02 11 2014

Fjalimi i Albin Kurtit në mbledhjen e XVII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,

Të dashur aktivistë të Lëvizjes sonë,

Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në këtë Mbledhjen e XVII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Lëvizja VETËVENDOSJE! gjithnjë ka qenë me qytetarët, në takime e tubime publike me ta, pa u shkëputur asnjëherë nga populli. Ne kurrë nuk e harrojmë që politikisht nuk ekzistojmë për vetveten tonë por për qytetarët që i përfaqësojmë e iu shërbejmë. Prandaj, edhe jemi subjekti i vetëm në Kosovë, që ballëhapur iu flet e i dëgjon qytetarët, u jep llogari e përgjegjësi qytetarëve dhe kërkon mendimin e tyre për situatën aktuale në institucionet dhe shoqërinë tonë. Anembanë Kosovës, me ftesë publike, në një vend publik, vijnë qytetarët që nuk janë publik yni por që marrin pjesë aktivisht në diskutime për qëndrimet e parimet, për strategjitë e zhvillimet politike. Kur s’ka Kuvend me demokraci atëherë së paku duhet të ketë demokraci edhe pa Kuvend.

Konteksti politik në Kosovë, që prej mbledhjes së fundit të Këshillit të Përgjithshëm, ka pasur tre elementë të rëndësishëm. Ato janë: 1) Ngjarjet mes shumicës parlamentare dhe qeverisë në ikje, si dhe ato përbrenda shumicës parlamentare; 2) Ngjarjet e korrupsionit në strukturat e larta të EULEX-it; 3) Ngjarjet rajonale, që pasuan ndeshjen e futbollit Serbi – Shqipëri.

Të nderuar pjesëmarrës të kësaj mbledhjeje,

1) Shumica parlamentare vazhdon të jetë e vendosur në kundërshtimin e çfarëdo bashkëpunimi me qeverinë. Lajmet e ndryshme me të cilat bombardojnë mediet e regjimit kanë për qëllim që të përhapin konfuzion te qytetarët dhe ta zbusin pozitën e pavolitshme të PDK-së dhe satelitëve të saj. Edhe Thaçi gjithashtu duket i vendosur për të mos e lëshuar qeverisjen. Ai ka keqpërdorur tashmë çdo institucion shtetëror të pavarur. Njëherë përdori kushtetuesen, pastaj kryesuesen dhe tani po përdor presidenten. Qeveria në ikje përherë e ka luftuar republikën parlamentare në Kosovë. Ajo e luftoi republikën përmes pazareve me Serbinë, privatizimit në ekonomi dhe korrupsionit në institucione. Kurse tash e lufton Kuvendin përmes Hasanit, Brovinës dhe Jahjagës. Këtë gjendje të bllokuar në përplasjen për konstituimin e parlamentit, duket se mund ta zgjidhë vetëm një ndërhyrje jashtë logjikës parlamentare. Thaçit i intereson që kjo ndërhyrje të jetë prej ndërkombëtarëve, prej ambasadorëve, prej të huajve, për kompromis. Ai nuk po thotë më se i ka numrat por po kërkon qeveri gjithpërfshirëse. Neve na intereson që ndërhyrjen jashtë-parlamentare ta bëjnë qytetarët, ose ta bëjmë ne si Lëvizje VETËVENDOSJE!. Sepse, neve na intereson demokracia, dhe na intereson sovraniteti. Mënyrat për të ndërhyrë qytetarët, janë ato që dihen: protestat dhe demonstratat. Mënyrat për të ndërhyrë ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE!, janë duke e bindur koalicionin LAN që të konstituojë Kuvendin dhe institucionet, pa marrë parasysh reagimin e PDK-së apo të Gjykatës Kushtetuese.Tash për tash, krerët e tjerë të shumicës parlamentare nuk besojnë që duhet bërë një zgjidhje siç propozojmë ne. Nëse ata vazhdojnë të hezitojnë, ka gjasë që të fitojë mbështetje interesi i Thaçit, pra që situata të zgjidhet me ndërhyrje prej ndërkombëtarëve. Edhe për një situatë të tillë, vlen fjalia ime e fundit në seancën e fundit të Kuvendit: Nëse qëndrojmë, fitojmë! Nuk e di nëse të tjerët do të qëndrojnë, besoj se edhe të tjerët do të qëndrojnë, dhe, është për t’u vlerësuar fakti se kanë qëndruar tash e gati pesë muaj. Sa i përket çështjes së kryeparlamentarit, kryeministrit dhe presidentit me emra të përveçëm ajo është një çështje e marrëveshjes së koalicionit LAN të bërë me 10 qershor e ku nuk ka marrur pjesë Lëvizja VETËVENDOSJE!. Pavarësisht që Gjykata Kushtetuese e kafshoi një të tretën e asaj marrëveshje, jam shumë optimist që koalicioni LAN nuk do të lëkundet nga ky shkak. Në anën tjetër, Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka me koalicionin LAN marrëveshjen e 10 shtatorit për kursin e ri të shtetit që paraqet marrëveshje më thelbësore e më përmbajtësore.

