Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Istog
Perjashta dimër me akull, në sallë në Istog verë e nxehte.
Ju faleminderit shumë qytetarë të Istogut për këtë mikpritje kaq të përzemërt e kaq të ngrohtë, e cila na bën të sigurt që marrshimi jonë me numrin 118 drejt zgjedhjeve të 9 shkurtit do të realizojë malin e madh prej 500 mijë zemrave, që sjell fitoren e koalicionit tonë, Vetevendosje, Guxo, Alternativa.
Gjatë këtyre katër viteve të qeverisjes tonë të përbashkët i kemi bërë bashkë rritjen e ekonomisë, punësimin e grave e të rinisë, qarkullimin e shtuar të bizneseve, shpërndarjen e mirëqenies për qytetarët, sovranitetin për shtetin edhe në veri, integritetin territorial për shtetin edhe në veri, sigurinë, paqen, rendin edhe në veri, por gjithashtu edhe ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, dhe Policisë së Republikës.
Faleminderit për këtë mbështetje të madhe, për këtë përkrahje të pakursyer, për këtë ndihmë të jashtëzakonshme që ia keni dhënë edhe lëvizjes edhe qeverisë.
Në këtë rrugëtim tonë katërvjeçar, ne nuk e kemi harruar asnjëherë Istogun. Këtë komunë, këtë vend të intelektualëve brilantë, të luftëtarëve të paepur e të punëtorëve të mëdhenj.
Në arsim i kemi ndarë 4 milionë e gjysmë euro për infrastrukturë, prej tyre 1.2 milionë për ndërtimin e shkollave në Uçë edhe Llukafc të Begut. Në Uçë përfundimi i punimeve ka ndodhur, ndërkaq në Llukafc të Begut punimet po vazhdojnë me shpejtësi.
E mbi 1.7 milionë euro i kemi ndarë për ndërtimin e tri qerdheve, njëra qerdhe për 100 mijë fëmijë, për 100 fëmijë i ka përfunduar në vitin 2022, tjetra qerdhe është duke u ndërtuar e përfundon sivjet në 2025., e kjo e dyta edhe më e madhe se e para, pra për më shumë se 100 fëmijë, dhe ndër më të mëdhatë që do të jetë në Kosovë, ndërkaq një tjetër do ta ndërtojmë, qerdhë për fëmijë në Gurrakoc.
Në bujqësi, me qeverinë tone, e Faton Pecin, ministër të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural, bujqit edhe fermerët e Istogut, mbi 4600 prej tyre i kemi mbështetur me 15 milionë euro grante e subvencione. E këtu, në fushën e bujqësisë, të dashur qytetarë të Istogut, korrupsionin e kemi lodh me një të rënë (nuk jam e sigurt për këtë fjalë, 54:58). Si i kemi hequr fletat poseduese, korrupsioni menjëherë e përgjithmonë ra për tokë. Tash, bujqit, fermerët meritorë marrin subvencione dhe fitojnë grante me meritë, dhe vetëm me meritë.
Përveç arsimit e bujqësisë, këtu e kemi vëmendjen edhe tek ushtria, sepse në Istog e kemi kazermën e ushtrisë sonë, në të cilën është vendosur Komanda e Forcës Tokësore, dhe Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë, për të garantuar mbrojtje dhe siguri në pjesën Veri-perëndimore të Kosovës.
Kjo kazermë te ju në Istog ka rëndësi strategjike për mbrojtjen cep me cep të territorit tonë, dhe për këtë arsye, gjatë mandatit tonë qeverisës kemi investuar mbi 2 milionë euro në ndërtimin e standardeve më të larta dhe infrastrukturë moderne për kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në komunën e Istogut.
Këto investime do të vazhdojnë edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, sepse me ne në qeveri Kosova është më e fortë në ushtri.
Nuk mjafton vetëm të ndërtojmë qerdhe e të shtojmë shkolla. Shkollat gjithashtu i kemi lidhur me internet të shpejtë, në mënyrë që digjitalizimi të jetë i garantuar për të gjithë nxënësit. Prandaj, me rrjetin kosovar për edukim e hulumtim, KREn i kemi lidhur këto shkolla në komunën tuaj të mirë e të dashur, shkollën Bajram Curri, Hysni Zajmi, Martin Qamaj, Ndre Mjeda, Tre Dëshmorët, Trepça,,Zymer Zeka dhe Haxhi Zeka, në mënyrë që nxënësit e mësimdhënësit të kenë mundësi më të mëdha për mësimdhënie cilësore e për mësimnxënie gjithëpërfshirëse.
