17 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Han të Elezit

Hani i Elezit është komunë e vogël, por me zemër të madhe.

E Hani i Elezit është me zemër të madhe sepse njerëzit këtu e kanë zemrën e madhe. E kanë zemrën e madhe përplot dashuri për kombin shqiptar, për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, për Qeverinë e Republikës.

E kur shumë njerëz bëhen bashkë me zemër të madhe, ata punojnë drejt dhe mirë për të fituar krejt gjysmë milion zemra më 9 shkurt sivjet.

Të dashur qytetarë të Hanit të Elezit,

Së pari, ju kërkoj falje që u vonuam, për shkak se ishim në Kaçanik dhe na mbajtën më gjatë sesa që kishim menduar. Por, pas Hanit të Elezit nuk do të shkojmë në ndonjë komunë tjetër sonte, kështu që nuk do të ngutemi që ta përfundojmë këtë tubim.

E pas këtij tubimi, nuk përfundon qëndrimi ynë në Han të Elezit, sepse i kemi disa takime e tubime të tjera, prapë në Han të Elezit. E kësisoj po dua t’ju tregoj që ju e keni zemrën e madhe, por edhe ne e kemi zemrën e madhe, edhe e duam Hanin e Elezit, andaj do të vazhdojmë të qëndrojmë deri kah mesnata në Han të Elezit.

Unë ju falënderoj nga zemra dhe shpreh mirënjohjen e thellë të Lëvizjes tonë dhe Qeverisë së Republikës për mbështetjen e pakursyer, të parezervë, të papushim dhe të palëkundur që na e keni dhënë në të gjitha fazat, etapat e Lëvizjes dhe Qeverisë sonë.

E tash, në prag të zgjedhjeve të 9 shkurtit, 3 javë e gjysmë larg, koalicioni ynë është Lëvizja VETËVENDOSJE!, partia Guxo dhe partia Alternativa.

Ky koalicion është një mori gjërash. Është dëshmi edhe e shpresës edhe e mundësisë për Hanin e Elezit dhe për popullin e Kosovës. Është dëshmi edhe e idesë edhe e programit të koalicionit tonë dhe Qeverisjes së përbashkët. Edhe qëndresë edhe zhvillim për Hanin e Elezit e për ekonominë mbarë. Por, ajo çfarë nuk është ky koalicion, nuk është kurrë korrupsion e krim.

Korrupsioni dhe krimi i takojnë së kaluarës që nuk kthehet, sepse edhe ne, edhe ju, populli i Kosovës mbarë, kurrë nuk lejon më që ajo e kaluar e hidhur, ajo përvojë e mbrapsht, ai krim dhe ai korrupsion të kthehet në institucionet e shtetit apo në shoqërinë kosovare.

Por, nuk mjafton të mos bëjmë keq; ne duhet të bëjmë mirë. Duhet të bëjmë mirë me dije dhe me shkathtësitë tona, me qytetari dhe me atdhedashuri, dhe të gjitha këto i mësojmë gjithandej Kosovës, cep më cep, tërë kohën ngado që shkojmë edhe kur vijmë këtu në Hanin e Elezit tuaj dhe tonë të dashur.

Partitë opozitare i patën katër vjet kohë që të reformohen, ato në pranverë thoshin që në vjeshtë ka zgjedhje, në vjeshtë thoshin që në pranverë ka zgjedhje, dhe vitin e kaluar kur ju thashë “Hajde e shpërndajmë Kuvendin edhe shkojmë bashkë në zgjedhje”, ato thanë “Jo, rri ti se mirë jemi ne”.

Pra, atëherë kur ne nuk donim zgjedhje sepse qeverisnim mirë, ata mbanin shpresa të gabueshme, lajthitje të vazhdueshme, ëndrra të kota, se do të ketë zgjedhje në sezonën e ardhshme. E kur ne na mbetën edhe disa muaj në mandat, unë ju thashë mos t’i mbajmë zgjedhjet dimrit, t’i mbajmë ose në pranverë ose në vjeshtë, thanë “Jo, qoje mandatin deri në fund”, sepse nuk ja u mbanë.

