Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti në tubimin e madh në Shtime
Kryetari Aliu, doktor Qemajli, sot në Shtime më ka pritur me 118 anëtarësime të reja në Lëvizjen
VETËVENDOSJE! Dhe, kur i takova këta të rinj, e këto të reja, 118 gjithsej, që posa u
anëtarësuan sot në VETËVENDOSJE!, njëri prej tyre tha që na e kemi pulsin e zemrës 118.
Është e vërtetë që pulsi 118 është i lartë, por ata që ecin shpejt e punojnë shumë, e kanë pulsin e
lartë të zemrës, 118!
Ju faleminderit shumë, të dashur qytetarë të Shtimes, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë e kaq të
përzemërt, që na e ka sjellë verën në dimër, se duhet ta përshpejtojmë pranverën, e sivjet ajo
fillon me 9 shkurt, e jo me 21 mars!
Unë ju jam shumë falënderues, e thellësisht mirënjohës për mbështetjen, përkrahjen, ndihmën, e
solidaritetin që na e keni dhënë ndër shumë vite, jo vetëm qeverisë, por edhe Lëvizjes,
pavarësisht krizave e stuhive nëpër të cilat kemi kaluar, dhe e kemi dëshmuar që Shtimja është
një vendbanim i moçëm, ndër komunat më të vjetra të Kosovës, vend i ushtarëve në luftë, e i
punëtorëve në paqe që i ka qëndruar pranë gjithmonë Vetëvendosjes dhe qeverisë sonë të
Kosovës, dhe e cila do t’ju qëndrojë gjithmonë pranë juve, për një jetë më të mirë, pa dallim, pa
diskriminim, pa favorizime, e pa privilegje për askënd.
Po pra, Shtimja është komunë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse vetëm në luftën e fundit
çlirimtare, Shtimja i dha 51 dëshmorë, e 87 martirë. Qeveria e Republikës, me mua si
kryeministër, me grupin tonë parlamentar, me kolegët nga qeveria, me Lëvizjen Vetëvendosje,
jemi munduar me krejt çfarë kemi ditur e mundur, që në një anë t’i qëndrojmë besnik idealeve e
amaneteve të dëshmorëve, e në anën tjetër t’i realizojmë sa më shumë, e sa më shpejt dëshirat e
rinisë, e ëndrrat e fëmijëve të atdheut tonë të dashur. Prandaj, me qeverinë tonë, ia kemi rritur
bujkut arenë, punëtorit rrogën, ndërmarrësit fabrikën, studentëve bursën, e ushtarit pushkën!
Qeveria e Vetëvendosjes ia ktheu ekonomisë së vendit prodhimin bujqësor, tregtar e industrial.
Të moshuarve që kanë kontribuar aq shumë gjatë jetës së tyre për jetën tonë ua rriti pensionet,
veteranëve e invalidëve të luftës ua rriti benefitet dhe përkrahjen institucionale shtetërore, kurse
këtyre institucioneve të shtetit ia ktheu historinë kombëtare, dhe lavdinë e luftës çlirimtare.
Ky pra është shteti që e duam, sepse na duhet, që na duhet sepse e duam. Shteti i cili është i
domosdoshëm, për brezin tonë, për zhvillim, për mbrojtje, për siguri, për mirëqenie, por edhe për
brezat që do të vijnë, të rinisë, të fëmijëve, e madje edhe të fëmijëve që ende s’kanë lindur e ndaj
të cilëve poashtu ne kemi përgjegjësi, dhe duhet të jemi në nivel të detyrës kombëtare e historike.
E ky shtet është shtet solidar që kujdeset për të gjithë, pavarësisht prej nga vijnë njerëzit e ku
jetojnë qytetarët. Një shtet solidar mes të rinjve e të moshuarve, mes burave e grave, mes brezit
tonë e gjeneratave të ardhshme, me kujdes për ambientin, për borxhin publik, për edukimin e
shëndetësinë, që të gjithëve u jep mundësi të barabarta për zhvillim, e cili nuk lë askënd mbrapa,
por harton politika që rrisin punësimin, rrisin pagat dhe rrisin mirëqenien për të gjithë. Këta jemi
ne pra, e numri jonë është 118, e data jonë e fitores është 9 shkurti, e katër vjet të reja zgjatje të
qeverisjes sonë na presin pas atyre zgjedhjeve me të cilat ne do të shënojmë fitore historike,
rekord të paparë me 500 mijë zemra që do të rrahin por si një!
