16 12 2023

Fjala e plotë e Kryetarit, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Fjala e plotë e Kryetarit, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!:

E nderuara kryetare e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuari nënkryetar i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, njëherazi edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,
E nderuara nënkryetare e dytë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, znj. Mrika Limani Myrtaj,
I nderuari Sekretar Organizativ, Alim Rama,
E nderuara koordinatore e komiteteve profesionale, Dejona Mihali,
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,
Ministra, deputetë, zëvendësministra, kryetarë e nënkryetarë të komunave, asambleistë komunal, përfaqësues të qendrave tona,
Të dashura aktiviste dhe aktivistë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,

Ju falemnderit dhe ju uroj mirëseardhje në mbledhjen LIII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes sonë të përbashkët. Siç jeni në dijeni, kjo është mbledhja jonë e fundit për vitin 2023, gjë që na jep një rast për të reflektuar mbi të arriturat gjatë këtij viti, si dhe synimet e pritjet për vitin tjetër.

Në qershor Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë 18 vjeçare, ndërkaq mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, organit më të lartë të subjektit tonë, i mbajmë që nga qershori i vitit 2011, atëherë kur u patëm bërë gjashtë vjeç. Kjo do të thotë, që për 150 muaj i kemi mbajtur 53 mbledhje të KP, apo, më shpesh se n‘çdo tre muaj. Vështirë të gjendet ndonjë subjekt tjetër politik jo vetëm në Ballkan që e ka kaq aktiv forumin kryesor të organizatës.

Por, sot, le të mos ia fillojmë nga Këshilli këtu, për të mos humbur kohë me vetveten, e për të kaluar te qendrat e Lëvizjes tonë, për degët tona. Viti 2024 për të gjitha qendrat tona duhet të jetë vit i përgatitjes dhe i mobilizimit për proceset zgjedhore që i kemi para vetes në vitin 2025, me theks të veçantë në aspektin lokal. Shtabet tona lokale, përcaktimi i kandidaturave për asamble e veçmas atyre për kryetare e kryetarë komunash, duhet të jenë në fokus për vitin që po vjen, e këto kërkojnë trajtim të veçantë e pa vonesë.

Kandidati apo pretendenti për kandidat komune nuk mund të quhet i tillë apo e tillë nëse nuk njeh thelbësisht e hollësisht problemet e shumicës së lokaliteteve që përbëjnë komunën përkatëse. Të njihen detajisht e të flitet me kompetencë për shqetësimet e secilit lokalitet.

Përveç takimit të rregullt me strukturën e Pikës, qendra duhet të planifikojë e realizojë aktivitete që lidhen drejtpërsëdrejti me shqetësimet kryesore të lokalitetit përkatës, që mund të jetë lagje a fshat në një komunë të caktuar. Duhet të jemi afër me qytetarin përmes komunikimit dinamik me të. Shumë nga lajmet e vendimet që merr Qeveria jonë, nuk paraqiten fare ose në rastin më të mirë paraqiten pjesërisht në pjesën dërrmuese të spektrit mediatik në vendin tonë. Ne nuk kemi zgjedhur e as nuk do të zgjedhim metodat e pararendëseve tanë për sponzorizime që, në thelb, janë fasadë. Ne kemi komunikuar në vazhdimësi me qytetarët. Nuk e kemi ndërprerë asnjëherë komunikimin direkt me ta.

Prandaj, të arriturat e Qeverisë, vendimet që merren, duhet paraqitur e shpjeguar për qytetarët nga strukturat e Lëvizjes. Vetëm kështu informacioni është objektiv, i drejtë, dhe i padevijuar. Shumë nga vendimet tona, skemat mbështetëse, masat e ndërmarra nga Qeveria kanë prekur drejtpërsëdrejti qytetarin. Jo edhe shumë dihet e flitet për to, sepse dëshirojnë të minohet sa më shumë merita e institucioneve dhe qeverisjes së mirë dhe demokratike. Qëllimi i dikujt mbase mund të jetë ky, por jo dhe i yni. E qëllimi ynë është informimi i drejtë te qytetari.

Identifikimi i problemeve me të cilat ballafaqohen qytetarët është hapi i parë, mbase dhe më i rëndësishmi, por kurrsesi përfundimtari. Për secilën kritikë që ne bëjmë, në cilëndo komunë, duhet të ekzistojë, si minimum, një alternativë e zgjidhjes. Pra, grumbullim e kategorizim problematikash në bazë të vizitave në terren së pari, e përpunim, analizë, konkluzione e definim zgjidhjesh pas saj. Kështu duhet të funksionojmë, sepse vetëm kështu është e mundur të vijmë në shprehje në mënyrë serioze dhe bindëse.

Duhet filluar një fushatë anëtarësimesh në qendrat tona, meqë ka shumë njerëz që dëshirojnë të bashkohen në Lëvizje, vetëm duhet që ne të shkojmë tek ata dhe të krijojmë hapësirën e nevojshme. Kur qëllimi është i përbashkët, ndërlidhja është lehtësisht e arritshme.

