20 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Fushë Kosovë

Të dashur qytetarë të Fushë Kosovës,

Faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të ngrohtë në këtë mot të ftohtë që s’po e ndjej fare.

Faleminderit shumë për këtë mikpritje në Fushë Kosovë, në këtë mal të zemrave që marshojnë drejt, sigurt 9 shkurtit, atëherë kur do të fitojë Lëvizja VETËVENDOSJE!, koalicioni ynë me partinë Guxo dhe partinë Alternativa.

E fitorja jonë i ka dy numra, e ka numrin 118 në fletëvotim dhe e ka numrin 500 mijë vota në mbrëmjen e 9 shkurtit, atëherë kur do të numërohen ato prej komisionerëve tanë cep më cep të Republikës sonë.

Gjatë këtyre katër vitëve, ne ja kemi shtuar prodhimin ekonomisë, ja kemi shtuar sovranitetit shtetit, ja kemi shtuar integritetin territorit, ja kemi hequr korrupsionin institucioneve, ja kemi shtuar barazinë shoqërisë. Andaj, këto 4 vjet janë vitet më të mira në Kosovën e çliruar e të pavarur për të gjithë qytetarët dhe secilën familje të popullit tonë.

Ekonomia e Kosovës është rritur 50% në vitin që e lamë pas, krahasuar me vitin e parë para-pandemik 2019, se me 2020 nuk po e krahasojmë meqë u patë tkurrur ekonomia. Dhe jo vetëm kaq, 40% janë rritur të hyrat tatimore në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021, andaj në vitin 2025 e kemi 50% më të madh buxhetin e shtetit sesa në vitin 2021 kur e kemi marrë detyrën si Qeveri e rikthyer në pushtet. E këtë rritje ekonomike e ka bërë populli ynë me konsumin e shtuar, e ka bërë sektori privat, me ndërmarrësin dhe qarkullimin e shtuar, e ka bërë edhe Qeveria me investimet kapitale të shtuara dhe e kemi bërë të gjithë bashkë duke mundësuar dyfishim të eksporteve të Kosovës brenda më pak se 4 viteve.

Por, këtë rritje ekonomike nuk e kemi mbajtur vetëm për shtetin, e kemi shpërndarë te shoqëria me shtesa për fëmijë, me rritje të pensioneve, me mbështetje financiare për nëna lehona, me subvencionim të kamatave të kredive investuese të ndërmarrësve, me shpërblim të atyre që kursejnë energji elektrike. Dhe në këtë mënyrë, rritja ekonomike është bërë mirëqenie sociale.

Për herë të parë në Republikën e Kosovës nuk ka familje që nuk e ka ndjerë disa herë dorën e mirë të shtetit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i kemi mbështetur edhe studentët e universiteteve. Mbi 173 mijë studentë janë liruar nga pagesat e semestrave prej fillimit të mandatit tonë dhe studentët vetëm le të studiojnë, e ne gjithsesi do t’ua lehtësojmë.

Këta që ishin dikur në pushtet, e kurrë mos u kthefshin, këta ish-at, këta paguanin lobist për shkëmbime territoriale, ndërsa ne i paguajmë studentët për Master në Amerikë e Evropë. Neve na duhen ekspertët tanë për përsosjen e Republikës, e jo ekspertët e huaj për shkëmbimin e territorit të shtetit.

Përveç se kemi investuar në shkencë e teknologji, në bursa, e sidomos për vajza studente, gjithashtu kemi investuar shumë edhe në kulturë e në art. I kemi dhënë artit e institucioneve të artit 6 herë më shumë buxhet, sepse e dimë se arti e kthen 60 herë e 600 herë më shumë. Ata i shtyjnë mercenarët e tyre, ne i ngrisim talentet e popullit tonë. Mbi 200 milionë euro i kemi ndarë për 20 stadiume në 18 komuna, sepse përveç artit edhe sporti është edukim e forcim për rininë tonë. Prandaj, ju po e shihni kontrastin e thellë para referendumit të 9 shkurtit. Ata me studio televizive e ne me stadiume sporti.

E ne jemi popull i energjisë, e ata janë panelista të plogështisë. Por të gjithë ju e dini, secili prej juve, edhe më mirë se unë vetë, se nuk ka analista që i ndalin turbinat e rinisë e popullit të Kosovës. Rinia jonë duhet të jetë arsim, kulturë, shkencë, art, sport, e për këtë Qeveria jonë, Qeveria juaj, është edhe mundësia, edhe dëshmia, edhe garancia.