Tash ka shumë libra që janë shkruar si opozita nuk bën ta lërë rehat Qeverinë, mirëpo, për besë, nuk ka libra qysh Qeveria nuk bën me ia prish rahatinë opozitës. Ata rahat në opozitë, ne tu qeverisë mirë, andaj populli është i gëzuar dhe i përparuar. Dhe meqë është kështu, atëherë edhe pas 9 shkurtit, ne e vazhdojmë qeverisjen e mirë, e ata e vazhdojnë opozitarizmin koti.

Por problemi i tyre, siç e nisa, është që ata nuk janë reformuar. Partitë opozitare nuk janë demokratike. Ne jemi subjekt, lëvizje, koalicion demokratik. Ato janë parti dokratike. Jo demokratike. Dokratike. Por me 9 shkurt fiton edhe njëherë, më fuqishëm se kurrë më parë, me mbi gjysmë milioni vota, subjekti, koalicioni, Lëvizja jonë demokratike VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, dhe partitë e tyre dokratike marrin fund, dhe dokracia nuk do të shfaqet më askund në opinionin publik. Me 9 shkurt dokracisë ia jepni goditjen fatale, vdekjeprurëse, njëherë e përgjithmonë, cep më cep të Republikës së Kosovës.

Këto dy partitë që gjithmonë kanë qeverisur bashkë, por shtireshin si ndaras, e kemi fjalën për partitë të cilat ju i njihni shumë mirë, i njihni edhe më mirë se unë. I keni pasur në qeverisje edhe këtu, i keni në Qeveri edhe tani këtu. Mua këto dy parti, pra PDK-yhi dhe LDK-yhi, a e dini si mu dukën këta? Këta mu duken si ata dy hajnat që vjedhshin bashkë.

Dy hajna vjedhshin bashkë dhe një natë shkuan të vjedhin bashkë një kope dele, një tufë dhenë. Edhe shkuan natën të vjedhin bashkë, vodhën sa mundën, dhe kur zbardhi dita, njëri hajn po i thotë tjetrit “E paskemi vjedhur edhe një thi / një derr”. E ky tjetri hajn po i thotë atij “haram është”.

Merreni me mend, pra as që ju shkon mendja që me i vjedh delet është haram, me i vjedh dhenët është haram, se me vjedh është haram. E këtu në Han të Elezit kanë vjedhur më shumë se dhenë. Kanë vjedhur më shumë se tufë delesh. Këtu e keni pasur një terminal doganor privat që ka vjedhur. 20 vjet kanë vjedhur me atë terminal edhe kur ne filluam t’i kthejmë terminalet private në ato publike, të shtetit, a e dini çfarë na thanë? “Në Han të Elezit nuk mundeni, sepse ai është i fortë”. Nuk ka asnjë individ, asnjë grup, asnjë fraksion, asnjë strukturë, asnjë bond, asnjë parti që është më e fortë se shteti i pavarur i Kosovës, Republika jonë demokratike.

Një nga një, të gjitha terminalet private do t’i kthejmë në publike, shtetërore, sepse ato janë e mirë e përgjithshme dhe interes publik, e jo për xhepa privatë.

Tash, një prej projekteve infrastrukturore më të dashura të Qeverisë tonë është ai i linjës hekurudhore Han i Elezit – Leshak. Hani i Elezit në jug, Leshaku në veri, cep më cep të Republikës së Kosovës. Për këtë hekurudhë ne i kemi paraparë mbi 200 milionë euro investime. Pjesa e parë e këtij projekti të rëndësishëm është pikërisht pjesa Han i Elezit – Fushë Kosovë. Dy vitet e fundit të rehabilitimit të linjës, të urave dhe të tuneleve, kanë ecur shumë mirë. Jemi të interesuar që puna në vitet përpara të shkojë edhe më shpejtë, edhe më mirë, edhe më mbarë, dhe treni prej Hanit të Elezit në Fushë Kosovë do të jetë tren i shpejtë me 120 km/h shpejtësi. Treni më i shpejtë është Prishtinë – Pejë me 70 km/h, por ky Han i Elezit – Fushë Kosovë do të jetë 120 km/h. Pra, tek hekurudhat tona, në linjën që e lidh Hanin e Elezit me Fushë Kosovën do të kalojnë nga shpejtësia e rrugëve rajonale në shpejtësinë e autostradave. Me linjën hekurudhore 10 po ndërtojmë autostradën e trenave. E mos ta harrojmë edhe një linjë hekurudhore shumë të rëndësishme, Prishtinë – Durrës, që do ta lidh portin e ri të thatë të Prishtinës me portin e ri të Durrësit, dhe që do t’i afrojë e integrojë Kosovën dhe Shqipërinë, si ekonomi, si ushtri, si kulturë, si tregti.

