Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Mitrovicë
Dy zemra t’i kisha pasë, dyjat t’i kisha falë Mitrovicë.
Mirë se ju gjej këtu në qytetin e Isë Boletinit e të Hasan Prishtinës.
Mirë se ju gjej në Mitrovicën e Trepçës, të Ibrit e të Sitnicës.
Në këtë qytet të njerëzve të dashur, puntorë, patriotë të mëdhenj që kanë dhënë aq shumë për
Kosovën dhe Shqiptarinë, jo vetëm të luftarëve nga e kaluara, por edhe të dëshmorëve të luftës së
fundit si Mehë Uka, Artim Jashari, Fatime Hetemi, Shemsi Ahmeti, Xhevat Jusufi, Agim Sadiku,
Agim Ramadani e Adem Trepcca.
Mirë se ju gjejmë edhe në Mitrovicën e UÇK-së. E në Mitrovicën e veprimtarëve të pa epur, të
vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë si Latif Berisha dhe Agim Hajrizi e të këngëtarit martir,
Haki Misini.
Të nderuar të pranishëm, më lejoni të përshëndes shtatë kryetarë që i kemi këtu në rreshtin e parë në këtë tubim madhështor në Mitrovicë. Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufcën,
bashkë kryetarët e partisë “Guxo”, Donika Gërvallën dhe Faton Peci. Kryetaren e partisë
“Alternativa” Mimoza Kusari, dhe dy kryetarë fort të veçantë që i kemi fort për zemër, Erden
Atiqi nga veriu i Mitrovicës dhe Lulzim Hetemi nga Leposaviqi.
Të dashur qytetarë, ne e mbrojmë vendin tonë duke e dashur atë, e kush më mirë se ju e ka bërë këtë në këto 25 vitet e fundit. Përkundër vështirësive që keni kaluar, ju nuk keni rreshtur së dashuri qytetin tuaj,
Mitrovicën tonë. Duke e dashur e keni mbrojtur, ju falemnderit!
Bashkë e kemi dëshmuar se kushtetutshmëria dhe ligjshmëria në vendin tonë, sovraniteti, paqja
dhe rendi, e populli dhe Republika jonë nuk mund të mposhten asnjëherë nga askush.
Nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më sundim të bandave kriminale, nuk ka më e nuk do të ketë
kurrë më qarkullim të targave ilegale, nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më ngritje të barrikadave,
nuk ka më e nuk do të ketë kurrë më prodhim të kriptovalutave.
Fuqia e ligjit të drejtë në Republikën demokratike të Kosovës ngadhënjen gjithmonë, çdo kund,
cep më cep Mitrovicës e të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre më pak se katër vite, 65 km
rrugë të asfaltuara janë shtruar në veri, edhe 100 km tjera rrugë shtesë janë në proces e sipër. Në
veri të Ibrit janë regjistruar vetëm ne vitin që lamë pas 300 biznese te reja dhe qindra qytetarë
janë punësuar. Kush integrohet përfiton, kush respekton ligjin e mbështetë Qeveria.
Për këto katër vite, Qeverisë tonë e tuaj, ne i kemi shtuar gati dyfish më shumë vende pune sesa
këta tjerët para nesh për 8 vite. Për çdo vit të qeverisjes tonë ia kemi shtuar ekonomisë nga 1 miliardë euro, e atyre para neve iu nevojiteshin 3 vite për 1 miliardë. Prandaj, për rritje ekonomike jemi tri herë më të shpejtë se ata, e për rritje të punësimit gati katër herë më të shpejtë
se ata. Ne punojmë më shumë sepse ne punojmë shumë, ne ecim më shpejtë sepse ne ecim
shpejtë, ne jemi në lëvizje andaj zemra jonë rreh fort dhe pulsin në këtë fushatë e kemi 118. 500
mijë zemra tek ky numri 118 janë zgjidhja e vërtetë, janë fitorja Cep më Cep.