Një popull, një shtet, e mbajnë lartë dy gjëra kryesore: kapaciteti për të prodhuar dhe aftësia për t’u mbrojtur. Në qeverisjen tonë në mandatin e ardhshëm do t’i ndajmë 1 miliard euro për ndërmarrjet prodhuese të Kosovës. Duam që ta zvogëlojmë deficitin tregtar, t’i rrisim eksportet, investimin e ri-investimin, ta rrisim punësimin, dhe brendet, markat, prodhimet, shërbimet që dalin nga Kosova të bëhen pjesë e identitetit tonë shtetëror e popullor që na e mban dinjitetin lartë e imazhin të respektuar cep më cep botës.

E në anën tjetër, na duhet edhe aftësia jonë për siguri e për t’u mbrojtur. Prandaj, edhe kemi investuar në ushtrinë tonë. Edhe rekordet tona më të fuqishme ne nuk i kemi frikë, sepse nuk ka rekord të vetes sonë që ne nuk e thyejmë, e me të tjerët ju e dini që nuk krahasohemi më. Ne e dimë se ku është drejtësia, aty sigurisht është edhe forca. Trefish buxhetimi për ushtrinë, trefish forcë drejtësisë sonë për t’u mbrojtur. Drejtësia pa forcë nuk bën, po edhe forca pa drejtësi nuk ka kuptim. Në vullnet, në buxhetim, në armatim, në municion, e në numër ne jemi tashmë ushtri e NATO-s. Prandaj, Qeveria jonë është Qeveri për mbrojtje në edukim, dhe edukim në mbrojtje. Forcë në drejtësi dhe drejtësi në forcë. Kështu funksionon shteti i një kombi, e jo pushteti i disa komandantëve.

E ne, të dashur qytetarë, ne nuk premtojmë, ne zotohemi, sepse ne e dimë dallimin. Premtim do të thotë premtim ndaj një tjetri, ndërsa zotim do të thotë t’i premtosh tjetrit sa edhe vetes. Ne zotohemi, pra ne i dalim zot vetvetes.

Kur ne flisnim për veriun e vendit tonë, na thoshin se po shohim ëndrra. Ne e integruam veriun. E, të dashur qytetarë, e integruam veriun, ndërkaq ata që na thoshin që po shohim ëndrra, ata as ëndrra nuk kanë më. E ata neve nuk na mirëkuptojnë, sepse nuk na kuptojnë. Ata nuk e dijnë që ëndrrat tona janë qëllimet tona, që me doemos i bëjmë realitet të popullit. E nëse ata e shohin ndonjë ëndërr, ajo është ëndërr për financa, është ëndërr për para, nuk është ëndërr për Republikën cep më cep, por është ëndërr për financat cep më cep. E ne edhe ëndrrat i kemi sovrane, prandaj edhe ato ëndrra bëhen realitet i sovranitetit. Kurse ata edhe ëndrrat eventuale i kanë të korruptuara, ata janë të korruptuar edhe në ëndrra, jo veç në realitet, prandaj nuk mund të jenë kurrë më ëndrrat e tyre realiteti i shtetit e i pushtetit të Republikës së pavarur demokratike të Kosovës tonë të dashur. Por le të mos harrojmë edhe ne një gjë, ata kanë prag për vota por nuk kanë tavan për rrena. Ne nuk kemi prag për vota, por kemi linja të kuqe për rrenat dhe për rrencat. Prandaj, edhe nuk ka më mirë se kaq, zgjedhësi i Kosovës, qytetari votues, kurrë nuk e ka pasur më lehtë të zgjedh.

Të vendos vetë, të vetëvendos me guxim për koalicionin tonë me numër 118, të dielën e 9 shkurtit të motmotit 2025.

Unë nuk lëshoj pe kurrë, e atyre të tjerëve ju ka humbur edhe lëmshi.

Të nderuar pjesëmarrës, të dashur të pranishëm,

Prej projekteve infrastrukturore, më të dashurat të Qeverisë sonë, është edhe linja hekurudhore Han i Elezit – Leshak, cep më cep, prej jugut në veri, prej veriut në jug, me mbi 200 milionë euro investime e që kalon nëpër Fushë Kosovën tuaj të dashur.