Me modernizimin e hekurudhave do t’i forcojmë dhe do t’i shpeshtojmë lidhjet e qyteteve dhe të gjitha vendbanimeve, si dhe do ta mbrojmë mjedisin nga ndotja, sepse transporti hekurudhor është transport i gjelbër. Pra, më pranë, më shpejt dhe më pastër.

1 miliard euro investime për ndërmarrjet prodhuese. Duhet ta rrisim prodhimin, sepse prodhimi na bën edhe më shumë bashkë, na rrit kapitalin e shtetit tonë, e shton dinjitetin, vetëbesimin dhe imazhin e vendit tonë, por në të njëjtën kohë na bën edhe më shumë bashkë. Sepse, siç e dimë secili prej nesh, konsumi na individualizon, sepse konsumin e bëjmë secili për vete. Kur hajmë, secili e ka gojën e vet edhe fytin e vet, grykën e vet edhe lukthin e vet. Çkado që pijmë e hajmë secili e bën për vete, pra konsumi. Ose kur vishemi, secili vishemi për vete. Pra, konsumi – çka bëjmë në fushën e konsumit, e bëjmë për veten si individ. Ama për ta prodhuar ushqimin, për t’i prodhuar rrobat, pijet, duhet të bëhemi bashkë, sepse nuk mundet një me i prodhu. Pra, prodhimi kolektivizon, konsumi individualizon. Prandaj, duke investuar në prodhim ne do të bëhemi dhe më shumë bashkë, do të rritet ekonomia jonë, do të shtohen eksportet tona dhe njëkohësisht vetëbesimi, dinjiteti i të krejt popullsisë, e në veçanti i rinisë e i fëmijëve do të lartësohet.

Mos harroni, një popull që prodhon është popull më krenar sesa një popull që veç konsumon. Populli që prodhon ka dinjitet më të lartë, prandaj neve na duhet ta shtojmë prodhimin. Përveç kësaj, përveç shtimit të prodhimit, ajo që e rrit dinjitetin e qytetarëve është aftësia me mbrojt veten.

Prandaj, kemi investu në polici e në ushtri. 66% e kemi rrit buxhetin për polici, e e kemi trefishu buxhetin për ushtri. Kapaciteti prodhues i një populli, dhe aftësia mbrojtëse e një shteti, janë dy këmbët mbi të cilat ec dinjiteti i një populli, i një kombi. Andaj, Qeveria jonë për këto katër vite nuk ka humbur asnjë ditë dhe kemi arritur që deficitin tregtar ta zvogëlojmë duke e sjellur nga 1 me 9, si e kemi gjetur raportin eksport – import në 1 me 6, edhe po shkon gjithnjë e më mirë.

