23 01 2018

Fjala e plotë e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar gazetarë, ju falemnderit që i jeni përgjigjur pozitivisht kësaj konference për shtyp.

Para një ore, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm më ka shpallur zyrtarisht kryetar të ri të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Gjatë 24 orëve pas shpalljes së rezultateve nuk ka pasur letërankesa për procesin zgjedhor të së dieles në të cilin u votua sipas parimit një anëtar – një votë. Unë i falenderoj të gjithë votuesit e së dielës, por edhe anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes sonë. Do të jem kryetar i të gjithëve, sepse do t’iu shërbej të gjithëve, vullnetit e interesit të përgjithshëm. Është nder dhe përgjegjësi për mua që të jem kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Siç e kemi thënë ngahera, do të jemi bashkë në organizim dhe bashkë në drejtim.

Në këtë muajin janar të vitit 2018, janë bërë një shekull, pra saktësisht 100 vjet, prej se Presidenti amerikan Woodrow Wilson pat shpalosur programin e tij 14 pikësh me të cilin elaboronte të drejtën për vetëvendosje. Në Konferencën e Paqes në Versaj, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, pikërisht përmes vetëvendosjes u pat shpëtuar Shqipëria nga copëtimi.

Lëvizja jonë që mban emrin e këtij koncepti liridashës për popujt, në vitin që lamë pas, u bë subjekti i parë politik në vend dhe grupi më i madh parlamentar në Kuvend. Qytetarët e Kosovës kanë shumë halle dhe presin shumë prej nesh. Ne duhet të jemi e do të jemi në nivel të detyrës për qytetarët, si në komunat ku qeverisim ashtu edhe në ato ku jemi në opozitë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, ku ndërrimi i qeverisë dhe qeverisjes, është dëshirë e shumicës së qytetarëve.

Platforma që kam prezantuar nuk hyn në fuqi automatikisht pse unë jam bërë kryetar me të. Kam marrur vërejtje dhe sugjerime të ndryshme nga anëtarët dhe ato duhet të trajtohen hapur dhe thellë në forumet tona. Demokraci do të thotë që cilido mund ta ketë fjalën i pari por asnjëri nuk mund ta ketë atë i fundit. Pas mendimeve e opinioneve, vijnë diskutimet e përballjet, e pas diskutimeve e përballjeve vijnë vendimet me shumicën siç e parasheh atë statuti dhe rregulloret tona.

Unë zotohem se do t’i përmbahem programit dhe statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Alternativës sonë Qeverisëse dhe rregullorëve tona të funksionimit, se do të punoj e angazhohem me dijen e me mendjen, me vullnetin dhe dashurinë që kam për Lëvizjen dhe për Kosovën, sepse kështu kam fituar besimin tuaj dhe për shkak se jam i bindur se jemi më të mirët e më të drejtët nga të gjitha subjektet politike në Kosovë (dhe jo vetëm).

Ju falemnderit.

Kontribo