Të dashur qytetarë,
Vizitën sot në Mitrovicë e nisëm tek flotacioni i Trepçës. Trepça është ballafaquar me borxhe të
trashëguara rreth 20 milionë euro, uzurpim të pronës në jug e në veri, tendencë për t’i
përvetësuar rezervat e saj të plumbit e të zinkut dhe me keqadministrim të vazhdueshëm. Mirëpo.
miniera e Stantërgut vetëm në periudhën ndërmjet shtatorit dhe dhjetorit të vitit 2024 ka arritur
nxjerrje mujore të xehes 14 mijë deri në 15 mijë tonë xehe, rekord që nga paslufta. Kjo është
arritur në saje të përmirësimit të menaxhimit, rikthimit të punëtoreve në minierë dhe prodhim,
rikthimit të pronave dhe ndalimit të plaçkitjes së pasurisë së Trepçës nga uzurpatorë privat.
Përpjekja për përvetësim të rezervave është ndaluar dhe ndalur, dhe për këto tri vjet kemi
mbështetur si Qeveri e Republikës, Trepçën tonë e tuaj të dashur me mbi 30 milionë euro.
Qëllimi ynë është që Trepça të përfshihet në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës, të
zgjerohet prodhimi përmes hapjes së punishteve të reja të nxjerrjes së xehes, dhe nga 250 mijë
tonë të nxjerrim rreth 500 mijë tonë, përmirësimi i procesit të flotimit të xehes dhe rikthimi i
industrisë së plumbit dhe të zinkut. Trepçës ia kemi kthyer edhe terminalin rajonal, të cilin ish
qeveritarët, ish ish ish qeveritarët e patën privatizuar.
Por, të dashur qytetarë të Mitrovicës, neve pra na duhet mandati i ri edhe për punishte të reja.
500 mijë vota me zemër për 500 mijë tonë xehe Trepcës kur t’i bashkohet Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.
Të nderuar pjesëmarrës, Ndërmarrja Ibër – Lepenc 16 vjet ka operuar me humbje, vetëm në vitet 2016 – 2021 ka pësuar 22.3 milionë euro humbje. Me Qeverinë tonë ka filluar të dalë nga kriza e të fitojë 380 mijë euro fitim në vitin 2022, 632 mijë euro fitim në vitin 2023, dhe nga humbja prej 2.9 milionë euro në
vitin e parë të qeverisjes tonë në vitin 2021 për vetëm 3 vite e ka përmbyllur vitin 2024 me fitim
1.6 milion euro. Ndërmarrja Ibër – Lepenc e ka menaxhuar me sukses dëmin që na u shkaktua
nga sulmi terrorist i atyre që janë të orkestruar, dirixhuar e financuar nga Beogradi e Moska, dhe
përveç kësaj po e bën ndërmarrjën Ibër – Lepenc nga e cila varet edhe uji e ujitja për Kosovën
edhe energjia elektrike, shembull të suksesit se si qeveriset mirë me një ndërmarrje publike.
Në përgjithësi kur jemi zgjedhur para 4 viteve prej jush, 17 ndërmarrje publike qendrore i kemi
gjetur me humbje të gjithmbarshme 59 milionë euro, e në vitin 2024 17 ndërmarrjet publike
qendrore i kemi sjellë në fitimin në nivelin, në lartësinë 139.6 milionë euro. Pra, Qeveria jonë
edhe din edhe don edhe guxon. Ne nuk e kërkojmë thjeshtë atë që është e mundur, ne e bëjmë të
mundur atë që e kërkojmë, atë që kemi të drejtë, atë që e meritojmë, atë që na duhet.
