Fjala e plotë e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, në konferencën për medie të mbajtur sot me datë 15 nëntor 2020
Në javën që lamë pas, në Hagë, në atë që po e quajmë Gjykatë Speciale, u paraqitën dhe thanë fjalët e tyre hyrëse ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, ish Drejtori i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, ish Drejtuesi i Shërbimit Inteligjent të UÇK-së, Kadri Veseli dhe ish Inspektori i Përgjithshëm i UÇK-së, Rexhep Selimi.
Ne kemi folur gjerë e gjatë për Gjykatën Speciale në këto shtatë vjetët e fundit dhe nuk ka nevojë të përsëritemi këtu. Kosova ka pasur vazhdimisht gjykata speciale, njëherë UNMIK-un e Tribunalin e Hagës, pastaj EULEX-in, edhe prokuroria e gjykatat në Kosovë përgjithësisht kanë qenë bukur speciale me pasivitetin e tyre, por kjo gjykata e fundit tash, sërish në Hagë, sigurisht se është më specialja.
Jo çmimin e lirisë, por çmimin e gabimeve politike jemi duke e paguar tani. Në njërën anë, UÇK-ja është lënë jashtë Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës, ndërkaq, në anën tjetër, kjo Gjykatë e cila ju sipërvendos shtetit, me votat e 82 deputetëve u pranua të bëhet pjesë përbërëse e Kosovës përmes amendamentimit të kushtetutës më 3 gusht të vitit 2015.
Sigurisht se është Gjykatë e padrejtë dhe e njëanshme në raport me UÇK-në si palë dhe me etninë tonë shqiptare si përkatësi. Ngrehina e kësaj gjykate shkon kundër kujtesës sonë individuale e kolektive, kundër përvojës sonë njerëzore e politike.
Në veçanti, sot, po ndalem në dy elemente të rëndësishme të aktakuzës kundër Krasniqit, Thaçit, Veselit e Selimit.
Ajo çfarë pretendon prokuroria në aktakuzë është se në UÇK ka ekzistuar një grup kriminal përbrenda, me shprehjen që ia përcakton kjo prokurori si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Pra, njëfarë strukture paralele kriminale brenda UÇK-së, thua se kemi pasur edhe UÇK edhe NPK! Edhe Ushtri Çlirimtare të Kosovës edhe njëlloj Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale aty. Prokuroria e ka gabim. Nuk ka pasur strukturë të tillë paralele kriminale. UÇK-ja kishte Shtabin e Përgjithshëm dhe Drejtoritë përkatëse, Zyrën e Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik, Adem Demaçi, Zonat Operative, brigadat e batalionet e njësitë etj. që i dimë të gjithë, e jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon prokuroria. Ky lajmi më i ri në Kosovë, për njëfarë NPK-je brenda UÇK-së, nuk është i vërtetë.
Më tej, për ta vërtetuar kjo prokurori që paska ekzistuar kjo strukturë paralele të cilën e quan ndërmarrje e përbashkët kriminale, ajo natyrisht se është dashur të thotë se ka pasur një qëllim paralel. Insinuata për strukturën paralele nuk është e mundshme pa shpikjen e një qëllimi paralel. Prandaj, sipas prokurorisë, qëllimi nuk ishte më ai i UÇK-së e që është çlirimi i Kosovës, por qëllimi i kësaj ndërmarrjeje, i atij grupi, e i asaj strukture, na paska qenë të fitojë dhe ushtrojë kontroll gjithandej në Kosovë. Dhe, madje, kjo qysh nga marsi 1998. Po të thuhej që ndokush prej këtyre ka pasur për qëllim kontrollin në mars të vitit 2008 apo në mars të vitit 2018 edhe mund të besohet, por kurrsesi në mars të vitit 1998 siç pretendon prokuroria. Çlirimi ishte qëllimi, dhe jo fitimi e ushtrimi i kontrollit.
Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, por as nuk mund të mbrohen të pandehurit vetëm si individë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë se i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Me fjalë të tjera, kjo është edhe punë qeverie, kjo është sidomos punë qeverie. Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces. Mbrojtja dhe përfaqësimi duhet të bashkërendohen e të sintetizohen. Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme e cila që nga fillimi varej prej secilit deputet të Listës Serbe e që tash është veçse qeveri e pakicës që po tkurret përditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtojë as vetveten, se lëre më ndokënd tjetër. E keni parë se si preokupimi i saj në këtë muaj ishte eliminimi i Task Forcës kundër korrupsionit, e jo mbrojtja e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale.
Ne duhet të jemi bashkë për luftën tonë çlirimtare dhe kundër Serbisë e cila nuk na njeh sepse është e papenduar për krimet e kryera. Janë bërë shumë gabime në të kaluarën në Kosovë. Nuk kemi pse të bëjmë gabime të reja.
* * *
Pyetjet nga gazetarët:
G: A ju ka ftuar kryeministri Hoti për të biseduar rreth postit të presidentit për shkak se të premten e kaluar në Argument Plus ka paralajmëruar se do t’i ftojë partitë? Edhe një pyetje nëse ka mundësi, a keni biseduar me Ramushin ose me PDK-në për postin e presidentit?
AK: Ne konsiderojmë që nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti ose Presidentja e re duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Dhe kjo nuk mund të bëhet në kushtet kur kemi një qeveri të paligjshme. Unë nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kosova ka Ushtrues Detyre të Presidentit, pra, nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku 6 muaj teorikisht në bazë të Kushtetutës tonë. Por, pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri, dhe, qeveria e vjetër nuk e ka as legjitimitetin, as autoritetin, as kredibilitetin për iniciativa të tilla.
G: A pritet që zgjedhjet të jenë opsioni i vetëm dhe kur eventualisht mund të mbahen ato zgjedhje?
AK: Ne besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë meqenëse çdo ditë vonesë është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë. Jemi të interesuar që këto zgjedhje të jenë një orë e më parë, apo, siç thotë populli ynë: qysh dje. Por ju e dini që kjo nuk varet vetëm prej Lëvizjes VETËVENDOSJE! e cila ka si grup parlamentar 31 deputetë që janë të pamjaftueshëm pa të tjerë për ta shkaktuar zgjedhjet e reja nëpërmjet rrëzimit të kësaj qeverie.
G: Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para disa ditësh në një emision televiziv ju ka akuzuar juve dhe z. Haradinaj, po e citoj: “e kanë dëmtuar Kosovën në luftën diplomatike qoftë njëri, qoftë tjetri, janë treguar sylesh dhe të paaftë në atë luftë”. Cili është komenti juaj për këtë?
AK: Është e qartë, ka kohë që me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Ramën, ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përket presidentit të Serbisë. Pra, kjo është një pikë e rëndësishme në të cilën ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh e arsyesh unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria, nuk e kanë jo vetëm luksin, por as të drejtën që të dallojnë sa i përket Beogradit. Unë besoj që mospajtimet tona vijnë nga ky dallim. Dallimi thelbësor është te qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizojë në figurën e Milosheviqit. Kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar. Prandaj, edhe kryeministrit të Shqipërisë, por sidomos Kuvendit të Shqipërisë i bëjë thirrje që ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës rezolutën për dënimin e gjenocidit në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.
* * *
Njoftim nga Kryetari Albin Kurti:
Tash e tutje Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! do ta ketë si Ushtrues Detyre deputetin Liburn Aliu i cili do ta zëvendësojë Kryetarin tonë të Grupit Parlamentar, Rexhep Selimi. Ne nuk do të zgjedhim kryetar të ri, nuk kemi pse nxitohemi, ne e kemi kryetarin, Rexhep Selimin, por funksionalisht detyrën e tij do ta kryej tash e tutje Liburn Aliu. Këtë e kemi diskutuar dhe vendosur në Kryesi e në Grupin tonë Parlamentar. Përndryshe, unë dy herë në këto ditët e fundit kam biseduar me kryetarin e Grupit tonë Parlamentar, Rexhep Selimin, dhe ai të gjithë qytetarët, aktivistët e juve gazetarë ju përshëndet e ju bën të fala.