Të dashur aktivistë të VETËVENDOSJE!-s,

2) Ditët e fundit ju e keni lexuar nëpër gazeta dëshminë e një prokuroreje të EULEX-it. Denoncimet e saj na tregojnë edhe një herë atë që ne e kemi ditur përherë. Drejtësia nuk mund të importohet. Demokracia nuk mund të importohet. Ato duhet të ndërtohen nga vetë shoqëria, pasi vetëm shoqëria mund ta ndërtojë shtetin e saj. Për lirinë e Kosovës, së pari, gjakun e kanë derdhur shqiptarët, për dekada me radhë, e pastaj e morëm edhe ndihmën ndërkombëtare. Edhe luftën kundër korrupsionit vendor, sikurse edhe zhvillimin ekonomik, së pari duhet ta bëjmë ne, shqiptarët, pastaj të kërkojmë ndihmë nga të huajt. Janë përpjekur ta bindin popullin tonë se korrupsionin mund ta luftojnë vetëm të huajt, pasi ata na paskan vlera dhe etikë më të lartë se ne. Por edhe të huajt që erdhën këtu për të na sjellë drejtësinë, janë korruptuar. Sepse ata nuk i lidh me këtë vend atdhedashuria. Ne, që e duam këtë vend, ne do ta sjellim shtetin, drejtësinë, demokracinë, zhvillimin e mirëqenien për këtë vend. Sepse kështu ka bërë çdo vend i botës, dhe nuk mund të bëhet ndryshe. Më këtë Qeveri dhe me këtë EULEX, shteti i Kosovës po digjet pa eksplodim. Për djegien kujdeset qeveria, kurse për mungesën e ekplodimit EULEX-i. Veçse tash vetë EULEX-i po digjet e kjo qeveri po shkon.

Të nderuar delegatë të Lëvizjes,

3) Në mesin e muajin që lamë pas, në Beograd u shfaq edhe një herë ideologjia dhe struktura që sundon në Serbi. Ajo e racizmit, fashizmit dhe shovinizmit kundër shqiptarëve. Por, për të njohur këtë ideologji nuk na duhej loja e futbollit. Ne këtë e dinim si prej historisë po ashtu edhe prej luftës së fundit. Serbia vazhdon të refuzojë të kthejë të pagjeturit, të dënojë kriminelët, të kërkojë falje, të dëmshpërblejë. Në anën tjetër, është hipokrizi kur ata që kanë bërë çmos që të harrohet padrejtësia gjenocidale e luftës, tash bëhen patriotë për një ndeshje futbolli. Në këtë rast, është e domosdoshme të pohojmë karakterin emancipues të nacionalizmit tonë çlirimtar. Ne nuk i urrejmë serbët. Ne nuk jemi kundër asnjërit komb a etni. Ne jemi për çlirimin tonë, për drejtësi ndaj nesh, dhe për barazi me të tjerët. Kërkesa jonë has në qëndrimin kundërshtues dhe shkatërrues të Serbisë. Por, Serbia ka gjetur shpesh aleatë te disa politikanë shqiptarë të korruptuar, dhe te disa biznesmenë tregtarë, që udhëhiqen vetëm nga paraja. Politikanët tregtarë si Hashim Thaçi dhe tregtarët politikanë si Ramiz Kelmendi i kanë normalizuar personalisht marrëdhëniet me Daçiqa e Mishkoviqa, por kurrsesi Kosova dhe populli shqiptar me ta.

Pas ngjarjes në Beograd, lindi edhe një ndjenjë e përbashkët, komunitare, e cila ishte shumë e dobishme. Shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Shqipëri, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, reaguan si një komb, dhe kjo është gjë e mirë. Njëkohësisht, shumë njerëz të medias e kuptuan ç’është nacionalizmi serb. Shumë njerëz nëpër media filluan të përsërisin mesazhin tonë të kahershëm të fushatës nga viti 2006: “Bojkotoni produktet e Serbisë!”. Sepse Serbia na e ka pushtuar ekonominë, po na lë të varfër, po i merr fitimet nga ne për të prodhuar agresion. Por ky mesazh nuk bën të jetë veç fjalë. Populli është i varfër, ai në shitore shpesh gjen vetëm produkte të Serbisë. Ne nuk mund të vëmë asnjë grimë faji tek të varfërit tanë. Fajin e kanë ata tregtarë që importojnë apo kontrabandojnë me Serbinë. Fajin e kanë ata pushtetarë që financohen prej atyre tregtarëve, e që sot janë në pushtet.Që të shpëtojmë prej agresionit ekonomik dhe shtetëror të Serbisë, ne duhet të ndërtojmë ekonominë tonë, prodhimin tonë, klasën tonë punëtore. E kjo mund të bëhet vetëm me një qeverisje të drejtë, një qeverisje me VETËVENDOSJE!-n.

Ju faleminderit

2 nëntor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo