Gjykata Speciale minon shtetin e së drejtës në Kosovë dhe e sulmon moralisht luftën tonë çlirimtare
Dokumenti për formimin e Gjykatës Speciale, i sjellë nga Ministria e Drejtësisë në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, përmban 2 amendamentet kushtetuese dhe një projektligj për krijimin e dhomave të veçanta dhe themelimin e prokurorisë speciale. Është tërësisht e padrejtë që të kërkohet që i njëjti të mbahet konfidencial, dhe është në shpërputhje të plotë me ligjet e aplikueshme mbajtja konfidenciale e këtij dokumenti. Me ligjin për klasifikimin e dokumenteve, dokumentet që mbahen shumë sekrete ose konfidenicale janë vetëm dokumentet që cenojnë ose rrezikojnë sigurinë shtetërore. Aq i madh dhe urgjent është interesi i qytetareve për t’u informuar sa më shumë dhe sa më parë me këtë çështje kaq të rëndësishme, sa që është e domosdoshme që ta publikojmë këtë material menjëherë.
Procedurat nëpër të cilat do të kalojë ndërtimi i këtij sistemi të plotë paralel të gjyqësisë në Kosovë nga ana e Gjykatës Speciale është guri i fundit i atij pak sovraniteti e pavarësie që kishte Kosova. Me këtë proces nuk mbetet më asgjë nga shteti i së drejtës, në një republikë të pavarur.
Mbikëqyrja e punës së kësaj gjykate dhe zyra e prokurorit nuk i nënshtrohen asnjë mbikëqyrjeje nga Këshilli Gjyqësor, gjyqtarët pa përjashtim që të gjithë janë ndërkombëtarë dhe të njëjtit nuk emërohen sipas procedurave të parapara me legjislacionin në fuqi. Kontrolli ligjor dhe kushtetues kalon nëpër fazat procedurale tërësisht të pavarura me rregullimin aktual.
Dhomat do të kenë selinë edhe në Kosovë krahas edhe një vendi tjetër, por ku, nuk specifikohet në ligj. Për zyrën e prokurorit është vënë opsionale që selia të jetë në Kosovë. Pra, në parim selia e prokurorisë është jashtë vendit.
Ndër veçoritë më të rëndësishme është se me ndryshimet kushtetuese, gjykatës do t’i jepet mundësia që të lidh marrëveshje të karakterit ndërkombëtar, pa kaluar procedurat për ratifikim siç është paraparë me Nenin 19 të Kushtetutës. Kemi të bëjmë me precedent në të drejtën ndërkombëtare, kur një gjykatë e fut një shtet të pavarur në obligime ndërkombëtare, qofshin ato bilaterale apo multilaterale.
Sa i përket dënimeve dhe gjykimeve, të gjitha gjykimet dhe dënimet do të mbahen dhe ekzekutohen jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Kjo paraqet një problem në kuptimin e përgjithshëm, sepse Kuvendi është dashur që me një vendim të veçantë të njoh të drejtën e ekstradimit të qytetarëve të vet, e jo përmes një pakoje të kategorisë kushtetuese të njihet e drejta e ekstradimit dhe ekzekutimit të dënimeve ndaj shtetasve të një shteti të pavarur në këtë mënyrë. Dënimi më i lartë që mund ta shqiptojë kjo Gjykatë është dënimi me burgim të përjetshëm.
Sa i përket kontrollit kushtetues, që i përket trajtimit të respektimit të të drejtave të njeriut në procedurë, për këtë do të vendosin vetëm tre gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese përjashtojnë nga vendimmarrja të gjithë gjyqtarët të tjerë të saj dhe vendimi i tyre është ekuivalent me çdo vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese. Propozim-Amandamentet kushtetuese garantojnë përzgjedhjen edhe për një mandat tjetër të këtyre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Sa i përket përbërjes së dhomave, ato përbëhen nga gjyqtarët ndërkombëtarë që zgjidhen me një konkurs ndërkombëtar e që përzgjidhen nga një panel i veçantë, i përbërë prej tre anëtarëve. Pas përzgjedhjes së tyre, emërimi i tyre bëhet nga Shefi i Misionit të EULEX-it.
Në Kapitullin 1 , neni 1.2 specifikohet qartë qëllimi i Gjykatës Speciale: fushëveprimi i saj ka të bëjë me pretendimet e Raportit të senatorit zviceran Dick Marty. Raporti i Dick Marty u prezantua në KiE, në dhjetor të vitit 2010 dhe është kurorëzim i një iniciative ruse e serbe dhe dështim mjaft serioz i politikës sonë qeveritare, i diplomacisë sonë pasive, si dhe i “miqve tanë ndërkombëtarë”. Ky raport arriti që të bëhet madje edhe Rezolutë e Këshillit të Evropës. Raporti i Martyt bazohet në pretendimet e ish kryeprokurores së Gjyqit të Hagës, Karla del Ponte. Sipas këtij raporti UÇK-ja ka bërë trafikim të organeve.
Gjykata Speciale po krijohet edhe përkundër faktit që 3 instanca të rëndësishme ndërkombëtare, kanë përfunduar hetimet e tyre pa gjetjen e ndonjë fakti relevant. Së pari këto pretendime e hetoi UNMIK-u më 2002, 2003 dhe 2004. Pastaj një ekip investigues i kryeprokurores del Ponte dhe së fundi edhe Taskforca Speciale e EULEX-it, më 2009 e 2010. Të tri këto institucione nuk gjetën ndonjë fakt që do të përbënte material të mjaftueshëm për padi dhe gjykime. Dhe nga ky prizëm duhet të kuptohet edhe intervista e saj e vitit të kaluar, në të cilën ajo shprehi befasinë e saj se si institucionet e Kosovës me aq lehtësi e pranuan krijimin e një gjykate ndërkombëtare për UÇK-në. Përgjatë kësaj kohe, kanë qenë konstante presionet e Serbisë dhe Rusisë në Kombet e Bashkuara dhe nëpër institucione të ndryshme evropiane siç është KiE, që të themelohet Gjykatë Ndërkombëtare për Krimet e supozuara të UÇK-së.
Prandaj krijimi i kësaj Gjykate enkas për UÇK-në është një dështim kapital me pasoja të pallogaritshme kombëtare, për popullin dhe interesat tona. Ky dështim është i barasvlershëm me çarmatosjen e UÇK-së, dhe ky proces i dëmshëm pa dyshim që simbol të vetin politik e ka ish kryeministrin Thaçi. Pasi UÇK-ja u çarmatos e u shkatërrua, pasi ajo u shporr nga vlerat tona institucionale e kushtetuese, tash po i nënshtrohet kapitullit të fundit të ndëshkimit moral e politik.
Edhe një herë po vërtetohet që fuqizimi i shtetit, funksionimi i Republikës dhe ngritja e kombit tonë është në kundërthënie të pa kompromis me pushtetin e garniturave politike qeverisëse të korruptuara dhe servile, të cilët duhet t’i heqim sa më parë ashtu që ta shpëtojmë veten dhe interesin tonë nacional.
19 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!