22 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Ferizaj

Në sallën e sporteve Bill Clinton këtu në Ferizaj, temperatura paska arritur 118 gradë Fahrenheit. Ferizaji është vendi i demonstratave, është komuna e guximit, është rajoni i punës dhe është popullsia e kontributit për Republikën dhe për shqiptarinë. Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ferizaji dha shumë dëshmorë të cilët nuk kursyen asgjë, as jetën, për lirinë dhe çlirimin, për pavarësinë dhe bashkimin. Ferizaji është krenar që pati Nazmi Ugzmailin, si dëshmori i parë i UÇK-së, pastaj Ahmet Hoxhën dhe Rexhep Bislimin, si dhe Ahmet Kaçikun e Vezir Jasharin, të cilët sot kanë përvjetorin e rënies së tyre heroike. Po ashtu, Hyr Emini, Enver Topalli, Naim Beka dhe Ali Ivaja, e shumë e shumë të tjerë, të cilët i nderojmë për jetë dhe ju përulemi gjithmonë para veprës së tyre sublime. Lavdi!

Më lejoni, të dashur ferizajli, që sonte këtu, përveç 110 kandidatëve tanë, secili më i mirë se tjetri, e të gjithë bashkë më të mirët që i ka parë ndonjëherë Kosova e pavarur e Kosova e çliruar, gjithashtu të përshëndes edhe një grup miqsh nga Shkupi, janë të rinj e të reja nga Shkupi, por edhe politikanë e zyrtarë, si Besart Durmishi, Ministër i Ekonomisë dhe deputetët Adnan Azizi, Riad Shaqiri dhe Bekim Qoku. Mirë se keni ardhur.

Me këtë rast, i ftoj të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kanë nënshtetësi të Republikës së Kosovës, që më datën 9 shkurt, të vijnë dhe të na bashkohen në votimin historik për fitoren rekord dhe në festën e madhe të përbashkët të Lëvizjes Vetëvendosje!, me partinë Guxo dhe me partinë Alternativa, me numrin 118.

Të nderuar të pranishëm, prodhimin po ia kthejmë ekonomisë, e mirëqenien po ja sjellim shoqërisë, nga progresi drejt demokracisë, Kosova ka ndërtuar progres demokratik. Puna jonë nuk motivohet nga fitimi apo përfitimi personal, por nga rritja ekonomike dhe nga zhvillimi demokratik. Puna dhe talenti, e në fund, edhe fati. Andaj, le të punojmë shumë dhe bashkë, bashkë dhe shumë, punoni tërë kohën, kudo e çdokund, cep më cep, me të gjithë e secilin, dhe gjithnjë e përgjithmonë, teksa punoni mendoni për popullin.

E në ditën e zgjedhjeve të lira e demokratike, të rregullta e të ndershme, punojmë me votë, ndërkaq ditëve tjera të vitit e në vitet pa zgjedhje, votojmë me punë. Gjatë këtyre ditëve të fushatës, moti ka qenë i ftohtë, por unë po ndihem më shumë se ngrohtë këtu, mes jush në Ferizaj, midis zemrave të nxehta të këtij qyteti madhështor të Republikës, e të dashur për ju dhe për ne.

Një shok që e kam këtu në Ferizaj më ka thënë se në Ferizaj çdo gur ka nga një histori qëndrese, e tash, nëse çdo gur ka nga një histori, unë po them se në Ferizaj, çdo zemër ka nga një zjarr. Kur vijmë në Ferizaj, të gjithë marrim zemër edhe më shumë. Ferizaji është zjarri i 500 mijë zemrave që do të rrahin, por si një, të dielën e 9 shkurtit, tri javë larg, e ja po ja them qysh në fillim: ky zjarr i 500 zemrave, a e dini pse na duhet? Që ta ndezim motorrin, që t’i ndezim turbinat e drejtësisë, e drejtësisë me re që ndëshkon kriminelët dhe shpaguan viktimat. Me votën tuaj, para 4 viteve ndryshoi parlamenti dhe u bë shumë më cilësor, me votën tuaj u formua qeveria e re, u bë më punëtore, me 500 mijë zemra do të ndryshojmë brenda 5 muajve edhe drejtësinë.

