23 01 2025

Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Prizren

Zhvillim cep më cep! Sovranitet cep më cep! Integritet cep më cep! Veç a e dini çka nuk po
mundemi me bë cep më cep, nuk po mundemi me bë një fotografi që ju përthekon cep më cep.
Të dashur qytetarë të Prizrenit,
Kjo është toka jonë, të parët na e kanë lënë, kush të mos na e preki se vdesim te tanë.
Kështu kanë kënduar delegatët e Lidhjes nëpër rrugët e Prizrenit në vitin e largët 1878, misionin
e vizionin e tyre. E për 3 vjet kismet do të festojmë 150 vjetorin e kësaj ngjarje e cila shënon
momentin e lindjes së kombit modern shqiptar. Kismet pas 3 vitesh do të bëjmë një festë të
madhe për ditëlindjen e kombit tonë, më të vjetrit në Gadishullin tonë, e i cili që nga ajo kohë ka
lyp vendin e vet të barabartë në mesin e popujve të Evropës së qytetruar. Në histori ne kurrë nuk
kemi luftuar për të zabtuar toka të huaja, mirëpo qysh nga Lidhja ne kurrë nuk e kemi ndal luftën
për tokat tona. Në dy shekujt e kaluar na patë rënë hise ky fat i keq, mirëpo gjërat kanë ndryshuar
krejtësisht me fillimin e këtij shekulli të ri, shekulli XXI na takon ne.
Të dashur qytetarë në Prizren më të bukrin vend, është një këngë tjetër që i këndohet këtij qyteti
ku ruhet historia e gadishullit tonë. Në këtë qytet ruhen krejt dinet e imanet, krejt gjuhët dhe krejt
fetë e popujve të Ballkanit, kala, shtëpitë xhamitë, kishat e hamamet nga krejt periudhat e
ndryshme të cilivizimit, krejt shtresat e historisë këtu palohen mbi njëra tjetrën si askund tjetër.
E pra, krejt i ka Prizreni, edhe malet e larta ku ngjizet djathi me kobëza, edhe fushat e ulëta ku
gatuhet ajvari, edhe vreshtat e verës edhe krejt ujin e dynjasë. Për këtë Prizreni është i bukur,
prandaj, bukur mirë po e lidhim Prizrenin. Nuk po e di sa jeni në dijeni, por lart aty në malet e
Sharrit, Qeveria jonë veç ja ka nisë rrugës për Tetovë. Kismet po planifikojmë që për atë festë të
madhe që do ta shënojmë pas tre vitesh, një pjesë të mysafirëve që na vijnë me i çu edhe nëpër
bujtinat e Tetovës, se veç në këto tonat frikohem që nuk na i zënë. E këta mysafirë me i përcjell
në mbrëmje, për 40 minuta në Tetovë, asnjë mysafiri nuk i mbetet hatri.
Prizreni është qyteti i Lidhjes së Prizrenit, qyteti i Shoqërisë Kulturore Agimi, i Zambakut të
Prizrenit, i shkollës së parë shqipe, i radios dhe gazetës Rilindja, i Dokufestit, kryeqytet i
kulturës, kryeqytet i fundjavës, muzikës, muzeve, e i artit. Prizreni juaj dhe Prizreni ynë i dashur
për të gjithë është kryeqytet i furrtarëve nga Hasi, i ëmbëltorëve gorane, i peshkatarëve nga
Kukësi, i bujqve nga Anadrini, i pekmezit të Rahovecit apo edhe pekmezit të dardhave të
Suharekës.
Të nderuar të pranishëm, të dashur pjesëmarrës, me 9 shkurt, votojmë për të ardhmen, votojmë
për punëtorin e për bujkun, votojmë për studentin, profesorin, mësuesin, arsimtarin, votojmë për
mjekun, për inxhinierin, votojmë për pensionistin, votojmë për menaxherin e për pronarin,
votojmë për nënat e fëmijët, votojmë për veteranët e për invalidët, votojmë për përparimin,
votojmë numrin 118, votojmë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, partinë Guxo, partinë Alternativa,
gjithandej Prizrenit e cep më cep Kosovës, votojmë për fitoren e Republikës së zhvilluar e të
sigurtë, me mirëqenie për familjet e me sovranitet për shtet. Prandaj, thërrisni e flisni me të

gjithë, me çdonjërin, mos pushoni asnjë ditë, punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi
dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë, dhe
shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë, e që na vjen, e që na sjell te 500 mijë zemrat që do
të rrahin porsi nji, të dielën e 9 shkurtit, me pulsin 118, me pulsin e atyre që ecin shpejt e
punojnë shumë.
