20 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Gjilan

Të dashur qytetarë të Gjilanit, këto zgjedhje janë dy numra, njërin numër e kemi, tjetrin numër do ta bëjmë. Numrin që e kemi është 118, e numrin që do ta bëjmë është 500 mijë vota!

Mirë se ju gjej këtu në Gjilan, në këtë kryeqytet të Anamoravës, të lindjes së Kosovës, e të Kosovës lindore, të maleve të Karadakut e të Luginës së Preshevës.


Gjilani është djep i veprimtarëve të shumtë, aq shumë sa që të pa numërt, çështjes kombëtare, legal e ilegal, paqësor e të armatosur dhe vatër e rezistencës shqiptare për çlirim e bashkim.
Gjilani dhe Anamorava i përkasin dëshmorëve dhe veprimtarëve dhe luftëtarëve të përjetshëm dhe të paepur për kombin, si Mulla Idriz Gjilani, Haki Sermaxhaj, Rexhep Elmazi, Ramiz Cërrnica, Xheladin Kurbalia, Hasan Remniki, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Metush Krasniqi, Reshat Ymeri, Agim Rashiti e deri te dëshmorët e luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si Agim Ramadani, Isa Kastrati, Abdullah Tahiri, Alban Ajeti, Pajazit Ahmeti, Naser Azemi, Hanumshahe Zymberi, Tefik Zymberi, Ibrahim Oruqi, Bashkim Selishta, Urim Mehmeti, Nijazi Azemi, Skifter Arifi, Rrahim Beqiri e qindra e qindra të tjerë. Gjilanit i jemi mirënjohës e falënderues, të gjithë cep më cep, për gjithmonë!


Të dashur qytetarë të Gjilanit, në shekullin XX-të, shqiptarët si popull në Ballkan, si qytetarë në shtete të ndryshme, si qytetarë të dorës së dytë në shtete të ndryshme, si refugjatë nëpër botë, përgjithësisht nuk kanë vendosur për veten e tyre. Shekulli XXI për dallim do të jetë shekulli shqiptarëve, sepse shekull i fuqizimit të Republikës dhe i vetëvendosjes së shqiptarëve. E në këtë shekull të shqiptarëve, viti 2025 do të mbahet mend, do të kujtohet, do të përkujtohet, do të shënohet si vit i fitores rekord historike e të paparë të Lëvizjes Vetëvendosje!
E do të jetë kështu, sepse gjatë këtyre katër viteve, Kosovën bashkë e bëmë të pavarur nga korrupsioni qeveritar dhe nga pazaret me Serbinë.
Nuk ka më korrupsion në qeveri dhe nuk ka më pazare me Serbinë. Qeveria jonë, qeveria juaj, pavarësisë së shtetit ia shtoi sovranitetin, ia hoqi zhvatjen, ia shtoi prodhimin dhe ia zvogëloi papunësinë, ia shtoi barazinë dhe ia zbuti varfërinë. Andaj, numri 118 është vula e mirëqeverisjes me 9 shkurt!


Gjatë këtyre katër viteve, tash pas katër viteve, reputacioni i shtetit të Kosovës, për nga qartësia e pastërtia financiare, për nga ngritja e demokracisë dhe rënia e korrupsionit, e sidomos për nga pesha e rritjes ekonomike dhe fuqizimit ushtarak, kemi arritur në nivelin ku edhe negociatat që i bën qeveria jonë, si bilaterale ashtu edhe multilateral, janë me sukses të plotë. Ndërkaq, mirëqenia e shpërndarë gjithandej ka rezultate të papara, jo vetëm për këtë shekull. Prandaj, në fund të këtij mandati tonë, s’ka dyshim që mund të themi që këto katër vite ishin katër vitet më të mira, jo vetëm në Kosovën e pavarur, por që nga çlirimi. Andaj, 9 shkurti është dita e data e zgjedhjeve, është data e dita jonë, sepse Vetëvendosja është emri i progresit dhe 118 është numri i fitores!


Këtu, në Gjilanin tuaj e tonë të dashur, e kemi kazermën e Ushtrisë sonë, kazermën e FSK-së. Aty është vendosur Regjimenti i parë i Këmbësorisë, përgjigjja për tu mbrojtur ndaj çfarëdo rreziku për Republikën tonë. Ky regjiment është validuar nga ekipet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të kryer edhe operacione luftarake.
Këtu e kemi edhe një fakt interesant: në vitin 2008, gjatë vizitës së Sekretarit të Mbrojtjes, Robert Gates, ai kishte ateruar në kazermën e FSK-së, atëherë në kampin ushtarak amerikan Montei me helikopterin Black Hawk. E pikërisht me Amerikën dhe prej Amerikës, flota jonë ajrore e FSK-së do të ketë edhe helikopterë, dhe në mesin e tyre edhe këta Black Hawk të famshëm. Pra, përveç që po e blejmë sistemin amerikan Javelin antitank, përveç që kemi blerë drona luftarak Bayraktar, gjithashtu po blejmë edhe helikopterë luftarak që do të na e mbrojnë Kosovën cep më cep nga çfarëdo rreziku.