Sepse asnjë punë nuk na lodh, por na lodh mospuna e drejtësisë. Qytetari i thjeshtë i vendit tonë pret me vite e vite për një lëndë që mrizon nëpër sirtarët e gjykatave dhe nuk i vjen asnjëherë rendi për adresim e trajtim, ndërkaq krimineli i cili arrestohet në veri të Kosovës lirohet brenda pak ditëve, nëse nuk ia kanë hequr urdhrin e arrestit paraprakisht, sepse për këtë punë po gjejnë kollaj e shpejtë shumë kohë. Prandaj kjo gjë, të dashur ferizajli, nuk durohet më dhe duhet të marrë fund. Për të marrë fund padrejtësia, për të ardhur drejtësia e re, garancia jeni ju, mundësia jemi ne, shansi është 9 shkurti dhe numri është 118. Fushata e partive opozitare është fushatë për harresë, por qytetarët nuk i harruan plagët që i shkaktuan këta, sepse edhe ato plagë nuk janë mbyllur dhe populli s’do t’i mbyllë dot sytë, për shkak se nuk u akuzuan nga Prokuroria, për shkak se nuk u ndëshkuan nga gjykatat dhe për shkak se na e vonuan byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Aman zaman, ata i ndëshkoni me votë më 9 shkurt.

Kur ende nuk kemi dënime të gjykatave kundër peshkaqenëve të korrupsionit, populli duhet t’i dënojë me votë në zgjedhje. 9 shkurti është dita e gjyqit, 12 orë zgjat procesi gjyqësor kundër atyre që e plaqkitën buxhetin e shtetit dhe pasuritë e vendit, kundër strukturave të Serbisë dhe bandave të saj kriminale që financohen në Beograd dhe trajtohen në Rashkë. Të dashur qytetarë të Ferizajit, me 9 shkurt, a fiton gjyqin populli kundër kriminelëve?
Me 9 shkurt, a i fitojmë zgjedhjet si referendum dhe referendumin si gjyq popullor? E pra, kur ta fitojmë gjyqin dhe referendumin me 500 mijë zemra, atëherë nis agimi i drejtësisë së re, me Prokurori të re, me Gjykatë të re, me ndëshkime të reja për kriminelë të vjetër.

Të dashur pjesëmarrës të nderuar, këta të LDK-së janë bërë si PDK-ja, para edhe reklamë, e kundërta e Rugovës, e këta të PDK-së janë bërë si LDK-ja, pacifistë dhe të hutuar, e kundërta e UÇK-së. Pra, PDK-ja është bërë si LDK-ja, LDK-ja është bërë si PDK-ja dhe sa më shumë që bëjnë gara për vendin e dytë, aq më shumë po bëhen të njejta, sepse ndryshimi është Vetëvendosja, sepse ajo që është ndryshe është Lëvizja jonë, sepse ndryshimi ka ndodhur më 14 shkurt 2021, sepse ndryshimi vazhdon, sepse ndryshimi forcohet me 9 shkurt 2025 dhe sepse PDK dhe LDK, LDK dhe PDK, nuk janë ndryshimi, por janë ndryshku i cili mbaroi dhe shkoi.

Të dashur qytetarë, e di që Ferizaji ka një lidhje të veçantë me Amerikën. Bondsteel-i ka ndihmuar punësimin e mijëra ferizajlinjve këtu, përveç që ka garantuar sigurinë për rrafshin e Kosovës në të gjithë Republikën tonë, por edhe plot prej jush i keni shërbyer Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut, partnerit, aleatit tonë në vendet e ndryshme, e sidomos në Lindjen e Mesme. E ne që jemi mbledhur sonte këtu e dijmë shumë mirë që Presidenti amerikan Bill Clinton na e pati dhënë një mesazh të fuqishëm, po në këtë sallë që mban emrin e tij, gjatë vizitës së parë pas luftës, ai pati thënë: “Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen”. Po, luftën e fituam bashkë, intervenimi i NATO-s dhe heroizmi i UÇK-së, por në paqe, të dashur qytetarë, na ndërroi hesapi. Pati shumë abuzime me kuletën e shtetit dhe me paratë e juaja, dhe me pasuritë e vendit tonë të dashur. Ju që keni punuar për amerikanë dhe me amerikanë e dini që Amerika nuk i do keqpërdoruesit, pra as nuk bashkëpunon me ta. Nuk mundesh me e pasur aleat Amerikën kur e vjedh vendin tënd. Amerika i do patriotët që paguajnë tatim dhe që i shërbejnë publikes. Amerika i do ferizajlinjtë, sepse janë biznesmenë të zotë që e duan punën e hajrit. Me amerikanë je kur e mbështet bujkun në ara, e jo kur e shet për falë pronën e shtetit më lirë se badihava. Me amerikanë je kur e mbështet Policinë dhe ushtarin me armatim, e jo kur krijon monopole me homologim. Me amerikanë je kur krijon skema si Superpuna për të mbështetur punëtorët dhe bizneset, e jo kur i jep oligarkëve terminale. Me amerikanë je kur investon për të lidhur Prizrenin me Tetovën, jo kur kqyr të bësh pazare për ta shitur Kosovën.

Me amerikanë je kur bën fabrikë për të prodhuar municion, me amerikanë je kur e forcon shtetin, e fuqizon pasaportën, e lartëson dinjitetin e Republikës, e pikërisht e tillë është qeveria jonë dhe qeveria juaj, pasi edhe ju, ferizajli, liri-dashës dhe punëtorë të mëdhenj. Qytetarë të nderuar të Ferizajit dhe të Republikës, ne e ndërtojmë raportin me aleatët tanë sepse ndajmë vlera të përbashkëta me ta. Amerika mbetet aleati ynë më i mirë dhe mbështetësi ynë më i madh. Dhe po nga kjo Amerikë, po nga kjo Amerikë mike, po nga kjo Amerikë partnere aleate, po blejmë raketa anti-tank Javelin dhe do të blejmë edhe helikoptera Black Hawk, edhe helikoptera që, nëse i përktheni, i bie “shkifteri i zi”, dhe të cilët ju këtu i njihni shumë mirë, sepse i keni parë shpesh teksa fluturojnë në qiellin e Ferizajit dhe aterojnë në Bondsteel. E pra, të njëjtit helikopterë do t’i kenë edhe pilotët tanë, edhe Ushtria jonë, dhe të njëjtit helikopterë do të aterojnë në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ferizaji është qytet i rinisë, është qytet i të rinjve dhe të rejave. Kosova është shteti me moshën më të re në rajon. Vetëvendosja është partia, është subjekti i të rinjve. Qeveria jonë është qeveri në shërbim të të rejave dhe të rinjve. Me qeverisjen tonë të mirë, e kemi rritur më shumë se dyfish numrin e të rinjve të punësuar. Në fillim të vitit 2021, në vitin tonë të parë të qeverisjes, gjithsej kishte më pak se 30 mijë të punësuar, që ishin të rinj, e në vitin 2023, për më pak se 3 vjet, i punësuam më shumë se 30 mijë të reja dhe të rinj, pra u bënë më shumë se 60 mijë të rinj të punësuar, dhe më shumë se 14,000 prej tyre përmes programit Superpuna, i cili i punësoi të rinjtë dhe të rejat në Ferizaj dhe anembanë, cep më cep të Republikës sonë. Pra, Superpuna është super e suksesshme për vajzat dhe djemtë nga mosha 18-29 vjeç, përveç që u punësuan për vete, gjithashtu po ndihmojnë dhe kontribuojnë në 9500 biznese ku janë angazhuar tashmë.

