Fjala e kryetarit dhe nënkryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në konferencën e sotme për medie, mbajtur më 20 korrik 2019
Albin Kurti:
Që nga dhjetori i vitit të kaluar kanë nisur të vijnë ftesat për komandantët dhe luftëtarët e UÇK-së nga Gjykata Speciale. Me 3 gusht bëhen 4 vjet prej kur u ndryshua Kushtetuta e Kosovës me amandamentin nr.24 për t’i hapur rrugë Speciales e cila hyn brenda trupit të Republikës sonë dhe me kusht që të mbetet sipër saj. Me 82 vota PËR e patën pranuar atë që është e paimagjinueshmja. UÇK-në të cilën e lanë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe jashtë Kushtetutës së Republikës, e futën brenda Gjykatës Speciale! Është mirë që televizioni publik të ritransmetojë seancat plenare të Kuvendit të Republikës të 26 qershorit dhe 3 gushtit 2015.
Sot ne i vuajmë pasojat e qëndrimeve të liga dhe të vendimeve të gabuara vite më parë, kur politikanë përfaqësues, zyrtarë të lartë, që më shumë e deshën vetveten sesa kombin dhe shtetin, Kosovës ia bënë Gjykatën.
Dhjetëra luftëtarë po intervistohen. Nuk dihet kush do të akuzohet. Askush nuk e din këtë. Ish kryeministri Haradinaj as nuk është arrestuar dhe as nuk është akuzuar. Pra, ish kryeministri as nuk është në burg dhe as nuk ka aktakuzë. Do të intervistohet nga prokuroria e specializuar si dhjetëra luftëtarë e komandantë të tjerë. Që nga Rrustem Mustafa – Remi, Komandant i ZO të Llapit, te Sylejman Selimi, Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së, e deri te Sokol Dobruna, Kryetar i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, tashmë që të gjitha këta e shumë janë intervistuar. Duket se janë intervistuar edhe politikanë të tjerë e zyrtarë të lartë shtetërorë të cilët nuk kanë preferuar që kjo gjë të jetë apo të bëhet publike.
Se a intervistohesh nga Prokurori i Specializuar si kryeministër apo si u.d. i kryeminitsrit, kjo s’përbën dallim për Gjykatën Speciale. Dallimi është në Kosovë, jo në Hagë. Nuk e kemi më një qeveri që ishte e mbrapshtë dhe e pashpresë ashtu siç ishte e madhe. Tash shpresa është te ndryshimi, te zgjedhjet, te liria, te demokracia, te vetëvendosja.
Ish kryeministrin e kemi paralajmëruar disa herë shumë herët. Sa më afër gjarpërit, aq më i rrezikuar je. Rexhep Selimi e pat paralajmëruar ish kryeministrin që të ketë kujdes nga puthja e gjarpërit, mirëpo e mbani mend se si ai u pat shfryrë kundër Rexhep Selimit në një seancë plenare.
Po të mos kalonte demarkacioni i gabueshëm me Malin e Zi, do të binte presidenti Thaçi. Deri me 21 mars të vitit të kaluar, Haradinaj e kishte kapur gjarpërin për koke. Pas 21 marsit 2018 kur u ratifikua demarkacioni ‘Meha’, Haradinaj e mbante gjarpërin për bishti.
E kemi lutur ish kryeministrin që të mos e mbështesë demarkacionin me Malin e Zi. Na shpërfilli. Gati 500 ditë pas ratifikimit, askund nuk e kemi korrigjimin e premtuar që na e kthen kufirin në Qafë të Çakorrit, në Kullë të Zhlepit e me Bjelluhën brenda Kosovës. E kemi lutur kryeministrin të na e mbështesë mocionin opozitar që ia ndalon presidentit negocitatat për territor. Na shpërfilli. Kuvendi i Kosovës ende nuk ka rezolutë që ia ndalon presidentit pazaret me territorin e shtetit sepse vazhdimisht na u pamundësonte kuorumi.
Presidenti Thaçi duhet të na thërrasë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Kaq. I bëj thirrje të mos e zvarrisë proceduralisht procesin drejt zgjedhjeve të lira e demokratike. Kosova sot nuk ka qeveri. Kosova duhet të bëhet me qeveri të re. Mirëpo, për këtë duhet të flasin qytetarët njëherë. Qytetarët duhet të zgjedhin. Qytetarët duhet të përcaktohen.
Ne po i mobilizojmë si Lëvizje VETËVENDOSJE! strukturat tona dhe do t’i përgatisim ato për zgjedhje të reja. Fundja edhe letra e dorëheqjes së ish kryeministrit ishte fillim i fushatës. Kosova ka nevojë për shpresë. Kosova ka nevojë për të zgjedhur, sepse ka nevojë për qeveri të re, e cila sjell edhe prokurori të guximshme, edhe prokurim të ndershëm, edhe punësim për popullsinë, edhe barazi për qytetarët edhe mirëqenie pa diskriminim.
Besnik Bislimi:
Të nderuar të pranishëm, ditën e djeshme u vetërrëzua para se të shkarkohej qeveria më e madhe dhe më e shkurtër e Kosovës së pasluftës. U vetëshkarkua para se të binte, qeveria që kishte kapur shtetin si asnjë tjetër para saj. Një qeveri enorme dhe e korruptuar. Opozita e vërtetë gëzohet gjithnjë kur bie qeveria e sidomos kur bie një qeveri si kjo që e kishim ne.