Në mandatin e parë, i kemi transformuar shumë klinika gjithandej Kosovës, me moton “klinikë pas klinike”. Në mandatin që po na pret këtë pranverë motoja jonë për Shëndetësi do të jetë “spital pas spitali”, e tashmë, të dashur qytetarë të Gjilanit, i kemi ndarë 8 milion euro për spitalin e Gjilanit.
Me këto 8 milion euro, do ta transformojmë repartin e Kirurgjisë, Gjinekologjisë, Emergjencës dhe Intenzivës, dhe do ta ndërtojmë një aneks të ri për Radiologji me aparatura të reja e bashkëkohore. Spitali i Gjilanit do të jetë Qendër Spitalore në shërbim të pacientëve nga qyteti i Gjilanit, nga rajoni i Anamoravës, por edhe shqiptarëve nga Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe Kumanova. Na i kemi rritur si askush më parë, si asnjëherë më parë edhe pagat për mjekë specialistë e për infermierë. Sonte është e shtunë, të gjithë mjekët specialistë që kujdestarojnë 24 orë sonte, i marrin 285 euro. Kjo pra tregon se si rritja ekonomike e vendit tonë e ka rritur edhe cilësinë e kujdesit e shërbimit shëndetësor, por edhe pagën për mjekët e personelin shëndetësor në përgjithësi.

Ne e kemi për Gjilanin edhe një projekt shumë të rëndësishëm, diga e Firajës. Gjilani e ka Pendën e Përlepnicës, por kjo Pendë është ndërtuar për Gjilanin e para gjysmë shekulli. Kur të rritet qyteti, duhet t’i rrisim edhe rezervat ujore. Diga e Firajës siguron ujë të pijshëm për mbi çerek milioni banorë dhe për ujë për ujitjen e 40 mijë hektarëve tokë bujqësore. Nga kjo digë përfiton edhe Gjilani, pas kësaj nuk do të ketë më vera pa ujë dhe vështirësi për bizneset, fermerët dhe familjet këtu.
Kemi besuar që autostrada kryhet dhe jemi angazhuar fort që të përfundohet, por u desh më shumë kohë sesa që kemi menduar, sepse e pamë se sa keq e sa mbrapsht është filluar ajo. Projekt pa studim të mirëfilltë, pa elaborat shpronësimi dhe pa mbikëqyrje, tash që i dimë telashet, i dimë defektet, e dimë edhe çfarë duhet bërë që ajo të kryhet shpejtë. Autostrada e Gjilanit ka me u bë, autostradën do ta bëjmë edhe atë jo vetëm deri në Gjilan, por deri te Dheu i Bardhë.
Në krejt Kosovën, ata që shkuan prej qeverisë e mos u kthefshin, ata ish-qeveria. Në krejt Kosovën ata na e kanë lënë veç një stadium për ndeshje ndërkombëtare, stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”, edhe atë po mos të ishte Ministria jonë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një shi i vogël e bënte fushën lloç. E tash është bërë me fushë krejtësisht të re. Para dy vitesh e kemi nisur planin për infrastrukturën e futbollit cep më cep, punimet vazhdojnë në shumë stadiume, disa të tjera janë në procedurë e disa do të nisin shpejtë. Në mandatin tonë të dytë, përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, me 200 milionë investime në total, do t’i kemi 20 stadiume moderne në 18 komuna të Kosovës, përfshirë Gjilanin pa dyshim aty. Stadiumin e Gjilanit do ta përfundojmë. Me vonuar, na kanë vonuar, me na ndalë s’ka mundësi, na kanë vonuar ata që kontratën e kaluar e kanë bërë me shkelje, ato i ka evidentuar auditori dhe do të ketë hetime. Do të ketë edhe drejtësi për mospunë, edhe përfundim të punëve.