Përveç arsimit, bujqësisë, ushtrisë, digjitalizimit, kemi investuar e po investojmë në Istog edhe në shëndetësi. 2.1 milionë euro për ndërtimin e Qendrës Kryesore Familjare këtu në Istog. Për qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Istog, punimet kanë filluar e Istogu do të ketë një qendër të re bashkëkohore, moderne. Pra, për Istogun të dashur qytetarë, në arsim janë 4.7 milionë euro, në bujqësi 15 milionë euro, në ushtri mbi 2 milionë euro e në shëndetësi 2.3 milionë euro, vetëm për lapsin, bukën, dhe pushkën, dhe për shëndetin në Istog janë mbi 24 milionë euro investime që kanë nisur e po vazhdojnë, sepse ne bashkë do të vazhdojmë me partinë Guxo, me partinë Alternativa, me këta 110 kandidatët tanë që janë deputetë të ardhshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në legjislaturën e në mbështetje tonë të pavarur.
E përveç shëndetësisë, në Istog jemi fokusuar edhe për çështjen e energjisë. 5 ndërtesa publike i kemi rinovuar për efiçence të energjisë, dy shkolla, një qerdhe, ndërtesën e Kuvendit Komunal, dhe Qendrën Kulturore këtu ku jemi sot. Këto ndërtesa dimrit janë më të ngrohta, verës janë më të freskëta, dhe shpenzimet e energjisë elektrike i kanë ulur për gati 70%.
Përveç këtyre ndërtesave publike, 112 familje të Istogut i kemi përkrahur për t’i izoluar shtëpitë e tyre. E ndërkohë, qytetarëve të Istogut i kemi ndihmuar që ta ruajnë energjinë elektrike. Në Istog, Republika jonë do ta ruajë energjinë elektrike për mbarë shtetin, sepse këtu do të vendosen bateritë akumuluese të energjisë elektrike me kapacitet 125 MW, që janë donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Korporatës së sfidës së Mijëvjeçarit në një vlerë të gjithmbarshme të një granti prej 202 milionë dollarë. Pra, bateritë akumuluese që e ruajnë energjinë e prodhuar nga qielli dhe nga era, do t’i ruajmë në dy komuna të Kosovës, në Istog dhe në Ferizaj.
Kjo është dëshmi, kjo qeveria e Kosovës, unë si kryeministër i Republikës nuk jemi kryeministra e qeverisë partiake, por të shtetit. Kurrë nuk kanë pasur komunat e Kosovës kaq shumë buxhet, kaq shumë ngritje të buxhetit, sikurse me qeverinë tonë.
Krahasuar me vitin 2021, kur kemi ardhur për herë të parë në detyrë, në këtë mandat e kemi rritur buxhetin prej 547 milionë euro për të gjitha komunat, në 778 milionë euro për të gjitha komunat, apo rritje prej 44% të buxhetit për komunat e Kosovës, cep me cep, anembanë, gjithandej.
Pra, të dashur qytetarë të Istogut, të nderuar të pranishëm, të dashur pjesëmarrës, Lëvizja Vetevendosje prej 38 komunave që i ka Kosova, e ka kryetarin vetëm në 6 prej tyre, 6 prej 38. Bile këto 6 përfshirë edhe Leposaviqin edhe Veriun e Mitrovicës.
Mirëpo, buxhetin për komuna e kemi rritur për 44%, ani pse në shumicën dërmuese të komunave ne nuk qeverisim. Ne ja duam të mirën komunave, ashtu siç ja duam të mirën Republikës, sepse ne e dimë që njerëzit tanë, teksa janë qytetarë të republikës, janë banorë të komunave.
E në vitin 2021, kur e kam marrë detyrën më datën 23 mars, të dashur qytetarë, të nderuar pjesëmarrës, e kemi pasur një ekonomi ku çdo i katërti ka qenë i papunë. E sot po e përmbyllim mandatin tonë me ulje të papunësisë, prej çdo të katërti që ka qenë i papunë, në çdo të nëntin që është i papunë. Domethënë, para qeverisjes sonë, në çdo familje ka qenë nga një i papunë, e tash në dy familje mesatare, zor që ke me gjetë një të papunë.