Meqënëse po rritet ekonomia, 6% e Bruto Produktit Vendor mesatarisht në këto katër vjet, asnjëherë pa rënë nën 4%, ne duhet ta rrisim edhe punësimin. Ishim në fabrika sot ku thanë po na mungojnë punëtorët. Po vijnë punëtorë edhe prej Bangladeshit e Filipineve. 430 mijë të punësuar janë në Kosovë, 350 mijë i kemi gjetur. Por a e dini pse ka mungesë të fuqisë punëtore? Sepse këta nuk kanë planifikuar për ekonomi e për shoqëri. Krejt rininë i kanë qu me studiu juridik, ekonomik, marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike, e diplomaci. E 30 ambasada i kemi, ku me i çu ata ma përpara? Prandaj, me ministren Arbërie Nagavci kemi filluar programin qysh me lidh tregun e punës me aftësimin profesional. S’ka kush me ta ndreç energjinë elektrike kur ke prishje në shtëpi, me ta ndreç ujësjellësin e kanalizimin, me ta ndreç kulmin edhe dritaret. Na mungojnë elektrikistët, agjustratorët, na mungojnë. Ai me shkenca politike nuk din çka t’i bëj kabllove. E këtë model ne e kemi mësuar nga diaspora jonë e dashur, e cila masivisht po e mbështet VETËVENDOSJEN!, e masivisht do të vijë me 9 shkurt. Të rejat e të rinjtë prej moshës 15 vjeçare po shkojnë 2-3 ditë në shkolla profesionale, 2-3 ditë po shkojnë nëpër fabrika të ndryshme. Dijen teorike po e bëjnë ushtrim praktik, zbatim praktik dhe në këtë mënyrë edhe po mësojnë zanat edhe po fitojnë për vete. Sistemi dual është duke e kriju lidhjen në kokat e të rejave edhe të rinjve tanë midis punës edhe fitimit. Puna dhe fitimi janë të lidhura ngushtë. Fitimi vjen nga puna, puna vjen nga investimi i fitimit. Prandaj, Qeveria jonë ka bërë revolucion në marrëdhëniet ekonomike në Republikën e Kosovës.

E meqenëse shkalla e rritjes ekonomike duhet të ndiqet edhe nga shkalla e punësimit, gjithnjë e më shumë burra e djem do të punojnë, gjithnjë e më shumë gra e vajza do të punojnë. E meqenëse do të punojnë gjithnjë e më shumë gra e burra, djem e vajza, do të ketë gjithnjë e më shumë familje ku të dy prindërit punojnë. E meqenëse të dy prindërit do të punojnë, atëherë fëmijët e tyre, siç e dijmë, në masë të madhe, i kqyrin gjyshi e gjyshja. E ne ashtu si nëpër çerdhe i kemi edukatoret që i mësojnë fëmijët e moshës 1-3 vjeç, këto çerdhe familjare ku gjyshja e gjyshi i kqyrin mbesat e nipërit, do të marrin mbështetje financiare si edukatorë të çerdhes familjare nga shteti i Kosovës, nga Qeveria e Republikës.

Të dashur qytetar të Hanit të Elezit,

Është tejet e rëndësishme që ditët në vijim të punoni në çdo lagje të fshatit, në çdo rrugë e rrugicë, shtëpi më shtëpi dhe mos e konsideroni që rezultati është i garantuar. Që ne jemi të parët, këtë e dijnë krejt, por nuk mjafton të jemi të parët. Duhet ta kalojmë 500 mijë votëshin me 9 shkurt. Ne e kemi si Lëvizje VETËVENDOSJE! pragun 50%, ata e kanë pragun 5%. Pra, ata po luten ditë-natë, jo vet me kalu pragun, por ne mos me i mbërri 50%. Sepse ata nuk e pranojnë, por ëndrra e tyre është që VETËVENDOSJA! mos me i mbërri 50%, e pastaj ata krejt me u bë bashkë, edhe me Listën Serbe, edhe me u kthy te ajo Qeveria Hoti e gjysmës së dytë të vitit 2020. Qaty e kanë ëndrrën ata. Por, larg qoftë. Larg qoftë! Qoftë larg me u realizu ajo ëndërr e tyre, jo, inshalla. Atëherë, herën e kaluar, kanë qenë bashkë 6 muaj, e tash thojnë a të bëhemi kryeministra me rotacion, se ata qashtu si rrota janë. Hajde në rotacion 1 vit, nëse rrijnë ata, larg qoftë, qoftë larg, jo inshalla, pastaj ne e kemi të sigurt pushtetin 20 vjet.

Por, të dashur qytetar të Hanit të Elezit,

Pse me i provu 1 vit kur e dijmë çka bëjnë? Pse me i provu ata? I kemi provu e i kemi stër-provu. Ata janë të njëjtit. Ata janë si ata dy hajnat që i përshkruajta më herët që vjedhin bashkë, e në dritë kqyrin çka u bë. Njerëzit si ata që e vjedhin shpinë, e pastaj ta premtojnë një bakshin, s’kanë çka lypin as në politikë, e le më në Qeveri. Prandaj, me 9 shkurt duhet ta kuptoni, nuk na nevojitet vetëm fitorja ku dalim të parët, por na nevojitet fitorja me mbi gjysmë milioni vota, që është rekord historik në Kosovën e lirë e të pavarur.

