GP i LV-së ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit lidhur me zotimin e tij për t’u bashkuar në nismën e Novi Sadit
Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë të Avdullah Hotit lidhur me zotimin e tij për t’u bashkuar në nismën e Novi Sadit
Është fakt i ditur botërisht se i ashtuquajturi “mini-Shengen ballkanik” është ide dhe projekt i Serbisë. Jashtë ambalazhimit dhe justifikimit kinse të bashkëpunimit rajonal, e vërteta e kësaj nisme, është marrëveshja e Novi Sadit. Deklarata e Novi Sadit e futur nën petkun e “mini-Shengenit ballkanik” për t’u shitur më lehtë, u prezantua për herë të parë më 10 tetor 2019 nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Për rrjedhojë, projekti i Novi Sadit i shërben Serbisë, zgjeron dhe fuqizon dominimin e saj ekonomik në Kosovë dhe rajon. Kjo nismë duhet të shihet e lidhur edhe me projektet tjera të dhëna si zotime të njëanshme më 4 shtator. Në njërën anë hekurudha dhe autostrada në drejtim të Merdares që mundësojnë daljen e Serbisë në Detin Adriatik, kurse në anën tjetër tregu i përbashkët. Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon. Serbisë nuk i mjafton vetëm tregu, i duhet edhe infrastruktura.
Përveç interesave politike për të relativizuar kufijtë me Kosovën, në aspektin ekonomik, Serbia përmes të ashtuquajturit “mini-Shengen ballkanik” zgjeron mundësitë për dominim, përderisa Kosova do të dëmtojë edhe më shumë ekonominë e saj prodhuese dhe do të thellojë bilancin negativ tregtarë.
Në Kosovë, kur u bë i ditur fillimisht projekti i “mini-Shengenin”, atë e dënuan njëzëri të gjithë përfaqësuesit politikë e institucionalë, përfshirë ekspertë të ekonomisë dhe Akademinë e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. Madje e kundërshtuan edhe vetë ata që sot e kanë nënshkruar dhe po e mbrojnë atë. Kundërshtimet theksonin rreziqet politike dhe ekonomike që nisma e Novi Sadit paraqiste për vendin tonë. Kjo nismë mohon ekzistencën e Republikës së Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetërorë, përjashton të drejtën e saj sovrane për të kontrolluar territorin e vet dhe i jep Serbisë kontroll mbi tregun rajonal, ndërsa formalizon rolin asimetrik të Kosovës.
Këto rreziqe janë objektive dhe të njohura. Ato nuk janë shuar; është shuar vetëm kundërshtimi i zotit Hoti pasi zuri paligjshëm karrigen e kryeministrit. Më 4 shtator 2020, në Uashington, z. Hoti u zotua se Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Shengenit”, ashtu siç është shpallur në tetor 2019, në Novi Sad, paçka s’e ruan bindjet e njëjta se kjo nismë është në dëm të Kosovës, si ekonomikisht edhe politikisht.
Interesat e Kosovës janë të qarta. Ekonomia dhe prodhuesit vendorë kanë nevojë për mbështetje e jo për vërshim të vendit nga produktet e Serbisë. Ndërsa, marrëdhëniet tregtare si çdo relacion tjetër me Serbinë duhet të bazohet në parimin e reciprocitetit, e nisma e Novi Sadit e pamundëson zbatimin e reciprociteti si të tillë. Tregu i Kosovës nuk mund dhe nuk duhet t’i vihet në shërbim ekonomisë së Serbisë, të cilën e përdorë kundër shtetësisë së Kosovës. Në anën tjetër, rruga e integrimit euro-atlantik të Kosovës nuk mund të devijohet e as të zëvendësohet me nisma të tilla. Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Çdo nismë që cenon shtetësinë tonë dhe shtrembëron rrugën e integrimit euro-atlantik është kundër interesave të shtetit të Kosovës dhe kundër aspiratave të qytetarëve të saj.