Në vitin 2020, qeveria paraprake i ka lënë borxhet e papaguara, 141.6 milionë euro ndaj operatorëve ekonomikë të sektorit privat të Republikës së Kosovës. 141.6 milionë euro shteti, për shkak të keq-qeverisjes, ia ka pasur borxh sektorit privat. E a e dini sa është 141.6 milionë euro që shteti me ato ish-qeveritë ia ka pas sektorit privat të ndërmarrësve në Kosovë? Sa buxheti i kombinuar i Istogut, Podujevës, Gjilanit, Shtimes, Junikut, Kamenicës e Hanit të Elezit marrë së bashku. Kaq borxh i kanë pasur ndërmarrësit tonë që e kanë barrën kryesore të punësimit të qytetarëve, ish-qeveria në emër të shtetit.
E tash, pas më pak se 4 vjet qeverisje, me neve ky borxh ka rënë në 33 milionë euro, apo më pak se buxheti i komunës së Gjakovës. Këtë rritje të ekonomisë për 50% krahasuar me vitin 2019, që është para pandemisë, se në 2020. është “furrë ekonomia.” Apo, këtë rritje të ekonomisë për 30% më shumë se sa në vitin 2021, kur e kemi marrë detyrën, ne e kemi shpërndarë te qytetarët, a thua si ju kemi ndihmuar bizneseve, ju kemi ndihmuar edhe kategorive shoqërore që kanë më shumë nevoje. Bizneset e kanë rritur qarkullimin prej 12 miliardë euro në 22 miliardë euro.
Mirëpo, ne kemi ndihmuar 60 mijë nëna lehona, 2 të tretat e tyre të papuna, dhe mbi 400 mijë fëmijë të cilët marrin shtesat në emër të nenës, prej 0-16 vjeç, ku e kemi dyfishuar, dhe e kemi trefishuar mbështetjen për ta. A e dini sa janë 60 mijë nëna lehona, sa dyfishi i numrit të banorëve të Istogut. Dyfishi i numrit të banorëve të Istogut bëjnë 60 mijë nëna lehona që na i kemi mbështetur qysh nga viti i parë i qeverisjes e për herë të parë në Kosovën e pavarur e të çliruar. E prej këtyre 60 mijë nënave lehona që i kemi mbështetur, 1200 nëna lehona të tilla janë në komunën e Istogut, që me i mbledhë bashkë në këtë sallë ku jemi sonte, kishte me qenë me mbush dyfish sallën, cep më cep.
Si rezultat i mbështetjes direkte, gjithsej janë 480 të punësuar këtu në Istog përmes mbështetjes, 333 përmes Superpunes, ku të rinjve e të rejave prej moshave 18 deri në 29 vjet, në ua japim pagën minimale si bonus prej 350 eurosh, në secilën ndërmarrje që punojnë, dhe 147 të punësuar të tjerë përmes programit Qeveria për Familjet, me qëllim që të mos e lëmë asnjë familje pa së paku një të punësuar.
Pra, këtë sallë të kulturës ku ndodhemi sonte, ne nuk e mbushim thjesht për tubime e për festë si sot, por e mbushim, e stërmbushim shumë herë me përfitues të shumfishtë e të drejtpërdrejtë të politikave të mira, dhe programeve të nevojshme që e rrisin mirëqenien e qytetarëve, krah për krah, cep më cep, zhvillimit të qëndrueshëm.
Të dashur qytetarë të Istogut, më lejoni që në këtë tubimin tonë ta përshëndes në veçanti bashkëpunëtoren time të ngushtë, kolegen time të jashtëzakonshme, Donika Gërvallën. Gjatë këtyre katër viteve, prej fushatës së kaluar, e në fushatën ku jemi tash, kemi punuar bashkë për të gjitha çështjet, dhe më besoni, nuk ka as stuhi, as fortunë që e lëkund Donika Gërvallën. Nuk ka krizë, as vështirësi që e dobëson Donikën, dhe nga bashkëpunimi me Donika Gërvallën unë ndjej që më shumë kam marrë energji e mbështetje, sesa që i kam dhënë.