Këtë ndërlidhje e ofron edhe Sekretariati për Emancipim Politik nëpërmjet organizimit të shkollës politike në tri nivelet e saj, kështu duke iu ofruar aktivistëve tanë mundësi që të organizohen rreth forumeve të diskutimit për tema të filozofisë e shkencës politike, historisë e ekonomisë politike përmes nivelit teorik. Po ashtu, është zhvilluar edhe niveli ekzekutiv për asambleistët tanë në komuna të Republikës sonë, ndërkaq muajt e fundit ka nisur niveli organizativo-politik i shkollës politike, i cili mbahet në qendrat tonat ku diskutohet për historikun e Lëvizjes dhe qasjen tonë për tema me relevancë politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Sekretariati për Emancipim Politik i është përkushtuar punës me aktivistët tanë në mënyrë që ata të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e aktivizmit për kauzat politike në të cilat ne besojmë. Përveç organizimit me shkollën politike, ata kanë organizuar edhe klubin e librit e shfaqjen e filmave dhe dokumentarëve. Kjo është bërë gjithnjë për të vënë në pah faktin që puna për barazi e drejtësi, shoqëri më të emancipuar, e shtet funksional nuk kryhet pa qenë së pari të vetëdijshëm për politikat që kanë shkaktuar një shtet jofunksional e një shoqëri që nuk pranon mendimin ndryshe.

Demokracia, liria e fjalës e mendimit, syri analitik e kritik për rrethanat tona janë forcë shtytëse për punën që e bëjmë me aktivistët tanë. Kjo punë me aktivistët duhet të vazhdojë edhe në aspektin lokal në krijimin e ambientit më të mirë në lagjet urbane e fshatrat tona.

Për ta arritur këtë, garimi ynë në nivelin lokal, duhet të jetë me ekip, të përgatitur e adekuat, ndarë në fushat e dikasteret që mbulojnë. Ata, në rastin më të keq, duhet të tregojnë që janë diametralisht më kompetentë e të informuar sesa ekuivalenca e tyre në ekzekutivin lokal. Profesionisti ynë për bujqësinë, ta zëmë, duhet ta njohë këtë fushë, minimumi më mirë sesa drejtori aktual i bujqësisë në komunën ku ne nuk jemi duke qeverisur.

Si model për sukseset lokale, nuk kemi përse të shkojmë diku tjetër. I kemi në shtëpinë tonë, i kemi këtu, me neve. Pra i kemi katër kryetarët shembullorë të komunave, pesë kryetarët tanë me Erden Atiqin në Mitrovicën e veriut, gjashtë kryetarët tanë me Lulzim Hetemin në Leposaviq, të cilët janë shembull në qeverisje, janë edhe shembull organizimi për fitoret e arritura në pranverën e vitit 2021. Pra Gjilani, Besiana, Kamenica dhe Shtimja janë komuna të cilat duhet të analizohen e studiohen me kujdes dhe dashamirësi nga të gjithë aktivistët tanë anembanë qendrave të Kosovës. Njohës të mirë të problematikave të qytetarëve, ofrues të mirë të zgjidhjeve të problemeve, besues mjaftueshëm në kauzën që besuan e të pandalshëm në punë, prandaj dhe fitues dje e drejtues të suksesshëm komunash sot. Këtë model të kryetarëve tanë, të komunave në Kosovë duhet ndjekur dhe për këtë duhet punuar tejmase të gjithë aktivistët e VETËVENDOSJE!-s.

Në këtë kuadër, atë të përgatitjeve për nivelin lokal, ne tashmë kemi filluar takimet e para me drejtuesit tanë të qendrave, drejtuesit në qendra të dy strukturave të reja GVV dhe RVV, drejtuesit e grupeve të këshilltarëve komunalë. E përmes bisedave të hapura e produktive dhe projekteve bashkëpunuese edhe me palë të treta siç janë organizata të ndryshme me të cilat bashkëpunojmë si Lëvizje, do të kemi një pasqyrë reale të situatës organizative në qendra, por edhe situatës politike e gjendjes së përgjithshme në secilën komunë. Bashkërisht, do të vendosim më të mirën, për të patur nesër alternativën më të mirë qeverisëse lokale, që e duan dhe iu duhet qytetarëve tanë. Është e domosdoshme që qeverisja që po e karakterizon nivelin qendror të përcillet e degëzohet në komuna, në nivelin lokal. Vetëm kështu, ndryshimi i gjithmbarshëm e progresi shoqëror, do të marrë drejtimin e duhur dhe qytetarët pa pengesa do të marrin trajtimin adekuat të shqetësimeve që hasin në përditshmërinë e tyre.

Gjatë vitit 2023, dy strukturat e reja të Lëvizjes, që porsa përmenda, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE! kanë shënuar progres shumë të mirë.

Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur dhuna ndaj grave dhe vajzave po shfaqet në forma më tmerruese të mundshme. Ndryshimi thelbësor dhe i domosdoshëm i shoqërisë nuk mund të arrihet nga lart-poshtë, por nga poshtë-lart, përmes organizatave të cilat bashkojnë dhe mobilizojnë gratë dhe vajzat aktiviste, sikurse Gratë për VETËVENDOSJE!.