Të dashur qytetarë të Mitrovicës,
Punët e mira, rezultatet e pamohueshme janë në çdo fushë. Në Mitrovicë dy çerdhe të reja, në
Iliridë ndërtim e sipër 480 mijë euro dhe po ashtu në Shipol. Investime në infrastrukturën e
arsimit para-universitar, në shkollat “Avdullah Shabani” në Iliridë, “Ismail Qemaili” në Bajr,
“Skënderbeu” në Paganicë dhe “Nonda Bulka” e “Aziz Sylejmani”. Kemi bërë investime
thelbësore në kampusin modern të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, kemi rehabilituar
Qendrën e Kulturës, xhaminë e Maziqit, kemi renovuar dhe modernizuar stadiumin “Adem
Jashari” një nga projektet më të mëdha të Mitrovicës e me rëndësi jetike edhe për Lojërat Mesdhetare 2030. E kemi renovuar spitalin e pediatrisë në Mitrovicë dhe Qeveria po e mbështetë
rindërtimin e 200 shtëpive në Mitrovicën veriore e është në proces të përzgjedhjes së lokacioneve
për banim social në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës. Po ashtu, duhet theksuar rruga
Mitrovicë – Bajgorë – Podujevë, investim i madh që ka filluar e pritet të vazhdojë rehabilitimi.
Rruga është e rëndësisë thelbësore për lidhjen e Mitrovicës me Podujevën përmes Shalës së
Bajgorës. Mandej, rruga Bare – Selac, një rrugë e rëndësisë së posaçme për Shalën e Bajgorës,
rruga Maxherë – Dedi, rruga e Bistricës, Cerajës dhe Kushtovës së Vllahisë, rruga Suhodoll –
Vidimiriq – Zveqan, impianti i ujërave të zeza – projekt në vlerë mbi 30 milionë euro për
rehabilitim të ujësjellësit dhe ujërave të zeza si në Mitrovicë, ashtu edhe në Vushtrri.
Vlera e përgjithshme e projektit për rrugën Mitrovicë – Prishtinë, për rrugën Prishtinë –
Mitrovicë është 25 milionë euro. Projekti merreni me mend ka nisë në vitin 2009, ma shumë se
para 15 vjetëve, herë nuk bëhej shpronësimi, e herë nuk kryheshin punimet.
Mirëpo, tash që po flasim, ka përfunduar dhe është lëshuar për qarkullim segmenti i parë, i cili
shkon deri në hyrje të Vushtrrisë. Paralelisht janë zhvilluar punimet deri në Gojbulë, me gjatësi
rreth 4.2 km, e gjithashtu e kemi nënshkruar marrëveshjen edhe për segmentin nga Smrekonicë –
Mitrovicë me gjatësi 5 km. Në qershor parvjet, Ministria e ka rishpallur tenderin për ndërtimin e
rrugës dhe pas përzgjedhjes së operatorit ekonomik është nënshkruar kontrata me 5 shkurt 2024
me afat 1 vit për kryerjen e punimeve, pra deri me 5 shkurt 2025.
Ne 4 vjeçarin e ardhshëm, pas fitores sonë, të mbi gjysmë milioni zemrave, do të kemi
mbështetje deri 1 miliard për investime të mesme e të mëdha në ndërmarrje prodhuese, do të
kemi program multidimensional për turizmin, me investime deri në 500 milionë euro në
kompleksin turistik në Brezovicë, në partneritet me investitorët privatë.
Do ta kompletojmë infrastrukturën sportive, mbi 200 milionë euro për 20 stadiume në 18
komuna. Do ta përzgjedhim këtë pranverë përfundimisht dhe do të fillojmë sa më shpejt me
hekurudhën Prishtinë – Durrës, Kosovë – Shqipëri. Porti i thatë i Prishtinës me portin e ri të
Durrësit.
Do ta rrisim aktivitetin e gruas në ekonomi me një sërë masash, përfshirë edhe programin
Superpuna për gratë. Do ta rrisim harmoninë e kohezionin shoqëror përmes mbështetjes
financiare për gjyshet e gjyshërit që kujdesen për mbesat e nipërit e tyre nga mosha 1- 3 vjeç për
rastet kur punojnë të dy prindërit e fëmijëve.
