Haradinajt iu desh një vit që ta kuptojë se e kanë mashtruar për Demarkacionin
Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti konferencë për media në ambientet e Kuvendit të Kosovës për një vjetorin e ratifikimit të marrëveshjes Demarkacionit me Malin e Zi, prej nga Kosova humbi 8.200 hektarë një vit më parë më 21 mars 2018. Në konferencë folën shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes, Glauk Konjufca dhe anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Arbërie Nagavci.
Haradinaj u bë Kryeministër duke premtuar korrigjimin e gabimeve të Demarkacionit me Malin e Zi. Një vit më pas, nuk është bërë asnjë hap përpara, asnjë raport apo sqarim për korrigjimin e tij. Deputetja Nagavci kujtoi deklaratat ku vetë deputetët e AAK-së shpreheshin se ishin detyruar ta votonin marrëveshjen dhe se vizat do të liberalizoheshin menjëherë pas ratifikimit të saj. Prej një viti, Kosova vteëm ka humbur dhe vizat akoma nuk janë liberalizuar. Për më tepër, deputetja Nagavci shpjegoi se si ratifikimi i Demarkacionit me idenë e korrigjimit të versionit fillestar po shërben aktualisht si precedent për Presidentin Thaçi që të rehatojë në sferën tonë publike idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Krejt çka Qeveria ka bërë për një vit janë skandale korruptive, punësime partiake e familjare.
Deputeti Konjufca theksoi në vazhdim deklaratën e Kryeminsitrit Haradinaj të datës 2 mars, ku ky i fundit e kishte pranuar se e kishin mashtruar në rastin e Demarkacionit dhe sesi kjo nuk do të përsëritet sërish me rastin e marrëveshjes me Serbinë. Ky deklarim i Haradinajt i vërteton pretendimet e para një viti të Lëvizjes se Kosova tashmë i ka humbur 8.200 hektar dhe se Kryeministri ose është mashtruar ose po mashtron. Prej një viti komisioni nuk ka dalë fare në terren, edhe pse vullneti dhe gadishmëria e anëtarëve të tij nuk mungon.
“Nëse je Kryeministër që të mashtron gjithkush, për besë duhet të japësh dorëheqje”, u shpreh deputeti Konjufca.
Në këto kushte Kryeministri duhet të marrë përgjegjësi edhe për mashtrimin që ka bërë për liberalizimin e vizave, por edhe për mashtrimin që ia kanë bërë për Demarkacionin.