Qeverisja dhe niveli i lartë, në fakt është vetëm infrastrukturë e ndryshimeve që vijnë nga poshtë sepse nga poshtë vjen edhe demokracia edhe e vërteta.

Të dashur aktivistë e aktiviste, por me këtë rast posaçërisht po iu drejtohem aktivistëve që ta kenë parasysh, se në shoqërinë tonë, por jo vetëm, kur gratë kanë sukses, ato janë përpjekur e munduar dyfish në shumë se burrat e shpesh edhe përkundër tyre. Ndërkaq, kur burrat kanë sukses ata zakonisht janë ndihmuar nga gratë. Prandaj, teksa punojmë për të realizuar dhe festojmë të arriturat, le të kemi këtë gjë, të gjithë së bashku, secili prej nesh, parasysh.
Edhe Rinia për VETËVENDOSJE! ka shënuar progres të rëndësishëm në vitin e saj të parë të funksionimit. Energjia dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm i anëtarëve të kësaj strukture të re, na ka bindur plotësisht se të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja e Kosovës, por e tashmja e saj.

Një ndër prioritetet e RVV-së ka qenë krijimi i një ambienti të hapur për diskutime të lira dhe ide inovative. Njëkohësisht, ajo i ka dhënë fokus të veçantë procesit të anëtarësimit në Organizatën e Rinisë Socialiste Ndërkombëtare (IUSY) dhe Rininë Evropiane Socialiste (YES). Sivjet ka vendosur dhe konsoliduar kontaktet me të dy organizatat, me shpresë që viti 2024 do të sjellë rezultate konkrete.

Për bindjen time, suksesi më i madh i RVV-së gjatë këtij viti, ka qenë organizimi i Konferencës së Rinisë “ANAMORAVA 2023”. Kjo konferencë ka bashkuar të rinj nga i gjithë vendi për të diskutuar çështje të rëndësishme politike, shoqërore, ekonomike, kulturore, kombëtare. Diskutimet dhe panelet kanë ofruar një platformë për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e strategjive inovative për të ardhmen e vendit tonë të përbashkët.

Mes të arriturave më të rëndësishme të Lëvizjes sivjet kanë qenë edhe ato të Sekretariatit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Së pari, me datë 19 janar të këtij viti, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka formalizuar zyrtarisht bashkëpunimin me social-demokratët e Zvicrës, duke nënshkruar një memorandum bashkëpunimi në Cyrih. Në të njëjtën kohë, janë intensifikuar diskutimet për të formalizuar bashkëpunimin edhe me partinë social demokrate në Austri, si dhe me SPD-në e Gjermanisë.
Në anën tjetër, janë dërguar mbi 30 letra zyrtare apo telegrame drejt social demokratëve anembanë botës.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe Lëvizja jonë ka qenë pjesëmarrëse në disa organizime jashtë vendit, më se shumti ndonjëherë, e nga të cilat më të rëndësishmet janë:

  • Kongresi i Internacionales Socialiste në Madrid,
  • 2 vizita në Zvicër,
  • Kongresi i 80-të i PS-së në Marsejë të Francës,
  • Akademia rajonale “Anti Korrupsion” në Slloveni,
  • Pjesëmarrja në Friends of Western Ballkans në Selanik të Greqisë,
  • Pjesëmarrja në kampin veror të LSDM në Ohër,
  • Takim me SPD në North Rhine-Westphalia të Gjermanisë,
  • Konferenca vjetore e Laburistëve në Liverpool të Mbretërisë së Bashkuar,
  • Mbledhja për Ballkan nga Internacionalja Socialiste në Tiranë,
  • Forumi Socio-Ekologjik në Shkup të Maqedonisë së veriut,
  • Kongresi i PES (Party of European Socialists) në Malaga të Spanjës,
  • Seminari apo mbledhja e grupit parlamentar të parlamentit Evropian, S&D, me temën “Zgjerimi i BE” në Bruksel,
  • Kongresi i PS të Shqipërisë në Tiranë,
  • Kongresi i SPD-së së Gjermanisë në Berlin, dhe
  • PES – mbledhja para-përgatitore me liderët e BE-së për Këshillin Evropian, në Bruksel.

Në secilën nga këto vizita jashtë vendit, përveç aktiviteteve kryesore janë zhvilluar edhe takime të tjera me social-demokratët nga rajoni dhe më gjerë.
Në këtë rast duhet të falënderojmë posaçërisht aktivistët tanë në mërgatë dhe bashkatdhetarët tanë në përgjithësi, të cilët po luajnë një rol tejet të rëndësishëm për afirmimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Evropën Perëndimore e më gjerë. 10% e anëtarësisë tonë janë në mërgatë, dhe ata kanë rol të madh edhe për Lëvizjen tonë, ashtu siç kanë për shtetin e për kombin tonë, dhe që të gjithë, natyrisht i mirëpresim me padurim për këto festa të fundvitit.

Gjatë kësaj periudhe është intensifikuar diskutimi me Internacionalen Socialiste ku edhe kemi parashtruar kërkesën tonë për avancim të statutit tonë.
Më 12 tetor të këtij viti, në mbledhjen e Kryesisë së PES-it, është votuar në parim PËR anëtarësinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Vetëm një muaj më vonë, në Kongresin e Përgjithshëm të këtij rrjeti, në Malaga të Spanjës, u votua dhe u miratua anëtarësimi i Lëvizjes.

