20 12 2015

Fjalimi i Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri, i mbajtur në mbledhjen e XVII-të të Këshillit të Përgjithshëm.

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm
Të shumërespektuar aktivistë mysafirë të kësaj mbledhjeje të Këshillit
Të dashur aktivistë e simpatizantë,
Zonja e zotërinj

Që prej se jemi takuar herën e fundit, e kemi kaluar një kohë jashtëzakonisht aktive. Po i lëmë prapa plot 4 muaj të protestës së vazhdueshme, angazhime tw aksionit politik e të ballafaqimit.

Këta muaj të ballafaqimit janë muajt më intenziv të Lëvizjes sonë. Janë muajt që e definojnë 10 vjeçarin e organizatës sonë. Por jo vetëm kaq. Këta janë muajt që po e definojnw të ardhmen e Kosovës dhe rrjedhimisht të ardhmen e Lëvizjes në të.

Dhe të tillë do të jenë edhe muajt që po vijnë.

Republika e Kosovës po vazhdon të kërcënohet nga “Zajednica” e Serbisë. Territori i kësaj Republike po vazhdon të kërcënohet me tkurrje nga marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi. Qeveria e policëve po vazhdon të egërsohet e të kërcënojë. Po hyjmë në një fazë të definimit të qartë të pozicioneve brenda shtetit tonë.

Populli i Kosovës bashkë me Opozitën e Bashkuar në njërën anë duke e kundërshtuar formalizimin dhe konsolidimin e ndërhyrjes së Serbisë brenda territorit, institucioneve, pasurisë, resurseve të Republikës së Kosovës. E treshja Mustafa – Thaçi – Veseli në anën tjetër duke e luftuar këtë kundërshtim, duke e keqpërdorur aparatin shtetëror, polici, gjyqësi, për të vënë atë në funksion të hapjes së rrugës për këtë ndërhyrje të Serbisë.

Situata është tejet e qartë dhe po qartësohet përherë e më shumë.

Kohëve të fundit klika Mustafa – Thaçi janë duke e shqyrtuar mundësinë e ndarjes formale të Trepçës në dy ndërmarrje funksionale. Njëra në veri e tjetra në jug. Kështu vepron “Zajednica”. Kështu duket “Zajednica”. Dhe për këtë po insistohet të themelohet ajo. Që resurset e Kosovës të jenë në kontroll juridik të Serbisë, përmes kreaturës institucionale të saj në Kosovë, “Zajednicës”.

Ndarja e Trepçës në dysh nënkupton përgjysmim të kapaciteteve të saj, dhe përgjysmim të potencialit të saj profit për Republikën e Kosovës.

Ashtu siç po e ndajnë sistemin e energjisë, atë të telekomunikacionit, tregun e mallrave, buxhetin e vendit, ashtu “Zajednica” po kërkon ta ndajë edhe potencialin industrial, turistik, e minerar të vendit.

Ndërkohë që Serbia tashmë ka filluar ta kërkojë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, si dhe të ndërhyjë dretpërdrejt në menaxhimin e Parkut Nacional të Sharrit.

Mustafa e Thaçi, si bashkëpunëtorë në këtë rast të Vuçiqit e Daçiqit po i kalojnë pasuritë e Kosovës në pronësi faktike të Sërbisë pjesë – pjesë. Njëlloj, sikur hajni që e shet makinën e vjedhur pjesë – pjesë.

Kjo është mendësia politike e cila është ulur këmbëkryq tash e 8 vite pavarësi në institucionet e Kosovës. Mendësi politike që karakterizohet nga serviliteti, inferioriteti e qyqarllëku ndaj atyre lart, dhe egërsia dhuna e brutaliteti ndaj atyre poshtë. Kështu Thaçi e Mustafa dhe të tjerët si ata që bartin këtë mendësi politike janë jashtëzakonisht të nënshtruar politikisht e intelektualisht ndaj çdokujt dhe çdogjëje jashtë Kosovës, për ta kompensuar pastaj këtë inferioritet e servilizëm me egërsi brenda.

