10 12 2020

Gratë t’i fuqizojmë e burrat t’i sfidojmë!

Sot, aktivistet dhe aktivistët e VETËVENDOSJE-s zhvilluan një aktivitet në përkujtim të grave dhe vajzave të vrara duke shprehur njëherit edhe indinjatën për femicidin në Kosovë. Ky krim ka marrë përmasa alarmante dhe institucionet po vazhdojnë të jenë neglizhente e pasive karshi këtij fenomeni. Në shenjë revolte dhe në përkujtim të 59 vajzave dhe grave të vrara nga burrat, ne sot para objektit të qeverisë ndezëm nga një qiri për secilën.

59 grave u është mohuar e drejta e jetës nga burrat që nga paslufta. Shumë gra të tjera rrezikojnë të vriten nga dhuna në familje. Institucionet me mosndërhyrjen e tyre të vazhdueshme po e nxisin dhe legjitimojnë dhunën dhe vrasjet ndaj grave. Ka shumë raste kur gratë kanë kërkuar paraprakisht ndihmë nga policia e kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Për më tepër, institucionet e drejtësisë, ku supozohet që këto veprime si dhuna e vrasja të ndëshkohen, janë treguar të njëanshme. Pra, lëre që policia nuk i dëgjon thirrjet në drejtim të saj, por edhe gjykatat që do të duhej të ishin të prera sa u përket krimeve, po bëjnë dallime gjinore në vendimet e tyre duke gjykuar kështu që jeta e grave peshon më pak se ajo e burrave në peshoren e drejtësisë. Me të tilla veprime e mosveprime, institucionet shtetërore janë bërë edhe vetë bashkëfajtore në këto krime.

Trajtimi që u bëhet rasteve të vrasjes së grave nga institucionet përveç se është plotësisht i padrejtë, me raste është edhe tejet i frikshëm. Ndonëse kjo dhunë ushtrohet direkt ndaj grave, disi gjendet gjithnjë një arsye për t’i bërë ato të duken fajtore. Kjo ndodhë për shkak se institucionet tona janë të kapura nga patriarkalizmi dhe funksionojnë si familje patriarkale. Kësisoj, çfarëdo veprimi i një gruaje, jashta asaj që konsiderohet si ‘normale’ për t’u bërë nga to, për ta është e dënueshme. Po flasim për jetë njerëzish. Pavarësisht gjinisë, vrasja duhet të ndëshkohet. Ne duam një polici që na del në ndihmë e na mbron, kur mendësia çnjerëzore na trajton më pak se njerëz. Ne duam gjykatës e prokurorë që vendimin nuk e bazojnë në atë çka kemi veshur. Ne duam drejtësi për gratë e përndjekura nga dhuna e vrasja, por edhe për gratë të cilat padrejtësia në procese gjyqësore po i mbanë padrejtësisht nëpër burgje.

Kontribo