Sikurse çdo vit, kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me organizatat ndërkombëtare të cilat veprojnë në Kosovë, e posaçërisht sikurse FES, NDI dhe IRI. Përmes këtij bashkëpunimi kemi përfituar një numër të konsiderueshëm të punëtorive, akademive dhe organizimeve të tjera.

Në zyrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kemi pritur disa delegacione nga jashtë si: delegacioni nga SPD-ja e Gjermanisë, delegacioni i SP-së Zvicrës, grupe gazetarësh nga Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Kanadaja të cilët kanë shërbyer për mediat prestigjioze si BBC e New York Times, drejtoren ambasadore të NDI për Kosovë, drejtorin e FES për Kosovë dhe drejtorin rajonal të FES, si dhe drejtorin rajonal për Evropë dhe nënkryetarin e IRI.

Siç e kam përmendur më herët, një ndër detyrat kryesore të çdo anëtari të Lëvizjes sonë është për të komunikuar, në mënyrën më të qartë dhe të drejtpërdrejtë të mundshme, të arriturat e Qeverisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Kur flasim për të arriturat e Lëvizjes sonë në vitin 2023, pra nuk mund të lihen anash arritjet e Qeverisë sonë. Me 14 shkurt 2021, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shënuar një fitore historike, të paparë në Kosovën e pasluftës, me dy premtime: drejtësia dhe punësimi. Ose, me fjalë të tjera: avancimi i demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut në njërën anë, dhe zhvillimi socio-ekonomik që rritjen e shpërndanë për të gjithë qytetarët, në anën tjetër.

Tash, në fund të vitit 2023, pas dy të tretave të mandatit tonë katërvjeçar, sukseset e Qeverisë sonë në këto dy drejtime janë më të dukshme e të pranishme se kurrë më parë.

Për sa i përket drejtësisë: Këtë vit, dogana ka iniciuar 83 kallëzime penale apo 43.1% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Pra, ne krahasohemi me veten tonë në vitin që shkoi, ndërkohë që jemi të pakrahasueshëm me qeveritë para nesh. Prej fillimit të mandatit deri tash, 30.6 milionë euro mall janë konfiskuar nga operacionet e Doganës së Kosovës. 34 rrugë ilegale janë mbyllur, prej tyre 26 në veri të vendit. 16 laboratorë të drogës janë shkatërruar, 9 prej tyre po ashtu në veri. Mbi 2.2 tonë substanca narkotike janë konfiskuar dhe mbi 14 milionë euro janë sekuestruar nën dyshimin e keqpërdorimeve dhe shpëlarjes së parave.

Progresi ynë në fushën e drejtësisë është konfirmuar edhe nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë. Gjatë mandatit tonë, jemi përmirësuar për 20 vende në Indeksin e Luftimit të Korrupsionit të Transparency International dhe 22 vende në Indeksin e Lirisë së Mediave të Reporters Without Borders. Jemi të parët në Ballkanin Perëndimor për Demokraci Elektorale sipas V-Dem Institute, si dhe të parët në Ballkanin Perëndimor, të dytët në Evropë dhe të tretët në botë për përmirësim në të drejtat politike dhe liritë civile sipas Freedom House.

Sivjet kemi shënuar progres të dukshëm edhe në kornizën legjislative për drejtësi. Amendamentet kushtetuese dhe Projektligji për Vetingun në Drejtësi u finalizuan. Janë miratuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar dhe Ligji i ri për Prokurorinë Speciale të Kosovës për luftën kundër korrupsionit. Me zbatimin e këtyre ligjeve, lufta jonë kundër korrupsionit, sidomos në sistemin e drejtësisë dhe mes zyrtarëve të lartë politikë, do të kalojë në një nivel edhe më të lartë.

Progresi ynë në fushën e drejtësisë, veçse e ka fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit. Anti korrupsionin e kemi bërë rritje, lirinë e kemi bërë zhvillim. Individët dhe bizneset janë më të gatshëm të paguajnë tatime, kur e dinë se paratë e tyre do të shpenzohen për të mirën e vendit dhe kurrsesi për të mbushur xhepat e politikanëve të korruptuar dhe familjarëve të tyre. Po ashtu, kompani të huaja janë më të gatshme të investojnë në Kosovë, kur e dinë se nuk do të detyrohen të paguajnë ryshfet për të bërë biznes në vendin tonë.

