22 09 2022

Fjalimi i Arben Vitisë Kandidatit për Qendrën e Prishtinës në prezantimin e Platformave 


Të dashur aktivistë e aktiviste,

Të dashura familje Xheladini, Balaj, Dehari e Koskoviku,

Të nderuar miq e bashkëpunëtorë nga Partia Guxo, Alternativa, Partia e Re Demokratike dhe Iniciativa e Re Demokratike 

E nderuara Emilja 

I nderuar Faton, Agon, Elbert,

Të nderuar delegatë të këshillit të përgjithshëm, deputetë, ministra e kryetarë të komunave

Të nderuar kryetarë të pikave tona nga e gjithë Kosova, dhe ju kandidate e kandidatë në zgjedhjet tona të brendshme

Mirë se keni ardhur në këtë tubim të veçantë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtu në Prishtinë 

Pas disa muajve, saktësisht nga mesi i Marsit kur filluam procesin e zgjedhjeve të brendshme, jemi këtu së bashku e të bashkuar në përgatitje të rrugëtimit tonë të ardhshëm. 

Besoj se të gjithëve na kujtohet kur katër vite më parë në këtë sallë pas disa përpjekjeve për të na dobësuar e zvogëluar, u nis një projekt reformues për organizatën tonë – projekt që i dha frytet e veta për lëvizjen dhe gjithë Kosovën. 

Sot jemi këtu, të përgatitur dhe të organizuar pas shumë përpjekjesh në të kaluarën – e para shumë betejash të reja që na presin në të ardhmen.  

Ne jemi organizata që synojmë së bashku me gratë e vajzat drejtësinë, më të rinjtë e të rejat  zhvillimin, e me popullin barazinë. 

Ne jemi lëvizja që synojmë progresin jo të grupacionit por të shoqërisë –  triumfin jo të vetjakes por të përbashkëtës.

Ne këmbëngulim për ndryshimet e gjendjes – jo thjesht të pozicioneve. 

Organizimi ynë kurrë s’ka qenë statik – i palëvizshëm. Ai është themeluar, zhvilluar, krijuar e rikrijuar mijëra herë në çdo frazë-aksion, në çdo mendim – veprim, në çdo tubim –  manifestim. 

Para 100 ditësh shënuam 12 qershorin, 17 vjetorin e themelimit të lëvizjes VETËVENDOSJE!

17 vite ide, punë, angazhim, aksion, çdo herë në të mirë të vendit dhe për vendin.

Si kurrë më parë këtë vit të shtatëmbëdhjetë ka nevojë për frymën, vendosmërinë, vullnetin dhe besnikërinë ndaj projektit politik që së bashku kemi krijuar. 

Kryetari dhe tani kryeministri ynë, sot e shpalos kandidaturën e tij dhe platformën për katër vitet e ardhshme të drejtimit të organizatës sonë. Në gjithë këto vite, por jo vetëm, emri i tij çdo herë është lidhur ngushtë me vendosmërinë, punën e palodhshme, zellin, dashurinë dhe drejtësinë për secilin e në veçanti për qytetarët dhe Republikën. I palëkundur, i vendosur dhe me vizion të qartë për mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave qytetarevë dhe vendit deri në sakrificë.

Ky është drejtuesi ynë të dashur pjesëmarrës – Albin Kurti 

Për herë të parë këtë vit në Lëvizjen tonë po themelohen struktura të reja Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE! 

Një organizatë progresiste siç duam e siç do të punojmë të jemi i ka në qendër e në strukturë gratë e vajzat,  të rinjtë e të rejat, ngase organizatën nuk e bëjmë të fuqishme pa to. 

Sot paraqiten para nesh këto dy platforma me dy emra që do t’ja shtojnë shpejtësinë e fuqinë organizimit tonë në dy strukturat e reja.

Të dashur aktivistë, këta janë:

Albulena Haxhiu, kandidate për kryetaren e Gruas për VETËVENDOSJE! dhe Behar Jashari kandidat për kryetarin e Rinisë për  VETËVENDOSJE!. 

U urojmë kandidatëve sukses e punë të mbarë në ide e veprim, në zgjerimin e lëvizjes dhe fuqizimit të organizimit. 

Padyshim që janë drejtuesit që i duhen organizimit në këtë rrugëtim të ri drejt të cilit jemi bërë gati të ecim.

Ndaj të dashur anëtarë të dielën, me 25 shtator, prej orës 10:00 ju ftoj të merrni pjesë në votime, secili e secila në qendrat tona të votimit, zyrat, shkollat e pikat në çdo komunë.

 Shfrytëzoj rastin që njësoj t’ju bëjmë thirrje anëtarëve tanë në mërgatë që të votoni online, pasi që vota juaj çdo herë ka qenë votë e progresit dhe që i ka kontribuar ndryshimeve deri sot. 

Ta dëshmojmë demokracinë tonë një anëtarë një votë dhe të gjithë bashkë të bëhemi pjesë e këtij procesi.

Ju falemnderit të nderuar të pranishëm dhe ftoj kandidatët për paraqitjet e tyre para jush. 

Kontribo