Dje kemi qenë në Han të Elezit e sonte jemi në Fushë Kosovë. Pjesa e parë e këtij projekti që e lidh Hanin e Elezit dhe Fushë Kosovën drejt Leshakut, e më pastaj, pjesa e dytë është që e lidh Fushë Kosovën me Mitrovicën në jug. Pra, Kosovën qendrore me veriun e Kosovës. Por, mos ta harrojmë edhe projektin tjetër shumë të rëndësishëm, hekurudhën Prishtinë – Durrës, që e lidh Prishtinën me detin Adriatik, që e lidh Kosovën me Shqipërinë, që e lidh portin e ri, të thatë të Kosovës në afërsi të Fushë Kosovës me portin e ri të Durrësit. E ky është padyshim njëri prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, ekonomike, kulturore, e tregtare të historikut tonë pas çlirimit të vendit.

Treni më i shpejtë hekurudhat në Kosovë është ai Prishtinë – Pejë 70 km/h. Por, treni Han i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak do të jetë 120 km/h. Linja hekurudhore 10 është e rëndësisë jetike për neve. Pra, ky treni Prishtinë – Pejë 70 km/h i përket shpejtësisë së rrugëve regjionale, ndërkaq ky që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovë e tutje, deri në cepin e sipërm të Kosovës në veri, do ta ketë shpejtësinë e autostradave. Prandaj, do të jetë hekurudhë si autostradë e trenave. Fusha Kosova është menduar si një hap hekurudhor, pra një udhëkryq ku kryqëzohen linjat e shumta, deri diku edhe ka funksionuar si e tillë. Me ndërtimin e linjës 10, dhe me hekurudhen për Durrës, Fushë Kosova do të kthehet në nyje të hekurudhave të Republikës së Kosovës. Pra, përmes Fushë Kosovës po e lidhim edhe më fort jugun e Kosovës me veriun e Kosovës, e në mandatin tjetër përmes Fushë Kosovës do ta lidhim edhe Kosovën me Shqipërinë.

Më lejoni të dashur qytetarë të Fushë Kosovës që bashkërisht me juve të falënderoj ministrat e zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës, deputetët e grupit tonë parlamentar, aktivistët e anëtarët e panumërt që e kanë bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, lëvizjen më të mrekullueshme jo vetëm të popullit shqiptar për shekullin XXI. Por, me këtë rast dua t’i përshëndes dy persona të veçantë që janë në mesin tonë këtu. E para është kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe i dyti është veterani i UÇPMB-së, luftëtari i paepur Lulzim Ibishi. Ne jemi sonte këtu në Fushë Kosovë dhe e dijmë shumë mirë që në këtë komunë kemi shumë bashkëkombas nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, që jetojnë, banojnë e punojnë këtu mes nesh. Bile dikush më tha që themelet e Fushë Kosovës së re, i kanë çitë preshevasit e medvegjasit, e një tjetër më tha që Fushë Kosova është kryeqyteti i tyre në Republikën e Kosovës. Të dyja këto më gëzojnë fort, por edhe na mbushin të gjithëve bashkë me përgjegjësi e obligim.

Qeveritë e kaluara thoshin që shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit nuk u ka ardhur rendi ende, mirëpo mbështetjen tonë morale e kanë. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, shqiptarët nën Serbi, nuk kanë nevojë për mbështetje morale, se ata moralin e kanë të lartë për çdo ditë, kudo që janë. Ata e kanë moralin e lartë se i qëndrojnë e përballen me Serbinë, por kur filluan ta shohin Luginën si shpëtim për fatin e tyre në pushtet, ju kujtohet që ja nisën ta përmendin ata në çdo të dytën fjalë dhe ndarjen e Kosovës e amballazhonin si bashkim me shqiptarët. Me Qeverinë tonë, Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë linjë të rregullt buxhetore, që e kemi rritur vit pas viti. Në vitin 2022 i kishte 2 milionë, sivjet do t’i ketë dyfish më shumë, 4 milionë, dhe veç përpjetë do të shkojmë me mbështetje për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Ne i mbështesim shqiptarët atje, sepse e dijmë sa shumë kanë sakrifikuar e kontribuar edhe për pavarësinë e Shqipërisë edhe për çlirimin e pavarësinë e Kosovës, dhe kanë mbetur jashtë të dyjave. Por ajo çka duhet të bëjmë ne, e atë çka po bëjmë e do ta bëjmë, është ta faktorizojmë kombin shqiptar atje për të drejtat, qëllimet dhe nevojat e tij legjitime. Me Qeverinë tonë, studentët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci janë të barabartë në universitetet tona publike, me Qeverinë tonë pacientët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë trajtim të barabartë në spitalet tona, sikurse shtetasit e Republikës së Kosovës. Me Qeverinë tonë specialistët shqiptar nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë mbështetje financiare të barabartë me specializantët nga Kosova. Dhe me Qeverinë tonë shqiptarët e Luginës tash mund të bëhen pronarë të ligjshëm të pasurive të paluajtshme në Kosovën e pavarur. Pra, për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që janë këtu, ka të drejta të barabarta me qytetarët e Republikës së Kosovës. Për shqiptarët që janë atje ka vëmendje të veçantë e mbështetje financiare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila sa vjen e do të shtohet.

