Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Sharr
Kaç shumë borë dhe kaç nxehtë, unë s’kam parë askund tjetër përveç se këtu në Sharr. E numri ynë 118, qysh po e shihni, është numër i bardhë porsi Sharri, prandaj edhe Sharri i bardhë duhet ta votojë numrin 118.
Të dashur qytetarë të Sharrit, motra e vëllezër, zonja e zotërinjë, të nderuar të pranishëm, që populli ta ketë VETËVENDOSJE!-n në qeverisje duhet që VETËVENDOSJE! ta ketë popullin në zgjedhje. 9 shkurti është shansi që duhet shfrytëzuar, 9 shkurti është mundësia që duhet përdorur, 9 shkurti është e drejta që duhet ushtruar, ndërkaq 118 është numri që duhet votuar. Nëse nuk fitojmë për juve, nuk fitojmë as për vete. Nëse fitojmë, fitojmë bashkë dhe vetëm bashkë. E kur të fitojmë ne, dijeni që keni fituar ju, e kur të fitoni ju, e dimë që kemi fituar ne. Bashkë këtu në Sharr, cep më cep e kudo në Kosovë, tash në Sharr e gjithnjë në Kosovë, cep më cep drejt 9 shkurtit, me numrin 118, drejt numrit 500 mijë zemra të qytetarëve të Republikës së Kosovës!
Këto partitë tjera ndonjëherë edhe mund t’iu kenë folur si Lëvizja e si qeveria jonë, por ato as nuk kanë menduar e as nuk kanë vepruar si ne. Shtetin ata tjerët që janë në opozitë, ata që dikur ishin në qeveri, ata ish-qeveria, ata ish – ish – qeveria, ata që kurrë mos u kthefshin sepse ju s’do ti lejoni asnjëherë, ata pra e kanë trajtuar shtetin tonë të dashur e të përbashkët porsi një lopë që e ushqejnë qytetarët dhe e mjelin pushtetarët për veti. Por koha e tyre ka kaluar e ka ikur në pa kthim. Të dashur aktivistë e anëtarë, përveç se qytetarë, ju që e keni përgatitur këtë tubim madhështor në Sharr, që na e sollët verën në dimër e do të na përshpejtojë pranverën që kësaj radhe nuk ia nisë me 21 mars por 40 ditë më herët, pranvera sivjet ia nisë me 9 shkurt.
Pra, ju që e keni përgatitur këtë tubim madhështor, unë iu them të përgatiteni edhe për tubimin për festim sepse të dielën e 9 shkurtit votohet për numrin 118, për zgjedhje e zgjidhje të vërtetë, për këta 110 kandidatët tanë fitimtarë, për legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës, ku secili është më i mirë se tjetri e të gjithë bashkë janë kandidatët e listës më të mirë në Kosovën e pavarur e të çliruar.
Në Kosovë, para neve, kishte pak demokraci sepse kishte shumë pabarazi. Në administratën publike, për shembull, raporti i pagës më të lartë me pagën më të ulët ishte 20 me 1, gati 5000 euro paga më e lartë kundrejt as 250 euro pagës më të ulët. Koncentrimi i pasurisë te disa oligarkë e sidomos te njëri prej tyre, e minon demokracinë. Ne jemi lëvizje progresive e progresiste. Kosovën e gjetëm vend të shkëmbimit, të konsumit e të pazareve. Me qeverisjen tonë VETËVENDOSJE!, Guxo, Alternativa, Kosova u bë e vazhdon të bëhet gjithnjë e më shumë edhe vend i prodhimit, edhe vend i rishpërndarjes, kurse raporti me pagën më të lartë me pagën më të ulët në administratën publike e kemi zbritur në 4 me 1.
E për kandidatët tanë këtu në Sharr, i kemi veç dy nga të gjitha partitë që e kanë njëmend garën e synimin për ta përfaqësuar Sharrin e dashur në Kuvendin e Republikës. Dr. Jetmir Ajdini numër 104 nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Lendrit Iljazi, me numer 37, nga partia Guxo. Jetmiri dhe Lendriti janë bashkë, ashtu siç janë bashkë VETËVENDOSJE! me Guxo. Faleminderit Jetmir dhe faleminderit Lendrit për punën që bëni për Sharrin, për Lëvizjen, për Guxo. Të tjerët janë në lista tjera, sa për të mbledhur vota për kokat e partive tjera. Ata e dinë që si kanë as gjasat, as mundësinë, as vullnetin, as përgatitjen. Por janë Jetmiri e Lendriti që i bëjnë nder Sharrit në Kuvend të Republikës dhe Kuvendit të Republikës për komunën e Sharrit.