Serbisë i bëjnë koncensione qoftë në sovranit mbi territorin qoftë në sovranitet mbi resurset, e ato që mbeten egërsisht, brutalisht e primitivisht i ndajnë mes vete. Nënshkruajmë marrëveshje shtetrrënuese jashtë sepse ashtu po ua kërkokan, e pastaj arrestojnë deputetë, rrahin e keqtrajtojnë aktivistw, arrestojnë qytetarë për t`i zbatuar këto marrëveshje.

Çfarëdo nërhyrje politike e Serbisë në Kosovë, e lehtë apo e rënduar qoftë ajo, përherë ka kërkuar të burgosur politik. Edhe sot që Serbia me Zajednicë po e ndan Kosovën, Mustafa e Thaçi me prokurorë e gjykatës po mbajnë të burgosur politik. Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli, Finsnik Ismajli, Ismajl Kurteshi janë deputetët e VETËVENDOSJES!-s që aktualisht gjenden në burg. Besa Baftiu, Aida Dërguti e Glauk Konjufca po ashtu janë arrestuar nga policia në Kuvend.

Valdrin Ahmeti, Egzon Balaj, Pajtim Demaj, Veron Hasani, Kushtrim Avdimetaj
Trim Gashi, Besnik Zeqiraj – janë aktivistë të arrestuar që kanë mbajtur paraburgim – disa prej tyre vazhdojnë të mbahen në paraburgim.

Egzon Azemi, Ardian Huli, Luan Hoti, Durim Elshani, Valmir Osmanaj, Arianit Manxhuka. Agron Kabashi – janë aktivistë të cilët ishin mbajtur në burg dhe tash janë në arres shtëpiak. Poashtu edhe Artan Abrashi, Zgjim Hyseni e të tjerë që kishin kaluar nëpër duart e policisë e veçanërisht rreth 100 që u arrestuar më 28 nëntor ditën e ndërhyrjes brutale të policisë në zyret e Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Po ta bëjmë një llogari të thjeshtë, vetëm muajt e fundit janë mbajtur rreth 1020 ditë nga aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Kjo i bie, afërsisht 3 vite burg përgjatë këtyre muajve të protestave që kemi qenë bashkë të angazhuar.

Dhe pastaj thonë duam të dialogojmë. I kemi dëgjuar disa herë edhe Mustafën, edhe Thaçin, bashkë me Jahjagën e cila është qind përqind vegël e kësaj mendësie politike, dialogun po e kërkojnë sa për ta maskuar këtë të vërtetë të tyre politike Dialogun po e duan ashti siç e do Serbia dialogun me Kosovën: dialog pa kushte nga Kosova dhe dialog “Zajednicën”.

Nuk ka dialog për “Zajednicën” sepse nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë “Zajednicë”. Kundër “Zajednicës” dhe sponsorizuesve e lehtësuesive të saj ka vetëm ballafaqim politik, angazhim protestues, e vetëmohim deri në anulimin e saj.

Dialogu sot do të nënkuptonte marrëveshje për themelimin e “Zajedenicës” e marrëveshje për legjitimimin e këtij pushteti policor, me shtetin e tij të kapur. Do të nënkuptonte mohim i tërë përpjekjes sonë të përbashkët, mohim i vullnetit të qytetarëve i shprehur përmes peticionit e protestës, si dhe mohim i interesit të Republikës ashtu siç e kemi identifikuar bashkërisht.

Nuk mund të jetë as në interes të Republikës dhe as të popullit të kësaj Republike sepse në interes të populli të kësaj Republike është republika e barazisë, e zhvillimit, mirëqenies dhe e bashkimit. Jo Republikë që ndan resusre, ndan territore dhe që arreston e burgos qytetarët e saj. Një Republikë e cila do ta krijonte hapësirën e domosdoshme të lirisë, punës dhe zhvillimit për qytetarët e vet dhe jo një republikë e cila krijon hapësirën e kërkuar nga shteti armik i kësaj Republike, nga Serbia përmes “Zajednicës”. Një “Zajednicë” të tillë dhe një republikë të tillë nuk do të lejojmë që të zbatohet në Kosovë sepse në Kosovë mund të ketë vetëm një Republikë dhe ajo është Republika e këtij populli, e këtyre qytetarëve, dhe Republika e cila ua mundëson mirëqenien këtyre qytetarëve.

Kontribo