11 03 2019

Gratë në rezistencën kombëtare

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti tryezë diskutimi me temë “Gratë në rezistencën kombëtare”. Të ftuara të veçanta për të ligjëruar ishin studiuesja e historisë Mrika Limani, veprimtarja dhe aktivistja e çështjes kombëtare dhe gjinore Shukrie Gashi dhe ish-ushtarja e UÇK-së dhe njëkohësisht asambleistja e Lëvizjes në Gjakovë Mimoza Shala.

Historia e angazhimit të grave për çlirim kombëtar dhe barazi gjinore është një histori e lënë në hije, sporadikisht e trajtuar dhe gjithnjë e lidhur me historinë e burrave përkrah të cilëve kanë rastisur të jenë. Historiografia zyrtare dhe klasike e përpjekjeve për çlirim të shqiptarëve karakterizohet nga një mendësi patriarkale, e cila edhe ato pak gra që përmend i sheh sipas imazhit të burrit. Përgjithësisht, gratë që njihen më së shumti nga kjo historiografi janë ato gra të cilat kanë qenë motrat apo gratë e komandantëve apo të të tjera figurave tradicionale mashkullore.

Në tryezë u vu në pah fakti se jeta dhe kontributi i përditshëm i grave në shoqëri dhe në përpjekjet për emancipim e çlirim është i anashkaluar nga historiografia jonë. Gruaja del në skenën publike si figura e gruas partizane përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Deri në atë kohë roli i asaj ishte komplet i padukshëm nga izolimi në sferën private. Prej protestave të vitit 1968 deri në ato të vitit 1981 dhe 1989 angazhimi i grave për çeshtjen kombëtare dhe barazi gjinore bëhet më masiv.

Emra pak të njohur dhe të tjerë plotësisht të panjohur, të veprimtareve dhe dëshmoreve të çështjes kombëtare dhe barazisë gjinore, u përmendën në tryezë për të treguar se aq shumë kontribut është dhënë dhe aq pak njihet.

Gjatë luftës së fundit, gratë u përballën me dhunime të shumta, por pas mbarimit të luftës u lanë nën hije bashkë me dhimbjen e tyre. Një pjesë e anashkalimit u lehtësua nga mungesa e komunikimit mes grave, dallimet ideologjike, dhe njohuritë e pakta për barazinë dhe të drejtat gjinore. Edhe shumica e grave të cilat u bënë përfaqësuese të popullit dhe të institucioneve shtetërore nuk treguan një angazhim sistematik për ndryshimin e formave të pushtetit dhe avancimin e barazisë gjinore.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vetëdijshme se historia, sidomos ajo e grave nuk është për t’u lënë pas, por për t’u zbuluar dhe për t’u mirënjohur. Lufta për barazi gjinore dhe kombëtare nuk ka përfunduar, vetë mbulimi i historisë së saj tregon se më së shumti ajo po tentohet të heshtet.

Kontribo