HOMAZHE – 20 vjetori i masakrës në Izbicë dhe familjes Bogujevci
Sot, më datë 28 mars shënojmë 20 vjetorin e masakrës së Izbicës së Skënderajt dhe masakrës së familjes Bogujevci dhe Duriqi në Besianë. Delegacione të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të prirur nga deputetë e aktivistë të qendrës së Skënderajt, respektivisht Besianës, bënë homazhe duke iu bashkuar familjarëve në dhimbjen e tyre të gjallë dhe në përkujtimin e tyre të thellë për viktimat e krimeve çnjerëzore të Serbisë.
28 mars, 1999 – 20 vite më parë, në Izbicë të Skenderajt, 147 burra e djem shqiptarë u masakaruan mizorisht nga forcat serbe, ndërsa gratë dhe vajzat u dëbuan, për t’u terrorizuar dhe vrarë rrugës për në Shqipëri. Trupat e burrave dhe djemve të masakruar u varrosën nga fshatarët. Krimi kundër tyre nuk mbaroi në gjallje. Forcat serbe i zhvarrosën e i shpërndanë trupat e tyre nëpër Kosovë e Serbi.
Po atë ditë, në Besianë, njësiti ‘Skorpion’ kreu masakrën mbi familjen Bogujevci dhe Duriqi. 7 fëmijë të moshës prej 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra u ekzekutuan. Pesë fëmijë i shpëtuan kësaj masakre. Njëri prej këtyre fëmijëve, që sot është deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Saranda Bogujevci, rrëfeu para të pranishmëve rrjedhën e kësaj masakre.
20 vite më pas, Serbia nuk ka dënuar dhe as ka shënjuar ndonjë përgjegjës për këto krime. Ashtu si dikur shpërndante trupat e vdekur mbi tokën e Serbisë, sot shpërndan vulën e krimit mbi popullin serb. Kriminelët serbë që kryen krimet më çnjerëzore mbi popullsinë civile, me 11 masakra mbi shqiptarët dhe mbi kufomat, që e zhvarrosën krimin e tyre për ta varrosur nëpër tokat e shtetit të tyre, janë ende të lirë. Për pasojë, Serbia është e burgosur në krimin që po e përjetëson vetë në mënyrë qeveritare. Kriminelët gjenocidalë enden të lirë. Me këtë Serbi, me këtë shtet që shërben si tokë e lirë për kriminelët e luftës, disa mendojnë se ende mund të dialogohet dhe të sigurohet njohja. Këta negociatorë mendjelehtë janë pa dyshim ata që i kanë harruar krimet. Janë po ata që shkojnë deri aty sa i mendojnë të lehtë dhe të shpejtë edhe korrigjimet e kufijve.
Në këtë kohë pra, kur po flitet për kompromise të dhimbshme me Serbinë, pranvera 1999 dhe shumë data të ngjashme me të, korrigjojnë më së pari mendjelehtësinë e kujtdo që beson se Serbia ka ndryshuar. Kompromisi i dhimbshëm më shumë se ai me Serbinë, është ai i harresës së krimit dhe përjetësimit të krimit mbi njerëzit tanë.
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të popullit shqiptar!