Nuk është për çudi, pra, që ekonomia e Kosovës është më e fortë se kurrë, pavarësisht krizave të shumëfishta, si për bizneset, ashtu edhe për familjet dhe qytetarët e thjeshtë. Qarkullimi i bizneseve gjatë periudhës janar–tetor 2023 ka arritur në vlerën 15.83 miliardë Euro, 6.9% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Pra, ne krahasojmë vitin tonë me vitin tonë të kaluar, dhe identifikojmë po ashtu sukses të dukshëm, progres të vazhdueshëm. Vlera e mallrave në eksport për periudhën janar–nëntor 2023 ka qenë 756.9 milionë €, e le ta krahasojmë këtë me vitin 2019, 441 milionë euro më shumë ose 139%! Përqindjet te qeverisja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë kuptim veç kur e krahason vitin tonë me vitin tonë, përndryshe si të shkosh me krahasu me diku atje 2019, 2018 e teposhtë, shkon 100 e sa përqind, 200 e sa përqind kjo tregon ku kemi qenë dhe kjo tregon se sa shpejt e shumë po ecim përpara.

Në mandatin tonë deri tash, raporti i eksporteve ndaj importeve është rritur nga 1 me 9 në 1 me 6, vetëm brenda mandatit tonë. Në vendet e tjera të zhvilluara, qeveritë për mandatin e tyre përpiqen, së pari të mos bëhet me keq, preokupim kryesor e kanë mos me u bë më keq, e mandej të kenë përmirësime inkrementale minimale, ndërkohë që shihni shifrat e qeverisjes tonë, më pak se tre vjeçare.

Është dyfishuar edhe numri i të rinjve të punësuar, ku në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona, të rinj, kurse në fund të korrikut 2023 numri i të rinjve të punësuar ishte 60,884, më shumë se dyfish brenda një mandati. Ma gjeni një qeveri, jo në Ballkan po edhe në Evropë që e dyfishon, që ma shumë se e dyfishon punësimin e të rinjve, brenda një mandati, për vetëm dy të tretat e mandatit.

Mbrëmë, e morëm të gjithë lajmin e mirë se, me votat e deputetëve të mazhorancës, grupit tonë parlamentar, kemi përmbushur edhe një premtim të kamotshëm tonin, duke miratuar Projektligjin për Fondin Sovran. Me themelimin e këtij Fondi, do të kalojmë nga një sistem i privatizimit të aseteve shtetërore, sistem i cili më shumë ka shërbyer interesat e ngushta të individëve të pushtetshëm, në një institucion që punon për interesat e përgjithshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Fondi Sovran do t’i forcojë ndërmarrjet publike, do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend dhe do të shtojë qarkullimin e kapitalit investiv në ekonominë tonë.

Për dy dekada pas luftës, ekonomia e Kosovës, burimet e saj janë shndërruar në plaçkë për zhvatje, me një proces brutal privatizimi të shkapërderdhjes centrifugale. Nga ky proces i dy dekadave centrifugë po kalojmë në fazën centripetale, ku vendi ynë edhe ekonomikisht, jo vetëm historikisht, politikisht, kulturalisht, do të peshoj rëndë, gjithnjë e më rëndë. Pra, nga një tendencë dy dekadëshe centrifugale, Fondi Sovran është thelbi i kalimit në fazën centripetale, ku rritet graviteti i vendit tonë edhe si ekonomi kombëtare. Ne do të jemi shembull për këtë, për të gjithë shqiptarët në Ballkan, do të jemi shembull edhe për shtetet e qeveritë e tjera, jo vetëm në kontinentin tonë. Pra, kalimi nga centrifugalja dy dekadëshe në një ekonomi ku rritet graviteti i saj në shtetin tonë. Fondi Sovran e bënë reversibil procesin e shkapërderdhjes ekonomike që ka ekzistuar në të kaluarën.

Me politikat tona pro-zhvillimore, të hyrat buxhetore gjatë periudhës janar–nëntor 2023 kanë arritur vlerën prej 2.6 miliardë eurosh, 340 milionë Euro ose 15% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. A e kuptoni, ne po e tejkalojmë veten për 15%. Në vendet e tjera, qeveritë as ëndërr se shohin dot ta bëjnë brenda mandatit të tyre 15% më shumë se qeveria paraprake në vendin përkatës. Ne, year on year, vit pas viti, këtë vit kemi 15% më shumë të hyra sesa vitin e kaluar. Po i them këto sepse, nuk transmetohen, siç e dini ju. Për rrjedhojë, buxheti ynë për vitin 2024, i miratuar këtë javë në Kuvend, ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, i cili paraqet buxhetin më të lartë që ka pasur Kosova ndonjëherë. Gjithsej, nga fillimi i mandatit në vitin 2021, buxheti është rritur për 860 milionë euro apo 35%. 2021 – 2024, për tri vjet, 35% buxhet shtetëror më shumë!

Këta para neve, e mbani në mend se nuk keni qysh mos me e mbajtë në mend, se e kemi përjetuar të gjithë në lëkurën tonë, në mendjet tona e në kockat tona, pasuroheshin individët dhe tash i ka kapur sikleti pse po pasurohet shteti, se këta janë mësuar individët me u pasuru nga qeverisja. Me neve nuk ndryshojnë kontot individuale por buxheti shtetëror.