Do të bëjmë investime të mëdha, gjithnjë e më të mëdha, në mbrojtje e funksionalizim të fabrikës
së municionit, por edhe për ndërmarrjet tjera nga fusha e ekonomisë ushtarake. Për vit do ta
mirëmbajmë e do ta rrisim mbështetjen e përkrahjen financiare për Sanxhakun e për Luginën.
Ferizajn e Gjilanin do t’i bëjmë me ngrohtore të re, e dyfishim të kapaciteteve të ngrohtores në
Prishtinë. Klinika të reja në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, spital të ri në Mitrovicë,
spital të ri në Ferizaj, Qendër Kryesore të Mjekësisë Familjare si në Fushë Kosovë, ashtu edhe në
Therandë.
Do ta bëjmë mbrojtjen efektive të infrastrukturës kritike të vendit, mbi 75 milionë euro për masa
të cilat bëjnë rritjen e efiçiencës në konsumin e energjisë dhe 10 profile të reja të mësimit dual që
e lidhin tregun e punës me arsimin profesional, ashtu që për çdo diplomë shkolle të kemi për të
rejat e të rinjtë tanë një vend pune.
Të dashur qytetarë të Mitrovicës, të dashur pjesëmarrës,
Njerëzit e shitur e patën vënë Kosovën në pazar politik dhe ekonomik. Qeveria jonë e ka nxjerr
Kosovën nga pazari dhe i ka nxjerr pazargjitë jashtë nga pushteti. E në këto zgjedhje të rregullta
parlamentare, zgjedhja e vërtetë është kur qytetarët vendosin vetë e për veten.
Kjo zgjedhje është zgjidhja, dhe ajo e ka numrin 118 të dielën e 9 shkurtit të motit 2025.
Premtimet e këtyre të tjerëve, premtimet e atyne të tjerëve, të dashur qytetarë, i ngjajnë hajnit që
don me ta vjedhë shpinë, por ta premton një bakshish.
Kur i dëgjoni ata duke ju premtuar dijeni që ata duan me ta lon bakshishin masi që ta vjedhin
shpinë. Por ka kaluar koha kur ata bëjnë sfilatë në pushtet e vjedhin shpinë e popullit. Opozita e
ka vendin më së shumti në opozitë.
Dhe a e dini pse ata nuk vijnë më dot në pushtet? Për shkak të popullit, për shkak të popullit që
kurrë nuk i shërbyen me nder e asnjëherë nuk e kuptuan tamam.
Për dallim prej tyre, aleancën me perëndimin Qeveria jonë e ka përdorur për ta forcuar ushtrinë,
për ta mbrojtur kufirin, për ta luftuar Serbinë, për t’i eliminuar strukturat paralele. Për këto ne e
kemi përdorur aleancën me perëndimin.
Forca e Sigurisë së Kosovës i ka dyfishuar ushtarët, e ka rrit tavanin e moshës nga 23 në 25 vjeç,
Forca e Sigurisë së Kosovës e ka hequr tavanin prej 5 mijë pjesëtarëve, e ka katërfishuar
trajnimet jashtë vendit, ja kemi trefishuar buxhetin mbrojes e e kemi shumëfishuar buxhetin për
armatim e municion, 319 milionë euro në Qeverisjen tonë. Kjo është aleanca jonë me
perëndimin, aleancë që na bën më të fortë, aleancë që na ngrit, na lartëson, na madhnon, na
fuqizon, na forcon ushtrinë tonë, ushtrinë e Republikës, ushtrinë e popullit – për këtë duhet
përdorur aleanca me perëndimin. Aleancën me perëndimin e kemi përdorur për bashkë-zbarkim
me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kuvajt, bashkë-zbarkim me Mbretërinë e Bashkuar në
Belize dhe Ishujt Falkland, për Defender Europe 21, për Defender Europe 23 dhe sivjet për
Defender Europe 25, ku do të jemi edhe pjesëmarrës edhe nikoqir. Prandaj, vetëm kështu
përdoret aleanca me perëndimin. Aleancë nga e cila nuk forcohet Qeveria, por forcohet shteti,
forcohet ushtria, forcohet populli.
