Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Pejë
E dashura Pejë,
Kjo mikëpritje kaq e zjarrtë ma mbush zemrën me gëzim e mendjen me përgjegjësi. Faleminderit
shumë. Faleminderit për sonte, faleminderit per secilën ditë të secilës javë, të çdo muaji, përgjatë
këtyre shumë viteve që na keni mbështetë pa rezervë, pa kursim, pa pushim, në të gjitha stuhitë e
krizat qe i kemi kaluar si Qeveri e Republikës dhe si Lëvizje VETËVENDOSJE!.
Peja jonë e Peja juaj është qytet i bukur, me njerëz që i njohin bukuritë. Është qytet i bjeshkëve
dhe i lumit, është qytet i xeheve e i artit, është qytet ku prehen eshtrat e Haxhi Zekës e Ali Pashë
Gusisë, është qytet i zemrës, i besës dhe i shqiponjave.
Të dashur qytetarë të Pejës,
Fitoren e VETËVENDOSJES! nuk ka fuqi që mund ta ndalë. Fitoren e VETËVENDOSJE!-s, e
të koalicionit tonë me GUXO e Alternativën nuk mund ta ndalim as na vetë, sepse populli ka
vendos e po vendos vetë.
Ne tash, ne tash, si asnjëherë më parë jemi rritur shumë, e kur rritesh shumë rriten mundësitë për
t’u rritur. Por neve tash, na duhet që të rritemi edhe më shumë, na duhet ta rrisim fitoren tonë në
lartësinë e gjysmë milioni zemrave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Katër vjet kemi qeverisur mirë, bashkë, drejtë. Katër vjet kemi vetëvendosë rekorde. Ne
vendosim rekorde dhe ne i thyejm ato. Kush e mendon politikën Krejt dhe Drejt, kush e sheh
atdheun Cep më Cep, nuk ja ka frikën as rekordit të vet e as imagjinates së vet. Ne i vendosim
vetë rekordet dhe vetë i thyejm ato.
Ende pa u bërë katër vjet mirëqeverisje, 30% është më i madh Bruto Produkti Vendor në vitin
2024 sesa në vitin 2021 kur e morëm qeverisjen. 40% janë më të larta të hyrat tatimore në vitin
që e lëmë pas 2024, sesa në vitin kur e morëm qeverisjen 2021. Dhe, 50% është më i madh
buxheti i shtetit sivjet sesa buxheti i shtetit në vitin 2021. Ne vendosim rekorde në fusha të jetës
e të punës, opozita vendosë rekorde në analista të studiove televizive. Ne veprimtarë ata analista.
Ne në frymë e në fakte ata në rrena e në shpifje.
E të dashur qytetarë,
Një nga rekordet më domethënëse, ne e ngritëm numrin e të punësuarve tonë në numrin rekord të
votuesve të 14 shkurtit 2021. Andaj, le ta thyejm edhe këtë rekord me 9 shkurt sivjet në vota dhe
ta thyejm rekordin në punësim. Rekord edhe në punësimin e grave. I ftojmë gratë ta rrisin
pjesëmarrjen në votim, me mijëra, siç po dalin me mijëra më shumë punë, Cëp më Cep
gjithandej, gjithnjë e më shumë.
Me mbi 500 mijë zemra që thurrin fitoren e vargut të numrit 118, le ta thyejm rekordin edhe në
punësim me mbi gjysmë milioni qytetarë të Republikës që punojnë për familje, për atdheun e
tyre, për mirëqenien e gjithësecilit.
E të dashur pejanë,
Nuk kemi thy rekorde vetëm ne, rekorde kanë thyer edhe opozita në borxhe në bizneseve ndaj
bizneseve të Kosovës dhe me deficit buxhetor që na i lanë trashëgimi. Në vitin 2021, prej
Qeverisë që shkoi, e që s’ka qysh kthehet më, prej Qeverisë që shkoi, i kemi trashëguar 141
milionë euro borxhe ndaj operatorëve ekonomik të Kosovës dhe 512 milionë euro deficit
buxhetor. Por asaj ish-qeverie, ne i kërkojmë falje që ja dëmtuam situatën që na i la dhe që e
ulëm borxhin. Nga 512 milionë euro deficit buxhetor në vitin 2021, tash janë vetëm 25 milionë
euro deficit buxhetor dhe nga 141 milionë euro borxhe bizneseve tona janë vetëm 33 milionë
euro broxhe ndaj tyre.
Të nderuar të pranishëm,
Gjendja në Kosovë është e mirë, është shumë më e mire, sepsë ajo është përmirësuar shumë. E
keqja nuk është gjendje, e keqja është strukturë, është strukturë e dobësuar dhe gjithnjë më e
dobët. Me 9 shkurt sivjet, me 500 mijë zemra, kësaj të keqe si strukturë ja japim goditjen
vdekjepruerëse dhe mdandej e mira nuk ka skaj, qoshe më qoshe, rreth më rreth, cep më cep.
E keqja si strukturë përbëhet prej oligarkëve. Oligarkët e duan shtetin jo si Republikë
demokratike, por si anije tregtare. Ai që ka mall më së shumti, ja përcakton kursin anijes.
Mirëpo, Kosova me qeverisjen tonë të mirë u bë shtet i taksapaguesve të rregullt dhe jo më i
pronarëve të mëdhenj. Ky ishte qëllimi i Qeverisë sonë. Ky është edhe qëllimi i realizuar i
bashkëqeverisjes sonë, nga trashëgimia e mbrashtë e merkantelistëve e feudalëve, tek ardhmëria
e ndritshme, zhvillimore e progresiste, evropiane e demokratike.
Faleminderit shumë për përkrahjen që ja keni dhënë Qeverisë në këtë mision të saj fisnik, në këtë
qëllim të saj madhor, në këtë princip të saj kombëtar.
E tash, e tash të dashur pejan, po vjen dita kur kemi nevojë për një brez të ri të biznesmenëve
prodhues, përtej këtyre që u pasuruan prej tranzicionit. Jo më aso biznesmenësh që milionin e
parë e kanë nga koha e Serbisë apo nga koha e Klanit Pronto. Republika e Kosovës, kombi
shqiptar, ka nevojë për biznesmen patriotë që thonë Peja – Republika e Kosovës, Gjakova –
Republika e Kosovë, e jo kurrë e asnjëherë Pec – Serbia a Djakovica – Serbia.
Të dashur qytetar,
Më mirë e më ndershëm, shumë më mirë e shumë më ndershëm, pa kufi më mirë e pa kufi ma
ndershëm është të rregullosh, është të ndreqësh rrota të biçikletave si Ibrahim Devolli, e jo si
djemtë e tij, që e regjistrojnë biznesin e tyre si të Serbisë në Maqedoni të Veriut, në emër të
tjetërkujt, për me ardhë si të huaj në Pejë e në Kosovë.
Prej kompanisë “Devolli” të dashur qytetarë, kërkoj publikisht t’ia kthejnë Telekomit të Kosovës
62.6 milionë euro që ja kanë marrë në arbitrazhe të kurdisura. Asisoj, Blerim edhe Shkelqim
Devolli, djemtë e fisnikut Ibrahim Devolli, do ta dëshmonin se po e ndihmojnë dhe po e duan
Republikën e Kosovës.
Ne nuk kemi asgjë kundër pasurimit dhe të pasurve, ne i duam qytetarët e Republikës, popullin
tonë, sa më të pasur. Mirëpo, ne konsiderojmë që të pasurit kanë përgjegjësi ta pasurojnë shtetin
ku janë pasuruar vetë. Ne besojmë, që të pasurit duhet ta pasurojnë shtetin e jo ta rjepin atë. E
shteti duhet t’i ndihmojë e t’i pasuroj të varfrit të cilët janë shumica e taksapaguesve të vendit
tonë prej nga mbushet buxheti i Republikës tonë të dashur.
Të dashur qytetarë të Pejës,
Unë nuk besoj që në rruzullin tokësor të ketë një lagje që ka nxjerr më shumë kampionë olimpik
se kjo lagjja e Asllan Çeshmja e Pejës. Jo vetëm kampionë olimpik, por edhe trajnerin më të mirë
në botë në sportin e xhudos. Andaj ne jemi zotuar dhe do të ndërtojmë Kompleksin e Qendrës
Nacionale të Xhudos në Pejë. Për këtë tashmë kemi ndarë 6 milionë euro. Ky kompleks do të jetë
një nga objektet sportive ku do të zhvillohen garat e Lojërave Mesdhetare 2030 – ngjarja më e
madhe sportive në histori të vendit. Salla e Sporteve “Karagaçi”, kjo sallë ku jemi sonte këtu kaq
masivisht, gjithashtu do të rinovohet thellësisht e tërësisht – për sportistët e Pejës dhe kjo për të
mirëpritur Lojërat Mesdhetare 2030.