E tash, po, është e vërtetë, me Donikën ndoshta, nganjëherë, për ndonjë çështje nuk jemi pajtuar 100%, po jo rrallë herë, ajo e ka pasur më mirë se unë. E unë besoj që biri juaj, presidenti historik, Ibrahim Rugova, po të kishte qenë gjallë sot, për mbesën tuaj, Donika Gërvallën, që i ka dajët prej Istogut, do të kishte thënë që LDK me të vërtetë se Donika Gërvallën në Kosovë e në shqiptari nuk mundeni me gjëte.
Të dashur qytetarë të Istogut, këto qeveritë e mëhershme, këto ish-, e ish-, ish-, ish-qeveritë, ju e dini shumë mirë që kanë pasur polici vetëm për Vetëvendosje. Nuk kanë pasur polici as për të korruptuarit, as për kriminelët, as për strukturat e Serbisë, veç për neve Vetëvendosje kanë pasur polici.
Pra, u deshtë me ardhur me qeverisje Vetëvendosja, që të integrojë Veriun, që të luftojë korrupsionin, që të luftojë krimin. A e kuptoni pro sa e rëndësishme është udhëheqja politike, sa e rëndësishme është qeveria e Republikës? Këta policë të shkëlqyeshëm, me integritet personal e kompetencë profesionale, këta kanë mundur me i luftuar këto struktura ilegale shumë moti, por s’më kanë pasur mua kryeministër, se kanë pasur Donikën zëvendëskryeministre, se kanë pasur Xhelal Sveçlën ministër të brendshëm.
Policia e Kosovës e ka dëshmuar, e ka vërtetuar që e ka edhe gatishmërinë, edhe vullnetin, edhe interesin për t’i luftuar strukturat ilegale, kriminale të Serbisë në Kosovë. Mirëpo, ajo tash, me këtë mandat që po ju afrohet fundi, e që bashkë me juve, me 500 mijë zemra do ta vazhdojmë edhe për 4 vjet, ka fituar qeverinë e cila është e gatshme, e interesuar, dhe e vullnetshme që askund e asnjëherë mos t’ia le asnjë vend e asnjë strukturë ilegale kriminale të Serbisë, cep e më cep të Republikës së Kosovës.
Por, shtrohet pyetja të dashur qytetarë, pse këta nuk i luftonin strukturat ilegale kriminale të Serbisë? Vetëm këto 4 vjet kemi shkatërruar aq shumë grupe kriminale, kemi mbyllur aq shumë rrugë ilegale të kontrabandës, kemi eliminuar aq shumë laboratore të drogës e të kriptovalutave, kemi shkatërruar aq shumë struktura paralele, sa që në fund krijohet përshtypja që këtu më shumë kishte pasur grupe kriminale e struktura paralele sesa institucione shtetërore!
Por, le të kthehemi te pyetja themelore. Pse këta i toleruan, pse këta bashkëjetuan me këto grupe kriminale, e me këto struktura ilegale? Bindja ime e fuqishme, të dashur qytetarë, është për shkak se këta u korruptuan, e pas korrupsionit nuk ke më ideale. Edhe nëse flet për ideale, nuk të beson më kush, as jashtë as brenda, dhe të korruptuarit nuk mund ta luftojnë Serbinë. Ata që korruptohen, siç thotë populli ynë, e kanë bishtin e nxënë me derë. Kur e ki bishtin e nxënë me derë, atëherë është vendimtare kush e ka dorën te brava.
Pra, kur politikani ndahet prej qytetarëve, fizikisht, emocionalisht, shpirtërisht, materialisht, ai e vendos interesin e vetë mbi interesin e përgjithshëm, dhe mu aty nis korrupsioni. Politikanët e Vetëvendosjes, të Guxo, e të Alternativës, nuk do të pasurohen asnjëherë, asnjëri nga politika, dhe do të jenë gjithmonë pranë e të dashur me popullin, pran tij, e bashkë me të, dhe larg prej krimeve, e kundër tyre.
Me numrin 118 ne mbërrijmë bashkë te ato 500 mijë vota. Me numrat e tjerë edhe mbeten në gjysmë të rrugës, edhe të largët. E tash, luftimi i krimit dhe i korrupsionit, i këtyne strukturave ilegale e kriminale, i elementëve terroristë të financuara, dirigjuara, orkestruara nga Serbia e ministrit Miloševiq, do të bëhej shumë më i shpejtë, më i plotë, më efikas, sikur ta kishim një prokurori profesionale edhe patriotike. Mirëpo, të dashur qytetarë, me keqardhje më duhet ta them që prokuroria e shtetit tonë është e kalbur.