Jemi të gëzuar që ra qeveria me 23 ministra, 5 zëvendës-kryeministra, mbi 80 zëvendës-ministra, e me 35 këshilltarë vetëm për kryeministrin.
· Qeveria që tregoi inovacion vetëm në shpikjen e panumërt të pozitave e posteve të reja për të rehatuar qindra familjarë e militantë.
· Kjo qeveri shkeli së paku tri ligje për t’ia siguruar “Contour Global”-it shitjen e energjisë, kredinë bankare dhe fitimin e garantuar prej 18,5%.
· Ia dyfishuan vetes pagat në shtetin më të varfët me papunësinë më të madhe në Evropë.
· Ia falën borxhet ndërmarrjeve të papërgjegjshme në pronësi të oligarkëve.
· Ia falën 8. 200 hektarë të territorit të Kosovës Malit të Zi.
· Mashtruan qytetarët me vite për liberalizimin e vizave.
· E legalizuan krimin dhe e kthyen në vlerë nepotizimin e kroniizmin.
· E çuan drejt falimentimit PTK-në me menaxherë partiakë jokompetentë që dinin gjithçka përvec punës së menaxherëve.
· E mbushën një të tretën e kabinetit me njerëz nën hetim për vepra kriminale.
· E diskredituan arsimin universitar kosovar duke e përjashtuar atë nga EQAR-i dhe duke ndërhyrë në vendime të pavarura të Këshilit Shtetëror të C-së me synim mbrotjen dhe sigurimin e cilësisë në arsim.
· I paguan 1 milion euro për serbët në veri që nuk paguanin energjinë elektrike.
· Ia dhanë 53 milionë euro të taksave të qytetarëve në mënyrë të paligjshme kompanisë Bechtel-Enkas.
· Kërcënuan prokurorët tanë për të pamundësuar hetimin e skemës së korruptuar të përfitimeve për veteranët e luftës.
· Manipuluan me pronat në Shipitullë dhe Hade dhe planifikuan të njëjtën edhe në autorrugën e Dukagjinit.
· E rritën me shpejtësi rekorde deficitin buxhetor dhe borxhin public të vendit.
· E miratuan përmes pazareve të paskrupullta dhe nuk e rishikuan as buxhetin e vitit 2018 e as të vitit 2019.
· E mirëmbajtën monopolin në homologimin e automjeteve në kundërshtim me rekomandimin e Agjencisë Kosovare të të Konkurrencës.
· Krijuan dhe mirëmbajtën bord joprofesional ZRrE, partiak në Trepçë, e familjar në Telekom.
· Shpenzuan për asfalt 10 herë më shumë sesa për Universitetin e Prishtinës, 10 herë më shumë sesa për Këshillin Gjyqësor e Prokurorial, apo 20 herë më shumë sesa për ujësjellës e kanalizim së bashku.
Të nderuar të pranishëm, ditën e premte, me 19 korrik u rrëzua një qeveria e cila bëri gjithçka që nuk do duhej të bënte, por nuk ia ruajti nderin vendit, ashtu si nuk e ruajti stabilitetin e buxhetit dhe nuk i ruajti xhepat e qytetarëve. Një qeveri që nuk solli as edhe një njohje të vetme për vendin, por duke dëmtuar në vazhdimësi imazhin e vendit jashtë dhe të qeverisë brenda, pamundësoi edhe anëtarësimin në cilëndo organizatë ndërkombëtare të rëndësishme. Dje u vetërrëzua një qeveri e cila të gjitha dëmet e dy viteve u mundua t’i fshehë pas një ftese për intervistë.
Dje u vetërrëzua një qeveri së cilën e paralajmërojmë që të shmang çfarëdo përpjekjeke për të marrë ndonjë vendim me peshë politike e financiare deri në krijimin e qverisë së re, ngase të njëjtat do të zhvlerësohen në ditën e parë të punës të qeverisë në ardhje.
Realisht, LVV-së i është vjedhur dyfish fitorja na zgjedhjet e kaluara. Së pari, kur ne u dyfishuam, u bëmë partia më e madhe dhe e parë në Kuvend me kryetarin Kurti si njeriun më të votuar në Kosovë dhe na e pamundësuan përmes manipulimeve të ndryshme krijimin e qeverisë. Së dyti, kur u tjetërsua vullneti i votuesve tanë me ata që ikën duke i marrur padrejtësisht mandatet e Lëvizjes me vete për t’i çuar ato në një parti të vogël që kishte garuar bashkë me PAN-in.
Andaj, le të shkojmë në zgjedhje të reja pa vonesë. Presidenti ta dijë që secila tentativë e tij eventuale për të zvarritur zgjedhjet e reja vetëm se do të përshpejtojë shkarkimin e tij. Le të garojmë me programe zhvillimore, le t’ia kthejmë shpresën popullit, drejt një qeverie të re që mundëson drejtësi në vend pa korrupsion dhe punësim në vend të emigrimit.
Ju falemnderit.