Gjilan: Ditë të bardha vijnë me numrin 126
Me pjesëmarrje të paprecedent, mes mijëra të rinjsh që i bëhen krah Lëvizjes e që do ta kenë krah qeverinë Kurti, me të pranishëm nga Presheva e Bujanoci, Kumanova e Gostivari, me miq nga Social-Demokratët e Bundestagut gjerman, Gjilani priti kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Albin Kurtin me ekipin e tij fitues.
Në hapje, tubimin e nderoi deputeti i Partisë Social-Demokrate në Bundestagun gjerman, Stefan Schwartze. “Unë jam këtu sot sepse mendoj se ju qendroni përpara një momenti historik. Besoj se e keni shansin e madh për ndryshimin e madh në Kosovë. Në këto zgjedhje varet edhe perspektiva e ardhshme e Kosovës”, tha deputeti gjerman duke shtuar se, “unë kam ardhur që ta mbështes Albinin për kryeministër e shpresoj që edhe ju e keni guximin ta mbështesni Albinin për kryeministër”.
Në fjalën e radhës, kandidati Nevzad Isufi, tha se bashkë me qytetarët Lëvizja po kërkon ndryshim, zhvillim, shtet, parime, barazi e mirëqenie të cilat na kanë munguar deri në 6 tetor, sepse një epokë e re po vjen. Sipas tij Gjilani pa ujë e me lumenj e ambient të ndotur do ta ketë përkrahjen e qeverisë Kurti për ta mbrojtur mjedisin e për t’ia siguruar shërbimet bazike publike. Ndërsa kandidatja tjetër nga Gjilani, Arijeta Rexhepi, u zotua se Lëvizja do të punojë për një vend ku mund t’i paramendojmë fëmijët tanë të rriten, jetojnë e punojnë me dinjitet në vendin e tyre.
Kandidati Alban Hyseni tha me bindje se vetingu do të bëhet e do të jetë gardian i përhershëm i sistemit të drejtësisë e sigurisë, duke thënë më tutje se drejtësia e barazia janë baza dhe thelbi i rendit dhe i rregullit në shoqëri dhe drejtësia e barazia do të shërbejnë si rregullatorë të fushave të tjera në shoqërinë tonë pas 6 tetorit. Ndërsa për kandidatin Ismajl Kurteshi njëri nga kuptimet e qeverisë Kurti do jetë arsimi dinjitoz, pa pagesë e i garantuar për nxënësit e studentët tanë.
Kandidatja Tinka Kurti si aktiviste e zëshme e çeshtjes së gruas denoncoi dhunën, shfrytëzimin, izolimin dhe përjashtimin e grave nga sfera publike e jetës e tha me bindje se ditë të bardha po na presin vendin pas 6 tetorit. “Nga 6 tetori fillon jetësimi i kërkesave tonë si gra për siguri, punë, strehë, arsim, shëndet, pavarësi e mirëkuptim” u zotua bindshëm kandidatja Kurti dhe shtoi se, “kemi një jetë që po presim, dy dekada lirie, por edhe 6 ditë vjen çlirimi i Kosovës”.
Në fjalimin e tij deklarativ, kryeministri jonë Albin Kurti, mes zotimesh për ta çliruar shtetin nga kapja, gjyqtarët e prokurorët nga eprorët lepurushë, gratë nga dhunuesit, punëtorët nga shfrytëzimi e veteranët nga mujsharët e luftës, u zotua se do ta sjellim ligjin e ri të punës, do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës që të garantojmë cilësi e siguri në punë. Do ta themelojmë gjykatën e punës dhe qeveria jonë do të jetë komplementare e bashkëpnuusese në përpjekjet e sindikatave në përmirësimin e kushteve të punës e të drejtave të punëtorëve e kurrsesi pengesë për ta.
Mes brohoritjesh pafund e plot padurim për qeverinë e drejtuar prej tij, kryeministri i shumëpritur i vendit e mbylli tubimin me fjalët: “Kosovën e kemi trashëgim nga gjaku i dëshmorëve dhe djersa e punëtorëve ndërkaq e kemi marrë hua nga fëmijët e porsalindur e ata që akoma nuk kanë lindur. Gjithkah duhet të punojmë, gjithçka duhet të shpëtojmë e shumëçka do të fitojmë”.