Fjala e sekretares organizative Vlora Haxhimehmedi në konferencë për media
Sapo kemi mbajtur mbledhjen me pëfaqësuesit e Qendrave të Lëvizjes. Aty u përqëndruam te rëndësia e zgjerimit dhe dinamizimit të mëtejshëm të organizimit tonë. Kjo ishte dhe mbledhja ime e parë si Sekretare Organizative, prandaj dëshiroj të falenderoj organizatën për besimin që më ka dhënë. Për më shumë, falenderoj strukturat tona organizative për angazhimin dhe punën gjatë vitit 2018. Vetëm këtë vit Lëvizja është rritur me 3000 anëtarësime të reja. Rëndësi të veçantë i japim angazhimit të gruas në Lëvizje. Njëkohësisht u bëjmë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që kërkojnë ndryshim në Kosovë që të na bashkohen.
Në synojmë që të gjithë këta anëtarë të rinj të bëhen më tej pjesë e strukturave tona organizative anekënd Kosovës dhe në mërgatë. Këtë mund ta bëjnë menjëherë, duke u përfshirë në zgjedhjet e pjesshme të brendshme që po mbahen për zgjerimin dhe konsolidimin e organizatë përgjatë muajit qershor.
Ky muaj, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është muaj që ia kemi dedikuar organizimit. Në këtë frymë, nga data 10 qershor deri në 17 qershor, do të zhvillojmë aktivitete për atë që e kemi titulluar: “Java e Lëvizjes”. Brenda Javës së Lëvizjes ka disa data shumë të veçanta. Ajo fillon më 10 qershorin, pra me shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, vazhdon me 12 qershorin, që përkon me 13-vjetorin e themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe përmbyllet më 17 qershorin, me përvjetorin lindjes së veprimarit, studiuesist dhe mendimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, i cili do t’i kishte bërë 75 vjet.
Java e Lëvizjes do të ketë diskutime publike e tribuna, aktivitete organizative, sociale dhe kulturore. Atë javë do të jemi të gjithë bashkë në organizim e për organizim, sepse vetëm organizimi çon para aspiratat tona progresiste dhe kombëtare. Programin e plotë të Javës së Lëvizjes do ta bëjmë publik shumë shpejt, dhe i ftojmë anëtarët e qytetarët të na bashkohen në të gjtiha aktivitetet që do të zhvillojmë.