Me Qeverinë tonë qendrore, e me qeverisjen tuaj lokale, komuna e Shtimes e ka observatorin dhe
planetariumin kombëtar të parë e të vetëm në Kosovë, me teleskopin më të madh diellor në krejt
Europën Lindore, dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Shtimes që tashmë nuk e kanë bërë këtë, dhe i
ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që tashmë nuk e kanë bërë këtë, bashkë me fëmijët e tyre ta
vizitojnë observatorin dhe planetariumin, sepse aty krijojnë përvoja unike dhe mësojnë për
qenien, e natyrën, e qiellësinë si askund tjetër në atdheun tonë, Kosovën Republikë.
Me qeverinë tonë qendrore, e me qeverisjen tuaj lokale, komuna e Shtimes tashmë ka bibliotekën
e qytetit, sepse e kemi një qeverisje lokale që i do librat dhe i do njerëzit që i duan librat.
Shtimen e kemi gjetur vetëm me një qerdhe për fëmijë, pra, 20 vjet një qerdhe. Në katër vitet
tona, po ia shtojmë Shtimes edhe 4 qerdhe të reja. Qerdhja në Muzeqinë ka përfunduar dhe ka
filluar punën për 40 fëmijë, qerdhja në Godan ka përfunduar ndërtimin, dhe shumë shpejt do të
hapet. Qerdhja në Shtime është renovuar totalisht, dhe gjithashtu shumë shpejt do të përurohet,
kurse këtë muaj do të hedhim gurthemelin për qerdhën e re në Petrovë. Të trija këto qerdhe për
60 fëmijë secila, e në plan është edhe një qerdhe tjetër në fshatin Carralevë.
Në mandatin tonë të radhës, në mandatin tonë të ardhshëm, në katër vitet në vijim që menxi po
na presin, ka edhe shumë punë, sepse ka edhe shumë projekte për komunën e Shtimes. Ndërtimi i
kompleksit memorial të masakrës Reçakut, i dyti në vend pas atij për epopenë e UÇK-së, për
kryekomandantin Adem Jashari në Prekaz.
Do ta vazhdojmë autostradën Duhël – Shtime – Banullë me gjatësi 31 kilometra. Dy vjet bëhen
përgatitjet, vitin tjetër fillon puna në terren. Ky projekt ka prioritet të lartë në qeverinë tonë,
sepse praktikisht është nyja që i lidh 3 autostrada: Ibrahim Rugova, Arbën Xhaferi dhe
autostrada e Gjilanit, duke e funksionalizuar kështu tërësisht rrjetin e autostradave në vendin
tonë. Tjetra, ndërtimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare, investim rreth 3 milion euro, dhe
ndërtimi i Entit Special të Shtimes, investim prej 6 milion euro, e gurthemelin do ta vendosim së
shpejti së bashku. Pastaj, renovimi i parkut teknologjik me kontratë 170,000 euro, që tani më
është duke u bërë, si dhe ndërtimi i nënstacionit të transmisionit 110 KW, zgjidhje e problemeve
me ngarkesën e energjisë elektrike.
Të dashur qytetarë të Shtimes, të nderuar të pranishëm, në ato 2 dekadat e pasluftës kishim
politikanë që defiluan për pushtet, që e kishin pushtetin sfilatë. Atyre u ka rënë zilja!
Atyre u ka rënë zilja pa kthim, koha e tyre ka ikur, afati i tyre ka skaduar. Faleminderit kush i ra
ziles, e të e parashikonte fjalimin tim. Këta që defilonin në pushtet, e pushtetin e kishin sfilatë,
disa prej tyre nuk kishin mend, disa prej tyre nuk kishin zemër, e jo pak prej tyre as mend, as
zemër. E ne, në këto 4 vjet, me mend kemi planifikuar, e me zemër kemi realizuar. Pas luftës, mu
këto parti që tash janë në opozitë e paraqesin ish-qeverinë, ish-ish-ish qeverinë, e ndanë dhe e
përçanë popullin. E këta që e ndanë dhe e përçanë popullin, u ka rënë zilja. Ne tash po e
bashkojmë popullin në Lëvizje. Faleminderit shumë për këtë bashkim të jashtëzakonshëm,
Lëvizjen tonë të përbashkët!
Me qeverisjen tonë, të gjithë që punojnë do të fitojnë. Gjithnjë e më shumë njerëz do të punojnë,
e gjithnjë e më shumë do të fitojnë. E kur të themelohet byroja për konfiskimin e pasurisë së
pajustifikueshme, politikanët e korruptuar edhe do t’i nxjerrim në pension të dinjitetshëm, edhe
do t’ua konfiskojmë pasurinë e paligjshme, edhe Prokuroria dhe Gjykata e re e shtetit do të
merret me ta, sepse viktimat kërkojnë drejtësi!
Korrupsioni i tyre, të dashur Shtimjanë, na e ka vlerësuar shtetin tonë. Por, përkundër këtij
zgjerimi që ata e kanë bërë për 2 dekada, mirëqeverisja jonë për vetëm 4 vjet e ka lartësuar
shtetin lartë si asnjëherë më parë, në lartësi të paparë, si ekonomi e si buxhet, si pasaportë e si
sovranitet.
