithashtu ju bëjë thirrje komunave të Kosovës që të pushojnë me sjelljen destruktive e me bojkotin karshi Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Jo gjithçka është vendim qeveritar, realiteti që kemi nuk është thjeshtë vendim qeveritar është edhe zbatim ligjor. Ministri i Financave ka obligime ligjore, ky duhet të kujdeset që kush s’punon s’paguhet. Rrënohet sistemi nëse ne paguajmë njerëz që s’punojnë. E tash bojkoti që të mos dorëzohen listat tek Ministria e Financave nuk është thjeshtë politikë anti qeveritare, po është anti shtetërore, kjo është me i shpallë luftë shtetit. Bojkoti që  një pjesë jo e vogël  e komunave ja bëjnë Ministrisë së Financave do të thotë t’i shpallësh luftë shtetit. E përkundër kësaj ne jemi racionalë. Pra, në njërën anë keni situatën në të cilën instrumentalizohen sindikalistët me kurs antiqeveritar e në anën tjetër kemi sjellje antishtetërore të disa komunave. Nuk është e padrejtë thjeshtë ndaj qeverisë po ndaj popullit, se ne në shërbim të tyre jemi. Andaj është e domosdoshme që të fillojë bashkëpunimi dhe të tejkalohen këto greva meqenëse nuk ndërtohet shteti me shantazhe dhe e keni një qeveri që nuk shantazhohet.

Pyetja VI: Kryeministër a pritet të ketë takim me Vuçiqin dhe nëse do të bisedoni së shpejti me serbët lokalë. Ndërkohë më intereson nëse do të ishte reciprocitet i nivelit të njëjtë vizita juaj në Luginë e jo e vartësve tu?

Kryeministri: Unë ua shpjegova më herët që ne  e kemi nisur të parën vizitën. Pra, ne në agjendë qeveritare kemi vënë dy anëtarë të kabinetit tonë që të shkojnë në Luginë të Preshevës të hënën e 5 Shtatorit, dhe është siguruar edhe agjenda shtetërore, edhe takimet edhe aktivitetet atje. Kësaj Serbia i është përgjigjur me vizitën e Bërnabiqit. Tash nuk mund ta ndryshoj unë agjendën shtetërore se kjo do të ishte varësi ndaj Serbisë. Nuk mund ta bëjmë shtetin të varur ndaj Serbisë ku ata e përcaktojnë agjendën tonë. Ata janë duke ju përgjigjur agjendës tonë, pse ata nuk e kanë qu zëvendëskryeministrin a ministrin po e kanë qu kryeministren kjo është çështje e tyre. Po ndryshimi i agjendës tonë shtetërore nuk do të ishte reciprocitet do të ishte varësi nga agjenda e Serbisë. Prandaj edhe nuk e bëjmë këtë gjë. Ndërkaq, sa i përket takimeve në Bruksel nuk e dimë se kur do të ftohen ato, por ajo çka dihet sigurt është që Republika e Kosovës, qeveria jonë ka gatishmëri dhe interes për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër dhe për këtë unë kam prezantuar kornizën e përgjithshme, pala tjetër ka thënë që nuk është e interesuar për këtë dhe tash i takon ndërmjetësve që ta sqarojnë këtë gjë. Kur të vije ftesa me agjendë padyshim që do ta ndaj me ju. Me serbët lokalë unë takohem rregullisht shumica dërmuese e atyre takimeve nuk i bëj publike, sepse nuk është e leverdishme, e kam shpjeguar edhe këtu shumë herë. Ju e dini që kur isha herën e parë kryeministër bëra një këshilltar politik nga Ranillugu, Aleksandër Stankoviq, dha dorëheqje pas dy orëve sepse i bënë trysni kërcënuese strukturat ilegale, kjo është arsyeja ose edhe dikush nga Beogradi, kjo është arsyeja pse nuk është e leverdishme që ky dialog doemos të zhvillohet me tupan apo para kamerave.

Pyetje VII: Pyetja e parë është a mund të na tregoni emrat e kabinetit tuaj të cilët do të vizitojnë apo do të shkojnë në Serbi, këtë të hënë. E dyta është thatë që nuk e tejkaloni BSPK-në, për të takuar z.Jashari. Sot Osmani e takon z.Jashari a po gabon znj.Osmani. Gjithashtu kemi pasur edhe një deklaratë dje të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Elvis Hoxha, ku tha se greva e mësimdhënësve po udhëheqet nga një anëtar i një partie serbe dhe përdori edhe termin kosovarist. A do të merrni masa dhe si i cilësoni këto deklarata të z. Hoxha?

Kryeministri: Nuk është e përshtatshme unë të flas nga këtu, kush çka thotë e komenton, s’mund t’ua bëj analizën analistëve, s’mund t’ua bëj komentet komentuesve më vjen keq dhe as nuk jam këtu në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje!, por të kryeministrit të Republikës së Kosovës. Njerëzit caktojnë agjendat e tyre dhe ata e vlerësojnë se çka është më së miri, besoni nuk e di tash për shkak të numrit të madh të takimeve që kam sot, as cila është saktë agjenda ime deri në mbrëmje vonë, lëre më e të tjerëve. Por ajo çka mund të them është që ne shumë më herët kemi pas dy anëtarë të kabinetit tonë që shkojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në një vizitë edhe besoj që është bërë publike ajo, është konfirmuar me media kjo gjë, është konfirmuar sot, nëse nuk gaboj do të jenë Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ndonëse nuk jam qind për qind i sigurt sepse kjo është një çështje që e kemi iniciuar shumë më herët e më pastaj nuk e di se çfarë takimesh kanë aranzhuar, por e di që do të jenë dy anëtarë të kabinetit tonë, me gjasë Zëvendëskryeministri dhe ministrja e Arsimit. Unë ju përgjigja, po shikoni unë ju tregova agjendën time deri në fund të ditës nuk e di saktësisht, se kam takime nga 10 – 15 minuta, shumë takime a po kuptoni. As nuk mund të flas për agjendën time siç ju thash e jo të të tjerëve. Faleminderit shumë.

Kontribo