01 07 2022

Fjalimi i Kryeministrit Kurti për ndihmën e Qeverisë për qytetarët

Faleminderit nënkryetare,
të nderuar deputetë të Kuvendit, 
ministra të Qeverisë,
qytetarë të Republikës,

Për më pak se një e treta e mandatit tonë, pra për 1 vit e 3 muaj unë po numëroj me shifra se si kemi ndihmuar kategoritë e ndryshme shoqërore dhe kemi kontribuar në jetesën, por edhe mbijetesën e qytetarëve të vendit tonë:

  • Pakoja e Ringjalljes Ekonomike: 420 milionë euro; Masat mbështetëse për qytetarët: 100 milionë euro me ç’rast rishikimi i buxhetit ka shtuar 150.5 milionë për Pakon e Ringjalljes Ekonomike në mesin e të cilave janë këto 100 milionë euro për qytetarët.
  • Shpërndarja e shtesave për lehona dhe për fëmijë: Rreth 18,000 lehona përfituese nga 170 euro. Lehona në Kosovë ka pasur edhe para se ne të vijmë ne në qeverisje, por s’janë ndihmuar kurrë. Nënat e reja nuk janë ndihmuar kurrë. 18 mijë lehona i kemi ndihmuar nga 170 euro dhe gjithashtu 153,527 fëmijë përfitues nga 20 euro, kur janë mosha nga 0-2 vjeç, dhe nga 2-16 vjeç, nga 10 euro. Fëmijë ka pasur edhe para qeverisjes sonë. 
  • Pastaj, mbështetja me 1,500 euro për ata që kanë humbur familjarin nga virusi COVID-19, e kur familjari ishte staf shëndetësor i kemi ndihmuar me nga 15,000 euro. Përfituan 3,021 familje.
  • Rritja e pensioneve prej 11% për pensionet bazike dhe 33% për pensionet e personave me aftësi të kufizuara.
  • Në nëntor 2021, 100 euro shtesë mbi këtë rritje. Kanë përfituar rreth 300,000 pensionistë.
  • Prill 2022 – 100 euro shtesë për të gjithë pensionistët. Sërish kanë përfituar rreth 300,000 pensionistë.
  • Rritja prej 30% e përhershme për 25,000 familje në asistencë sociale: nëntor dhe dhjetor 2021 – dyfishim i asistencës sociale, mbi rritjen. Rreth 25,000 familje përfituese. Prill 2022 – dyfishim i asistencës sociale, mbi rritjen. Rreth 25,000 familje përfituese.
  • Ndarja e 10,500 kuponëve ushqimorë për familjet në asistencë sociale për 6 muaj, ku vlera e një kuponi është 60-70 euro për një familje.
  • Shpërndarja e 350,000 shujtave ushqimore përmes 13 kuzhinave popullore për shtresat më të cenueshme.
  • Shpërndarja e 34,152 pakove ushqimore për shtresat më të cenueshme përmes 39 OJQ-ve dhe shoqatave bamirëse.
  • Mbështetja me shumë të njëhershme prej 100 euro e të gjithë punëtorët e sektorit privat dhe publik. Përfitues: rreth 250,000 punëtorë të sektorit privat dhe rreth 80,000 zyrtarë publikë. 
  • Mbështetja me shumë të njëhershme prej 100 euro për të gjithë studentët, rreth 70,000 kanë aplikuar dhe rreth 50 mijë tashmë i kanë marrë këto mjete.
  • Projektligji për pagën minimale ka kaluar në lexim të parë në Kuvend, rritja e pagës minimale në 264 euro bruto apo 250 euro neto, dhe heqja e tatimit për 250 euro pagë. Nga rritja do të përfitojnë rreth 100,000 punëtorë, prej heqjes së shkallës së parë tatimore përfitojnë të gjithë punëtorët.
  • Subvencionimi i 10% të kryegjësë për kreditë konsumuese. Përfitues 5,761 familje.
  • Kupona për trajnimin për kurset e TI-së për maturantët e shkollave të mesme. Përfitues 957.
  • Subvencionimi i energjisë për familjet në skemën e ndihmës sociale dhe shtresat e cenueshme. Për rreth 25,000 familje, në total prej 4.5 milionë euro.
  • Rritja e mbështetjes për bujqësinë me rritje prej 70% të subvencioneve me ç’rast 50 milionë euro vlerë totale.
  • Subvencioni në vlerën prej 5 milionë euro për akcizën për naftë.
  • Zotimi i Qeverisë në vlerën prej 100 milionë euro për të mbrojtur familjet nga rritja e çmimit të energjisë elektrike mbi 20 milionëshin e dhjetori të vitit të kaluar.
  • Udhëzim administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës dhe të karburantëve të ripërtritshme duke vendosur kështu mënyrën e përcaktimit të çmimit maksimal të lejuar apo çmimit tavan.
  • Pagesa e shtesave për stafin shëndetësor në vlerën prej 10% të pagës bazë apo 60 euro në vazhdimësi që prej shtatorit të vitit 2021.
  • Pagesa e stafit mbështetës dhe profesionistëve shëndetësor për luftimin e pandemisë për 1271 persona.
  • Tashmë bashkatdhetarët mund të aplikojnë online për subvencionimin e policave kufitare, e blejnë 20 euro, nuk ndalen në kufi dhe pastaj ne atyre ua rimbursojmë.