Me qeverisjen tonë, kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi trefishuar buxhetin për mbrojtje,
kemi katërfishuar trajnimet e ushtarëve jashtë vendit, dhe kemi qindfishuar buxhetin dhe
shpenzimet për armatim dhe municion. Me qeverisjen tonë, policisë kompetente, profesionale,
me integritet të Republikës së Kosovës, ja kemi rritur buxhetin për 66%. Në këto katër vite, rreth
kufirit me Serbinë, veri, kemi 9 stacione të reja policore, të cilat na e mbrojnë vendin, paqen,
sigurinë, ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, stabilitetin e vendit tonë të dashur.
Mbi 300 milion euro subvencione e grante për 118 mijë përfitues. Për herë të parë, në vitin 2024
kemi më shumë kërkesa prej bujqve e fermerëve që të punojnë tokën si asnjëherë më parë, dhe si
rezultat kemi 50% më shumë tokë të punuar sesa në vitin e parë parapandemik 2019. Buka jonë,
në sofrën tonë, nga toka jonë, me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural e Pylltarisë që e
udhëheq kryetari, bashkëkryetari i partisë Guxo me të cilin ne jemi në koalicion, Faton Peci.
Dhe, përveç me partinë Guxo, jemi në koalicion edhe me partinë Alternativa që e udhëheq
Mimoza Kusari Lila. Koalicioni ynë është dëshmi që ne jemi bashkë, koalicioni ynë është
dëshmi që ata janë të ndarë, po ndarjeve e përçarjeve u ka kaluar koha, tash jemi në kohën e
bashkimit e të fitoreve të numrit 118, me datën 9 shkurt, cep më cep të Shtimes dhe Republikës
së Kosovës.
Në këto 4 vjet qeverisje, i kemi ndarë mbi 15 milion euro për mbi 11 mijë bursa për studentët
tanë. Përveç se e kemi bërë arsimin publik në çdo nivel, edhe universitar, bachelor e master pa
pagesë. Arsimit ia kemi rritur buxhetin gati 30%, ndërkaq shëndetësisë 50%. Tash, lista e
barnave esenciale ka shumë barna të reja, dhe buxhet gati trefish sa që kishte në vitin 2019.
Ndërkaq, mbrëmë, cilido mjek specialist në Republikën e Kosovës, që ka kujdestaruar 24 orë, i
ka marrë 285 euro. Pra, mjekët specialistë, infermierët janë në fokus të mbështetjes së qeverisë
sonë.
Prandaj, kur kemi parasysh punët e mbara e të mira që i kemi bërë bashkë në këto 4 vjet, le të
vazhdojmë bashkëqeverisjen edhe për 4 vjet tjera. Në Shtime e në Kosovë, në Kosovë e në
Shtime, ashtu që kur votat numërohen më 9 shkurt, të dielën e 9 shkurtit, pra sonte 3 javë, e kur
ta shpallin fitoren, dijeni se ju jeni më meritore, pa juve nuk ka progres, pa juve nuk ka fitim. Ju
jeni populli që e bëni Kosovën shtet sovran dhe Kosova është ajo që ju bën juve qytetarë të
Republikës.
Votoni më 9 shkurt numrin 118 për veten tuaj, për familjet tuaja, dhe për të mirën tonë të
përbashkët! E kryetar Aliu, doktor Qemajl, sot 3 javë votojmë bashkë, fitojmë bashkë, por siç e
ke organizuar këtë tubim madhështor sot, sot 3 javë, sonte 3 javë na e organizo tubimin tjetër
festiv, sepse pas fitores së përbashkët, e kemi festën e përbashkët. Festën e Lëvizjes
Vetëvendosje dhe të fitores së numrit 118!
E tash, qytetarë të Shtimes, pas kësaj pasdite të shkëlqyeshme që e kalova në komunën tuaj të
mrekullueshme, ne duhet të vazhdojmë me kandidatët tanë për Ferizaj.
Atje e kemi në sallën Bill Clinton tubimin e radhës. E kur të na pyesin atje, a e ka Shtimja pulsin
e zemrës 118, çka t’u themi ne? Sot 3 javë, të dielën e 9 shkurtit në Shtime, a po fiton numri 118,
çka t’u themi ne? Më 9 shkurt, në zgjedhje të rregullta e parlamentare, kush do të votohet anë e
mbanë, anë e kënd, gjithandej Shtimes dhe cep më cep të Republikës së Kosovës? A do t’i bëjmë
500 mijë zemra që rrahin por si një?
Faleminderit shumë, urime fitorja! Jua dua fort, përzemërsisht, natën e mirë e mirupafshim!