Viti i ardhshëm është viti i parë ku do të arrihet shifër dyshifrore, miliardëshe e BPV, do të kalohen 10 miliardë euro. Në vitin 2020 që ka qenë vit pandemik BPV ka qenë 6.78 miliardë, që i bije një rritje prej 50% e BPV, ndërkaq krahasuar me vitin para pandemik, ku ishte rreth 7 miliardë, i bije 40% rritje e BPV për vetëm 5 vjet. Ma gjeni një vend tjetër, jo vetëm në rajonin e Ballkanit, ku BPV i shtetit, rritet 40% për 5 vjet? Pra, me neve pasurohet shteti, pasurohet kombi, jo individët e veçantë, por individët qytetarë të shtetit tonë, në kuptimin universal të fjalës, e jo partikular oligarkik të fjalës. Prandaj edhe ekziston ky kundërshtim ndaj këtij progresi sepse ekziston një pakicë që po humb shumë, por ne jemi që shumica të fitojë gjithnjë e më shumë. Kjo është qeverisja edhe e mirë, edhe e drejtë, edhe demokratike e juaja, e jona, e qytetarëve, e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Të dashur anëtarë,

Këto janë të arritura, për të cilat ne të gjithë duhet të jemi krenarë, duhet t’i theksojmë e t’i afirmojmë ato. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë kurrë, se edhe rritja e të hyrave edhe buxheti në vetvete nuk janë vlera të vetëmjaftueshme. Përkundrazi, janë vetëm mjete për t’u ri-investuar në ekonominë dhe shoqërinë tonë, për të mirën e të gjithëve dhe sidomos për ata të cilët kanë nevojë më së shumti. Në një shtet demokratik, qytetarët kanë të drejtë ta dinë se si po i harxhojmë paratë e tyre. Dhe ne, si Qeveria e tyre, e kemi për detyrë për t’iu treguar atyre.

Së pari, deri më sot, Qeveria jonë, me vendime ka shpërndarë 842 milionë euro drejtpërdrejt te qytetarët dhe te familjet e Kosovës. Në këtë shifër përfshihet pakoja më e madhe mbështetëse në rajon, sipas Bankës Botërore, për të ndihmuar qytetarët në përballje me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje të Bruto Produktit Vendor. Këtë vit kemi ndarë gati 3 milionë euro për përmirësimin e kushteve të banimit për komunitetet joshumicë në gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale. Dhe këtë muaj, do të shtojmë edhe një subvencionim prej 100 eurosh për secilin fëmijë deri në moshën 16 vjeçare, si dhe për secilin pensionist në Republikën e Kosovës.

Në lidhje me këtë, si Lëvizje duhet të jemi shumë të qartë për një gjë: ata që i denigrojnë këto subvencionime si harxhim i kotë i buxhetit të shtetit, nuk i kuptojnë nevojat e fëmijëve e pensionistëve, të nënave e studentëve, të qytetarëve të vendit tonë, dhe as që i kanë prioritet ato. Ata që i quajnë shtesat për fëmijë “lëmosha”, nuk e kuptojnë obligimin tonë shoqëror për të lehtësuar sadopak barrën e rritjes së një familjeje, barrë e cila bie disproporcionalisht mbi nënat. Ata as nuk e kanë prioritet pavarësinë financiare të grave, 90 mijë prej të cilave kanë hapur llogari bankare për herë të parë në emrat e vet, vetëm për shkak të këtyre shtesave. Që secili fëmijë dhe secili pensionist të përfitojë 100 euro më shumë gjatë festave të fundvitit, falë rritjes sonë rekorde ekonomike dhe buxhetore, nuk quhet lëmoshë por quhet drejtësi.

Përveç mbështetjes së familjeve dhe qytetarëve të thjeshtë, Qeveria jonë në vitin 2023 ka vazhduar të mbështesë bizneset e Kosovës. Kemi miratuar Strategjinë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030 dhe kemi arritur marrëveshje për qasje në fondin 4.2 miliardë euro të BE-së për sektorin privat për vitet 2021–2027. Po ashtu, kemi përkrahur biznese përmes miratimit të ligjeve të reja dhe mbështetjes financiare për 418 biznese dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.

Njëkohësisht, kemi ofruar subvencionime për bizneset e vendit për të rritur nivelin e punësimit në sektorin privat. Nga masa “Qeveria për Familjet” gjatë periudhës janar–tetor 2023 janë ndërmjetësuar 1,365 punëkërkues. Nga masa “Mbështetja për punësim të grave”, e cila është rihapur në dhjetor 2022, kanë përfituar 522 gra. Dhe përmes skemës Superpuna, janë punësuar 8,496 të rinj (4,311 vajza dhe 4,185 djem) në gjithsej 6,401 biznese.

Edhe në fushën e bujqësisë, mbështetja nuk ka munguar. Gjatë mandatit tonë është rritur deri në 216% përkrahja me subvencione. Dhe sivjet është hartuar dhe miratuar Programi për Pagesa Direkte për vitin 2023, me aplikimin e 32,728 fermerëve, të cilëve pritet t’u shpërndahen 60.6 milionë euro në mbështetje.

Viti 2023 ka qenë vit i infrastrukturës së transportit. Kemi nisur projekte infrastrukturore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, siç janë hekurudha Prishtinë–Durrës, rruga Prizren–Tetovë dhe projektet rrugore që lidhin Kosovën dhe Malin e Zi, Pejë-Rozhajë dhe Deçan-Plavë. Njëkohësisht, kemi vazhduar me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve brenda Kosovës, siç janë autostrada Gjilan–Prishtinë, rruga Prishtinë–Podujevë, rruga Prishtinë–Mitrovicë dhe rrugë në veri të vendit.