Qeveritë e kaluara thoshin që shqiptarëve të Preshevës, të Medvegjës e Bujanocit nuk u ka ardhur rendi ende, mirëpo e kanë mbështetjen tonë morale, thoshin ata. Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, shqiptarët nën Serbinë nuk kanë nevojë për mbështetje morale, se ata moralin e kanë shumë të lartë për çdo ditë, kudo që janë ata e kanë moralin e lartë, sepse i qëndrojnë ballëhapur e përballë Serbisë. Por kur filluan që ta shohin Luginën, si shpëtim për fatin e tyre në pushtet, ju kujtohet që ja nisën ta përmendin Luginën në çdo të dytën fjalë dhe ndarjen e Kosovës e ambalazhonin si bashkim të shqiptarëve.
Me qeverinë tonë, Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë linjë të rregullt buxhetore, që e kemi rritur vit pas viti. Në vitin 2022 i kishte 2 milionë, sivjet dyfish më shumë – 4 milionë, e veç përpjetë do të shkojmë me mbështetje për Luginën. Me qeverinë tonë, studentët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci janë të barabartë në universitetet tona publike. Me qeverinë tonë, pacientët nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë trajtim të barabartë në spitalet tona, sikurse të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës. E me qeverinë tonë, edhe specialistët shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci kanë mbështetje financiare të barabartë me specializantët nga Kosova. Tash, shqiptarët e Luginës po ashtu mund të bëhen pronarë të ligjshëm të pasurive të paluajtshme në Kosovën e pavarur.
Andaj, për shqiptarët përtej kufirit e pjesë të këtij pellgu të Anamoravës, me Gjilanin si kryeqytet, ne sigurojmë të drejta të barabarta me qytetarët e Republikës sonë. Për shqiptarët atje ka vëmendje të veçantë e mbështetje financiare nga qeveria jonë, e cila sa vjen e do të shtohet.


Të dashur qytetarë të Gjilanit, tabelat RKS më nuk mbulohen kur e kalojmë kufirin me Serbinë. Stema e Republikës së Kosovës udhëton lirshëm gjithandej Evropës, fletën e bardhë në kufi nuk na e lypë më askush. Rrymën në Kosovë e paguajnë të gjithë, cep më cep, në veri e në jug. Para ambasadave, nuk presim më tash vetëm pasaportën dhe biletën në xhep dhe drejt Evropës udhëtojmë cep më cep, po edhe kthehemi në Kosovën tonë të dashur e në Gjilanin tonë madhështor, sepse me mirëqeverisjen tonë, kemi ku kthehemi, kemi ku jetojmë, kemi ku banojmë, kemi ku punojmë, kemi ku kontribuojmë.


Të dashur qytetarë të Gjilanit, të nderuar të pranishëm, ne nuk mund të presim që Amerika dhe Evropa do të na mbështesin e simpatizojnë sikurse në pranverën e vitit 1999, sepse ne nuk duhet të lejojmë e kurr më nuk do të lejojmë masakra e dhunime të Serbisë në Kosovë. Ne tash jemi shtet i pavarur, ne jemi shtet sovran, me integritet territorial, me zhvillim ekonomik, me ushtri të fuqishme e me Polici të jashtëzakonshme, profesionale, me integritet e kompetencë, cep më cep.
Pra, ne tash i dalim zot vetes, ne i dalim zot atdheut, ne jemi më të fortë e më të qëndrueshëm se Serbia! Kombi shqiptar është më i lashtë e më i madh! Amerika dhe Evropa janë miqtë, partnerët, aleatët tanë që na mbrojnë nga Rusia. Kurse për mbrojtje nga Serbia, e kemi ushtrinë tonë dhe komandantin Bashkim Jashari! E uniteti kombëtar, politik dhe institucional, dhe aleanca e vlerave demokratike dhe perëndimore janë shinat e binarëve të ardhmërisë tonë të përbashkët.


Të dashur gjilanas, të tjerët mund të përpiqen të jenë komplementar ose suplementar me Lëvizjen Vetëvendosje! për ta ndihmuar zhvillimin e shtetit dhe fuqizimin e Republikës, por jo edhe të jenë rival me ne. Rivaliteti me Lëvizjen Vetëvendosje është gabim i kotë. Suplementar ose komplementar, rivaliteti është kot fare!
Se ne kemi qenë gjatë në opozitë, gati nja 20 vjet, kemi përvojë shumë, kemi beteja që na kanë kalitur dhe ne e dijmë më mirë se kushdo tjetër, më mirë se në çdo kohë tjetër, se për të qenë në opozitë duhet të kesh edhe ideale, edhe ide, e kjo opozitë si ka asnjërën. Tash, unë nuk po them që krejt ata që kanë qenë para neve, të gjithë e secili kanë qenë të këqij, por unë po ju tregoj diçka: ata para nesh, nëse nuk kanë qenë të këqij, kanë qenë zakonisht dembelë të pa ditur, e si dembelë të paditur, nëse s’kanë qenë të këqij, ata i përngjajnë atyre që i kanë përpara miellin, vezët, sheqerin, qumështin, dredhëzat dhe kakaon, dhe thonë “çka po më hahet një tortë?”.
Por, ja që kjo nuk ndodh, sepse nuk lëvizin, nuk punojnë, nuk angazhohen, nuk sakrifikojnë, nuk kontribuojnë, pa çka se i kanë përpara të gjitha elementet përbërëse për ta bërë atë që duhet. Për atë që duhet, kanë çfarë u duhet, por kot. U dashtë me ardhë qeveria e Vetëvendosjes me dhënë shtesa për fëmijë, me i rritur pensionet 20%, me i subvencionu kamatat për kredi investimi, me i ndihmu bujqit e fermerët, me fuqizuar Ushtrinë e Policinë, me e rritur ekonominë, me i bërë 9 stacione Policore rrotull kufirit në veri me Serbinë. U dashtë me ardhë Lëvizja Vetëvendosje! në qeverisje bashkë me partinë Guxo, e partinë Alternativa, me i eliminuar strukturat ilegale e kriminale të Serbisë, u deshtë me ardhë qeveria jonë që mos me pas më as “razumem”, e as “we are not problematic guys”, qysh bojshin ata.
E pra, përbërësit kanë qenë aty, por edhe kur s’kanë qenë të këqij e të ligë, kanë qenë dembelë të pa ditur. Por tash e keni një listë të kandidatëve me numrin 118, me njerëz edhe punëtorë, edhe të ditur, edhe të mire!