Të dashur qytetarë, ju e dini shumë mirë, ju e dini aq mirë sa që e dini më mirë se unë, që mërgata e Sharrit është e pranishme kudo në botë. Nuk ka tubim në diasporë ku kam marrë pjesë unë në këto gati 20 vitë sa i bënë VETËVENDOSJE! sivjet, e që nuk ka ardhur dikush prej komunës së Sharrit. E keni mërgatën më të madhe në raport me popullsinë e komunës, por unë do të thosha edhe më aktiven.
Ata që nuk arritën të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet e 9 shkurtit për numrin tone 118, le ta marrin biletën e le të nisen për ditën e zgjedhjeve me veturë, me autobus, a me aeroplan, qysh të munden, krejt sa janë. E ata të cilët janë regjistruar online, le ta dërgojnë votën e tyre me postë në ambasada, a në konsullata të vendeve ku po jetojnë, banojnë e punojnë. Por, me votat e Sharrit këtu, me votat e Sharrit në diasporë, le ti bëjmë këta dy kandidatë tanë deputetë në Kuvend të Republikës, numrin 118 fitues me 500 mijë zemra dhe qeverinë tonë qeveri edhe për katër vite të tjera, së paku edhe katër vite të tjera në krye të shtetit të pavarur të Kosovës e të Republikës tonë demokratike.
Por suksesin që e kemi pasur në këto katër vite, nuk e kemi mbajtur vetëm për shtet, e kemi shpërndarë për shoqëri dhe e kemi shpërndarë në çdo komunë. Këtu në Sharr janë 33 familje të cilat i kemi përkrahur për izolimin e shtëpive. Shtëpitë e izoluara dimrit janë më të nxehta, verës më të freskëta, ndërkohë që edhe fatura e rrymës iu vjen më lirë.
Tjetra, ne e dimë që sfidat janë të mëdha kur vjen puna te shërbimi dhe kujdesi shëndetësor, dhe shpesh shkohet në Prizren për çdo specialist. Ne e dimë po ashtu sa mjekë specialistë të zotë ka dhënë e ka rajoni i Sharrit, prandaj unë dua që ju ta dini se në mandatin tonë të ri ne do të ndërtojmë një poliklinikë specialistike në komunën e Sharrit. E aty, të dashur qytetarë, ju do të mund të merrni shërbime specialistike, me mjekë specialistë të fushave të ndryshme, shumë më afër shtëpive tuaja. E ku ka më mirë se të angazhohemi për shëndetësi kur e dimë që Jetmirin e kemi doktor. E para se me zbritë prej veturës këtu në Sharr, thane kujdes se këtu ka shumë akull. E a e dini çka iu thash unë? S’besoj që rrëzohem, po edhe në u rrëzofsha, Jetmirin e kemi ortoped, ky ta ndreqë këmbën. Sa këmbët i ka qitë në vend ky Jetmiri, nëse bëhet keq, hyn në rend edhe kryeministri te Jetmiri.
Bujqësia, e kemi ministrin Faton Peci këtu. Vlera e subvencioneve dhe granteve nga qeveria jonë, për 1164 bujqë e fermerë, punëtorë e fisnikë të Sharrit, ka qenë mbi 2.8 milion euro, e pa parë më herët për fermerin, për bujqësinë e blegtorinë e komunës tuaj.
Për gjeneratat e reja të Sharrit po investojmë 1.1 milion euro për ndërtimin e çerdhes në Bresanë për 40 fëmijë. Punimet kanë filluar në dhjetor të vitit të kaluar, çerdhja pritet të jetë gati në vitin e ardhshëm. E 5 shkolla i kemi lidhur me internet të shpejtë, me rrjetin për hulumtim dhe edukim të Kosovës, KREN. Kështu, nxënësve të shkollës “Ulina”, “Shaban Shabani”, “28 nëntori”, “Samedin Emini” dhe “Sezai Surroi” u kemi hapur mundësi shtesë për horizonte të reja të dijes.
Shumë kush në Kosovë ka menduar që struktura paralele e ilegale të Serbisë ka veç në veri të vendit, por jo, struktura ilegale paralele ka pasur gjithandej Kosovës, në jug e në lindje e në perëndim, edhe këtu në Sharr kishte struktura ilegale, por tashmë nuk ka, sepse e kemi mbyllur edhe objektin e komunës ilegale në fshatin Vranisht, edhe bankën komerciale të Serbisë që ka funksionuar ilegalisht. E ju qytetarë të Sharrit e dini shumë mirë, por qytetarët e tjerë të Republikës jo edhe aq, që banka komerciale e Serbisë ka funksionuar ilegalisht në objektin që është pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Pra, merreni me mend, një bankë ilegale e Serbisë që funksionon në jug të Kosovës, në pronë të shtetit të Kosovës. Hajde, në veri qeveritë e kaluara ju ka munguar guximi, por në jug të Ibrit prej kujt janë frikësu ata?!