Për Stadiumin “Shahin Haxhiislami” ku i ka zhvilluar historikisht ndjeshjet Klubi i Qytetit
BESA, i kemi ndarë 19 milionë euro. Stadiumi është në gjendje të mjerueshme, kush vjen këtu
në sallën e sporteve në Karagaç nuk mund ta sheh stadiumin as ditën se lëre më natën meqenëse
e kanë lënë si gërmadhë të shëmtuar. Por Qeveria jonë do ta shndërrojë në një stadium modern
me rreth 8 mijë ulëse. Ky investim në stadiumin e qytetit tuaj është pjesë e planit tonë 5-vjeçar
për infrastrukturën e futbollit: mbi 200 milionë euro për 20 stadiume, në 18 komuna Cep më Cep
Republikës së Kosovës. Peja e ka bërë Kosovën, shtet të xhudos. Me sukseset e saja në sport e
investimet tona ne do ta bëjmë qytetin tuaj, Kryeqytet të Sportit.
E di që të gjithë ju, sikurse të gjithë ne jemi të preukupuar me rrugën Pejë – Prishtinë, Prishtinë
Pejë, që e lidh Dukagjinin me Kryeqytetin. Projekti i atyre që shkuan me të madhe e devijonte
trasenë aktuale dhe kushtonte 240 milionë euro. Por ju e dini që ata kanë qenë shumë dorëshlirë
me para të shtetit edhe kriter për rruga e autostrada i kanë pasur arat e veta e pronat e miqve.
Me neve buxheti i shtetit ruhet e arat punohen. Andaj, edhe vendosëm që në vend të projektit të
ri e të kushtueshëm, të vazhdojmë me projektin që parasheh zgjerimin e rrugës aktuale. Me këtë
vendim tonin i kemi kursyer 150 milionë euro para të shtetit e buxhetit. Në vend se të kushtojë
240 milionë euro, prej të cilave 200 milionë ishin kredi e 40 milionë euro shpronësime, kjo rrugë
neve po na kushton vetëm 90 milionë, me gjithë shpronësimet.
Në segmentin Kijevë-Dollc puna po ecën shumë mirë dhe shumë shpejt. Eskavatorët po punojnë
pandalur. Ju që e kaloni këtë rrugë çdo ditë e dini shumë mirë. Kurse në segmentin Dollc-Zahaq,
puna fillon sivjet. Me Qeverinë tonë së pari bëhet analizë e mirëfilltë e planifikim i kujdesshëm,
e pastaj puna e madhe, e shpejtë, e mirë e që besa edhe më e lirë. Me neve ka edhe lirë edhe
mirë.
Poashtu, kemi edhe marrëveshje me Malin e Zi. Kemi zhvilluar edhe takime për rrugën e
rëndësishme për kombin shqiptar, për Kosovën, për Malin e Zi, që e lidh Pejën me Rozhajën.
Jemi optimistë dhe do të ecim sa më shpejtë përpara, për këtë aks kaq të rëndësishëm për
ekonominë, tregtinë dhe kulturën.
Projekti “Turizmi i Aventurës” është një tjetër gur i çmuar në kurorën e investimeve tona. Peja
është një thesar natyror, dhe përmes zhvillimit të infrastrukturës turistike, synojmë ta bëjmë këtë
qytet një destinacion të njohur ndërkombëtar për turizmin e aventurës, duke tërhequr më shumë
vizitorë dhe duke fuqizuar ekonominë lokale.
Gjatë këtyre katër vjetëve të mandatit tonë Peja i ka të regjistruar afër 400 mijë vizitorë. E në
mandatin tjetër, Peja do t’i ketë më shumë se 500 mijë vizitorë, sikurse Qeveria jonë që do t’i
ketë 500 mijë zemra nga secili skaj i Kosovës, për Republikë cep më cep.
Të dashur qytetarë të Pejës,
Solidariteti është politikë etike dhe është etikë në politik. Ne jemi dëshmuar solidar, si brenda
ashtu edhe jashtë vendit. Kemi pasur Pakon më të madhe për përballje me Inflacion dhe krizë
energjetike në të gjithë rajonin e Ballkanit, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas raportit të
Bankës Botërore.
Kemi shpërblyer ata që kanë kursyer energji, kemi mbështetur nënat lehona, pensionistët,
fëmijët, studentët, pa dallim e gjithandej.
Ndërkaq nga pranimi i refugjatëve prej Afganistanit, e deri tek strehimi i gazetarëve nga Ukraina,
kemi dëshmuar humanitetin tonë, si shtet e si popull dhe besnikrinë tonë ndaj aleatëve e
partnerëve tonë ndërkombëtar.