Pra, këto për më pak se një të tretën e mandatit tonë, pa numër shifra. Ndërkaq propozimi që ka ardhur sot para juve të nderuar deputetë, i ka vetëm dy shifra edhe janë të njëjta, numrin 3. Thotë: ‘’Të reduktohet akciza dhe norma e TVSh-së për derivate për 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe 3 muaj. Dhe, të zgjerohet lista e produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSh-së për 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe për 3 muaj’’.

Krejt çka keni sjellur është një numër, numri 3, 3 muaj plus 3 muaj, a unë ju lexova pa numër shifra se qysh kemi ndihmuar 420 milionë euro plus 100 milionë euro, të zbërthyer nëpër kategori shoqërore për jetesën e qytetarëve tanë dhe mbijetesën sociale. Vetëm dy numra, prandaj ministri im i financave u detyrua t’i bëjë numrat edhe për juve dhe ju tregoi se çka do të thotë ky numër i vetëm që në mënyrë të dyfishtë ju e sollët propozimin tuaj. Kjo tregon gjithashtu se e keni të huaj vizionin dhe planifikimin, nuk jeton populli veç 3 muaj, as veç 6 muaj, çka të bëjmë pas 6 muajve, çka të bëjmë pas 3 muajve? Shumë shtete të cilat kanë bërë këso ulje të TVSh-së apo të akcizës për 3 muaj apo për 2 muaj janë penduar kur ka kaluar ai afat. Është e mundshme të ndihmohen shtresat më së shumti në nevojë pa e dëmtuar buxhetin e Kosovës. Pra, 3 plus 3 nuk është ide, është shprehje e mungesës së idesë. Kur s’ke ide thua 3 plus 3. Unë ju tregova numrat tanë, që janë të qytetarëve tanë, masat që ne i kemi ndërmarrë, këto janë masa të shumta sociale dhe unë besoj që kemi kontribuar në jetesën e dinjitetshme, por edhe mbijetesën sociale. Jeta është rënduar, mirëpo kontributi jonë në jetën aktuale dhe në mbijetesën sociale është bukur i madh. 

Ministri i Financave Murati pak më vonë do t’ju shpjegojë si është kjo në raport me vendet e rajonit sepse jemi në shumë aspekte shumë më mirë se vendet e rajonit. Këta janë numrat tanë. Lehona ka pasur edhe para se të bëhet Kurti kryeministër, ku keni qenë? Pse s’keni ndihmuar nënat që lindin fëmijë? Pse s’keni bërë shtesa për fëmijë? Lehonat nuk kanë filluar të shfaqen kur erdhëm ne në qeverisje, 20 vjet ka pasë lehona këtu e s’i ka ndihmuar askush dhe tash krejt çfarë bëni 3 muaj plus 3 muaj. Pra, 3 muaj plus 3 muaj nuk është ide, por mungesë e idesë dhe gjithashtu është papërgjegjësi se i bije thuajse do të jetojmë edhe 3 muaj, eventualisht edhe 3 muaj. Qeverisja është gjë serioze, kur thua 3 muaj me mundësi vazhdimi edhe 3 muaj kjo është persiatje, qeverisja me persiatje nuk shkon, persiatjet mbani vetmevete, persiatjet duhet të jenë monolog, eventualisht dialog, por kurrsesi qeverisje.

Link:
https://bit.ly/3OTVksh

Kontribo