Të dashur qytetarë të Fushë Kosovës,

Lëvizja jonë është Krejt dhe Drejt. Opozita është krejt kot. Me datën 9 shkurt nuk do të kemi zgjedhje të thjeshta e të zakonshme, ndonëse janë të rregullta. Ato janë më shumë se zgjedhje, ato janë referendum për këto 4 vjet; çfarë kemi bërë me ekonominë, çfarë kemi bërë me mbrojtjen sociale, çfarë kemi bërë me sigurinë, çfarë kemi bërë me veriun e Kosovës, çfarë kemi bërë kundër strukturave të Serbisë. Janë referendum ku votohet po numri 118, dhe jo ata numrat tjerë të dallavergjive, të mashtruesve, të zhvatësve, të korruptuarve, të kriminelëve, të atyre të cilët e konsideruan popullin e Kosovës si bankë për pasurimin e tyre privat. Përqendrohuni, 10 minuta kohë, të dielën e 9 shkurtit deri te vendvotimi te shkolla, deri te kthimi në shtëpi, sepse për vetëm 10 minuta me 9 shkurt fitoni katër vjet gjatë-qeverisje të mirë, për secilin prej jush, për të gjitha familjet e juaja.

Ja kushtoni 10 minuta kohë votimit për numrin 118, e për numrat tjerë nuk keni pse humbni kohë, sepse atyre ju ka kaluar koha.

118, 118, 118,….

118 është zgjidhja e vërtetë.

Tri vjet e 364 ditë unë lëshoj pe, e ju mos lëshoni pe veç një ditë. Veç një ditë mos lëshoni pe! Me 9 shkurt votoni Lëvizjen VETËVENDOSJE!, koalicionin me partinë Guxo e me partinë Alternativa, numrin 118. Veç një ditë ju mos lëshoni pe, e unë nuk lëshoj pe 3 vjet e 364 ditë për asnjë gjë që është në interes publik, të Republikës sonë, të Fushë Kosovës, e i Kosovës cep më cep.

Po i shoh edhe nja dy duar atje në fund, që po ma bëjnë me dorë por po ma bëjnë edhe kështu (tregon me gjest te ora në dorë), ata janë të protokollit, të protokollit të qeverisë, ata po më thonë hajde tash se duhet të shkosh në tubimin tjetër. Dhe është e vërtetë se jemi vonuar këtu e do të vonohemi edhe për tubimin e ardhshëm që e kemi në Llap, Besianë, Podujevë. E kur të shkoj në Podujevë, ata më pyesin si ishte Fushë Kosova. E tash, më duhet të pyes ju, që të di se si të përgjigjem atyre. Me datën 9 shkurt, a voton Krejt dhe Drejt, cep më cep Fushë Kosova per numrin 118? A e don Fushë Kosova Republiken e Kosovës? A e don Fushë Kosova kombin shqiptar? A e don Fushë Kosova VETËVENDOSJEN? A e don Fushë Kosova partinë Guxo? A e don Fushë Kosova partinë Alternativa? A e don Fushë Kosova fitorën e VETËVENDOSJES? Atëherë, data është 9 shkurt, dita është e diel, numri është 118, emri është VETËVENDOSJE, e fitorja është Republika e Kosovës, qeveria jonë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, dhe mirëqënia që nuk ka skaj për secilin prej jush, zhvillimi ekonomik, siguria cep më cep, dhe progresi i pandalshëm, i pakursyër, pa pushim për popullin tone, për Fushë Kosovën, për republikën tone, për VETËVENDOSJEN, dhe për këta 110 kandidatë, deputetë të ardshëm në legjislaturën tone të nëntë!

Faleminderit shumë e mirupafshim në aktivitete! Këto 25 ditë drejt 9 shkurtit le ta bëjmë diten 25 orë! Faleminderit, mirupafshim e natën e mirë!

Kontribo