Të dashur qytetarë të Prizrenit, që nga pas luftës, Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar
në nivelin qendror, si këto katër vite të mirëqeverisjes demokratike të Lëvizjes
VETËVENDOSJE!. Ne kishim një zëvendëskryeministre nga Prizreni, dy ministra nga Prizreni,
tre zëvendësministra nga Prizreni dhe pesë deputetë nga Prizreni. Në komunën e Prizrenit nga
qeverisja qendrore në total janë investuar 241 milionë euro, vit pas viti investimet në Prizren i
kemi rritur. Nga viti 2021 në 2024 investimet i kemi rritur për gati 1 të 3tën, nga afër 50 milionë
në vitin 2021, në mbi 63 milionë në vitin që lamë pas, 2024.
Spitali i Prizrenit mbulon zonën rajonale të dyten më të madhe në Kosovë për nga numri i
popullsisë pas kryeqytetit Prishtinës, si dhe ofron shërbime edhe për qytetarët e Shqipërisë nga
rrethi i Kukësit. Prandaj, krahas shërbimeve të reja që nisën gjatë këtij mandati, si ajo e
rezonancës magnetike, një nga tri rezonancat në mandatin tonë, dhe 20 vjet me parë ishin vetëm
2 rezonanca, e këto tri rezonanca ishin në spitalin e Pejës, spitalin e Prizrenit dhe në Klinikën
Pedriatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Pra, edhe investime të cilat po vijojnë në
renovimin e plotë të repartave, në barnatoren qendrore dhe në depon e barnave, dhe shërbime të
reja moderne që po shtohen, në mandatin tjetër me investime që do t’i bëjmë aty në spitalin e
Prizrenit, ai do të jetë spital model për Kosovën e rajonin më gjërë.
Në rajonin e Prizrenit i kemi asfaltuar për më pak se 4 vjet, më shumë se 100 km rrugë. Por në
Prizren e kemi një projekt shumë për zemër. Është projekti që ka entuziazmin tonë më të madh e
vëmendjen tonë më të lartë, rruga Prizren – Tetovë. Me këtë rrugë ne vendosim drejtësi historike
ndaj një padrejtësie gjeografike. Malet i kemi për të na mbrojtur, jo për të na ndarë. Punimet për
rrugën që lidh Prizrenin me Tetovën, Kosovën me Maqedonin e Veriut, shqiptarët në të dyjat
anët e kufirit, kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi. Vlera e gjithmbarshme e projektit llogaritet
të jetë rreth 200 milionë euro. Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e
Maqedonisë së Veriut kemi marrëveshjen për financimin dhe projektimin e tunelit. Tuneli do të i
bie mes për mes malit të Vërtopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6.5 km dhe do të jetë edhe më i gjatë
se tuneli i Kalimashit, për përafërsisht 600m.
Rritja ekonomike e këtyre katër vjetëve, që është e paparë, jo vetëm në Kosovën e pavarur, jo
vetëm në Kosoven e çliruar, por edhe në rajon, nuk është ngecur tek shteti por është shpërndarë
te shoqëria.
Me shtesa për nënat lehona e fëmijët, në komunën e Prizrenit kanë përfituar, mbi 38 mijë fëmijë
e gati 6 mijë nëna lehona, që përafërsisht i bie sa krejt komuna e Malishevëssa ka banorë. Në
komunën e Prizrenit, fshtrave cep më cep, i kemi mbështetur mbi 4100 bujq e fermerë, me afër
11 milionë euro subvencione dhe grante. Rreth 3100 familje kanë përfituar subvecione për
blerjen e paisjeve efikase për ngrohje me vlerë prej 1.4 milionë euro, dhe 140 familje nga
Prizreni kanë përfituar për izolimin e shtëpive të tyre me një vlerë prej gjysmë milioni euro.

Mbi 2 milionë euro për mbi 80 biznese përfituese nga skemat për makineri, certifikim, artizanatë
dhe inovacion, dhe shumë ndërmarrje nga Prizreni me mbështetjen tonë kanë marrë pjesë në 32
panaire në vende të ndryshme të botës që i përkasin industrive ushqimore, përpunuese, si dhe në
turizëm.
Në Prizren e kemi edhe Parkun e Inovacionit e Trajnimit. 2 milionë euro i kemi ndarë për këtë
park në mandatin e parë, e në mandatin e dytë e kemi trefishuar mbështetjen financiare për ITP.
Pra, kemi mbështetur shoqërinë, kemi mbështetur sektorin privat, kemi mbështetur ndërmarrjet
publike. Por, a i keni dëgjuar të dashur qytetarë të Prizrenit, altoparlantët e oligarevë kur thonë
VETËVENDOSJE! nuk po e mbështet biznesin. Hajde rren, hajde.
Në katër vjet qeverisje, rritja mesatare ekonomike ishte 6%, asnjëherë pa ra nën 4%. Duhet të
jesh fort i kufizuar me dije, të besosh se nuk ja ka pa hajrin biznesi kësaj rritje të qëndrueshme.
Por edhe krejt sikur i padijshëm të jesh, megjithatë nuk mund të mos e kuptosh, se përmirësimi i
raportit eksport-import, nga 1 me 9 në 1 me 6, siç ka ndodhur në qeverinë tonë, nuk mund të
realizohet pa forcim të biznesit vendor, pa zgjërim të prodhuesve vendorë. Investimet direkte nga
jashtë gjatë qeverisjes sonë kanë qenë 2.3 herë më të larta sesa të qeverive të kaluara. Qarkullimi
i bizneseve kosovare është rritur nga 12.5 miliardë në 22 miliardë euro, ndërkaq në qeverinë e
atyre, kishte kontrabandë që nuk bëhet më, kriminalitet që është ndalur e ndaluar dhe gjithashtu
keqfunksionim të institucioneve, që na e solli përtokë imazhin e vendit jashtë në arenën
ndërkombëtare. Prandaj, rritja e eksporteve, rritja e investimeve, rritja e punësimit, rritja e
ekonomisë, rritja e buxhetit, rritja e shtesave, rritja e pensioneve, që të gjitha këto tregojnë, që
biznesi, me qeverinë tonë, po shkon zjarr, po punon dhe po rritet.
Mirëpo, të dashur qytetarë të Prizrenit, korporata Devolli, 62.6 milionë euro, ja ka zhvatur
Telekomit të Kosovës, që do të thotë se secilit prej jush, secilit qytetar të Kosovës, ja ka marrë
përafërsisht 40 euro. Andaj, unë kërkoj përsëri, nga pronari i korporatës Devolli, t’ia kthejë
menjëherë Telekomit Kosovës 62.6 milionë euro, dhe t’iu kërkojë falje për arbitrazhin e kurdisur.
Malli i huj, nuk bëhët i yti. Shtetin tënd, s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shëlbim e shpagim.
Ku është Z-Mobile sot? Zyrtarisht Z-Mobile vetem një të punësuar e ka, sepse nuk ju duhen më
meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e prokurorisë, qartazi kanë vdek për së gjalli. Na duhet
doemos, me doemos, na nevojitet, një kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm. Të
dashur qytetarë të Prizrenit, bandat e Serbisë dikur pasuroheshin në veri, e këta oligarkët
pasuroheshin në arbitrazhe ndërkombëtare. Të dy grupet kundër Kosovës. Tash shtrohet pyetja: a
me koordinim, a pa koordinim? Bandat i shporëm dhe i shpartalluam, kurse këtyre edhe njëherë
po i bëjmë kërkesë publike që menjëherë t’i kthejnë 62.6 milionë euro te Telekomi i Kosovës.