Viti 2023 ka qenë po ashtu vit i madh për kulturën, rininë dhe sportin, një vit në të cilin u rikthye festivali i këngës në RTK; Kosova u shpall nikoqire e Lojërave Mesdhetare 2030, ngjarja më e madhe multi-sportive në historinë e vendit tonë, e ku do të marrin pjesë shtatë komuna të Kosovës me në krye Prishtinën, dhe Durrësi; si dhe vendi ynë u anëtarësua në asociacionin për të rinjtë EYCA, i cili do të sjellë benefite, brenda dhe jashtë Kosovës, për të gjithë të rinjtë tanë deri në moshën 30.

Investime dhe reforma kyçe kemi bërë në tre prej sektorëve që janë dëmtuar më së shumti nga dy dekada të keqqeverisjes e të zhvatjes: energjia, shëndetësia dhe arsimi. Në vitin 2023, kemi ecur përpara në rrugën e gjatë të rehabilitimit të këtyre sektorëve.

Sektori i energjisë nuk mund të rehabilitohet pa investuar në përmirësimin e sistemit ekzistuese të transmetimit, në burime të reja të energjisë, sidomos ato të ripërtëritshme, si dhe në rritjen e efiçiencës energjetike. Gjatë vitit 2023, Qeveria ka shënuar progres në të gjitha këto drejtime. Kemi arritur marrëveshjen prej 61 milionë Euro me Bankën Gjermane KfW për Parkun Solar 100 MW në KEK, si dhe me BERZh për Projektin e Ngrohtores Solare në Prishtinë në vlerë prej 23.2 milionë euro. Pastaj, është aprovuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë me KOSTT dhe KfW për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë, faza VII”, i cili e ka për qëllim përmirësimin e sistemit të transmisionit në Kosovë. Për të parandaluar dhe lehtësuar kriza energjetike në të ardhmen, kemi investuar 30 milionë euro në efiçiencën energjetike, duke përfshirë 10 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve për blerjen e pajisjeve shtëpiake dhe të ngrohjes.

Në fushën e shëndetësisë, këtë vit kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm për të ndalur keqpërdorimet në tregun e barnave, duke miratuar Ligjin për çmimin e produkteve medicinale në Kosovë. Ky ligj synon të mbrojë qytetarët nga çmimet e larta të barnave dhe të ofrojë qasje të përballueshme në ilaçe. Kemi përditësuar Listën e Barnave Esenciale me buxhetin e dyfishuar për 60 milionë euro, duke përfshirë 70 produkte të reja dhe rritjen e buxhetit për Kujdesin Shëndetësor. Dhe kemi investuar mbi 5 milionë euro në pajisje dhe autoambulanca, për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet shëndetësore, si dhe për të reduktuar listat e pritjes nëpër spitale.

Në fushën e arsimit, në vitin 2023, kemi miratuar Ligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë, i cili rregullon edukimin cilësor nga lindja deri në moshën 6-vjeçare, si dhe e bën të obligueshëm atë nga 2024. Kemi vazhduar përmirësimin e infrastrukturës arsimore, me çerdhe të reja, shkolla e salla të edukatës fizike, rinovim dhe furnizim me inventar dhe pajisje të shumta për shkolla dhe salla sportive. Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite, janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Për 17 vjet në Kosovë janë ndërtuar 4 çerdhe, në periudhën 2003-2020. Nga marrja e mandatit tonë 2021 e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon:

-4 çerdhe të përfunduara,
-26 në proces të punës,
-3 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës, dhe
-8 çerdhe në proces të tenderimit

Sipas kësaj i bije që 850% më shumë çerdhe janë në proces të ndërtimit ose të ndërtuara në periudhën 2021-2023 sesa në periudhën 2003-2020. A po e kuptoni tash se cila është kritika që na bëhet? Ata nuk mund të flasin për vete, prandaj edhe shpifin për neve.

Mbi të gjitha e kemi rritur numrin e bursave, ne kemi nevojë që sa më shumë qytetarë të studiojnë, të mësojnë, të bëjnë kërkime shkencore, të ngriten profesionalisht e intelektualisht, e sidomos vajzat. Bursat STEM për vajza, për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, ja si janë ngritur në mandatin tonë, se më herët nuk mund të krahasohemi. 1365 bursa në vitin 2021, në vitin 2022 për vajzat në STEM, 1383 bursa, dhe, sivjet për vajzat që studiojnë në STEM, 1882 bursa. Para neve, secilin vit, zero. Pra gjithsej në 2021-2023, 4630 bursa vetëm për vajza në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, pra për vetëm 3 vjet, e më përpara, për më shumë se 20 vjet, zero!