Po, gjithandej në Kosovë e posaqërisht në veri të Kosovës, shtetit i kemi shtu sovranitet, territorit
i kemi shtu integritet, popullsisë i kemi shtu siguri, vendit atje i kemi shtu paqe. Kemi vendosë
ligjshmëri, kushtetutshmëri, jemi përballë me struktura paralele e me banda kriminale. Ata kanë
provuar të na destabilizojnë e të na cenojnë po sa herë që kanë provuar ata, ata kanë dështuar e
ne kemi fituar. Ne këtë nuk e kemi bërë kundër serbëve, po e kemi bërë kundër Serbisë sepse ajo
është kundër Kosovës dhe kombit tonë.
Gjatë mandatit tonë, në polici të Kosovës i kemi shtuar 2,452 zyrtarë gjithsej, prej të cilëve mbi
6% i takojnë pakicave të Kosovës, përveç asaj serbe. E pakicës serbe i takojnë 8% e kadetëve të
ri në policinë e Kosovës. Në këtë mënyrë ne kemi treguar që jemi kundër bashkëngjitjes së
strukturave paralele kriminale, e për integrimin e vërtetë të serbëve që e respektojnë ligjin dhe
gjithashtu e pranojnë Republikën e Kosovës.
Në veri të Kosovës veç vitin e kaluar janë hapur mbi 300 biznese dhe me qindra serb i kemi
punësuar dhe ata janë falenderues ndaj Qeverisë, shtetit dhe policisë së Kosovës. Andaj, nuk ka
se si të mos çuditemi kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së, se policia e Kosovës, Kryeministri i
Republikës, institucionet e shtetit tonë, na qenkan si Serbia e Millosheviqit. Por, këtu siç e dini
edhe ju vetë, LDKyhi dhe PDKyhi janë bashkë në koalicion. Ata mund të jenë nostalgjik për të
kaluarën kur kanë keqqeverisë bashkë por nuk mund të jenë më ëndrrimtar që kjo përsëritet në të
ardhmen, sepse e ardhmja është e numrit 118, e koalicionit VETËVENDOSJE!, Guxo,
Alternativa, e ardhmja është e Pejës, e ardhmja është e Kosovës, e ardhmja është e Republikës, e
gjithë qytetarëve Cep më Cep.
Prandaj, kur na rastis të ndëgjojmë ndonjë udhëheqës të LDKyhit që thotë që po i pëlqen populli
apo që populli ka simpati për ta, kjo mua mi ngjan asaj mizës që thoshte “kudo që po shkoj po
më presin me duartrokitje”. Pra, kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që
lavdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë se me ato duar që
duartrokasin çfarë janë duke provuar ti bëjnë asaj mize.
Të dashur qytetarë të Pejës,
Ne brezi ynë ndodhemi midis dëshmorëve në varre dhe fëmijëve në djep. Shtetin e kemi më së
shumti prej dëshmorëve, ata e kanë bërë pjesën më të madhe e kryesore të punës, e neve që na ka
mbetur një pjesë më e vogël e punës, por jo më pak e rëndësishme, shtetin duhet ta kemi më së
pari për të rinjtë, për fëmijët. Pra, për një shtet që i mirëmban idealet dhe amanetin e dëshmorëve
dhe i realizon dëshirat e rinisë e ëndrrat e fëmijëve, më 9 shkurt dilni masivisht në zgjedhje.
Zgjedhni VETËVENDOSJEN!, koalicionin me Guxo e Alternativën, numrin 118 dhe vazhdoni
progresin tonë të përbashkët në ekonomi, në politikë, në shtet, në kulturë, në shëndetësi, në
arsim, e çdo fushë të jetës e punës sonë shoqërore.
Me tradita, kulturë dhe histori të pasur, Peja ka qenë gjithmonë qendër e rezistencës dhe burim i
krenarisë kombëtare. Ta vazhdojmë këtë trashëgimi, për ta ndërtuar bashkë të ardhmen që qyteti
juaj e meriton e Republika jonë e meriton.
Poeti juaj, poeti jonë, Azem Shkreli me vargje te urta na kujton, po e citoj: “Me folë pa hile me
mikun” e “Me ndezë kandila të fikun”. E që gjithmonë me “mat me dorë në zemër”. Andaj, me
dorë në zemër, në 500 mijë zemra të përbashkohemi te numri i fitores 118!
Prandaj, unë ju pyes ju qytetarë të Pejës a do të votoni me 9 shkurt? A do ta votoni Lëvizjen
VETËVENDOSJE!? A do ta votoni partinë Guxo? A do ta votoni partinë Alternativa? A do ta
votoni numrin 118? A e doni Pejën? A e doni Kosovën? A e doni Republikën? A e doni
shqiptarinë? Urime fitorja!