Ajo që duhet të ndryshojë në mandatin tonë të ardhshëm është Prokuroria e Shtetit. Na duhen gjithë zemrat e mundshme të këtij vendi e të këtij shteti për një Prokurori të re të Shtetit. Frika, të gjitha llojet e saj, nga droja te mos suksesi e deri te trembja nga shantazhi, e mban të ngujuar Prokurorinë e Shtetit në Kosovë. Prokuroria e Shtetit është e kapur nga krerët e saj. Aty ka prokurorë të mirë, ka shumë prokurorë shumë të mirë, por Këshilli Prokurorial nuk i lejon që të ngjiten lartë, nuk u jep lëndë të rëndësishme dhe ja u bart lëndët e dështuara ka fundi. Krerët e Prokurorisë së Shtetit janë bërë persekutues politikë, ata sulmojnë qeverinë sepse po e mbrojnë vetveten. Punët e mbrapshta dhe punët e munguara në këto më shumë se dy dekada nuk na ndihmojnë t’i luftojmë strukturat e Serbisë dhe as zhvatësit e oligarkisë. Por me 9 shkurt, 500 mijë zemra ku rrahin por si një, sjellin jo vetëm Kuvend të ri, jo vetëm qeveri të re, por edhe Prokurori të re që i ndjek e i përndjek kriminelët e të gjitha ngjyrave dhe sjell drejtësi një herë e përgjithmonë, me një herë e gjithmonë për popullin e Kosovës, për viktimat e shumta të të gjitha kohërave.
Me qeverisjen tonë, me neve, për qytetarët më shumë punësim, më shumë arsim, më shumë shëndet, më shumë përfaqësim, e me juve për mua më shumë shërbim pa dallim.
Në Gjilan, në Kosovë, cep më cep.

Të dashur pjesëmarrës, të nderuar të pranishëm, ekziston interesi i përgjithshëm publik, në politika që bazohen në vlera. E kemi dëshmuar këtë vetë ne, duke shndërruar antikorrupsionin në rritje ekonomike dhe lirinë e qytetarëve në zhvillim shoqëror, por përparimi shoqëror dhe ekonomik, kombëtar dhe kulturor e do udhëheqjen politike që ka energji për të vrapuar në fushë, forcë për t’ju ngjitur malit tatëpjetë, frena për të zbritur malit te poshtë dhe nerva për të ecur edhe buzë greminës. Qeveria që unë drejtoj i ka të gjitha këto virtyte dhe aftësi.

Andaj, të dashur qytetarë të Gjilanit, me datën 9 shkurt, me numrin 118, vazhdojmë për ditë. 118 shkojmë përpjetë, na 500 mijë zemra e ata as te thembra.
Prandaj, duke votuar masivisht, fitojmë masivisht, festojmë bashkë masivisht dhe në mbrëmjen e 9 shkurtit, atëherë kur komisionerët anembanë Gjilanit e cep më cep Kosovës do t’i numërojnë votat, pasi që të hapen kutitë, do të thonë: Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje, Vetëvendosje! 500 mijë herë Vetëvendosje! Fitorja është e Vetëvendosjes, fitorja është e Gjilanit, fitorja është e numrit 118! Fitorja është e numrit 118! Fitorja është e gjithë juve, gjitha familjeve të juaja, secilës e secilit prej jush, për 4 vjet mirëqeverisje ku i vazhdojmë punët tona të mira dhe do të bëjmë edhe shumë punë të tjera të reja, po ashtu të mbara dhe të mira.


Faleminderit shumë për të gjithë përkrahjen nga zemra, për të gjithë mbështetjen e pakursyer, në këto gati 20 vjet të Lëvizjes! Ju dua fort, përzemërsisht, mirëupafshim e natën e mirë Gjilan i dashur!

Kontribo