Të nderuar të pranishëm, në 4 vitet në vijim do të bëjmë shumë punë të reja, të tjera, të mira, të mbara. Do të kemi mbështetje deri në 1 miliardë euro për investime të mesme dhe të mëdha në ndërmarrjet prodhuese, sepse ne duam ta rrisim prodhimin, ta rrisim eksportin dhe ta zvogëlojmë deficitin tregtar. Po ashtu, do të bëjmë program multidimensional për turizmin me investime deri në 500 milion euro në Kompleksin turistik në Brezovicë, në partneritet me investitorë privatë. Do ta kompletojmë infrastrukturën sportive dhe do ta modernizojmë infrastrukturën përcjellëse për Lojërat Mesdhetare 2030 me mbi 200 milion euro për 20 stadiume në 18 komuna, në mënyrë që kjo ngjarje historike të jetë ngjarje e ardhmërisë që e vendos shtetin tonë në mesin e shteteve që organizojnë ngjarje ndërkombëtare, ngjarje botërore.

Në Ferizaj do të kemi ngrohtore të re dhe gjithashtu spital të ri. Pra, ngrohtore të re dhe spital të ri, me qenë edhe ngrohtë edhe shëndoshë. Do të kemi mbrojtje efektive të infrastrukturës kritike të vendit, 10 profile të reja shtesë të mësimit dual dhe mbi 75 milion euro për masa që bëjnë rritjen e efiçiencës në konsumin e energjisë, e te bateritë akumuluese që i kemi marrë nga granti amerikan i korporatës së sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), do t’i vendosim në Ferizaj.

Të dashur qytetarë të Ferizajit, mos e humbni kohën me këto partitë opozitare që ju kanë humbur lëmshin, por fitoni edhe 4 vjet të tjera rritje e zhvillim me qeverinë tonë, me Lëvizjen tuaj, e cila nuk lëshon pe për asnjë çast askund në Kosovë, por e mbrojmë Republikën tonë, ia shtojmë shtetit sovranitetin, ia shtojmë territorit integritetin, cep më cep, gjithandej. Për veprim duhet mendim, por për veprim duhet edhe guxim, e guximi ynë vjen nga dashuria që kemi për popullin dhe për vendin. Unë jam i nderuar që i përkas këtij populli dhe sa më shumë që i shërbej këtij populli, aq më shumë më mbushet zemra me gëzim. Por, gëzimi ynë i do 500 mijë zemra. I do gjysmë milioni zemra, me 9 shkurt. Andaj, votojeni numrin 118, 118, se vetëm ashtu vendosni vetë për njerëz që guxojnë të vetëvendosin.

Të dashur qytetarë të Ferizajit, ne fitojmë sepse luftojmë, ne luftojmë sepse fitojmë, luftojmë me idetë tona për popull në demokraci. Ne jemi këtu për të fituar, ne që jemi këtu fitojmë. Ne fitojmë kudo që jemi dhe ne jemi kudo. Ne fitojmë këtu dhe kudo, cep më cep.

Andaj, ju faleminderit për mbështetjen e madhe, për përkrahjen e pa kursyer, për ndihmën e parezervë që na e keni dhënë këto 4 vjet qeverisje dhe në këto dy dekada Lëvizje Vetëvendosje! E deri më 9 shkurt mirë u pafshim në aktivitete, në tubime dhe në takime, cep më cep të Kosovës, duke takuar njerëz në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo shtëpi, të secilit fshat të krejt komunës dhe gjithë andej Republikës së Kosovës.

Ashtu që, sot tri javë në këtë orë, kur të numërohen votat nëpër vendvotime dhe komisionerët t’i hapin kutitë dhe t’i nxjerrin fletat e vendvotimeve dhe t’i numërojnë ato, të thonë: Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje.

Faleminderit shumë! Ju dua fort, përzemërsisht! Natën e mirë dhe mirëupafshim!

Kontribo