Ne jemi të përqendruar, me ndihmën e mërgatës tonë, të dijes së tyre dhe përvojës së tyre në lidhjen e tregut të punës me arsimin profesional, dhe kemi shtrirë programin e arsimit dual te 12 profile në 21 shkolla, te 14 komuna, me 920 nxënës. Ashtu që për një diplomë shkolle të ketë një vend pune, e jo të kemi punëtor pa asnjë diplomë e certifikatë, e në anën tjetër aq shumë të diplomuar të papunë. Urëzimi midis tregut të punës dhe arsimimit profesional është jetik për ekonominë dhe për shoqërinë e vendit tonë.

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,

Pas sulmit terrorist e kriminal të 24 shtatorit të sponsoruar dhe të orkestruar nga Serbia dhe rënies së rreshterit të policisë, heroit të Kosovës, Afrim Bunjakut, nuk ka sektor më të rëndësishëm sesa ai i sigurisë, prej kërcënimeve të jashtme si dhe të brendshme. Për këtë arsye, Qeveria jonë sivjet ka investuar gjithsej 200 milionë euro për mbrojtjen e vendit, një shumë që tejkalon 2% të Bruto Produktit Vendor, duke plotësuar kriterin për shtetet anëtare të NATO-s. Forca e Sigurisë së Kosovës, gjatë vitit 2023, ka realizuar 198 trajnime dhe 22 ushtrime fushore, si dhe ka bërë blerje strategjike ushtarake prej 30 milionë euro. Dhe, për të forcuar edhe më tej sigurinë e vendit, kemi rekrutuar 850 policë të rinj, me 500 rekrutë të rinj të paraparë për vitin e ardhshëm 2024, si dhe 629 ushtarë të rinj, me 600 rekrutë të rinj për ushtrinë tonë të paraparë për vitin 2024.

Bashkë me këto investime në sektorin e sigurisë, Kosova në vitin 2023 ka shënuar progres të jashtëzakonshëm në forcimin dhe përmirësimin e statusit dhe pozitës ndërkombëtare të shtetit tonë. Sivjet, ka ecur përpara aplikimi ynë për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ku Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka votuar pro anëtarësimit tonë me 24 prill. Dhe, me 18 prill 2023, pra më pak se një javë para kësaj date, procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën përfundoi me sukses: prej 1 janarit të vitit 2024, qytetarët tanë, më në fund, do të gëzojnë lëvizjen e lirë në Bashkimin Evropian. Pra, përveç se ne plotësojmë zotimet e premtimet tona, qeveria jonë është ajo që i plotëson edhe premtimet e zotimet e rrejshme të atyre para neve. Ata flisnin e bërtisnin duke shpifur e u zotuar për gjëra qe nuk realizoheshin asnjëherë, ndërkohë që ne zotohemi dhe i plotësojmë ato tonat, por për të mirën e qytetarëve edhe kur ka pasë ndonjë zotim të mirë të atyre të këqijve, ne gjithashtu e plotësojmë.

Nuk e kemi lënë anash as mërgatën tonë: ambasadorët dhe përfaqësuesit tanë të përditshëm nëpër vendet ku jetojnë. Sivjet kemi vazhduar programin “Citizen Diplomacy Fellowship”, përmes të cilit dhjetëra profesionistë të rinj nga mërgata angazhohen dhe kontribuojnë në institucione vendore. Këtë vit po ashtu është mbajtur edicioni i parë i Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, në të cilin u shkëmbyen ide inovative të përfshirjes dhe angazhimit të mërgatës, duke dëgjuar edhe praktikat më të mira nga vende të tjera demokratike nëpër botë.

Mbase e arritura më e madhe e Qeverisë në rrafshin ndërkombëtar sivjet, ka qenë Marrëveshja Bazike e datës 27 shkurt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bashkë me aneksin e zbatimit të datës 18 mars. Në qeveri të kaluara, flitej për ndarjen e Kosovës dhe nënshkruheshin marrëveshje të dëmshme për Kosovën që ishin edhe antikushtetuese e antiligjore, e të cilat Serbia edhe sot e kësaj dite insiston që të zbatohen. Në dialogun në Bruksel, unë nuk kam pasur e nuk kam vështirësi të cilat nuk janë trashëgimi e tyre. Por, me Qeverinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ne kemi arritur një marrëveshje të re, e cila flet për integritetin territorial të Kosovës si shtet sovran dhe i barabartë, dhe të cilën Serbia po refuzon ta nënshkruajë dhe mundohet vazhdimisht që t’i ikë, madje këtë javë edhe zyrtarisht e me shkrim siç e pamë nga Brukseli.

Të dashur anëtarë,

Pa u zgjatur më tepër, në fund të vitit 2023, është më se e qartë se kemi shumëçka për të gëzuar dhe për të festuar. Në vitin 2024 sigurisht do të kemi shumë e shumë suksese, të arritura e fitore të tjera e të reja. Por, siç kam theksuar më herët, na pret edhe punë, mund, djersë e angazhim. Le të jemi krenarë për sukseset tona. Por njëkohësisht, të mos e harrojmë kurrë rrugën e vështirë, dhe plot sfida, që kemi kaluar bashkë për të arritur aty ku jemi, si Lëvizje dhe si Qeveri, si aktivistë e si qytetarë, si përfaqësues e si zyrtarë.

Ju falemnderit shumë!

Kontribo