9 shkurti e ka formën e referendumit për këto 4 vjet. A ja kemi bërë mirë strukturave paralele ilegale serbe, a jo? Prandaj është referendumi me 9 shkurt. A ja kemi bërë mirë krimit e korrupsionit? Prandaj është referendumi me 9 shkurt. A ja kemi bërë mirë rritjes ekonomike, shtesave për fëmijë, mbështetjes financiare për nënat lehona, rritjes 20% të pensioneve, 15 mijë bursa për studentë, arsimi publik falas edhe në Bachelor edhe në Master, pagën minimale 350 euro, 300 milionë euro subvencion për 120 mijë fermerë, 275% rritje e mbështetjes për grurë, shtim i subvencioneve për naftën për bujq, për plehun artificial, e sipas rendimentit 4 cent për kg të drithit që i çon në mulli. A ja kemi bërë mirë për krejt këto? Nëse ja kemi bërë mirë për krejt këto, 9 shkurti është referendum. Dhe a e dini çka, të dashur qytetar të Hanit të Elezit, kur të dalim fitues në këtë referendum edhe bashkësia ndërkombëtare edhe qytetarët brenda, por edhe Serbia e merr mesazhin e duhur.

9 stacione policore rrotull kufirit me Serbinë, 4 stacione policore në Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Veri të Mitrovicës e kanë komandantin që i përgjigjet Gazmend Hoxhës në Prishtinë, Xhelal Sveçlës në Prishtinë dhe mua në Prishtinë dhe nuk i marrin më nga dy rroga, njërën prej Beogradit për urdhëra të natës e njërën prej Prishtinës për urdhëra të ditës. 29 rrugë ilegale i kemi mbyllur në veri të Kosovës. Me 9 shkurt mbyllja e rrugëve ilegale del në referendum. A ja kemi bërë mirë a s’ja kemi bërë mirë? Na e sulmuan policinë në stacion, na e sulmuan komunën në ndërtesë, na e vranë rreshterin policor – Heroin e Kosovës Afrim Bunjakun, na e shkatërruan kanalin Ibër – Lepenc, mirëpo ne qëndruam, ne fituam, ata dështuan dhe do të dështojnë sa herë të provojnë. Tre terrorista janë vrarë, e të tjerët ikën malit përpjetë, i harruan shokët e plagosur e të vrarë pas vetes.

E tash me 9 shkurt pyetja është “A ja kemi bërë mirë po apo jo?”. A e kuptoni në çfarë pozite ka rënë opozita? Ata nuk janë duke e marrë vesh që pakrahasimisht më shumë mbështetje popullore fitojnë nëse na lavdojnë neve, sesa duke na sharë e duke na sulmuar siç po bëjnë. Pasha Zotin.  këto 3 javë e gjysmë këta të opozitës, nëse na lavdojnë rrezik nuk mund t’i marrim këto 500 mijë vota. Por kështu, sa të na shajnë, e fyejnë, e ofendojnë, 500 mijë është pragu, e jo tavani, 500 mijë është dyshemeja, e jo kulmi. Andaj, le ta realizojmë këtë fitore të madhe, le të mos merremi fort me armiqtë e me kundërshtarët, le të punojmë ditë e natë që i madh, e i vogël, prej 18 e deri në 98 vjeç, gra e burra, pa dallim feje, pa dallim prejardhje, pa dallim a je prej fshatit a prej qytetit, pa dallim a je i diplomuar apo i padiplomuar, të bëhemi bashkë e ta thurrim vargun e 500 mijë zemrave prej Hanit të Elezit e deri në Leshak, prej Kamenicës e deri në Pejë, prej Podujevës e deri në Dragash, prej Istogut deri në Viti.

Faleminderit shumë, ju dua fort, mirupafshim për çdo ditë nëpër takime e tubime, në Han të Elezit, e cep më cep të Republikës së Kosovës. E me datën 9 shkurt, votojmë bashkë, fitojmë bashkë, e festojmë bashkë!

Faleminderit e natën e mirë!

Kontribo