E të dashur qytetarë të Mitrovicës, për çka e kanë përdor këta që tash janë në opozitë dikur
aleancën me perëndimin, e kanë përdor, e kanë keqpërdor aleancën me perëndimin për me
ambalazhu ose hajninë ose tradhtinë e tyre.
Prandaj, ata u larguan nga pushteti dhe prandaj ata nuk do të kthehen më në pushtet. Aleanca me
perëndimin, partneriteti me perëndimin, miqësia me perëndimin përdoret për ta forcuar ushtrinë,
e kurrë për ta ambalazhuar hajninë apo tradhtinë siç bënë ata që ishin në pushtet, e tash janë në
opozitë, e do të plaken në opozitë, e do të rrokaten në opozitë.
Të dashur qytetarë të Mitrovicës,
Ne i kemi motivet e larta, qëllimet e përbashkëta, misionin fisnik. Vullneti, të drejtat dhe nevojat
e qytetarëve janë ligji për Qeverinë tonë, andaj, ne e kemi nderin të i shërbejmë një populli të
mrekullueshëm, të jashtëzakonshëm, qysh është populli i Kosovës, qysh janë shqiptarët, qysh
janë qytetarët e Republikës. Lëvizja jonë, koalicioni ynë me Guxo dhe Alternativën është e para,
lista jonë është e para, numri 118 do të fitojë sepse 500 mije zemra, gjysmë milioni zemra do të
rrahin porsi një më 9 shkurt sivjetit.
Të nderuar të pranishëm,
Në popullsinë e shoqërinë tonë, në politikën e institucionet tona nuk ka krah të luftës e krah të
paqes, se shqiptarët gjithmonë kanë luftu prej zorit, e jo për qejf. Por ka të krahut materialist të
luftës dhe të krahut idealist të luftës, e ata të krahut idealist të luftës janë në lëvizje, si nga hera,
si përherë, si gjithnjë, si përgjithmonë.
Rilindësi ynë i madh, ndër rilindësit e fundit, Faik Konica, Faik Konica ka thënë një shprehje
lapidare, i ka shumë të tilla, por unë përzgjodha njërën sonte, po e citoj “Shqiptarët nuk ndahen
në të krishterë e muhamedanë, por ndahen në dy anë, ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë
nga të gjitha besimet dhe ana e zuzarëve”. Ne jemi nga ana e kombëtarëve.
Të dashur qytetarë të Mitrovicës, të nderuar të pranishëm, kolegë nga qeveria, ministra e
zëvendësministra, deputetë aktual e të ardhshëm, anëtarë e aktivistë.
Në Republikën tonë sot 4 javë mbahen zgjedhjet parlamentare, zgjedhjet e lira e të ndershme dhe
të pavendosur kanë mbetur pak, fare pak. Por edhe ata pak të pavendosur le të vendosin vetë, sa
më shumë që vendosin vetë, aq më shumë rritet fitorja e numrit 118 në mbarë Kosovën Cep më
Cep.
Të pavendosurit, le të vendosin vet. Prandaj, secilën javë, çdo ditë, në secilën orë, në çdo rrugë,
secilës lagje, qyteti e fshati, të komunës së Mitrovicës e anë e mbanë Kosovës le të punojmë pa
pushim, pa rezervë, pa kursim. Po garojmë bashkë, le të fitojmë bashkë, e do të festojmë bashkë.
Për numrin 118 votojmë të gjithë, me numrin 118 fitojmë të gjithë, për Mitrovicën fitojmë, me
Mitrovicën dhe mbarë Kosovën festojmë.
Ju faleminderit Mitrovicë, ju faleminderit Kosovë, ju faleminderit përzemërsisht.
Ju dua fort! Me zemër Cep më Cep atdheut tonë të dashur. Dy zemra t’i kisha, dyjat t’i kisha fal!
Mirupafshim e natën e mirë!