Për krejt këto vite, s’është investuar në Sharr aq sa është bërë për këto më pak se 4 vite të qeverisë tonë. Vetëm në infrastrukturë rrugore kemi investuar gati 11 milion euro, me të cilat janë shtruar më shumë se 61 km rrugë. Unë po i përmend cilat janë këto rrugë e sa janë të gjata përafërsisht: Zhur – Brod – Dragash 42 km, Kapre – Renc 3.9 km, Pllajnik – Xërxë, e kemi nda buxhetin për ta përfunduar këtë rrugë që kish mbetur peng për vite të tëra, 3.9 km, Bresanë – bjeshkë 4 km, Kërstec – Pakishë – Zapod 6.3 km, Restelicë – kufiri me Maqedoninë e Veriut 1.1 km, pra gjithsej më shumë se 61 km rrugë, apo gati prej Sharrit deri në Rahovec.
Deri vonë as valë të telefonit nuk ka pasur mjaftueshëm këtu në Sharr, e kujtoj edhe vetë se u bënë shumë vite e shumë herë që vij këtu tek ju. Por ministria jonë e ekonomisë dhe Telekomi i Kosovës kanë ndërruar plotësisht infrastrukturën e rrjetit të valës, tash lëre që ka valë të Valës, por që besa edhe interneti është më i mirë e shumë më i shpejtë, e nga dy muaj më parë edhe në Brod e Restelicë që janë zonat me lartësinë më të lartë mbidetare ka 4G e 5G.
Tash për të ndodhur ndryshimi i qeverisë lokale këtu në komunën e Sharrit, 12 vjet pas PDK-së, patëm mundësuar ardhjen e LDK-së në pushtet, provuan që në fillim të na fusin në aritmetika jo parimore, pra nëpër pazare, e ne nuk u bëmë fare pjesë e ekzekutivit, siç e shpjegoi doktori më herët. E tash kryetari e ka gojën plot ankesa në komunë, e këto ankesa ai ia përshkruan qeverisë tonë qendrore, anipse ne kemi sjellë miliona investime këtu në Sharr. Por një gjë duhet ta kemi të qartë: komuna duhet të jetë vend i punës e jo vend i ankesave, duhet të jetë vend i bashkëpunimit e jo vend i vajtimit. Prandaj, ne nuk i kuptojmë këto kritika në adresën tonë në Prishtinë përderisa skandalet janë të përditshme në Komunë. Këto më së miri po i zbulon qendra jonë e VETËVENDOSJE!-s dhe asambleistët tanë këtu në Sharr, e shumë punë të mira, të reja do t’i bëjmë këtu në Sharr, po janë disa të tilla që duhet të bëhen edhe pas zgjedhjeve lokale që ju i keni sivjet në vjeshtë.
Të dashur qytetarë, të nderuar të pranishëm, secilën ditë të këtyre viteve të pasluftës, e para neve në qeverisje, shumica dërmuese e popullsisë pati Ramazan, e Bajrami ka qenë i rezervuar për pushtetarët. Me Qeverinë tonë kjo do të ndryshojë krejtësisht, u bë pra Bajram për qytetarët e Ramazan për qeveritarët, sepse nuk ka më luks e pasurim për ministra e kryeministrin, por ka punësim e mirëqenie për qytetarët. Pa favorizime dhe pa padrejtësi, pa privilegje dhe pa diskriminim. Kjo është qeveria jonë e përbashkët, e tashme, e ardhme, e mirë, e mbarë, e VETËVENDOSJE!-s me Guxo dhe me Alternativa-n.
Sot ishim në aktivitete të ndryshme në Pejë e në Deçan, e tash erdhëm në Sharr, e më pas pasdite në mbrëmje do të jemi në Prizren. Një qytetar, duke ardhur këtu, u fotografua me mua dhe më tha: “A bëj me të pyet diçka?” Thashë, “Po si jo?” Tha: “A je lodhë?” A din çka i thash unë: “Njëherë jam tu i lodhë ata tjerët. Njëherë jam tu i lodhë ata tjerët e që besa, jo veç tu i lodhe, por tu i dërmu, rraskapitë e shpartallu.”
E pas 9 shkurtit, kur të votojmë bashkë, kur të fitojmë bashkë, e kur të festojmë bashkë, prap nuk do të mundem me pushu, sepse duhet të punoj për ju!
Faleminderit shumë e mirë u pafshim, i dashuri Sharr! Ju dua fort, përzemërsisht!