Të dashur qytetarë të Prizrenit, VETËVENDOSJE! është lëvizje. Esat Mekuli e ka një varg
fantastik,thotë: “Njeriu asht lëvizje e pandalshme, klithmë gjaku që vlon”. E këtu në mesin tuaj,
sonte i kemi këtu bashkë, axhën Avni e tezen Xhemile. Astriti e Arbënori nuk janë më fizikisht
me ne, por shpirti i tyre rron sepse shpirti i tyre na bashkon, sonte në Prizren dhe çdo ditë
anembanë Kosovës dhe cep më cep të shqiptarisë. Prandaj, për lëvizjen tonë, për
VETËVENDOSJE!, për Ushtrinë Clirimtare të Kosovës, për Republikën e pavarur, për kombin
shqiptar, buxhetin për ushtrinë që na mbron, e kemi rritur tre herë. Tre herë më shumë sesa ka
qenë në qeveritë e kaluara. Trajnimet për ushtarët i kemi rritur katër herë, katër herë më shumë

se në qeveritë e kaluara. Numrin e ushtarëve, e kemi dyfishuar, ndërkaq armatimin e municionet,
i kemi shumëfishuar. Tash dy vjet, Kosova ka arritur standardin buxhetor të vendeve të NATO-s,
pra shpenzon ma shumë se 2%, të bruto produktit vendor për ushtrinë, dhe këtë ne do të
vazhdojmë ta rrisim edhe më tej. Te shumëfishimi i investimeve në armatim, duhet përmendur
veç një fakt; Për vitet 2018-2020, shpenzimet kanë qenë më pak se katër milionë euro, e për vitet
2021 deri në vitin e kaluar, shpenzimet kanë arritur më shumë se 319 milionë euro. Kemi marrë
armatimin më modern, Bayraktarët luftarakë nga Turqia e Javelinët anti-tank nga Amerika. E në
këtë javë na erdhi edhe konfirmimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për helikopterët
amerikanë Black Hawks, që do t’i bashkohen flotës së ushtrisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së
Kosovës. E pra të dashur prizrenas, kështu realizohet ma në fund rezoluta e Lidhjes së Prizrenit.
Kështu bëhet realitet ruajtja e tokave dhe trojeve tona. Kështu e këtu, atdhedashuria tregohet. Ata
tjerët, që mburren me muskuj, me reklama dhe me pallavra, ushtrinë tonë e dobësuan dhe e
vodhën. Ne e rritëm dhe e forcuam sovranitetin e Kosovës, dhe ushtrinë e Kosovës, dhe do të
vazhdojmë ta rrisim, ta forcojmë, me ndihmën e me përkrahjen tuaj, e me qeverinë tonë e tuajën.
Të dashur qytetarë të Prizrenit, barazia edhe drejtësia e bëjnë rritjen zhvillim dhe zhvillimin
progres. Kush punon, fiton; kush fiton, investon; kush investon, punëson; kush punëson, fiton
edhe më shumë. Kjo është Qeveria jonë! Prandaj, me datën 9 shkurt, gishtin në kokë dhe dorën
në zemër, voto këtë numër e këtë emër – numri 118, emri VETËVENDOSJE!.
118, 118…. është zgjidhja dhe zgjedhja e vërtetë për Prizrenin dhe, cep më cep, për Kosoven!
Të dashur qytetarë të Prizrenit, të nderuar të pranishëm, me 9 shkurt, mos e zgjatni fort. Numri
118, koalicioni VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, 110 kandidatët secili ma i mirë se tjetri,
dhe këta bashkë lista më e mirë që e keni pa, dëgju e lexu, jo veç në Kosovën e pavarur por që
nga çlirimi para çerekshekulli. Andaj të jeni të sigurt, që njetin e kemi të mirë, hyzmetin po e
bëjmë, ymytin e kemi të madh, e me kismet, me 9 shkurt lezet dhe selamet, cep më cep! E për
opozitën, hajmedet!
Faleminderit shumë, faleminderit përzemërsisht. Ju dua fort! Mirupafshim dhe natën e mirë!

Kontribo