Aty në prokurori, ka prokurorë të mirë, por Këshilli Prokurorial nuk i lë ata me u ngjit lart, nuk i jep lëndë të rëndësishme, dhe ju bart lëndët e dështuar.
Kur e shikoni prokurorinë e shtetit, hierarkia e saj, struktura vertikale, është edhe më rigoroze sesa e ushtrisë. Kjo do të thotë që ata kanë shumë frikë, kjo do të thotë që në mesin e rreth 200 prokurorëve ka shumë prokurorë të mirë, po ata janë në fund të piramidës. E kupolla e piramidës atje, që është e frikësuar, përpiqet t’i frikësojë edhe të tjerët. Mirëpo, pas 9 shkurtit, kur ne fitojmë, me mbi 500 mijë vota, rendi i vjen një prokurorie të re, një prokurorie patriotike e profesionale.
Ju e keni parë që krerët e prokurorisë nuk po na mbështetin në luftimin e krimit të organizuar, dhe po ashtu po na pengojnë në luftimin e strukturave të Serbisë. Kjo prokurori si mos me qenë e Kosovës. Për kësi prokurorie Kosova nuk ka nevojë. Kjo prokurori ka nevojë për një prokurori të re të Kosovës që vjen pra pas fitorës tonë të re, për mandatin tonë të ri qeverisjës në Republikën e Kosovës.
E në mënyrë që përpjekjeve të përbashkëta për rritje ekonomike, për mirëqenie sociale, për luftim të pabarazisë në shoqëri, t’ia bashkangjesim edhe luftimin e krimit, e të korrupsionit, edhe në Jug edhe në Veri, të dashur qytetarë, ne kemi nevojë që ta kuptoni se 9 shkurti është moment historic, edhe ata që ndoshta ende mendojnë ose të mos votojnë, ose të votojnë ndonjë numër tjetër në fletëvotim. Prandaj, unë të gjithë atyre ju drejtohem me fjalët se nuk është gabim ta ndryshosh mendjen për këto parti të tjera që mund t’i keni votuar më herët në të kaluarën, por është dobësi të mos e korrigjosh gabimin, dhe është fuqi të lëvizësh, të guxosh, e të vendosësh vetë ta votosh numrin e fitores, numrin 118 në fletëvotimin e 9 shkurtit.”
Tash, unë e di që të gjithë, ama bash të gjithë do të na votojnë në vitin 2029. Por, meqenëse do të na votojnë të gjithë, ama bash të gjithë në vitin 2029, pse mos të na votojnë qysh tash, pse mos të na votojnë në vitin 2025.
Të gjithë ju qytetarë që do të na votoni në vitin 2029, mos prisni 4 vjet, mos prisni as 4 javë, votojeni numrin 118 më 9 shkurt, 2025.
Këto partitë e tjera janë bërë bashkë në të kaluarën për me e ndarë buxhetin e shtetit kundër popullit të Kosovës. Qeveria jonë u bë bashkë me popullin për ta rritur buxhetin e për ta ndarë mirëqenien. Me ne u kthyen guximi dhe shpresa, u kthyen nderi dhe besa, sepse ne jemi me ballin lartë, e me kurrizin drejt, me fytyrën dritë, e me syrin pish, me mendjen top, e me zemrën plot.
E nga ky tubim sonte, unë nuk kam dyshim në fitoren e koalicionit tonë, sepse kam besim në ju qytetarë të Istogut. Me numrin 118, ju e dini më mirë se kushdo tjetër që na presin ditë të mbara, muaj të mirë e vite të bardha. Prandaj, të gjithë ju, bashkë, secili prej jush, sërish bashkë, me 9 shkurt lëvizni, me 9 shkurt vendosni, me 9 shkurt vendosni vetë, me 9 shkurt vetevendosni, në fshat e në qytet, çdo banor i secilës shtëpi, në çdo lagje, e në secilën rrugë, gra e burra, djem e vajza, pleq e të rinj, bashkërisht e masivisht, drejt fitores e deri në fitore, në Kosovë, e në Istog, në Republikën Cep me Cep, me numrin 118, drejt 500 mijë votave me zemër!
Ju faleminderit, ju dua fort! Mirë u pafshim e natën e mirë! Faleminderit!